Lajme Shqip Wednesday, 22 May 2013 17:00

Sonazhi i përgatitur nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë ka nxjerrë se partia e Behgjet Pacolli ka rënë në vetëm 2 përqind. Rezultatet e sondazhit u publikuan të mërkurën nga portali “Express”.

Në bazë të këtij sondazhi që ka pyetur anketuesit se -Për cilën parti do të votonin nëse do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare?- është rrezikuar fuqia e partive në koalicionin qeverisës.

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë se ka përkrahjën e 31 për qind të qytetarëve ndërsa partia tjetër e vogël në koalicion Partia e Drejtësisë e Ferid Aganit del se ka përkrahjën e 1 përqind të qytetarëve.

Ndërkaq partitë opozitare LDK, Vetëvendosje e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë përkrahjën e 60 për qind të qytetarëve në Kosovë.

LDK-ja ka 26 përqind, VV-ja 20 përqind ndërsa AAK-ja ka 14 përqind.

Sondazhi ka nxjerrë se 6 përqind e qytetarëve janë ende të papërcaktuar. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 May 2013 10:45

Presidentja e Kosovës,  Atifete Jahjaga do t’i shpallë zgjedhjet lokale për të gjitha komunat, përfshirë edhe ato veriore, kurse datën e mbajtjes së tyre do të kumtojë para 15 gushtit. Kështu ka deklaruar për ‘Tribunën’ zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu. Sipas tij, Jahjaga është në fazën e konsultimeve me partitë politike në lidhje me zgjedhjet e ardhshme në nivel të komunave.
“Kur të harmonizohen qëndrimet e partive për datën e përafërt dhe kur të konsiderohet se janë krijuar kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në gjithë territorin e Kosovës, caktimi i datës nuk është imponim por zgjidhje konsensuale”, ka thënë Vllahiu.
Presidentja, ka vijuar ai, e ka afatin ligjor që deri më datën 15 gusht ta dekretojë ditën e mbajtjes së zgjedhjeve komunale që gjithsesi duhet të jetë ditë e diel.Shoqëria civile kërkon që data e zgjedhjeve komunale të caktohet nga pjesa e dytë e shtatorit, përkatësisht fillimi i muajit tetor. Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka tërhequr vërejtjen se në periudhën e dimrit, kur dita zgjat më pak, mundësitë për parregullsi janë më të mëdha, ngase errësohet më herët.

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 June 2012 17:28

SHBA- Sipas raportit më të ri të organizatës Freedom House, “roli i Bashkimit  Evropian  po jep rezultatet gjithnjë e më të mira në gadishullin ballkanik”.

Formula evropiane e integrimit  mbetet njëri ndër promotorët më të fuqishëm aktualisht në  demokratizmin dhe zhvillimin ekonomik në vendeve ballkanike, konstaton një raport i Freedom House. Kjo organizatë konstaton se perspektiva evropiane aktualisht është motivi  i vetëm për reforma  në të gjitha segmentet e  një shteti.

Raporti vlerëson pozitivisht reformat që po ndodhin gjatë procesit të përgatitjes për anëtarësim në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe ekonomisë së tregut. Edhe këtu thuhet në raport gjërat nuk janë krejt të shndritshme.

Sipas raportit të organizatës, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj prapa në procesin zgjedhor të dhjetorit 2010. “Zgjedhjet ishin dëmtuar nga mashtrimet, ndërsa në komunat ku është rivotuar, ato janë bojkotuar nga qytetarët – gjë që ka dëshmuar mungesën e besimit në sistemin politik”, thuhet në raport.

Sipas tij, Kosova ka shënuar përmirësim në qeverisjen lokale, me krijimin e komunave të reja dhe me kushtet më të mira për ripranimin dhe integrimin e të kthyerve. Kjo, sipas raportit, ka luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e bisedimeve me BE-në për liberalizimin e vizave. Organizata Freedom House thotë se Kosova ka shënuar përmirësim edhe në pavarësinë e gjyqësorit, duke përfshirë një bazë më funksionale dhe ligjore në sistemin e saj gjyqësor. (LajmeShqip.com)