Lajme Shqip Saturday, 17 August 2013 12:04

“Kryengritja” e banorëve të Lazaratit ka arritur kulmin këtë verë, ku veç kundërshtimeve të policisë me armë që kanë ndodhur çdo vit, duke i kthyer mbrapsht forcat e rendit, sivjet ata kanë minuar çdo shteg që të çon në fshat, me qëllim që bimët narkotike të mos cenohen, raporton gazeta “Shqip”. Informacioni konfidencial vjen nga brenda fshatit, nga i cili mësohet se janë grosistët e trafikut të drogës, ata që kanë vënë mina, me qëllim për të parandaluar ndonjë sulm të befasishëm të policisë, por edhe vjedhje të mundshme të lëndës narkotike.

Kjo veprimtari nuk është konfirmuar nga policia, por mësohet se çdo natë, qielli mbi Lazarat skuqet nga gjurmëlënës dhe predha mitralozi, që dëgjohen në të gjithë Gjirokastrën. Nga ana tjetër, pavarësisht përpjekjeve të policisë me postblloqe të ndryshme, Lazarati vazhdon të furnizohet me punëtorë, pleh dhe ujë për kultivimin e bimëve narkotike.

Sipas informacioneve të besueshme, vendosja e minave në shtigje që të çojnë drejt zonave, ku kultivohet masivisht kjo bimë e ndaluar narkotike, është realizuar pas operacionit të ndërmarrë nga policia lokale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të bllokuar çdo rrugëdalje të Lazaratit, me qëllim minimizimin e trafikut të drogës.