Lajme Shqip Wednesday, 18 June 2014 19:20

Qeveria vendosi sot për një ndryshim në vendimin nr.144, datë 20.2.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e një ekipi këshillues ushtarak (mat-a) të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak “ISAF”, në Afganistan”. 

Në këtë vendim thuhet se “Shkronja “a”, e pikës 5, të vendimit nr.144, datë 20.2.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon: “a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;” 

Këshilli i Ministrave miratoi sot edhe një ndryshim në vendimin nr.145, datë 20.2.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e forcave të armatosura të republikës së shqipërisë me përfaqësues në shtabin “EUFOR”, në kuadër të operacionit ushtarak “ALTHEA”, të Bashkimit Evropian, në Bosnjë – Hercegovinë”. 

Në këtë vendim thuhet se, “Shkronja “a”, e pikës 4, të vendimit nr.145, datë 20.2.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet si më poshtë vijon: “a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 6 000 (gjashtë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;”. 

Qeveria vendosi sot edhe për një ndryshim në vendimin nr.140, datë 28.2.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e forcave të armatosura me përfaqësues në ekipin operacional të aleancës (TFA), të komandës së bashkuar të kundërzbulimit (ACCI), në operacionin ushtarak “KFOR”, Kosovë” 

Në këtë vendim thuhet se, “Shkronja “a”, e pikës 4, të vendimit nr.140, datë 28.2.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet si më poshtë vijon: “a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;”. 

Qeveria vendosi sot edhe për një ndryshim në vendimin nr.530, datë 13.7.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrje në operacionin ushtarak “ISAF”, në Kandahar, Afganistan” 

Në këtë vendim thuhet se, “Shkronja “a” e pikës 5, të vendimit nr.530, datë 13.7.2010, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet si më poshtë vijon: “a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;”. 

Qeveria vendosi edhe për një ndryshim në vendimin nr.197, datë 16.3.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar “KFOR”, Kosovë”, të ndryshuar” 

Në këtë vendim thuhet se, “Shkronja “a”, e pikës 5, të vendimit nr.197, datë 16.3.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet si më poshtë vijon: “a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 4 000 (katër mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;”. 

Qeveria gjithashtu vendosi për një ndryshim në vendimin nr.532, datë 7.7.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrje të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacione ushtarake, në shtabe të ndryshme në Afganistan”, të ndryshuar”. 

Në këtë vendim thuhet se, “Shkronja “a”, e pikës 2, të vendimit nr.532, datë 7.7.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet si më poshtë vijon: “a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 April 2014 11:55

Ky studim, që publikohet nga “Gazeta Shqiptare”, u hartua nga një kolonel dhe dy nënkolonelë në reserve. Aty sugjerohet miratimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve. Qendra Kombëtare e Sigurisë dhe e Mbrojtjes, është një institucion në varësi të ministres së Mbrojtjes. Studimi i tre ushtarakëve të lartë i përket dhjetorit 2013.

PROJEKT NË FUSHËN E MBROJTJES MIDIS RSH DHE RK

PËRMBAJTJA

A. Ideja e Projektit Studimor

“Non-Paper”

B. Fushat e projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit

1. Projekti i arsimimit dhe trajnimit të personelit ushtarak dhe civil dhe studimeve master dhe doktoraturë.
2. Projekti në fushën e Emergjencave Civile.
3. Projekti i një njësie të përbashkët për misione të paqes.
4. Projekti për stërvitje të përbashkëta midis njësive/ekipeve për operacione të mbështetjes së paqes.
5. Projekt i përbashkët për kryerjen e prokurimeve të përbashkëta.
6. Projekt i përbashkët në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve dhe sistemeve.
7. Projekt i përbashkët në fushën e shkatërrimit të municioneve të vjetra e të tepërta.
8. Projekt në fushën e kapaciteteve të vëzhgimit dhe policimit të hapësirës ajrore.
9. Projekt i përbashkët mbi ngritjen e një kapaciteti detar të Kosovës në territorin e RSH.
10. Projekt për pjesëmarrjen në iniciativat rajonale, si në SEDM/SEEBRIG, në iniciativën A5, në Balkan Battlegroup të BE, dhe në Qendrat e Ekselencës së NATO-s.
11. Projekt për krijimin e një Instituti të përbashkët të Studimeve Strategjike bazuar në eksperiencën e Qendrës Kombëtare të Sigurisë dhe Mbrojtjes së RSH.
12. Ngritja e një ekipi të përbashkët Task-Forcë për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit në NATO.
13. Një grup i përbashkët për dokumentet strategjike, standardizimin, doktrinat dhe manualet e përbashkëta për Operacione në Mbështetje të Paqes.

A. IDEJA E PROJEKTIT STUDIMOR “NON-PAPER”

Dy vendet tona, Shqipëria dhe Kosova, janë dy vende të vogla të rajonit të Ballkanit. Na bashkojnë shumë gjëra së bashku: historia, kultura, vlerat, gjuha, perspektiva, afërsia gjeografike, dhe shumë vlera të tjera. Për këto e shumë arsye të tjera, kemi vendosur të jemi partnerë strategjikë, sepse kemi interesa strategjike të përbashkëta.

Nga ana tjetër, kapacitetet njerëzore, financiare dhe materiale të shteteve tona janë të kufizuara, dhe shpesh jo të menaxhuara me efektivitetin e duhur.

Ka ardhur koha të vendosim marrëdhënie në nivelin më të lartë për të mirën e dy vendeve tona.

Jemi në kohën e duhur që Shqipëria dhe Kosova të zyrtarizojnë një marrëveshje të partneritetit strategjik të ratifikuar nga dy parlamentet tona.

Kjo marrëveshje mund të përfshijë fushat kryesore të zhvillimit ekonomik, tregtisë, transportit, energjisë, turizmit, kulturës, por edhe fushën e diplomacisë, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Synimi i saj duhet të jetë lehtësimi dhe mbështetja e projekteve të përbashkëta në interes të zhvillimit të përshpejtuar të dy vendeve tona, sipas parimit që, ato gjëra që nuk i bëjmë dot veç e veç mund t’i bëjmë së bashku, duke prodhuar sinergji dhe kursyer resurse të nevojshme.

Kjo “Non-Paper” trajton një frymë të re bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes.

Takimi i dy qeverive është një rast i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën për një këndvështrim të ri, në planin e bashkëpunimit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë në fushën e mbrojtjes.

Përtej aktiviteteve tradicionale që janë zhvilluar deri tani midis institucioneve të mbrojtjes të të dyja vendeve, duhet të kalojmë në një fazë më të avancuar të zbatimit të projekteve të përbashkëta me interes reciprok në fushën e mbrojtjes.

Formati i bashkëpunimit duhet të bazohet në formatin e “smart defence” apo “pooling and sharing” të disa kapaciteteve, aty ku ekzistojnë mundësia dhe vullneti politik.

Shumë nga fushat e bashkëpunimit që janë sensitive për shkak të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të mosnjohjes përfundimtare të RK nga kjo organizatë, mund të lihen për periudhën afatmesme dhe afatgjatë, siç janë ato për zhvillimin e kapaciteteve luftarake të përbashkëta (combat).

Projektet e tjera që kanë pak ose aspak sensivitet dhe që lidhen me aktivitete joluftarake (non-combat), mund të konceptohen qysh tani dhe të zbatohen në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

(GSH)

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 March 2014 13:07

Qeveria e Kosovës sot në mbledhjen e saj ka miratuar analizën e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe tetë rekomandimet e dala nga ky proces, ku parashihet që FSK-ja të shndërrohet në Forca të Armatosura të Kosovës.

Po ashtu, kjo analizë parasheh që Ministria e FSK-së të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes së Kosovës.

 
Lajme Shqip Sunday, 02 March 2014 16:27

Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të njohur shkurt si FAK. Por përveç ndryshimeve Kushtetuese që duhen për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, nevojitet edhe miratimi i një buxheti shumë më të madh.

Për këtë vit Qeveria e Kosovës i ka ndarë FSK-së vetëm 42 milionë euro për përmbushjen e aktiviteteve.

Eksperti i sigurisë Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thekson se Kosova me kapacitetet aktuale ekonomike që ka, mund të përballoj një ushtri numerikisht të vogël, rreth 4 mijë trupa aktive, si dhe 1500 trupa rezervë, e pajisur me armatim të lehtë, e cila do të ishte e aftë të mbronte sovranitetin dhe integritetin e vendit, si dhe të kontribuonte në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Për themelimin e një force të bazuar në këto kapacitete, Qeveria duhet të ndajë një buxhet deri në 60 milionë euro, i cili nuk e tejkalon shumën 4% të buxhetit aktual të Republikës së Kosovës.

“Buxheti aktual i Kosovës nuk u lejon forcave të ardhshme të Kosovës që të pajisjen me mjete të rënda luftarake, siç janë të pajisura shumica e shteteve në rajon. Ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe pajisja e tyre me mjete të rënda luftarake është shumë e kushtueshme dhe e papërballueshme për buxhetin aktual të Kosovës”.

Ndërkaq, ‘Kosova Sot’ sjell edhe të dhënat nga Ministria e e FSK’së, të cilat flasin për një buxhet të varfër dhe jo të mjaftueshëm për Ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Remzie Zeqiraj, major Oficer për Marrëdhënie me Publikun në MFSK, ka bërë të ditur për gazetën se buxheti për vitin 2013 ka qenë i planifikuar dhe i aprovuar në vlerë prej 39.347.258.00 eurosh, ndërsa buxheti i alokuar ka qenë 36.966.530.04 euro”.

Ky buxhet është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe aprovuar nga Parlamenti, në përkrahje të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.

Gjatë muajit mars dhe prill do të bëhet planifikimi për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2015 – 2017.

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 February 2014 16:08

Rishikimi i sektorit të sigurisë, që është pritur të rezultojë me ndryshim emri dhe mandati të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është diçka që zyrtarët e NATO-s thonë se nuk është diskutuar ende në nivel të saj.

Për më tepër zyrtarët e NATO-s i kanë thënë Radio Kosovës se vendimi nëse Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të evoluojë do të merret nga Këshilli Veri- Atlantik.
Duket që do të jetë Këshilli Veri-Atlantik ai që do të thotë fjalën përfundimtare nëse mandati dhe misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të duhet të ndryshoj.

Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se nëse mandati dhe misioni i FSK-së ndryshon, kjo pritet të ndodhë pasi që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s.

Duke shpalosur elementin kryesor të dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka bërë publike se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), e cila sipas tij, do t’i ketë tërë tiparet e një ushtrie.
Por, këtë deklarim zyrtarët e NATO e kanë cilësuar “të nivelit të brendshëm”. Për më tepër, ata kanë thënë se NATO aktualisht mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës në mandatin e saj aktual.

“Ne jemi në dijeni për deklaratën e z. Thaçi. Kjo është një çështje e brendshme e cila përfshin institucionet lokale. Siç e kemi përmendur edhe në përgjigjet e mëparshme, NATO aktualisht mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të misionit dhe mandatit të saj fillestar, përmes Zyrës Ndërlidhëse të sapo themeluar të NATO-s dhe Grupit Këshillues”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s për Radio Kosovën.

Sa i përket formatit të ardhmes së forcës ushtarake të Kosovës zyrtarët e NATO-s kanë thënë se kjo pritet të vendoset pas rishikimit që do t’i bëjë Këshillit Veri- Atlantik prezencës së NATO-s.

“Në lidhje me pyetjen tuaj rreth së ardhmes së statusit të FSK-së kjo është hipotetike dhe nuk është diskutuar në NATO. Nëse mandati dhe misioni i FSK-së do të ndryshoj, ne presim që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s”, thuhet në këtë përgjigje të Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s.

Qeveria e vendit pritet të bëjë publike materien e dokumentit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë nga i cili ndryshimet qenësore bien mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe dikasterin përkatës qeveritar ministrinë e FSK-së. Aktualisht nuk dihet se cila do të jetë përbërja, potenciali dhe skema e funksionimit të forcës ushtarake e të Kosovës e para së gjithash koha e operacionalizmit të saj.

 
Lajme Shqip Monday, 15 July 2013 16:32

Prishtinë – Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku pas takimit me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff ka deklaruar se FSK-ja është në rrugë të mbarë që në të ardhmen e afërt të jetë një ushtri e Kosovës.
Çeku i ka siguruar qytetarët e Kosovës se nuk ka vend për shqetësim sepse FSK-ja do të jetë ushtri e Kosovës.
Çeku ka deklaruar se dërgimi i FSK-së në veri sipas marrëveshjes do të ndodh në bashkëpunim me KFOR-in, por nuk ka specifikuar kohën, shkruan Express. 
Rreth mundësisë së përfshirjes së strukturave paralele në FSK, Çeku ka thënë se numri është i plotësuar dhe nuk ka vend.
Ndërkaq ambasadori anglez, Cliff iu ka shmangur deklarimeve rreth asaj se a do të jetë FSK-ja ushtri apo jo.

 
Lajme Shqip Sunday, 07 July 2013 01:25

 

Ekspertë serb të sigurisë e shohin si të rrezikshme marrëveshjën ushtarake të

nënshkruar para disa ditësh në mes Ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çekut dhe ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami.

“Kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë është vetëm një fazë drejt realizimit të projektit perëndimor të Shqipërisë së Madhe”, thekson Radomir Milasinovicit, dekan i Fakultetit të Sigurisë në Universitetin e Beogradit,

Gazeta serbe “Vecernje Novosti”, raporton se Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosvës ka kufizuar numrin e pjesëtarëve të ushtrisë së Kosovës në 2.500 ushtarë aktivë dhe 800 rezervistë.

Ndërsa vlerësimet për forcën e ushtrisë së Shqipërisë janë të ndryshme, por më së shpeshti përmendet numri prej 13 mijë ushtarëve.

“Ushtritë e bashkuara të Shqipërisë dhe Kosovës janë një forcë që meriton respekt. Serbia, duke mos braktisur parimin e mbrojtjes së sovranitetit, duhet të jetë e vetëdijshme se në anën tjetër të kufirit ka përballë fqinjët armiqësorë.

Marrëveshjen Kosovë –Shqipëri, e vlerëson shqetësuese edhe gjenerali serb, Radovan Radinovic.

“Serbia do të duhej qoftë edhe verbalisht t’i kundërvihet akteve të tilla”, thekson ai. 

 
Lajme Shqip Sunday, 02 June 2013 12:37

Prishtinë-Sot në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e dislokimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrimin “Gjoint Riakshion” në Republikën e Shqipërisë dhe në ushtrimin “Shared Risajllënc” në Republikën e Maqedonisë.Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati tha se FSK-ja, ka paraqitur kërkesë që vitin ardhshëm të merr pjesë në misione humanitare dhe paqeruajtëse në kuadër të NATO-s. Dy kontingjente të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur sot për të qenë pjesë e ushtrimeve të ushtrive rajonale që po mbahen në Shqipëri dhe në Maqedoni. Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Kadri Kastrati që e bëri përcjelljen e këtyre dy kontingjenteve të FSK-së për zbarkime jashtë vendit, tha se FSK-ja është e interesuar që të jetë anëtare e NATO-s dhe të marrë pjesë në misione paqeruajtëse në kudër të forcës Veri- Atlantike. 

“Si objektiv kryesorë i jonë është anëtarësimi në NATO, por edhe pjesëmarrja në misione paqeruajtëse.Ne kemi bërë kërkesat tona edhe në NATO edhe tek SHBA-ja që synim i jonë është që vitin tjetër të marrim pjesë krah për krah me ushtritë tjera në misione humanitare, në misione paqeruajtëse, të udhëhequra nga NATO, BE apo OKB-ja”, tha Kastrati, transmeton RTK.
Gjeneralljetënant Kastrait është shprehur i bindur se trupat e FSK-së, gjatë këtyre ushtrimeve të përbashkëta me ushtritë e rajonit në Shqipëri dhe Maqedoni do të tregojnë performanca profesionale.
“Në kuadër të konceptit të NATO-s, Smart Defence, për herë të parë edhe në shtabet e përbashkëta që është formuar për këtë ushtrim që është formuar në Shqipëri, do të marrim pjesë edhe me oficerë shtaborë por edhe me juve si njësit ku ka qenë prioritet i joni që ta ngrisim kërkim shpëtimin regjional. Gjithashtu unë ju dëshiroj grupit tjetër që sot merr pjesë n ë Maqedoni, ku ju do të jeni përkrah me ushtritë e rajonit“ , tha Kastrati.
Në ushtrimin “Joint Reaction 13” që do të zgjas nga 2-7 qershor, FSK do të marr pjesë më 25 pjesëtarë, kurse në ushtrimin “Shared Resilience 13 ”, që do të zgjasë deri me 7 qershor, FSK do të marr pjesë me 11 pjesëtarë, ushtrime këto të përbashkëta të FSK-së me ushtritë e vendeve të rajonit.

 
Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 14:51

Për anëtarët e komisionit parlamentar për mbikqyrjen e FSK-së, është shumë i rëndësishëm sqarimi i e-mailave të shkëmbyer ndërmjet zëvendëskryeministrit të FSK-së, Slavisa Filipovic dhe disa zyrtarëve të supozuar në Begorad. Kështu, ditë më parë, anëtarët e Komisionit parlamentar kanë miratuar një kërkesë drejtuar kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministrit të FSK-së, Agim Çeku, për të sqaruar përfundimisht rastin e përfolur të shkëmbimit të e-mailave. Ata theksuan se është e nevojshme që të sqarohet nëse informacionet në këto e-maila kanë prekur interest e vendit.

Zëvendës kryeministri Filipovic, gjatë komentimit të thirrjes së Komisionit parlamentar për ndërmarrjen e masave në këtë rast, ka thënë se ministri Çeku ka qenë në rrjedhë të kësaj çështje.

“Ministri e di se unë nuk i kam shkruar e-mailat e përfolur. Ai e ka vlerësuar çështje që nuk ka të bëjë me informacion të klasifikuar. Raportet tona kolegiale dhe të punës janë shumë korrekte”, ka thënë Filipovic, për Telegrafin.

Zv/ministri Filipovic ka deklaruar se nuk ka informacion nëse ministri Çeku e ka informuar kryeministrin Hashim Thaçi për këto çështje.

Zëvendësministri i FSK-së, Slavisa Filipovic, ka mohuar edhe një herë se ka bërë ndonjë vepër jo të ligjshme.

“Deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk i kam shkruar askujt e-mail që flet për informacionin e dhënë për FSK-në. Si zëvendësministër, unë jam i vetëdijshëm se sa do të dëmtonte kredibilitetin tim, për më tepër një gjë të tillë nuk do ta bëja në asnjë mënyrë që të dëmtojë institucionin ku punoj”, ka thënë Filipovic.

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 16:54

 

Rreth 1500 pjesëtar  të ish TMK-së që nuk vazhduan të jenë anëtarë të FSK-së mbetën pa punë

Për të diskutuar rreth gjendjes dhe mundësisë së risistemimit të tyre, përfaqësuesit e Grupi Iniciues të pjesëtarëve të ish-TMK-së, të mërkurën, mësynë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, transmeton KlanKosova. 

Safet Syla, drejtor i zyrës për çështjen e trashëgimisë së TMK-së, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka bërë të ditur se ish-pjesëtarët e TMK-së, që nuk janë angazhuar në FSK, janë duke jetuar në kushte të rënda ekonomike, prandaj ka kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës, që të bëjnë më shumë për këtë kategori.

Ish-pjesëtarët e TMK-së kanë edhe kërkesa të tjera që presin t’u plotësohen nga Qeveria e vendit: njohja politike e statusit të ish-ushtarakut dhe gradave ushtarake për të gjithë ish-pjesëtarët e TMK-së; risistemimi (punësimi) për të gjithë ish pjesëtarët e TMK-së të mbetur pa punë; të gjithë ish pjesëtarët e TMK-së, deri në punësimin e tyre të paguhen me një pagë sa paga aktuale e një pjesëtari aktiv të FSK-së; pensionimi i parakohshëm për të gjithë ish pjesëtarët e TMK-së, si për pjesëtarët e FSK-së, janë disa nga kërkesat e ish-pjesëtarëve të TMK-së.