Lajme Shqip Monday, 07 April 2014 17:10

Avokati i Popullit në Shqipëri, Igli Totozani ka rekomanduar dhe kërkuar nga kryetari i komunës Pustec në Korçë që përfaqësohet nga komuniteti maqedonas, të vendos një flamur të ri shqiptar, pasi që pranë kësaj komune po qëndronte një flamur i grisur.

Avokati i Popullit po kështu siguroi kryekomunarin e Pustecit Edmond Temelko edhe për reformën territoriale, që sipas tij do të ketë parasysh të gjitha sensibilitetet dhe realitetet minoritare në Shqipëri në përputhje me kartën europiane të të drejtave të minoriteteve. 

Gjithashtu, teksa ka parë në këtë njësi vendore flamurin tonë kombëtar që valvitej i dëmtuar, Totozani i ka kërkuar kryekomunarit Themelko zëvendësimin e tij. 

“Në mënyrë miqësore i këshillova kryetarit që të ndryshojë flamurin shqiptar që është aty, pasi është në gjendje jo të mirë, është pak i grisur. Dhe ai më premtoi që do e bëjë sa më shpejt dhe kjo do ishte gjithashtu diçka e mirë”, vijoi Totozani. 

Në këtë takim janë diskutuar gjithashtu edhe çështje të tjera të rëndësishme që shqetësojnë këtë minoritet. (INA)