Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 12:46

Prishtinë – Raporti i finalizuar me përgjigjet e i institucioneve të Kosovës në pyetjet e Komisionit evropian për studimin e fizibilitetit do ti dorëzohen sot institucioneve të BE-së. Zëvendës ministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, tha se ata i janë përmbajtur afatit të kërkuar nga Komisioni Evropian.

“ Duke pasur parasysh se të gjitha institucionet e Kosovës tashmë kanë përmbushur ato obligime, me përgjigjet që i kanë pasur të parashtruara nga instancat e BE-së, ky raport do të dorëzohet në formë zyrtare, zyrës së KE-së në Prishtinë dhe pastaj instancat e larta të KE-se në Bruksel do ta pranojnë nga kjo zyre.

Zvministri Kasapolli thotë se, në tetor, Komisionit Evropian do të jep vlerësimin për studimin e fizibilitetit, në kuadër të Raportit të Progresit. Ndërsa gjatë këtij muaji do të vijë në Kosovë edhe një mision vlerësues i KE-së për të vlerësuar gjendjen në terren. Qeveria e Kosovës pret se pas këtij procesi Kosovës do t’i hapet rruga për nënshkrimin e marrëveshjeve kontraktuale me Bashkimin e Evropian, siç është Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 14:47

Prishtinë – Pas pranimit të versionit final të përgjigjejeve në pyetsorin për studimit të  fizibilitetit, që të gjitha ministritë dhe institicionet shtetërore i kanë plotësuar, Ministria e Integrimeve po harton raportin final, i cili duhet dorëzuar në Komisionin Evropian me 8 qershor. Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, shprehet optimist se ky proces do t’i paraprijë Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Ai thotë se pyetësori është një pasqyrë reale në të cilën gjendet Kosova, duke përfshirë kushtet që janë paraqitur nga ana e Brukselit. Ai tha se para dorëzimit në Komision Evropian, raporti me përgjigjejet finale do të dorëzohet edhe në Qeveri

“Pyetësori duhet të jetë I gatshëm me datën 8 qershor, atëherë do ti dorëzohet Komisionit Evropian dhe ne edhe këtë fazë do ta shfrytëzojmë me qëllim që paraprikisht të dorëzohet në mbledhjen e qeverisë dhe për konsulta finale me qëllim që raporti të jetë sa më kualitativ”.

Zyrtarë të Ministrisë besojnë se të gjeturat e misionit vlerësues të BE-së, i cili do të vijë në Kosovë më 18 qershor, do të jenë në përputhje mes asaj çfarë është deklaruar në pyetsor dhe asaj se çfarë gjendet në terren. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 11 May 2012 10:48

Prishtinë- Komisioni Europian ka përgatitur një draft të pyetësorit për studimin e fiziblitetit, që çon në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Në këtë dokument, institucioneve të vendit u kërkohet të japin shpjegime të detajuara për gjithçka.

Pyetësori i Komisionit Europian për studimin e fizibilitetit për Kosovën, është një rëntgen i detajuar, ku institucionet e Kosovës do të duhet të zbulojnë ndoshta edhe ato që nuk kanë dëshirë.

Marrë parasysh volumin e madh të pyetjeve dhe kërkesave që Komisioni Europian u drejton institucioneve të Kosovës, ato do të kenë një punë të lodhshme në ofrimin e përgjigjeve të detajuara për secilën kërkesë. Skanimi që BE synon t’i bëjë Kosovës para se të propozojë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përfshin shumë fusha.

Komisioni Europian kërkon të dijë më shumë rreth kornizës së legjislacionit dhe politikave, kornizës institucionale, zbatimit praktik të legjislacionit dhe politikave, funksionimin e institucioneve si dhe një vetëvlerësim se sa afër është Kosova me standardet e BE’së.

Ky pyetësor, me 35 faqe përmban pyetje dhe kërkesa të detajuara, e që është i ndarë në tre kapituj, ka për fokus kriteret politike, kriteret ekonomike dhe aftësinë për të marrë përsipër obligimet që dalin nga MSA. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 11:40

Prishtinë – Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, shpalli zyrtarisht fillimin e studimit të fizibilitetit në takimin inaugurues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian të Kosovës, që do të sigurojë një hulumtim gjithëpërfshirës për integrimin e mëtejshëm të Kosovës në kornizën e politikës së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Jam i lumtur që jam këtu dhe që zyrtarisht të fillojmë me studimin e fizibilitetit. Takimi ynë i sotëm shënon fillimin e një faze të bashkëpunimit intensiv”, tha Fule.

Takimi inaugurues i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian të Kosovës, po mbahet në Prishtinë, nën udhëheqjen e presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, e cila mbajti fjalën e hyrjes.

Në takim po marrin pjesë dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, lideri i opozitës Isa Mustafa – kryetar i LDK, zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve e udhëheqës të partive politike, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe diplomatë ta akredituar.