Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 19:00

Prishtinë – Në raportin më të ri të Reporterëve pa Kufij, për Indeksin e Lirisë së Shtypit 2013, Kosova radhitet e 85, që paraqet përparim për një vend nga raporti i fundit, ku gjendej në vendin e 86-të.

Por, rënie të madhe ka shënuar Maqedonia, e cila plasohet në vendin e 116-të, që paraqet rënie për 22 vende. Në arsyetim për Maqedponinë thuhet se “janë tërhequr në mënyrë arbitrare licencat për media dhe është përkeqësuar ambienti për gazetarë”.

Shqipëria është klasifikuar e 102-ta, ndërsa në raportin e kaluar ishte e 96-ta.

Serbia është e 63-ta, Koracia e 64, Bosnjë Hercegovina e 68-ta, ndërsa Mali i Zi radhitet në pozitën e 113, prej gjithsej 179 vendeve.

Në tri vendet e para, sikur edhe në raportin e kaluar, janë Finlanda, Holanda dhe Norvegjia, ndërsa Shtetet e Bashkara u plasuan në vendin e 32, duke shënuar ngritje për 15 vende, në krahasim me raportin e fundit të organizatës Reporterët pa Kufij, për Indeksin e Lirisë së Shtypit 2012.

Megjithqë janë analizuar shumë kritere, prej legjislacionit e deri te dhuna kundër gazetarëve, vendet demokratike përsëri janë në krye të listës për liri të shtypit.

Nga ana tjetër, edhe tri vendet e fundit i zënë vendet diktatoriale, që edhe në raportin e kaluar ishin po aty: Turkmenia, Koreja Veriore dhe Eritrea.

Rusia është plasuar në vendin e 148 për shkak të “represionit që është shtuar në përgjigjje të valës së paprecedente të protestave opozitare”.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 January 2013 14:06

Tirane – Shqipëria u radhit në kategorinë e vendeve me liri të pjesshme, në raportin e ri të “Freedom House”, që nënkupton kufizime në respektimin e lirive politike dhe atyre civile.

Një përfaqësuese e organizatës, Sylvana Kolezckowa, i tha ‘Zërit të Amerikës’ se vendi ynë dhe Kosova përballen me probleme të ngjashme, sidomos përsa i takon mungesës së aftësisë për të luftuar krimin e organizuar e për të ndjekur penalisht korrupsionin politik në nivele të larta.

Sylvana Kolezckowa, i pershkroi te rendurit ne kete kategori si vende ku ekzistojne intitucionet demokratike, por funksionimi i tyre ka te meta te medha. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Megjithatë, edhe në klasifikimin e këtij viti ajo vazhdon të renditet si vend pjesërisht i lirë.

Kolezckowa jep këtë shpjegim: Fakti që Shqipëria vazhdon të ndeshet me një mur pengesash dhe refuzimesh lidhur me anëtarësimin, thote ajo, nuk është dhe aq për t’u habitur po të shikosh dobësitë në disa prej institucioneve bazë të vendit, që Bashkimi Evropian i merr shumë seriozisht, /sidomos në gjyqësor, në sundimin e ligjit dhe në zbatimin e ligjit antikorrupsion.”

 

Shqiperia krahasuar me nje vit me pare, ndodhet pothuajse ne shkallen e njejte te vleresimit. Sivjet ajo ka marrë notën 3 për dallim nga një vit më parë kur ishte vlerësuar me 3.5.Nga vendet e rajonit, bashkë me Shqipërinë dhe Kosovën, në radhën e vendeve me liri të pjesshme janë edhe Bosnja dhe Maqedonia, ndërsa Serbia, Kroacia e Mali i Zi, radhiten në mesin e vendeve të lira.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 16 January 2013 11:57

Washington – Kosova edhe në këtë vit në raportin e Freedom House mbi Liritë në Botë, është renditur në në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Sipas përcaktimit të Freedom House, shtet pjesërisht i lirë, është ai që ka kufizim të respektimit të lirive politike dhe atyre civile.

Një shtet i tillë shpesh vuan nga një ambient i korruptuar, sundim të dobët të ligjit, grindje fetare e etnike dhe një skenë politike ku një parti e vetme dominon me gjithë shkallën e caktuar të pluralizmit.

Vitin e kaluar Kosova ka qenë vend, gjithashtu, pjesërisht i lirë dhe notimet në dy shtyllat kryesore që, sipas Freedom House, përcaktojnë lirinë e një vendi, kanë mbetur identike, nota 5 për të drejtat politike dhe 4 për liritë civile.

Notimet nga 1 deri në 2.5 vlejnë për vendet e lira, nga 3 në 5 vendet pjesërisht të lira dhe nga 5.5 në 7 vendet jo të lira.

Nga vendet e rajonit, bashkë me Kosovën, në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira janë Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia.

Ndërsa, shtete të lira janë konsideruar Serbia, Kroacia e Mali i Zi.

Shtet i lirë, sipas Freedom House, është ai ku ka konkurrencë të hapur politike, një klimë të respektimit të lirive civile, jetë të pavarur civile dhe media të pavarura.

Ndryshe, në raportin mbi gjendjen e Lirisë Globale, të Freedom House, potencohet se shfaqja e lëvizjeve popullore për reformat kanë qenë forcë nxitëse për fitoret e mëdha në Lindjen e Mesme në vitin e kaluar, transmeton REL.

Megjithatë, një numër i rajoneve kanë treguar kthim prapa si pasojë e reagimit autoritar ndaj këtyre lëvizjeve.

“Gjetjet tona tregojnë një rritje të sofistikuar të autoritarizmit modern”, thotë Arch Puddington, zëvendëspresident i Freedom House për hulumtime.

“Ata janë fleksibilë; ata shtrembërojnë dhe abuzojnë me kornizën ligjore; adoptojnë teknikat e propagandës moderne”, ka shtuar ai.

“Në veçanti që nga Pranvera Arabe, ata janë nervozë, që ka të bëjë me përndjekjen e intensifikuar nga ana e tyre të lëvizjeve popullore që kërkojnë ndryshime”.

Numri i shteteve të përcaktuara si të lira në vitin 2012 ishte 90, që paraqet 46 për qind të 195 shteteve në botë.(K.N/LajmeShqip.com)