Lajme Shqip Thursday, 10 January 2013 13:53

TIRANË – Fryme e Re Demokratike vlerëson se është e gatshme të futet në zgjedhjet e vitit 2013 dhe të garojë denjësisht, ndërkohë që angazhohet që gjatë këtij 6 mujori do të punojë për afrimin e vendit me BE.

Nënkryetari i kësaj partie, njëherësh një nga iniciatorët e saj, Gazmend Oketa, pas mbledhjes së kryesisë së FRD-së akuzoi forcat politike se po përpiqen që përmes presioneve të frenojnë anëtarësimin në këtë forcë politike.

“Konstatoj me kënaqësi se ka një fluks të konsiderueshëm anëtarësimesh pavarësisht klimës së vështirë që përpiqen forcat politike që përmes presioneve për shkak të punësimeve në administratë dhe biznese , të frenojnë fluksin e anëtarësimeve. Me kënaqësi konstatoj se FRD është e gatshme të hyjë në zgjedhjet dhe të bëjë diferencën me partitë që tejzgjatën tranzicionin” deklaroi Oketa. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 02 November 2012 14:39

Tiranë – “Departamentet do të hartojnë një program politik me të cilin ne do shkojmë në zgjedhje dhe do të garantojnë që këto zgjedhje të jenë të lira e të ndershme. Do bëjmë të mundur që kjo forcë të jetë një element jetik në vendimmarrje”, deklaroi Topi.

Ish-kreu i shtetit është shprehur se FRD do të shpalosë një filozofi tjetër politike. “Atë të politikës në ekip, të decentralizimit të vendimmarrjes dhe të përfshirjes në politikë të

kujtdo që ka ide dhe projekte”, ka nënvizuar Topi, i cili më tej ka dhënë dhe detaje mbi departamentet e FRD-së.

“Ekipi ynë ka 19 departamente, të cilat përbëhen nga personazhe të shkencës, botës akademike dhe publike. Të gjithë ata që kanë zgjedhur të jenë pjesë e këtyre departamenteve, janë të angazhuar për një politikë të re”, ka theksuar Topi.

Ndër të tjera, ai ka vlerësuar maksimalisht vizitën e një dite më parë të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila sipas tij i dha një mesazh të qartë klasës politike shqiptare.

“Shpreh vlerësimin tim më të lartë për vizitën historike të sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, që me mesazhet domethënëse i dha një sinjal të qartë politikës shqiptare, se e ardhmja realizohet vetëm nëpërmjet mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për qëllime të mëdha”, ka theksuar Topi.

“Vizita dhe mesazhet e zonjës Clinton dëshmuan lidhjet mes vendeve tona, të projektuara për 100 vite të tjera. Ajo dha mesazhe të qarta për mirëkuptimin, shtetin ligjor dhe zgjedhjet e ardhshme politike, që ato të jenë të drejta dhe korrekte”, ka vijuar kreu i FRD-së.

Gjatë fjalimit të tij, ish-presidenti i Republikës nuk ka kursyer kritikat ndaj ish-partisë ku aderonte, e cila sipas tij është kthyer në një organizatë fitimprurëse për kryetarin e saj.

“Partia në pushtet është kthyer në një kompani ekonomike që i shërben kryetarit të saj dhe klanit të tij. Ne që sot jemi në FRD jemi krenarë që nuk jemi dhe nuk kemi qenë pjesë e tranzicionit, pazareve, korrupsionit, etj. Përkundrazi, ne krenohemi se aty ku ishim, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, bëmë gjithçka për respektimin e institucioneve, për të shmangur zaptimin e shtetit nga një njeri i vetëm dhe për një politikë evropiane”, ka deklaruar Topi.

Disa nga departamentet e prezantuara dhe drejtuesit e tyre janë:

Departamenti i marrëdhënieve me jashtë – Alketa Çoçka
Departamenti i integrimit evropian – Mirela Bogdani
Departamenti i arsimit dhe shkencës – Edmond Dragoti
Departamenti i shëndetësisë – Aleksandër Sallabanda
Departamenti i marrëdhënieve me publikun – Edlira Gjoni
Departamenti i politikave të administratës publike – Andi Seferi
Departamenti i çështjeve kushtetuese dhe ligjore – Edlira Abazi
Departamenti i ish-të përndjekurve – Bedri Blloshmi
Departamenti i çështjeve të pronësisë – Ajola Tola
Departamenti i ekonomise dhe pasurive publike – Alfred Cake
Departamenti i marrëdhënieve me biznesin – Mimoza Bregu
Departamenti i politikës për kulturën, rininë dhe sportet – Agron Xoxa
Departamenti i çështjeve sociale dhe shoqërisë civile – Kliton Zguri, Edlira Seferi
Departamenti i diasporës dhe emigracionit – Lizander Saraçi
Departamenti i çështjeve të sigurisë kombëtare – Klajdi Mati (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 13:13

TIRANE (PLOTESUAR 12 TETOR, 21:10)- Ish-të përdjekurit politikë të cilët prej 21 ditësh vijojnë grevën e urisë në dy cadra të improvizuara në zonën e Komunës së Parisit, shpallën pasditen e sotme grevën e vdekjes.

Grevistët marrin kështu aktin ekstrem të mohimit edhe të ujit të pijshëm, ndërkohë që theksojnë se vendimi i tyre erdhi si pasojë e ndërhyrjes së policisë në tendë duke i larguar pijet. Ata fajësojnë palën negociatore që ka qënë në takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani pasi nuk solli rezultatin e dëshiruar, por nxitën tensionet mes koordinatorëve të grevës dhe uniformave blu që mbikëqyrin grevën.

Ish-të burgosurit politikë kanë hyrë sot në ditën e 21-të të grevës së urisë. Me kalimin e ditëve është rënduar edhe gjendja e tyre shëndetësore, por sot duket se situata ka ndryshuar, pasi ata u ulën në bisedime me kreun më të lartë të shtetit, Buajr Nishani. Grevistët takim edhe me dy zv.ambasadorë të SHBA e Francës. Mbështeten edhe nga shoqata e ish-të përndjekurve në Korçë.

NJË GREVIST RËNDË, REFUZON SPITALIN
Ora 19:40
-Një nga grevistët refuzon të shoqërohet në spital. Gjendja e Ramazan Spahiut, 75 vjeç është rënduar së tepërmi pas ditëve në grevën e urisë. Mjekët kanë kërkuar ta shoqërojnë në spital, por ish-i dënuari politik ka refuzuar.
“Policia na ka hequr dhe ilaçet që ne pinim”, thanë grevistët.

Kukan: Greva, situatë tragjike

Ora 19:30- Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan deklaroi për Top Channel se greva e ish-të përndjekurve politikë është një stutatë shumë tragkike. “Kur njerëzit janë kaq shumë të zhgënjyer sa ndërmarrin aktin e vetëflijimit, kjo është shumë e dimbshme”, tha Kukan, i cili deklaroi se beson që qeveria do ta zgjidhë situatën e kompensimit financiar të tyre.

TAKIMI ME ARVIZU: U TREGUAM INCIDENTET, NA PREMTUAN NDIHMË
Ora 18:35-Skënder Tufa së bashku me një përfaqësues tjetër vizituan sot ambasadën amerikane në Tiranë ku dhanë shpjegime para ambasadorit Arvizu rreth situatës së krijuar.  “Ne morëm kontakte dhe treguam të gjitha ato që pamë bashkarisht. I treguam dhe sjelljen e policisë ndaj nesh, dhe një urdhër nga policia që unë dhe Skënder Tufa mos t’i afrohemi çadrës për një arsye që nuk e dimë. Kemi 21 ditë pa bukë, tani lamë dhe ujin. Ata na premtuan se do merren me telefonata, me mundësitë që kemi, se nuk mund t’i japim urdhër një shtetit”, thanë TVNeës24, koordinatorët e grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë.

GREVISTËT: LARGONI POLICINË NGA GREVA
Ora 18:30-Ish-të burgosurit politikë, grevistët e urisë kanë bërë të ditur se policia po pengon zhvillimin e mëtejshëm të grevës së urisë. Ata i bëjnë thirrje policisë të largohet nga ambientet e grevës së urisë. Në një deklaratë në formë letre të hapur ata i drejtohen Presidentit, Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm që të ndihmojnë ti jepet fund këtij trajtimi c’njerëzor që po i bëhet kësaj klase, ndërsa përsërisin që kërkojnë dëmshpërblim.

Grevistët deklaratë urgjente:
“I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, Nëse akoma vazhdon të jetë Presidenti i të gjithë shqiptarëve që mbas takimit me të prisnim një vijimësi dialogu dhe një barrier anti-njerëzore.  z. President edhe në Burgun e Spacit dhe të Qafës së Barit ku shumica jone ka vuajtur dënimin na lejoheshin të na vizitonin gratë dhe fëmijët. Rrethimi jonë nga policia është i turpshëm dhe i antinjerëzor. z. President si President i të gjithëve shqiptarëve pavarësisht preferencave tuaja, Ju bëjmë thirrje të silleni si i tillë.
z. Kryeministër ti ndalosh në grevën e urisë në ditën e 21 që grevistët të marrin ujë dhe çaj është sikur t’i kesh vrarë vet me dorën tende. Si mjek e di fare mirë që trupi ynë i raskapitur në mungese të lëngjeve do të japi shpirt.

Po të bëjmë thirrje Kryeministër se ne nuk dalim nga këto gardhe dhe kurthe policesh që na ke ngritur. Shpresojmë të na marrësh seriozisht sepse e kemi treguar deri tani që jemi të tillë. Nëse na ndërpret lëngjet dhe mjekimet ne do të rrimë këtu deri sa të vdes secili nga ne. Dhe të gjithë, ne, jemi në ndërgjegjen tënde. Le të shërbejë kjo thirrje e sotme si testament ligjor për këdo qoftë, Prokuror i Përgjithshëm. Ne po na lenë të vdesim me ndërgjegje të plotë veç për ego të semurë të një drejtuesi që tashmë ka humbur lidhjen me realitetin, vendin dhe qytetarët e tij. 

I bëjme thirrje Trupit të huaj diplomatik në Tiranë që të garantojnë lirinë dhe të drejtën të kushtetuese të tubimit, protestës dhe grevës së Urisë. I bëjmë thirrje për të ushtruar të gjithë presionin e tyre pozitiv përkundrejt këtyre njerëzve që po na çojnë me vetëdije drejt vdekjes. I bëjmë një thirrje të fundit edhe Ministrit të Brendshëm. Tërhiqe policin z.Ministër, se nuk jemi në Korenë e Veriut. Këtu jemi në mes të Tiranës. Zotrote nuk duam të na politizoni deklaratën tonë, por ne nuk kërkojmë, shtëpi nga liqeni e nga Gjiri i Lalzit, as ‘Range Rovera’ nga ato që ju Zotrote keni siguruar me “djersen e ballit”. Tërhiqi policet dhe sillu si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve, sillu si qytetar dhe si ministër. Sjelljet prej tepisti veç do legjitimojnë më shumë kauzën tonë.

Ne duam lekët e dhimbjeve që Komunizmi na ka shkaktuar e duam vetëm të hamë pak bukë e t’u vemë fëmijeve një strehë mbi kokë. Sa më shumë të na lini të vuajmë aq më shumë si në poezitë e Majakovskit do të gdhendi mitin tuaj të diktatorit dhe të të papërgjegjshmit.  Kërkojmë nga të gjithe shqiptarët e ndershëm, të vuajtur e familjar të vinë të jenë pranë nesh për të na mbështetur e garantuar të mos dhunohemi nga Policia”.

SKËNDER TUFA NË AMBASADËN E SHBA PËR INCIDENTET
Ora 17:50-Ndërkohë Skënder Tufa ndodhet në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ku po jep deklaratën e tij për incidentet me grevistët që tentojnë vetëflijimin duke i vetëdjegur.

BIBERAJ: QYTETARË BASHKOHUNI ME ISH-TË BURGOSURIT POLITIKE
Ora 17:40-Përfaqësuesi i FRD, Aleksandër Biberaj u bëri thirrje qytetarëve të solidarizohen me kërkesat e ish-të burgosurve politikë që ndodhen në grevë prej disa ditësh. Biberaj tha se qeveria tregoi qartë se ka urrejtje klasore ndaj kësaj shtrese sepse në krye të saj qëndron një ish-sekretar partie. “Këta qytetarë nuk mund të lihen sot të vdesin këtu. Kërkesat e tyre janë legjitime, të mirëfillta ekonomike”, tha Biberaj.

MBËRRIN NË AEROPORTIN E RINASIT LIRAK BEJKO
Ora 15:10 Mbërrin në aeroportin e Rinasit Lirak Bejko, i vetëdjeguri i dytë i grevës së urisë. Lirak Bejko pritet të niset për në Itali, shoqërohet nga bashkëshortja.
Në ditën e 19 të grevës së urisë miku i tij i ngushtë Lirak Bejko, ndërmori aktin ekstrem të vetëflijimit me benzinë. Si pasojë e flakëve 47-vjecari pësoi djegie në 50% te trupit dhe vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në pavionin e djegieve. (LajmeShqip.com)

LAMAJ: PRESIDENTI I GATSHËM TË NA VIJË NË NDIHMË
Ora 13:10- Pas takimit me Presidentin Nishani, njëri nga grevistët Fatmir Lamaj deklaroi për News 24 se ai ishte i gatshëm t’ju vinte në ndihmë.
“Presidenti Nishani u tregua i vëmendshëm. Pamë nga ana e tij gatishmërinë për të na ardhur në ndihmë. Nishani i mbajti shënim kërkesat, la të hapur shtegun e bisedimeve”, tha grevisti.

Lamaj sqaroi më tej se greva e tyre do vazhdojë me deri në zgjidhjen e situatës.
“Greva jonë do vijojë me të njëjtin përkushtim deri në zgjidhje. Kuptuam se ishim të përfaqësuar nga Presidenti Nishani. Jemi të kënaqur për gatishmërinë që shfaqi”, shtoi ai.

PËRFUNDON TAKIMI I GREVISTËVE ME NISHANIN
Ora 12:21- Ka përfunduar pas 1 ore takimi i përfaqësuesve të grevës së ish- të përndjekurve me Presidentin Bujar Nishani. Njëri prej tyre, Fatmir Lloci ka deklaruar se i kanë parashtruar presidentit kërkesat e tyre. Nuk dihet ende se çfarë përgjigje iu ka dhënë presidenti grevistëve, ndërsa ata janë shoqëruar nga një makinë e Ambasadës Amerikane.

GREVISTËT TAKOJNË NISHANIN
Ora 10:50- Kështu rreth orës 10:40, 3 përfaqësuesit e ish-të përndjekurve kanë hyrë në Presidencë për të takur Bujar Nishanin, me të cilin d të diskutojnë edhe arsyet e ngujimit në grevën e urisë, por edhe të akteve të rënda që dy prej tyre kanë ndërmarra.

SHOQATA E ISH-TË PËRNDJEKURVE POLITIKË NË KORÇË PËRKRAH GREVËN
Ora 10:19 Shoqata e ish-të përndjekurve politikë në qytetin e Korçës është solidarizuar me grevën që një grup ish-të burgosurish politikë po ndjekin prej 21 ditësh në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Sekretarja e shoqatës së ish-të përndjekurve, Shpresa Merdani është shprehur për mediat se mbështesin dhimbjen dhe kërkesat e grevistëve në Tiranë. “Jemi kundër heshtjes së qeverisë ndaj një grupi ish-të burgosurish. Për t’i përkrahur janë nisur një grup ish-të dënuarish nga Korça. Një pjesë e tyre mund t’i bashkohet grevës”,- tha Merdani.

Ndërkohë, duke bërë thirrje që qeveria të ulet e të dialogojë me to, ato shprehen se janë kundër akteve sublime që ato kanë marrë. “Greva nuk është politik,por është vetëm ekonomike”,- tha ish-e përndjekura politike Vaske Orgocka. 

TUFA: NISIM NEGOCIATAT
Ora 08:40- Skënder Tufa, kordinatori i kësaj greve sqaroi sot për News 24 se për grevistët tashmë është hapur një dritë jeshile, pasi kanë nisur negociatat.
Ai u shpreh se përfaqësues të grevës janë takuar me zv.ambasadorin e SHBA-ve, ndërsa tre prej tyre pritet të takojnë Presidentin Bujar Nishani.

Me ish-të përndjekurit grevistë është takuar sot edhe zëvendës ambasadori i Francës, i cili është interesuar në vecanti për gjendjen e shqiptaro-francezit Lavdosh Beqo 81-vjec. Mësohet se Lavdosh Beqo, hyri në grevë pas vetëdjegies të Gjergj Ndrecës. 

GREVA
Ish- të përndjekurit politikë nisën mbrëmjen e 22 shtatorit në dy çadra pranë zonës “Komuna e Parisit” një grevë urie, e cila pritet të zgjasë, për shkak se Qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut. Sipas ish- të përndjekurve politikë, gjendja aktuale e tyre është tepër e rëndë, ndërsa dëmshpërblimi u shty për një afat të pacaktuar. Ata theksojnë se gjithçka ndodhi për shkak të tjetërsimit të ligjeve që Qeveria bëri në kundërshtim me Kushtetutën. 

GJERGJ NDRECA 
Ish i përndjekuri, Gjergj Ndreca më 8 tetor tentoi të vetëflijohej duke u lyer me benzinë, ndërkohë që grevisti Llazi Koçi, humbi ndjenjat në përpjekje për t’i shuar flakët mikut të tij. Ndërkohë, sot në ditën e 19 të grevës së urisë miku i tij i ngushtë Lirak Bejko ndërmori aktin ekstrem të vetëflijimit me benzinë.

LIRAK BEJKO
Pas Gjergj Ndrecës, shoku i tij, ish i burgosuri politik, Lirak Bejko 47 vjeç, nga Skrapari ka tentuar t’i japë fund jetës duke i vënë flakën vetes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 13:05

TIRANE- Partia “Fryma e Re Demokratike” i eshte drejtuar me  nje kerkese parlamentit per seance te jashtezakonshme per ish-të përndjekurit politike.

Anetari i FRD-se, deputeti Gazmend Oketa ka reaguar pas tentatives veteflijuese te grevistit Gjergj Ndreca, duke apeluar per nje zgjidhje sa me te shpejte te kerkesave te tyre.

“Greva e urisë e ish-të përndjekurve politike është një akuzë në drejtim të qeverisë për frymën e saj diskriminuese. Duhet të gjendet një zgjidhje e menjëhershme e kësaj situate”-ka thene Oketa.

Me poshte kerkesa e plote

Kërkesë:   Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme parlamentare për grevën e urisë së ish- të përndjekurve dhe ish- të burgosuve politikë

Drejtuar:    Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë

Partive politike parlamentare

Për dijeni:      Z. Astrit PATOZI  Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Z. Gramoz RUÇI Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Z. Ilir META Kryetar i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim

Z. Shpëtim IDRIZI Kryetar i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet

Z. Vangjel DULE Kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

Z. Fatmir MEDIU Kryetar i Partisë Republikane

Të nderuar kolegë,

Siç jeni në dijeni, prej dy javësh një përfaqësi e ish- të përndjekurve dhe ish- të burgosurve politikë po zhvillon në Tiranë një grevë urie, – forma më e ekstreme e protestës demokratike. Ata provuan që kërkesat e tyre t’i adresojnë në rrugë institucionale, të dialogojnë me qeverinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse, të tërheqin vëmendjen e parlamentit dhe të opinionit publik, – dhe në konsumim të të gjitha këtyre etapave, vendosën të kalojnë në grevën e urisë.

Akti i tyre human e qytetar përbën një akuzë të madhe për arrogancën, intolerancën dhe sjelljen thellësisht diskriminuese të pushtetit ekzekutiv dhe faktorëve kryesorë politikë në vend. Shteti e shoqëria shqiptare u ka borxhe të mëdha morale, ligjore e financiare atyre grevistëve dhe kolegëve të tjerë të tyre, të cilët me dinjitet dhe kurajë, nën regjimin komunist, luftuan e qëndruan në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë, perëndimit dhe shtetit së të drejtës.

Në kushtet absurde kur një vend anëtar në NATO dhe me aspirate për integrim në BE i detyron qytetarët e tij të vetësakrifikohen për të drejtat e tyre, çdo parti, deputet dhe qytetar që ka respekt për veten, familjen, shtetin dhe interesat madhore të vendit, duhet të ngrejë zërin dhe të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhje. Në demokraci ekzistojnë mekanizma të tillë institucionalë dhe sot Shqipëria ka rastin të tregojë se edhe pse me vonëse, demokracia funksionon.

Mbi këtë bazë parlamenti shqiptar, si institucion përfaqësues, ka detyrimin të ndjekë zbatimin e ligjit dhe të akteve ligjore të miratuara prej tij, përfshirë edhe paketën legjislative për kompensimin e plotë të ish- të përndjekurve politikë. Ky parlament ka miratuar amnistinë kolektive të tyre, ky parlament ka kërkuar falje publike në emër të shtetit shqiptar, ky parlament ka premtuar kompensimin financiar dhe integrimin e tyre të plotë në shoqëri, ky parlament ka bërë fushatë dhe marrë votat e ish- të përndjekurve politikë për t’i përfaqësuar edhe politikisht, ndaj ky parlament ka të gjithë përgjegjësinë dhe detyrimin të mos heshtë, të mos bashkohet me arrogancën vrasëse të qeverisë, por të veprojë pa humbur kohë për të shpëtuar sadopak dinjitetin dhe nderin e humbur shtetëror ndaj grevistëve të urisë, kolegëve, familjarëve dhe mbështetësve të tyre. Konkretisht, me cilësinë e deputetit, qytetarit dhe politikanit po ju drejtohem me një kërkesë publike për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare për të debatuar mbi kërkesat dhe rrugëzgjidhjen e problematikës së ish- të përndjekurve politikë.

Për shkak se qeveria në kundërshtim me detyrimin e saj kushtetues refuzoi zbatimin e ligjit, për shkak se qeveria në kundërshtim me moralin e saj të premtuar politik refuzoi dialogun, për shkak se qeveria në kundërshtim me parimet e përfaqësimit vendosi të braktisë përfundimisht ish- të përndjekurit dhe ish- të burgosurit politikë, parlamenti duhet të ndërhyjë për të marrë situatën në dorë, për të zhvilluar një seancë debati, për të vendosur urat e dialogut institucional, për t’i kërkuar qeverisë zbatimin e ligjit dhe për t’i dhënë fund situatës absurde, kur një qeveri prepotente i detyron qytetarët të rrezikojnë jetën e tyre në mbrojtje të lirive dhe të drejtave kushtetuese.

Ne nuk mund të lejojmë më, që për fajin e atyre që na keqqeverisin, të rrezikojmë rendin kushtetues, jetën qytetare, prestigjin tonë ndërkombëtar si dhe shpresën te demokracia funksionale. Sot është koha që të flasë ndërgjegjia juaj, jo frika nga lista ndërshkuese parlamentare apo sundimtari që kërcënon lirinë e shoqërisë dhe bashkë me të edhe lirinë tuaj. Ndaj, me besim në vlerat e një politike dhe mendësie të re, që sheh përtej interesave politike të ditës, që vendos qytetarin mbi çdo interes pushteti, ju ftoj të mbështesni nismën time dhe së bashku, të rikthejmë sadopak dinjitetin, nderin dhe besimin tek shteti e demokracia shqiptare.(LajmeShqip.com)

Me respekt,

Gazmend Oketa, Deputet

Fryma e Re Demokratike

 
Lajme Shqip Friday, 07 September 2012 14:42

Tiranë – Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi u zyrtarizua sot si keu i ri i Partisë Fryma e Re Demokratike (FRD).

Deputeti dhe njëkohësisht kreu i grupit nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa u shpreh se, forumet e partisë kanë marrë vendimin që t`ia besojnë drejtimin e FRD-së ish-kreut të shtetit Bamir Topi, deri në mbledhjen e Kuvenditë të ardhshëm Kombëtar.

“FRD mori vendimin që t’i besoj drejtimin e kësaj partie, zotit Bamir Topi deri në Kuvendin e ardhshëm Kombëtar, si një angazhim më shumë për të. Prania e tij në Frymën e Re Demokratike është një vlerë e shtuar, i cili iu bashkua projektit tonë për të dhënë kontributin e tij për një Shqipëri demokratike”, u shpreh Oketa.

“Grupi drejtues ka zhvilluar disa takime dhe në mbledhjen e fundit mori vendim politik, kolegët miratuan propozimin tim për t`i besuar drejtimin e FRD deri në kuvendin e ardhshëm, Bamir Topit. Ky nuk mund të konsiderohet privilegj, por angazhim dhe përgjegjësi më shumë”, tha Oketa.

Ndërsa ish-Presidenti Topi u shpreh se rikthehet në politikën aktive me synim arritjen e standardeve të demokracisë. “Në përputhje me deklaratat e mia të mëparshme, dua të shpreh vendimin tim politik për t’u bërë pjesë aktive politike e FRD-së për të bërë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve. Për 5 vite pata fatin që të përfaqësojë gjithë qytetarët. Unë rikthehem në politikën aktive me një përvojë shumë herë më të madhe politike, me synimet e qarta në arritjen e atyre standarteve të demokracisë”, tha Topi.

Ai shtoi se tashmë qytetarët janë të zhgënjyer nga politika dhe kërkojnë ndryshim. “Qytetarët me të drejtë kërkojnë një ndryshim pozitiv për veten, familjen dhe për vendin. FRD-ja ka përqëllim këtë ndyshim që s`ka të bëjë vetëm me ndryshimin e jetës së qytetarëve por me ndryshimin e sjelljes politike”, nënvizoi Topi.

Topi gjithashtu u shpreh se nuk do të ketë koalicion me dy partitë e mëdha politike në zgjedhjet e 2013-ës. “Ne i konsiderojmë tashmë parti të vjetra të një trazicioni të mundimshëm në Shqipëri. Ne përjashtojmë në mënyrë absolute ndonëse politika ka një fjalë “kur mos thuaj kurrë”, të paktën për atë mendim që ne mendojmë sot , në zgjedhjet e 2013-ës nuk do të bëjmë koalicion me asnjë parti politike përfshirë PD-në dhe PS-në”, tha kreu i FRD-së, Bamir Topi. (LajmeShqip.com)


 
Lajme Shqip Friday, 03 August 2012 11:32

Tiranë – Pak ditë pasi i dorëzoi zotit Bujar Nishanit postin e kryetarit të shtetit, ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi sot takimin e parë zyrtar me grupin nismëtar të Frymës së Re Demokratike, të cilin e konsideroi si hapin e parë të rikthimit të tij në politikë.

Në një deklaratë për mediat pas takimit, të zhvilluar në hotel “Tirana International”, ish-presidenti Topi theksoi se në fund të këtij muaji do të realizojë hapin përfundimtar të rikthimit të tij në politikë, kur do të përcaktohet edhe roli e tij në FRD.

“Jam i bindur tashmë se takimi tjetër do të realizohet në selinë e re të FRD-së, një forcë e re politikë që në vizionin politik e ka bërë të qartë që do të jetë në funksion të plotë të aspiratës qytetare.”- u shpreh Topi 

Në lidhje me pozicionin e tij në FRD, ish-Presidenti i Republikës nuk dha detaje nëse i është ofruar posti i drejtuesit të kësaj partie, duke pranuar se ai kthehet në politikë si misionar. “Nuk e lidh këtë me një pozicion të caktuar, kjo do t’i takojë të ardhmes. Rotacioni vjen nëpërmjet votës së popullit”, shtoi ai.

I pyetur për mundësinë që FRD të krijojë aleanca me partitë e mëdha në zgjedhjet e ardhshme, Topi mbështeti deklaratat e mëparshme të FRD-së se do të pranojë aleancë vetëm me qytetarët.

“Sot flas nga një pozicion personal se kur të zyrtarizohet pjesëmarrja ime do jemi të kujdesshëm që vendimet të jenë të partisë. Unë shkoj në sintoni me Oketën, aleanca vetëm me qytetarin dhe jo me atë psikologji dhe atë politikë që konsiderohen parti të vjetra”- vijoi më tej Topi. 

Nga ana e tij, nismëtari i FRD-së Gazmend Oketa theksoi menjëherë pas takimit se “eksperienca e ish-presidentit Topi, si një nga politikanët më të sofistikuar, do të jetë një vlerë e shtuar dhe e mirëpritur në FRD”.

Fryma e Re Demokratike, është një parti e re e spektrit të djathtë, që do të konkurrojë për herë të parë në zgjedhje vitin e ardhshëm. Nismëtarët e FRD-së janë: Gazmend Oketa politikan e deputet, Aleksandër Biberaj ish-deputet i PD-së, Ardian Tufina, ish-pjesëtar i lartë i forumeve drejtuese të Partisë Demokratike që në fillim të ndryshimeve pluraliste në Shqipëri, Andi Seferi drejtues i organizatës San Egidio në Shqipëri, Astrit Hoxha biznesmen i njohur, Alfred Cako përkthyes, Belma Muka biznesmene, Edlira Abazi pedagoge e juriste, Edlira Gjoni analiste, Edmond Dragoti psikolog dhe Stavri Ristani ish-zëvendësministër i Transporteve.

Në grupin nismëtar janë lakuar shpesh në shtyp edhe emra të tjerë, por ligjërisht, bazuar edhe në dokumentin e dorëzuar në Gjykatë, janë vetëm emrat e lartpërmendur. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 21:30

Tiranë – Eduard Selami jo vetëm që është pjesë e Frymës së Re Demokratike (FRD)  forca politike më e re e krijuar në vend, e cilësuar në media si partia e Presidentit Topi por në zgjedhjet e vitit 2013 do të jetë një ndër figurat kryesore në betejën për të rrëzuar Kryeministrin Berisha nga pushteti.

Pohimi për Shqiptarja.com ka ardhur nga Aleksandër Biberaj, një nga anëtarët themelues të FRD-së dhe ish-deputet i Partisë Demokratike. “Selami është në FRD me kontribute të forta dhe mbulon dhe marrëdhëniet me SHBA”, tha Biberaj për Shqiptarja.com.

Një rikthim i mundshëm i Selamit në Shqipëri dhe në politikën aktive ka shumë që përflitet që prej krijimit të FRD-së, por mesa duket gjërat kohët e fundit po shkojnë drejt konkretizimit dhe shumë shpejt ish-kreu i Partisë Demokratike që u largua për në SHBA pas mosmarrëveshjeve me Berishën mund të rikthehet në vend.

Nga deklarata e zotit Biberaj kuptohet se aktiviteti i Selamit në FRD tashmë ka filluar dhe është konkret. “Njëherësh ai do të jetë një ndër figurat kryesore në zgjedhjet parlamentare të verës së vitit 2013, dhe me prezencën e tij fizike dhe kontributin real, për të rrëzuar këtë klasë politike të vjetër nga pushteti”, tha Biberaj për Shqiptarja.com.

Eduard Selami ka qenë kryetar i PD nga 1992, kur Berisha u zgjodh President i vendit, deri në vitin 1995. Çarjet e para mes Selamit dhe Berishës ndodhen pas humbjes së referendumit për Kushtetutën në nëntor të vitit 1994, kur Selami fajësoi qeverinë për mos aprovimin e saj, duke kërkuar unifikimin e postit të kryetarit të PD me atë të Kryeministrtit, që nxirrte jashtë loje ish-kryeministrin Aleksandër Meksi. Kjo solli përplasjet, që shkaktuan dhe shkarkimin e Eduart Selami nga kryetar i PD, me një vendim të shpejtë të Këshillit Kombëtar të kësaj partie, të zhvilluar në pallatin e sportit “Fahrie Hoti”. Madje Selami nuk u lejuar të merrte pjesë as në mbledhjen e Këshillit Kombëtar që të thoshte fjalën e tij. Pas kësaj ai u largua në SHBA. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 09:05

Tiranë  – Prezantohet të hënën partia “Fryma e Re Demokratike”, që ka në grupin e saj nismëtar deputetin Gazmend Oketa dhe ish-deputetin Aleksandër Biberaj.

Sot ka përfunduar edhe stampimi i logos së partisë më të re, e cila mban ngjyrën blu. Zyrat e partisë “Fryma e Re Demokratike”, që ndryshe njihet edhe si partia e Bamir Topit, ndodhen përballë parlamentit dhe pak metra larg selisë të Partisë Demokratike.

Prezantimi zyrtar do të bëhet ditën e hënë në orën 12 nga grupi nismëtar, ndërsa presidenti Topi do t’i bashkohet kësaj partie pas përfundimit të mandatit presidencial. (LajmeShqip.com)