Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 17:46

Sulmuesi i Milan, Zlatan Ibrahimovic, ka votuar Pep Guardiolën për çmimin e trajnerit të vitit.

Kapiteni i Suedisë kishte një marrëdhënie të mundimshme me trajnerin e suksesshëm në Kamp Nou dhe kohët e fundit e goditi atë edhe në autobiografinë e tij që u botua në vitin 2011.

Ibrahimovic u tregua profesionist i vërtetë dhe konflikti personal që kishte me Guardiolën nuk e pengoi suedezin ta votojë atë për trajnerin më të mirë në botë.

Guardiola mundi Zhose Murinjon e Real Madridit dhe Aleks Fergusonin e Mançester Junajtid për të fituar çmimin prestigjioz. Edicionin e vitit të kaluar e fitoi Murinjo.

Ndërkohë, Ibrahimoviç ka votuar edhe për ish-shokun e ekipit, Lionel Mesi si lojtarin e vitit, Runin e kishte votuar si të dytin ndërsa Andres Iniestën e kishte votuar si të tretin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 12:46

Lorik Cana duhet të ndjehet i lumtur për faktin se zgjedhja e tij për “Topin e Artë” ka rezultuar e goditur. Si zakonisht, pas çdo ceremonie, FIFA ka publikuar listat e votuesve të cilët janë kapitenët dhe trajnerët e kombëtares së futbollit si dhe një gazetar nga çdo vend.

Kapiteni i përfaqësueses shqiptare, ka ndarë preferencën e tij sipas asaj që më pas rezultoi renditja përfundimtare, duke dhënë vendin e parë për Lionel Mesi, vendin e dytë për Kristiano Ronaldo dhe vendin e tretë për Ksavin. Ashtu si kapiteni shqiptar kanë bërë përzgjedhjen e tyre ndër të tjerët edhe kapiteni i Ukrainës, Andri Shevçenko dhe ai i Skocisë, Darren Fleçer.

Ndërkohë, vota e trajnerit të kombëtares është hedhur nga Xhemal Mustedanagiç, meqenëse Josip Kuzhe ishte larguar dhe vendin vakant për atë periudhë e mbuloi ndihmësi i tij. “Xhemo” ka vënë Kristiano Ronaldo në vendin e parë, Erik Abidal në vendin e dytë dhe Lionel Mesin në vendin e tretë.

Ndërkohë, vota e gazetarit shqiptar Besnik Dizdari ka qenë për Lionel Mesi, Kristiano Ronaldo dhe Diego Forlan. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 12:17

Presidenti i UEFA-së, Mishel Platini tha se ylli i Barcelonës, Lionel Mesi e ka merituar plotësisht “Topin e Artë”. Mesi ka fituar për të tretin vit radhazi pasi mundi Ksavin dhe Kristiano Ronaldon në këtë garë.

“‘Topi i Artë’ është diçka e veçantë,” tha Platini pas ceremonisë. “Ky është një titull subjektiv, por ka kritere. Fakti që ne i kemi dhënë tre trofe një djaloshi si ai është logjike sepse ai bën gjëra të shkëlqyera në fushë. Por siç e kam thënë më parë, ai është ndihmuar nga një grup i jashtëzakonshëm te Barcelona”, deklaroi Platini.

Zyrtari i UEFA-s, ka qenë i kujdesshëm me vlerësimin e tij se Mesi mund të bëhet lojtari më i mirë në historinë e futbollit.

“Le ta përfundojë fillimisht karrierën e tij para se të bëjmë vlerësime! Kur Ronaldinjo fitoi “Topin e Artë” (në 2005), kam thënë se ai do të fitojë shumë më tepër, por ai kurrë nuk e bëri atë përsëri”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 11:47

Ksavi dhe Iniesta lavdërojnë Mesin

Organizatori i Barcelonës, Ksavi tha se ishte i gëzuar me komentet e shokut të skuadrës, Lionel Mesi në lidhje me atë që ai tha në marrjen e çmimit “Topi i Artë”. Spanjolli përfundoi i treti në sondazh për të tretin vit radhazi.

Pas marrjes së çmimit, Mesi tha fjalë shumë të mira për Ksavin, duke deklaruar se ishte një kënaqësi të luante bashkë me 31-vjeçarin.

“Sigurisht, ai lavdërim i Mesit më ka kënaqur. Ishin fjalë të mira, sa unë u ndjeva sikur të kisha fituar çmimin. Unë nuk pres që ai të më falënderojë, ai është një mik i madh i imi dhe një person i mahnitshëm”, deklaroi Ksavi.

Sipas tij, potenciali i argjentinasit është i pakufizuar. “Është e vërtetë se nëse ai vazhdon në këtë nivel, ai do të jetë lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Unë nuk kam asnjë dyshim për këtë,” shtoi Ksavi.

Ndërkohë, katalanasi tjetër Andres Iniesta, tha se Mesi është një fitues i denjë për çmimin e FIFA-s.

“Ai është një lojtar unik dhe prandaj meriton të fitojë “Topin e Artë”, ashtu si Ksavi,” tha Iniesta.“Unë jam i lumtur për të, sepse ai është lojtar i një ekipi të madh”.

 “Guardiola gjithashtu e meriton çmimin e tij, sepse ata që e njohin, e dinë se sa vështirë është të punosh si ai. Gjëja më e rëndësishme është që të vazhdojmë të punojmë. Për ne nuk ka asgjë më të mirë”, theksoi mesfushori i Barcelonës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 21:23

Braziliani Neimar ka marrë çmimin “Goli i Vitit 2011” për magjinë e tij në ndeshjen e kampionatit brazilian, Santos-Flamengo. Pas votimit në internet nga përdoruesit e fifa.com, ku kanë marrë pjesë rreth 1.3 milionë persona, ai ka lënë pas Lionel Mesin dhe Uejn Runin…

 
Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 21:10

Lionel Mesi ka fituar për të tretin vit radhazi “Topin e Artë”, duke lënë pas në votim shokun e tij të skuadrës, spanjollin Ksavi dhe portugezin e Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo.

Talenti argjentinas është futbollisti i dytë në historinë e futbollit pas Mishel Platini që e fiton këtë çmim për të tretin vit radhazi, ndërsa falë moshës së tij të re, mund ta fitojë edhe shumë herë të tjera këtë trofe duke qenë aktualisht futbollisti më i mirë në botë.

Edhe këtë radhë, votimi ka qenë në mënyrë të padiskutueshme në favor të tij, pas Mesi ka marrë 47.8% të votave, i ndjekur nga Kristiano Ronaldo me 21.6% dhe Ksavi me 9.23%.

Vetë argjentinasi ka qenë shumë i emocionuar për këtë trofe të tretë që tashmë e ka renditur atë mes legjendave të futbollit botëror. Por ai nuk ka ngurruar të tregojë se mbetet një person shumë i thjeshtë, duke ia dedikuar çmimin pikërisht Ksavit.

“Është një kënaqësi e madhe për mua të fitoj “Topin e Artë” për herën e tretë, një nder i jashtëzakonshëm. Unë dua të falënderoj shokët e skuadrës, lojtarët dhe trajnerët që votuan për mua. Dua të falënderoj shokët e skuadrës te Barcelona dhe Argjentina, pasi pa ndihmën e tyre, kjo nuk do të kishte qenë e mundur”.

“Më shumë nga të gjithë, unë do ta ndaj këtë trofe me Ksavin. Ti e meriton këtë trofe po aq sa edhe unë”, u shpreh argjentinasi mes duartrokitjeve të publikut. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 20:50

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, është zgjedhur “Trajneri i Vitit” duke lënë pas në renditje dy emra të tjerë të njohur, Sër Aleks Ferguson dhe Zhoze Murinjo.

Tekniku spanjoll ka qenë i lumtur për këtë nderim, ndërsa ka shfrytëzuar rastin për të falënderuar sidomos bashkëpuntorët e tij te Barcelona, klubi që e bëri lojtar dhe trajner të njohur në botë.

“Do të doja ta ndaja këtë çmim bashke me Murinjo dhe Ferguson. Ky është një nder madh. Do të doja ta ndaja atë edhe me të gjithë trajnerët rreth globit tokësor që e ndajnë këtë pasion me mua”.

“Por ata që dua ta ndaj më shumë janë mijëra personat që për më shumë se 100 vite kanë punuar dhe po zhvillojnë Barcelonën. Është një privilegj të jesh pjesë e këtij klubi kaq fantastik”.

“Në fund, do të dëshiroja t’ia dedikoja këtë çmim asistentit tim, Tito Vilanova, miku im cili nuk mundi të ishte sonte këtu. Kjo është për ty”, ishin fjalët e Guardolës pasi iu dorëzua çmimi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 20:38

Trajneri Aleks Ferguson është nderuar me Çmimin Presidencial nga FIFA për punën e tij të jashtëzakonshme në vite. Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, duke dorëzuar këtë çmim ishte i pari që dha komente për teknikun skocez. “Futbolli i elitës ka të bëjë me fitore dhe rezultate. Nuk ekziston askush që e bën këtë më mirë se ai”, ishin fjalët e Blater.

Më pas trajneri i Mançester Junajtid u përshëndet nëpërmjet një videoje nga disa prej emrave të mëdhenj të futbollit botëror. Zhoze Murinjo: “Unë nuk e thërras atë Sër Aleks, e thërras shef”. Erik Kantona: “Një fitimtar”. Kristano Ronaldo: “Fantastik. 5 yje”. Dejvid Bekam: Është një figurë prindërore për mua”.

Vetë Ferguson ka qenë i kënaqur me këtë arritje të radhës në karrierën e tij dhe ka falënderuar Mançester Juanjtid për besimin. “E vlerësoj jashtëzakonisht këtë çmim. Pas çdo nderimi që marr, unë ndjej besimin e Mançester Junajtid për 25 vitet e punës aty. Ata kanë ndarë gjithmonë vizionin dhe pasonin tim”.

“Unë kam qenë një trajner me fat. Kjo e bën Mançester Junajtid një klub shumë të veçantë për mua. Kuraja për të luajtur dhe kuraja për provuar të fitosh është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 20:18

Në mbrëmjen gala të organizuar nga FIFA për ndarjen e çmimeve të vitit, është bërë publik edhe ekipi më i mirë. Pas votimit mes 55 mijë sportistëve profesionistë, u përzgjodh formacioni ideal i vitit 2011, me lojtarë që përfaqësonin vetëm tre skuadra: Barcelona (5 lojtarë), Real Madrid (4 lojtarë) dhe Mançester Junajtid (2 lojtarë).

Portier është përzgjedhur Iker Kazijas ndërsa para tij rreshtohen Serxho Ramos, Xherard Pike, Nemanja Vidiç dhe Dani Alvesh.

Mesfushorët e përzgjedhur janë tre titullarët e kombëtaes spanjolle: Ksavi, Ksabi Alonso dhe Andres Iniesta.

Ndërkohë, sulmi është formuar nga tre lojtarët më të fortë të planetit në këtë rol: Lionel Mesi, Kristiano Ronaldo dhe Uejn Runi. (LajmeShqip.com)