Lajme Shqip Saturday, 15 March 2014 15:18

Lutfi Nuri dhe Edvin Libohovajanë dy zëvendëspresidentët e rinj të Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithçka është zyrtarizuar dje në mbledhjen e parë të Komitetit të ri Ekzekutiv të FSHF-së, të dalë nga Asambleja Zgjedhore e 28 shkurtit. Ky komitet përbëhet nga presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka, si dhe anëtarët Tahir Kastrati, Lutfi Nuri, Muhedin Targaj, Artan Hajdari,Edvin Libohova, Arben Dervishaj, Abdyl Kuriu, Bardhyl Minxhozi, Fatbardh Jera dhe Vasil Bici. Në mbledhjen e parë rendi i ditës ishte zgjedhja e dy zv.presidentëve të FSHF-së.

Si zv.president i parë i propozuar ka qenë Lutfi Nuri, i cili ka marrë unanimisht të gjitha votat e anëtarëve të tjerë. Votimi është bërë i hapur edhe për propozimin eEdvin Libohovës si zv.president i dytë. Ky i fundit gjithashtu ka marrë të gjitha votat e anëtarëve. Për Nurin, ky është mandati i tretë radhazi në këtë post, ndërkohë që ai ka marrë edhe postin e kryetarit të Komisionit të Financave në FSHF.

Nuri ishte më i votuari në asamblenë zgjedhore për anëtar të Komitetit Ekzekutiv, me 52 vota. Nga ana tjetër, vlen për t’u theksuar se zv.presidenti i ri, Libohova, ka qenë edhe më parë në këtë post, pikërisht në mandatin 1993- 1997. Madje, ai për një vit ka mbajtur edhe postin e presidentit të FSHF-së gjatë kësaj periudhe.

Gjatë asamblesë së fundit zgjedhore, Libohova mori 42 vota, duke qenë i gjashti më i votuar në listën me 9 kandidatë për anëtarë të KE-së.

 
Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 23:49

Armand Duka dhe Gianni De Biasi janë takuar dje për të diskutuar mbi të ardhmen e skuadrës, katër ndeshjet e mbetura, por njëkohësisht edhe për rinovimin e kontratës së trajnerit italian.

Mësohet se pika e përbashkët e të dyja palëve ka qenë dëshira për të vazhduar bashkëpunimin mes tyre, por kur bisedimet kanë mbërritur te shifrat, atëherë palët kanë qenë larg njëra tjetrës, raporton e përditshmja sportive shqiptare ‘Panorama Sport’, përcjellë gazetaexpress.com.

Nuk bëhet fjalë për distanca të mëdha dhe marrëveshja mund të arrihet në të ardhmen, duke qenë se vullneti i mirë ekziston.

Kreu i FSHF-së i ka bërë të qartë De Biasit se dëshiron të bashkëpunojë me të dhe për këtë arsye dëshiron që ai të vazhdojë edhe edicionin e ardhshëm.

Duka i ka bërë të qarrtë se e ka gati marrëveshjen e rinovimit me të njëjtat kushte financiare. Këtë gjë në fakt e pat deklaruar edhe publikisht në media disa kohë më parë.

Duka i ka premtuar gjithashtu se do të ketë gjithçka në dispozicion, si burimet financiare (udhëtime për vëzhgime lojtarësh, etj), po ashtu edhe burimet njerëzore.

Kreu i FSHF-së i ka kujtuar italianit se do të vazhdojë të jetë tërësisht i pavarur dhe i pandikuar nga faktorë të jashtëm, ashtu sikundër ka qenë deri tani.

Aktualisht De Biasi merr afro 300 mijë euro në sezon, por trajneri kërkon të paktën 100 mijë euro rritje page për të rinovuar.

Në fakt De Biasi mësohet se është treguar i moderuar në bisedë, duke mos përmendur shifra konkrete, por i ka bërë të qartë presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit se rezultatet e skuadrës si dhe rinovimi i saj duhet të shpërblehen në kontratën e ardhshme, pasi sipas tij ai e ka merituar këtë gjë me punën që ka bërë.

Duka është treguar gjithashtu i moderuar duke mos i mohuar asgjë nga rendimenti i italianit, por i ka vënë në dukje trajnerit se kaq janë mundësitë financiare të FSHF-së dhe se nuk mund të japë më tepër.

E sigurt është se do të ketë një raund tjetër bisedimesh, ndoshta edhe më shumë se një. Është normale, sepse edhe nëse palët do të binin dakord për çdo gjë dje, marrëveshja nuk mund të quhej e mbyllur për aq kohë sa asnjëra prej palëve nuk ka pasur me vete përfaqësuesit ligjorë.

Duka dhe De Biasi gjithsesi janë ndarë në një mënyrë tepër miqësore duke lënë gjithçka hapur dhe sipas burimeve të FSHF-së, marrëveshja është shumë pranë.

Ndeshjet e mbetura mund të marrin një rëndësi të veçantë në rrjedhën e gjërave, sepse deri tani në bisedime ka qenë “i favorizuar” De Biasi, për shkak të rezultateve.