Lajme Shqip Sunday, 05 August 2012 10:26

Prishtinë – “ Ali Podrimën e kam njohur shumë, shumë herët! Më duket sikur e kisha njohur gjithmonë, tërë jetën. Nuk e përcaktoj dot me saktësi kohën e njohjes, por ka qenë një nga poetët, shkrimtarët e parë të Kosovës, me të cilët jam njohur dhe ka vazhduar miqësia gjithë jetën”, thotë shkrimtari Ismail Kadare në një intervistë për RTK.

– Z. Kadare, si e keni njohur poetin Ali Podrimja?

Ismail Kadare: E kam njohur shumë, shumë herët! Më duket sikur e kisha njohur gjithmonë, tërë jetën. Nuk e përcaktoj dot me saktësi kohën e njohjes, por ka qenë një nga poetët, shkrimtarët e parë të Kosovës, me të cilët jam njohur dhe ka vazhduar miqësia gjithë jetën.

– Ai, iku nga kjo botë, por poezia e tij ka mbetur. Sa ishit dhe sa jeni në kontakt me poezinë e Ali Podrimja?

Ismail Kadare: Kam qenë gjithmonë, siç thashë. Ç’do të thotë njohja me një shkrimtar? Është ana njerëzore, miqësore, baza është pastaj vepra e tij. Në fillim është vepra që të shtyn tek tjetri. Unë kam njohur veprën e tij, saktësisht në atë kohë dhe vazhdimisht e kam ndjekur. Ai shkruante përgjithësisht poezi, poema. Herë pas here, më ka qëlluar të kemi pasur bashkëpunim. Ka botuar një libër timin ose dy më duket, për Kosovën, e ka bërë përzgjedhjen. Unë kam bërë një hyrje në një antologji të tij për Çamërinë. Ishte shumë e bukur ajo antologji. D.m.th, kemi pasur të tilla bashkëpunime. Por, nuk mund të them se kam pasur një bashkëpunim letrar me të, por më tepër letraro – organizativ, ose kur ka ardhur në Francë në ndonjë takim që ka marrë pjesë, kam folur për të, kur ka qenë rasti. Miqësia me të, ka qenë shumë më e madhe sesa ajo që quhet bashkëpunim ose aktivitet letrar. Pra, ana njerëzore e miqësisë, ishte e gjithkohëshme.

– A mendoni se motivet poetike, siç janë ato të Ali Podrimjes, janë një zë i veçantë, ndikues, edhe në botën e jashtme letrare?

Ismail Kadare: Po. Podrimja është nga poetët e përkthyer mirë në botën e jashtme, nga më të njohurit. Natyrisht, poezia gjithmonë krijon një kufizim në përkthim. Është më e paktë se sa proza, për vetë arsyet sepse botimet poetike vitet e fundit, ka shumë vite njëzet – tridhjetë, janë pakësuar në botë. E me gjithë këtë kufizim që ka për të gjithë poetët, të gjithë poetët e botës ankohen që njihen pak nëpër vendet e tjera, Podrimja ka qenë nga poetët shqiptarë më të njohur. Është i pranishëm në shumë përmbledhje poetike letrare në gjuhë të rëndësishme të Evropës. Pra, është nga një tufë e paktë poetësh dhe shkrimtarësh, që kanë bërë të njohur letërsinë shqipe jashtë kufijve. Në atë grupin e vogël të shkrimtarëve, të cilët ne përpiqemi me të gjithë organizmat kulturore në Shqipëri ta zgjerojmë, por ai zgjerohet me shumë vështirësi. Nuk është kaq e lehtë të zgjerohet grupi i shkrimtarëve të përkthyer. Është për çdo vend e vështirë. Po të shikoni, të gjitha vendet, sidomos ato që quhen relativisht të vogla, kanë probleme me njohjen. Prandaj, Podrimja nga kjo anë, ka qenë i privilegjuar nga fati, sepse ka kapërcyer këtë pengesën e njohjes.

– Ai, juve, ju çmonte shumë. Në secilën bisedë private dhe zyrtare, ai gjithmonë iu mbante me vete. Bashkë me ju, përpiqej të bëhej ambasador i kulturës kombëtare shqiptare.

Ismail Kadare: Po, e di. Ai ka qenë jashtëzakonisht i ngrohtë me njerëzit. Pavarësisht se shkrimtari e shpreh nganjëherë atë ngrohtësi, ose nuk është i aftë shumë ta shpreh. Por, në thellësi të tij, ai ka qenë jashtëzakonisht i ngrohtë me njerëzit. I donte kolegët e vet, e donte letërsinë, e donte poezinë…e donte tempullin, ta quajmë me një fjalë. Ishte besnik i kësaj dhe e çmonte shumë miqësinë midis poetëve, që është nga cilësitë më të bukura të kohës. Për fat të keq, në kohën tonë nuk mund të themi se, kjo kultivohet vazhdimisht në botën shqiptare. Për fat të keq, i mungon atmosferës letrare shqiptare, miqësia midis kolegëve. Është një humbje e madhe, unë përmenda fjalën TEMPULLI, është një humbje e madhe e kësaj aureole. Që ta dojë publiku i gjerë, duhet shkrimtarët ta duan njëri tjetrin. Kam frikë se ka diçka që nuk shkon, ky është dhe mendim i përgjithshëm. Nuk është ajo miqësi që duhej të ishte. E Podrimja, hynte ndër shkrimtarët që e njihte këtë miqësi, e njihte se sa e shenjtë ishte miqësia midis kolegëve, e njihte hyjninë e saj, jo vetëm nevojën e saj, por njihte anën e mistershme që është hyjnia, që duhet t’i bashkojë njerëzit e letrave, njerëzit e tempullit. Dhe, përveç kësaj ishte shumë mirënjohës si natyrë. Them, pavarësisht nga dukja që mund ta kenë njerëzit, nuk them për atë por në përgjithësi, Podrimja duke qenë natyrë besnike, ka qenë jashtëzakonisht mirënjohës. T’i bëje diçka, ai nuk ta harronte gjithë jetën. Edhe kjo është një cilësi që nganjëherë mungon për fat të keq, në jetën e sotme sidomos shqiptare. Nuk është kaq e shpeshtë, duhej të ishte më e shpeshtë, por është pak e rrallë. Ai, hynte ndër ata që vërtetë mund të jenë kampion të mirënjohjes. Unë kështu e kam njohur gjithë jetën.

– A mund të veçoni ndonjërin nga kontaktet e juaja me poetin, Ali Podrimja?

Ismail Kadare: E kam të vështirë! Atje ku kishte nevojë për të, ai gjendej befas. I gjendshëm dhe i pandryshueshëm gjithmonë. Prandaj, e kam të vështirë të them se ky është kujtim i paharrueshëm ose ai, sepse të gjitha kujtimet kanë qenë në njëfarë mënyre të paharruara. Po, ngaqë ngjanin me njëri tjetrin, përdora atë topikun, ishte i pandryshueshëm. Ishte po ai gjithmonë. E kam vështirë të dalloj ndonjë. Por, një kujtim kur ishte në Francë një takim për lexuesin francez, sikur ishte emocionuar sepse një takim në Paris është gjithmonë një gjë e bukur, por është edhe pak e ndërlikuar. Është një publik ku ka gazetarë, është një publik i panjohur, me zakone të tjera edhe ai e ndjeu një gëzim të thellë që e kapërceu me sukses. Ishim bashkë atje, në tryezën ku do të flisnim. U gëzua shumë që unë vajta. I thashë, po pse gëzohesh kaq shumë, patjetër do vija?! E më tha: gjithë ky Paris, si erdhe…?! Iu duk si e pazakonshme në fakt. Nuk ishte e pazakonshme. Ishte shkrimtar shqiptar i njohur, ishte miku im, do të veja patjetër. Prandaj thashë ishte shumë mirënjohës për një gjë të tillë. Ishte prekëse mirënjohja e tij dhe nuk e harronte kurrë. Dhe, jo vetëm këtë rast por edhe raste më të vogla, më të parëndësishme, i mbante mend…

– Vdekja e tij në largësi të vendit, në shumë mënyra u shfaq shumë misterioze. Si e përjetuat ju?

Ismail Kadare: Ta them realisht si e mora vesh vdekjen e tij, kam njëfarë frike mos keqkuptohem nga publiku. Por, mua m;u duk e bukur ajo mënyrë se si e mora vesh këtë lajm, që ishte aq i hidhur, e që në fillim nuk e kuptova. Dikush në telefon, duke thënë lajmet e ditës, më tha po të them dhe një gjë. Në Francë, ka humbur Ali Podrimja! Ai nuk e dinte si kishte ndodhur, as që i shkonte mendja, dhe ma tha me një zë gazmor, zbavitës dhe unë ashtu e perceptova. Dhe qesha. Qeshëm të dy, me kuptimin e mirë të fjalës. Pra, Aliu poet, ka bërë ndonjë ekstravagancë të rastit, ka ikur nga delegacioni, nga forumi, kushedi ku i ka shkrepur në kokë…siç ndodh me poetët, i lënë mbledhjet e mërzitshme kur iu duken atyre të mërzitshme dhe e mora si një gjë zbavitëse. Mirëpo, më vonë e mora vesh se shumë njerëz e kanë kuptuar kështu. Tashti e kam menduar, a është e hidhur kjo, ta marrësh një lajm kaq të rëndë, ta perceptosh në fillim pa dashur duke mos e ditur, si një gjë me një muzikë të gëzueshme të thuash. M’u duk gati një gjë simbolike kjo gjë siç është vërtetë vdekja e poetit, që është edhe hidhërim por është edhe një afirmim i dashurisë së të tjerëve për të. Unë e mora vesh në mënyrë krejt kundërthënëse. Nuk e kuptova, dhe shumë njerëz nuk e kanë kuptuar dhe më vonë kur e kam menduar këtë gjë, kam thënë m’u duk si diçka simbolike, e bukur në trishtimin e saj. E bukur që ndodh e pazakonshme. Nuk them se mund t’i ndodh vetëm poetëve, por i ndodh në radhë të parë poetëve si ai. Pastaj e morëm vesh se kjo nuk ishte as një shaka e tij, as një rrenë që bëri Podrimja. Kjo ka qenë e veçanta e lajmit. Siç e mora vesh më vonë, është marrë vesh nga shumë njerëz në këtë mënyrë, e veçantë dhe kështu do të mbahet mend. Ishte si një teatër në fillim, pa të keq, si një lodër, si një shaka që ua bëri të gjithëve…unë do të bëjë një ikje nga bota në fillim, ta merrni kështu të gëzueshme…iu kujtohet, ka shpesh në kronikën e kujtimeve popullore amanete njerëzish që thonë: kur të iki unë, qeshni, mos qani. E mbaj mend këtë. Shpesh kjo thuhet, se njerëzve me përvojë të madhe jetësore, iu bëhet kjo obsesion në fund. Këndoni thotë, kur të iki unë. Dhe është e vërtetë, Ali Podrimjes i ndodhi kjo gjë padashur. Njerëzit e pritën si një gjë gazmore. Lajmi që ishte i keq në fakt, i hidhur, por se kishte prapa, siç ka vdekja e një shkrimtari, mirënjohjen e njerëzve, dashurinë e tyre që nuk është e paktë. Është një gjë e madhe në jetë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 18:19

Prishtinë – Dy poetët shqiptarë, Ali Podrimja dhe Xhevahir Spahiu, po marrin pjesë në Festivalin e Poetëve Botëror në Francë.

Në Setee, qytezën piktoreske të Francës që shtrihet buzë Detit Mesdhe, ka filluar Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Zëri i gjallë” (Voix Vives).

Është ky një takim tradicional, që kësaj radhe filloi më 23 korrik, dhe që përfundon më 30 korrik.

Në festivalin poetik janë tubuar qindra poetë nga e gjithë bota, ndërsa poezia shqipe atje prezantohet nga Ali Podrimja (Kosovë) dhe Xhevahir Spahiu (Shqipëri).

Dje, të pranishmëve me poezinë shqipe iu drejtua poeti Ali Podrimja, i shoqëruar nga përkthyesi i tij Aleksandër Zoto.

“Në këtë kongres poetik në Francë do të përpiqemi të japim mesazhe poetike në shqip, të tregojmë zërin tonë të gjallë për Kosovën dhe shqiptarët, për folenë poetike në tërësi dhe për prejardhjen e poezisë së tyre në veçanti”, u ka thënë Ali Podrimja mediave shqiptare.

Ky manifestim i fjalës së bukur, brenda vetes tubon poetë, kritikë, miq të poezisë së re dhe botues nga e gjithë Evropa. E, dy poetët shqiptarë, aty do të shpalosin jo vetëm guximin poetik karshi poetëve ndërkombëtarë, duke i lexuar në gjuhën e tyre amtare, por ata, në njëfarë mënyre, përmes vargjeve, do të lobojnë për Kosovën dhe popullin e saj. Megjithëse, poezitë e dy poetëve shqiptarë do të recitohen edhe nga disa aktorë francezë.

Organizatorët e festivalit të poezisë kanë pohuar se takimi i sivjetmë poetik do të përmbyllet me botimin e një antologjie të poetëve nga mbarë bota, që marrin pjesë në festival, përfshirë këtu natyrisht edhe poezitë e Ali Podrimës dhe Xhevahir Spahiut.
Ndryshe, letërsia shqipe në Francë sot prezantohet me rreth 13-14 autorë të përkthyer nga fusha e poezisë dhe e prozës.