Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 17:47

Mercedes ka lëshuar një sinjal të fortë ndaj rivalëve të saj duke dominuar provat zyrtare të Çmimit të Madh të Silverston në Formula 1. Luis Hemilton ka fituar duelin me shokun e tij të skuadrës, Niko Rosberg, për t’i marrë vendi e parë deh për të konfirmuar se kjo skuadër është e jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për xhirot e provave, ndonëse në garë shfaq më shumë vështirësi.

Rreth 4 të dhjetat e skondës pas tyre janë renditur ndjekësit më të afërt, dy makinat Red Rull, me Vetel që mori vendin e 3-të i ndjekur nga shoku i skuadrës, Mark Ueber.

Një ditë për t’u harruar ka qenë ajo e Ferrarit, që në pistën angleze e ka shumë të vështirë të shprehet në maksimum. Fernando Alonso ka mbyllur provat zyrtare në vendin e 10-të, rreth 1.3 sekonda më i ngadaltë se Hemilton, ndërsa Masa ka bërë edhe më keq, duke përfunduar i 12-ti. Në këtë garë, mund të duket e çuditshme, por skuadra Ferrari, një pretendente për titull, pret të luftojë me Lotus, Toro Roso apo Force India për një vend sa më të mirë në zonën e pikëve, pasi podiumi cilësohet nga vetë pilotët e ekipit italian si një utopi. (LajmeShqip.com)

Renditja e provave zyrtare:

1. Luis Hemilton (Mercedes)

2. Niko Rosberg (Mercedes)

3. Sebastian Vetel (Red-Bull-Reno)

4. Mark Ueber (Red Bull-Reno)

5. Pol Di Resta (Force India-Mercedes)

6. Daniel Riçiardo (Toro Roso-Ferrari)

7. Adrian Sutil (Force India-Mercedes)

8. Romain Groszhan (Lotus-Reno)

9. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

10. Fernando Alonso (Ferrari)

 
Lajme Shqip Thursday, 27 June 2013 12:33

Piloti i Red Bull, Mark Ueber, ka vendosur t’i japë lamtumirën botës së Formula 1 në fund të sezonit, lajm të cilin e ka konfirmuar vetë ai. Australiani 36 vjeçar, që nga viti i ardhshëm do të përfshihet në një program të ri garash me Porsche, ku parashikohet edhe pjesëmarrja e tij në garën e famshme 24 orësh të Le Mansh.

Lajmërimin ai e ka dhënë vetë nëpërmjet faqes së internetit, duke e cilësuar këtë si momentin e duhur për të hedhur një hap drejt një gare shumë entuziazmuese.

“Pres me padurim që të nis një nga makinat sportive më të shpejta që ekzistojnë. Porsche ka shkruar historinë e garave automobilistike si prodhues makinash dhe është sinonim i paraqitjes dhe teknologjisë së avancuar. Jam i paduruar për të filluar këtë sfidë të re pas viteve të mia në Formula 1”, ishin fjalët e pilotit australian që për momentin mban vendin e pestë në renditjen e Botërorit të Formula 1. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 June 2013 13:55

Piloti i Red Bull, Mark Ueber, mendon se konsumi i gomave po shkatërron plotësisht argëtimin e pilotëve në garat e Formula 1. Ai është i ndërgjegjshëm se pilotët gjithmonë kanë luftuar me probleme të veçanta gjatë garave si rifurnizimi me karburant apo kualifikuese me vetëm një xhiro, por mendon se tani konsumi i gomave ka hequr vëmendjen nga lufta në pistë, duke e kthyer gjithçka në një betejë për të ruajtur sa më gjatë gomat.

“Mendoj se ne, pilotët që kemi zhvilluar më shumë se 100 gara, kemi një këndvështrim tjetër mbi mënyrën se si zhvillohen garat aktualisht. Për shembull, në Monako, unë fillova të kujdesesha për gomat e mia që në xhiron e tretë! Mund të shihej qartë që edhe Rosberg po bënte të njëjtën gjë. Edhe strategjia në bokse ka ndryshuar. Tani është: ‘Ja ku jemi ne, ja ku janë gomat, a na çon dot nga pika A në B’”, shpjegoi Ueber.

“Kjo është një mënyrë krejtësisht ndryshe e të garuarit. Kemi ende momente të këndshme në makinë, për këtë nuk ka dyshime. Por tani ana që të kënaq gjatë garave ka kaluar në minorancë në krahasim me më parë”.

Sipas tij, tashmë betejat e vërteta do të gëzoheshin vetëm në xhirot e fundit të garave. “Unë dhe Luis Hemilton luftuam në këtë mënyrë në 3-4 xhirot e fundit në Bahrein. Por nuk do ta bënim të njëjtën gjë në xhiron e 7-8, pasi kjo do të thotë të shkatërrosh gomat dhe planifikimin e xhirove me to në pistë”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 16 June 2013 09:16

Vendimi i gjykatës ndërkombëtare të FIA-s të enjten mund të shtyjë skuadrën e Mercedes të largohet nga Formula 1. Çështja e famshme do të zhvillohet në qendrën e kësaj organizate në Paris, ndërsa do të jenë zyrtarët e kompanisë së prodhimit të gomave, Pirelli, ata që do të merren në pyetje.

Nëse Mercedes do të shpallet fajtore për këto teste pa lejen e e FIA-s, mund të ndëshkohet me gjobë, heqjen e pikëve, dënim në garë apo edhe përjashtimin nga kampionati.

Por shefat e kësaj skuadre, me qendër në Shtutgart, po monitorojnë situatën me kujdes dhe janë gati të ndërmarrin veprime drastike nëse mendojnë se po trajtohen padrejtësisht. Ata janë të bindur se një vendim ekstrem mund të dëmtojë profilin e përgjithshëm të kësaj kompanie, me pasoja të pashmangshme ato të largimit përfundimtar nga Formula 1.

Skuadra mendohet se ka qenë e pakënaqur prej kohësh me kushtet në kontratën e re të “Marrëveshjes së Konkordit”, pakti që mban bashkë ekipet e Formula 1, si dhe po ndjek me vëmendje çështjen gjyqësore të Berni Ekleston, me spekulime të vazhdueshme se pikërisht drejtuesit gjermanë kanë bërë të mundur që të zbuloheshin parregullsitë e patronit të Formula 1. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 June 2013 22:41

Sebastian Vetel i ka dhënë fund të gjitha pasigurive rreth të ardhmes së tij, duke vendosur të shtyjë një tjetër vit kontratën e tij me ekipin Red Bull, me të cilin është shpallur kampion bote në Formula 1 për 3 sezone radhazi.

Gjermani, fitues i freskët i Çmimit të Madh të Kanada në fundjavë, ka nënshkruar kontratën e re që përmirëson atë ekzistuesen dhe e shtyn deri në vitin 2015, ndërsa më parë kishte një marrëveshje vetëm për sezonin e ardhshëm.

Në karrierën e tij, Vetel ka siguruar 29 fitoren , 51 podiume dhe 39 pole-position, duke qenë tashmë një prej emrave që po synon të thyejë rekordet e vendosura nga Mikael Shumaher.

Gjermani mban aktualisht rekordin si piloti më i ri që ka fituar një garë, pasi ishte 21 vjeç e 73 ditë kur triumfoi në Çmimin e Madh të Italisë në vitin 2008, rekordin e 15 pole-position në të njëjtin sezon (2011) si dhe rekorde të tjera që kanë lidhje me moshën si më i riu që shënon pikë, ngjitet në podium apo bën xhiron më të shpejtë në garë.

Rinovimi me Red Bull i mbyll përfundimisht zërat për një kalim të tij në radhët e Ferrarit në dy sezonet e ardhshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 June 2013 10:01

Çmimi i Madh i Kanadasë në Formula 1 është shoqëruar nga një tragjedi mjaft e rëndë, pasi është bërë e ditur se një nga komisarët e pistës është ndarë nga jeta ndërsa po bënte detyrën e tij gjatë garës.

Sipas asaj që raportohet zyrtarisht mbi shkakun e vdekjes, ai po ndihmonte në largimin e makinës Sauber të Esteban Gutierrez kur u shtyp nga makina-vinç e cila po largonte njëvendëshen që ishte ndalur në një cep të pistës. Incidenti në fjalë erdhi si rrjedhojë e rrethanave të çuditshme pasi këtij komisari të pistës i ra në tokë radio dhe ndërsa ai u përkul ta merrte, shoferi i vinçit nuk e pa dhe e përplasi, duke i shkaktuar plagët që më pas i sollën vdekjen e në spitalin e Montrealit.

Kjo është vdekja e parë që botën e Formula 1 që nga ajo e Graham Beverixh, i cili u plagos për vdekje në vitin 2011 në Çmimin e Madh të Australisë. Atëherë, vdekja e komisarit të pistës erdhi nga një rrotë e shkëputur pas një përplasje mes Zhak Vilnëv dhe Ralf Shumaker.

Pas publikimit të lajmit të vdekjes së komisarit të pistës, Fernando Alonso ishte i pari që shprehu ngushëllimet e tij. “Sot nuk ka asgjë për të festuar. Lajme të tmerrshme. Jam shumë i trishtuar. RIP”, ishte mesazhi që piloti spanjoll postoi në Twitter, pak orë pasi siguroi vendin e dytë në garën e djeshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 09 June 2013 23:44

Sebastian Vetel për momentin është i pandalshëm në Formula 1. Gjermani i Red Bull vazhdon të dominojë pa vështirësi edhe në pista ku kjo makinë në të kaluarën nuk kishte arritur ndonjëherë sukses. Ai triumfoi në Kanada, duke thelluar në 36 pikë kryesimin në kreu e renditjes botërore, duke mos lënë shumë hapësira rikuperimi për rivalët e tij.

Dominimi i Vetel ishte absolut, pasi dueli i tij me ndonjë prej kundërshtarëve zgjati vetëm 3 kthesa, aq sa iu desh për t’u shkëputur nga Luis Hemilton në xhiron e parë. Më pas, ai i ishte i pakapshëm, duke garuar i vetëm derisa preu finishin.

Pas tij u rendit Fernando Alonso, i aftë të përfitonte nga gabimet dhe “fatkeqësitë” e kundërshtarëve të tij, duke kaluar fillimisht Rosberg e Ueber që kishin probleme në makinat përkatëse, e më pas duke treguar talentin e tij në duelin me Heimlton, për t’i rrëmbyer këtij të fundit vendin e dytë në podium.

Ueber përfundoi i katërti, ndërsa vendi i pestë shkoi për Rosberg, thuajse në hije gjatë garës, duke lënë pas Zhan Erik Vernje me Toro Roso që siguroi vendin e gjashtë, rezultati më i mirë i karrierës së tij. Një pozicion i shtatë shumë domethënës edhe për Pol Di Resta, i cili nuk hyri në bokse deri në xhiron e 57-të, duke kryer një ngjitje të paparashikuar nga vendi i 17-në në nisje. Vendi i 8-të i shkoi Felipe Masa, që la pas Kimi Raikonen, ndërsa i fundit në zonën e pikëve ishte Adrian Sutil. (LajmeShqip.com)

Renditja e Botërorit të Formula 1

132      Sebastian Vetel

96        Fernando Alonso

88        Kimi Raikonen

77        Luis Hemilton

69        Mark Ueber

57        Niko Rosberg

49        Felipe Masa

34        Pol Di Resta

26        Roman Groszhan

25        Xhenson Baton

 
Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 19:10

Niko Rosberg ka respektuar traditën familjare dhe 30 vite pas suksesit të babait të tij, Keke Rosberg, ka arritur të marrë vendin e parë në Çmimin e Madh të Monako në rrugët e Montekarlos në Formula 1. Piloti gjerman i Mercedes ka dominuar dhe ka arritur të ruajë me qetësi vendin e parë nga nisja deri në fundin e garës, gjatë të cilës kishte dy hyrje të makinës së sigurisë për aksidente dhe për më tepër gara u ndërpre plotësisht me flamur të kuq për 20 minuta pasi një pjesë e barrierës mbrojtëse përfundoi në pistë si rrjedhojë e një aksidenti.

Pas krahëve të Rosberg përfundoi dyshja e Red Bull, Vetel-Ueber, të cilët me hyrjen e parë të makinës së sigurisë përfituan nga një hyrje e shpejtë për ndryshimin e gomave për t’i rrëmbyer vendin Luis Hemilton. Ky i fundit, gjatë të gjithë garës tentoi të rifitonte pozicionin e tij duke qenë vazhdimisht në sulm, por e kishte ta pamundur të bënte parakalimin që do ta ngjiste në podium.

Pas katër vendeve të para shpërtheu një luftë e ndezur ku në fund vendin e pestë e fitoi Adrian Sutil me Force India, pasi piloti gjerman realizoi dy parakalime spektakolare e të guximshme ndaj Xhenson Baton e Fernando Alonso, duke marrë një pozicion të cilin as që e kishte menduar në këtë fundjavë. Baton me MekLaren siguroi vendin e 6-të, ndërsa Alonso të 7-tin, në  jë fundjavë aspak pozitive për Ferrarin, pasi Felipe Masa u përplas edhe në garë duke mbyllur në mënyrën më të keqe pjesëmarrjen e këtij viti në Monako.

Vendi i 8-të i shkoi Zhan Erik Vernje me Toro Roso,  i cili kaloi Pol Di Resta me makinën tjetër Force India dhe Kimi Raikonen me Lotus. Ky i fundit përfundoi në këtë pozicion pas një përplasje me Serxho Perez, meksikanin e MekLaren, i cili gjatë dhe pas garës u përfshi në polemika si me Xhenson Baton, ashtu edhe me Fernando Alonson. Të dy pilotët e kritikuan se parakalimet ndaj tyre në të njëjtën pikë, kishin qenë më agresive sesa duhej dhe mund të kishin rrezikuar përplasjen, ashtu siç ndodhi më vonë me Kimi Raikonen, duke i kushtuar disa pozicione finlandezit. (LajmeShqip.com)

Klasifikimi i Botërorit për pilotë:

107      Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

86        Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

78        Fernando Alonso (Ferrari)

62        Luis Hemilton (Mercedes)

57        Mark Ueber (Red Bull-Reno)

47        Niko Rosberg (Mercedes)

45        Felipe Masa (Ferrari)

28        Pol Di Resta (Force India-Mercedes)

26        Roman Groszhan (Lotus-Reno)

25        Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

 
Lajme Shqip Saturday, 25 May 2013 17:56

Niko Rosberg me Mercedes do të niset i pari në pistën e qytetit të Montekarlos pasi siguroi sot pole-position në Çmimin e Madh të Monakos. Piloti gjerman, që mori në këtë mënyrë pole-position të tij të tretë radhazi, mundi shokun e skuadrës, Luis Hemilton, që në këtë mënyrë garantojë një vijë të parë nisje krejtësisht të skuadrës Mercedes.

Ky pozicionim i dy pilotëve i bën ata menjëherë pretendentë kryesorë për të fituar garën, pasi dihet se në Monako parakalimet janë thuajse të pamundura, sado e ngadaltë të jetë makina që gjendet para. Megjithatë, skuadra Mercedes duhet ende të tregojë se sa mund të rezistojë në garë, pasi pavarësisht katër pole-position radhazi me Hemilton e Rosberg, në garë nuk ka arritur të marrë rezultatet e shpresuara.

Për më tepër, Rosberg dëshiron që të festojë në mënyrën më të mirë të mundshme fitoren në rrugët e principatës të babait të tij, Keke Rosberg, 30 vite më parë, mundësisht duke ndjekur të njëjtin shembull e duke dominuar në këtë pistë.

Pas dy makinave Mercedes janë renditur dy makinat Red Bull, me Vetel që është vendosur para shokut të skuadrës, Ueber. Vendi i pestë i ka shkuar Kimi Raikonen me Lotus, ndërsa i gjashti Fernando Alonsos me Ferrari. Një hap para duket se kanë bërë dy makinat MekLaren me Perez që siguroi vendin e 7-të në nisje dhe Baton vendin e 9-të.

Ndërkohë, Felipe Masa do të niset nga vendi i fundit pasi braziliani u përplas para kualifikuesve duke shkatërruar plotësisht makinën e tij dhe nuk kishte mundësinë të regjistronte xhiro të shpejta. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 12 May 2013 18:05

Fernando Alonso ka fituar Çmimin e Madh të Spanjës përballë tifozëve të tij që kanë festuar si të çmendur suksesin e parë të spanjollit të Ferrarit në pistën e Barcelonës që në vitin 2006. Kimi Raikonen me Lotus ishte kundërshtari më i madh i pilotit spanjoll në këtë garë, duke përfunduar i dyti, ndërsa vendi i tretë i shkoi Felipe Masa, i cili bëri një garë të shkëlqyer si shoku i tij i skuadrës, pasi u nis nga vendi i nëntë, për të përfunduar në podium.

Alonso bëri një garë në sulm që në fillim, duke parakaluar në të njëjtën kthesë si Kimi Raikonen, ashtu edhe Luis Hemilton që në start, për t’u ngjitur në vendin e tretë. Ndërkohë, Rosberg u mundua në të gjitha mënyrat të mbante kreun e garës deri në pit-stopin e parë, i ndjekur nga Vetel, por pas këtij furnizimi, të dy u kaluan nga Alonso, i cili shfrytëzoi ndalesën e shpejtë për të parakaluar gjermanin e Red Bull, ndërsa kaloi në xhiron e 12-të bashkëkombësin e tij të Mercedes, për të marrë kreun e garës. Rosberg u kalua menjëherë edhe nga Vetel e Raikonen, duke filluar një rënie graduale, që bëri të mbyllte Çmimin e Madh të Spanjës në vendin e 6-të.

Alonso më pas ruajti një strategji me 4 ndalesa në bokse, por Vetel që e ndiqte u pa qartësisht që nuk mbante dot hapin e spanjollit, ndonëse kishte të njëjtën strategji. Kimi Raikonen çuditi të gjithë me një strategji me 3 ndalesa dhe arriti të kalonte Vetel pikërisht në mesin e garës. Në një moment, ai u duk sikur do të kishte shanse të njëjta me Alonson për fitoren pasi të dy kishin një ndërrim gomash të mbetur për të zhvilluar. Por spanjolli, me goma më të freskëta, e kaloi pa vështirësi finlandezin, ndërsa shkoi i qetë drejt fitores, duke i lënë Raikonen vendin e dytë në podium. Vendi i tretë i shkoi Felipe Masa, i cili u tregua po aq i shpejtë sa shoku i skuadrës dhe falë strategjisë së goditur për të hyrë më shpejt në bokse, kaloi Vetel dhe u ngjit në podium. Kjo bëri që kampioni Vetel të mbyllte garën i katërti, para shokut të skuadrës Mark Ueber.

Nëse Rosberg arriti të merrte vendin e 6-të, pas një strategjie me 3 ndalesa, shoku i tij i skuadrës, Luis Hemilton, ishte zhgënjimi më i madh i kësaj gare. Britaniku që u nis i dyti, humbi pozicion pas pozicioni, duke bërë një garë krejtësisht anonime, për ta mbyllur atë në vendin e 12-të, i stresuar aq shumë sa edhe u kërkoi llogari mekanikëve të tij nëpërmjet radios për këtë paraqitje kaq të dobët që po bënte.

Në zonën e pikëve përfunduan me radhë Pol Di Resta (Force India), Xhenson Baton (MekLaren), Serxho Perez (MekLaren) dhe Daniel Riçiardo (Toro Roso). (LajmeShqip.com)

Klasifikimi i Botërorit të Formula 1:

89        Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

85        Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

72        Fernando Alonso (Ferrari)

50        Luis Hemilton (Mercedes)

45        Felipe Masa (Ferrari)

42        Mark Ueber (Red Bull-Reno)

26        Pol Di Resta (Force India-Mercedes)

26        Sebastian Groszhan (Lotus-Reno)

22        Niko Rosberg (Mercedes)

17        Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

12        Serxho Perez (MekLaren-Mercedes)