Lajme Shqip Sunday, 02 March 2014 16:31

Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi një hua për Shqipërinë me një vlerë prej 330 milionëeurosh, për të mbështetur reformat e qeverisë. Kryefinancieri Shkëlqim Cani theksoi se shuma e huasë do ta ndihmojë qeverinë shqiptare të garantojë bizneset në shlyerjen e faturave të prapambetura, proces që pritet të nisë shumë shpejt.

Ministri i Financave theksoi se marrëveshja e suksesshme me FMN-në nënkupton 9 këste, i pari fillon në mars dhe më pas do të vijohet në bazë të ecurisë dhe kërkesave të qeverisë.

“Programi me FMN synon uljen e borxhit publik në një nivel të përshtatshëm për ekonominë shqiptare, është në mbështetje të zhvillimit dhe rritjes së ekonomisëshqiptare”- theksoi ministri.

Sipas ministrit Cani, pritet që edhe Banka Botërore, por dhe Bashkimi Europian, të ofrojnë një asistencë të ngjashme financiare për qeverinë.

“Marrëveshja i hap rrugë edhe marrëveshjeve të tjera, si me Bankën Botërore dhe një granti të mundshëm me BE, të nevojshme për mbështetjen e buxhetit dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit privat.”- deklaroi ministri i Financave.

FMN
Fondi Monetar Ndërkombëtar e miratoi të premten një hua për Shqipërinë me një vlerë prej 330 milionë eurosh, (457 milionë dollarë) për të mbështetur reformat e qeverisë. Një shumë prej 26 milionë eurosh do të lëvrohet menjëherë.

David Lipton, kryetari në detyrë i Bordit Ekzekutiv të FMN-së, tha se parashikimi ekonomik për Shqipërinë për vitin 2014 pritet të përmirësohet si rezultat i pakësimit të planifikuar të rreziqeve fiskale, shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë dhe fillimit të reformave strukturore. Megjithatë, sipas zyrtarit të FMN-së, rreziqet janë të larta dhe nevojat për rifinancimin e borxhit të mëdha.

Kjo marrëveshje, tha zoti Lipton, do ta ndihmojë Shqipërinë të plotësojë detyrimet e saj të jashtme financiare, duke ofruar nga ana tjetër, mbështetjen e nevojshme për të forcuar politikat e brendshme fiskale. Sipas zyrtarit të lartë të FMN-së, ristrukturimi financiar duhet të synojë uljen e borxhit publik nën 60 për qind të PPB. Sipas FMN-së, arritja e këtij objektivi kërkon marrjen e masave të forta në politikën e taksave dhe atë të shpenzimeve. /albeu/

 

 
Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 15:35

Tiranë- Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se kriza boterore gjatë këtyre 5 viteve të fundit, i ka kushtuar ekonomisë shqiptare rreth 2.5 miliardë dollarë prodhim te munguar. 

Në raportin e fundit rajonal për Europën, ekspertët e fondit kanë përllogaritur se si është ngadalësuar rritja e prodhimit në të gjitha ekonomitë europiane, krahasuar me vitet para krizës. Sipas FMN, në vitin 2008 vlerësohej se Prodhimi Kombëtar i Shqipërisë do të rritej në periudhën 2008-2013, në total me 35.1 për qind. 
Por me përfshirjen e vendit nga kriza, rritja reale për këtë 5-vjeçar ishte vetëm 13.9 për qind. Për pasojë vetëm për këto 5 vjet kriza ka ulur prodhimin potenciale të ekonomisë shqiptare me mbi 21.2 për qind, që e konvertuar në vlerë është rreth 2.5 miliardë dollarë. E thënë ndryshe dhjetëra vite të humbura zhvillimi ekonomik. 

Sipas FMN, ekonomitë në zhvillim të Europës Lindore dhe qëndrore janë ato që po paguajnë kostot më të mëdha të krizës, ku prodhimi është ngadalësuar me ritme dramatike. Në këtë grup vendesh, Shqipëria renditet si ekonomia e 5 me humbjet më të vogla nga kriza, pas Letonisë, Polonisë, Turqisë dhe Bjellorusisë. 

Por nëse do të krahasohej me vendet e zhvilluara, humbjet e ekonomisë shqiptare nga ngadalësimi i rritjes këtë pesëvjecar do të vinin menjehërë pas Greqisë, Qipros, Irlandës dhe Spanjës, vendeve më problematike të eurozonës. Ndërsa në Gjermani, lokomotivën e ekonomisë europiane humbjet në prodhim nga kriza vlerësohen vetëm 6 për qind. Raporti i fundit i FMN për Europën konfirmon edhe një herë se ekonomitë e Ballkanit përfshirë Shqipërinë, janë ato që po përballen me kostot më të mëdha të krizës.   / Top Channel/