Lajme Shqip Sunday, 27 May 2012 13:09

Prishtinë (PLOTESUAR 21:35)- Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), publikoi rezultatet e para preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt, sipas të cilave kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Agim Aliu prinë me 57.59 për qind, ndërsa kandidati i LDK-së, Adem Salihaj ka marrë 42.41 për qind të votave.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, në një konferencë për media pohoi se ata tashmë kanë marrë rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Ferizaj, ku subjekti politik PDK me kandidatin Agim Aliu, prin me 57.59, ndërsa kandidati i LDK-së Adem Salihaj ka marrë 42.41 për qind të votave.

“PDK me kandidatin Agim Aliu, ka marrë gjithsej 14 mijë e 832 vota apo 57.59 për qind. LDK me kandidatin Adem Salihaj ka marrë gjithsej 10 mijë e 922 vota apo 42.41 për qind. Këto janë rezultate prelimiare, në të cilat nuk janë përfshirë votat me kusht dhe votat e ekipeve mobile”, tha ajo.

Daka tha se sipas rezultatet preliminare, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë 95 mijë e 449 dhe se numri i përgjithshëm i vendvotimeve ishte 124. Sipas KQZ-së numri i përgjithshëm i qytetarëve që votuan në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Ferizaj, ka qenë 26 mijë e 240 a po 27.49 për qind. Ndërsa numri i fletëvotimeve me kusht, ka qenë 528 fletë votime, raporton Kosovapress. (LajmeShqip.com)

*****************************************

Ferizaj – Sipas OJQ-ve, Iniciativa për progres (INPO) dhe Demokracisë për Zhvillim (D4D) në tërësi, deri në mesditë, në ora 12:00, në raundin e dytë të zgjedhjeve, për kryetarit të komunës së Ferizajt, kanë dalë 8,569 votues ose 9% nga numri total i votuesve prej 95,449.

Në zonat urbane dalja ka qenë 6.9% ndërsa në zonat rurale 11.2%. Dalja më e lartë ishte 19% në një vendvotim, dhe më e ulëta ishte 3.74%. Mesatarisht kanë votuar 69 votues për një vendvotim.

Sipas vëzhguesve të D4D-së dhe INPO-s, procesi i votimit në përgjithësi është duke shkuar në rregull me disa përjashtime të vogla.

Edhe sipas të dhënave dhe raporteve, të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka mbledhur nga terreni, procesi zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarit të komunës së Ferizajt, po zhvillohet normalisht.

Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ-së, thotë se prej 95 mijë e 449 votuesve me të drejtë vote, deri më tash kanë votuar rreth 6 për qind të tyre.

“Deri në orën 11 kanë votuar 5 mijë e 765 votues. Deri më tash nuk është shënuar asnjë lloj problemi që do ta cenonte procesin e votimit”, ka thënë Ajvazi.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare, Demokracia në Veprim, në konferencën e parë të mbajtur për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt, ka bërë të ditur se deri në ora 9:00, kanë votuar vetëm 2 për qind e votuesve me të drejtë vote.

“Duke pasur parasysh që në raundin e parë pjesëmarrja e qytetareve për të votuar ka shprehur shkallën më të ultë të pjesëmarrjes nga të gjitha zgjedhjet në Kosove dhe sot sipas të dhënave të Demokracisë në Veprim, deri në orën 09:00, kanë votuar mbi 2 për qind. Kjo indefirencë qytetare vjen ndoshta dhe si pasojë e kohës së hershme kur po raportojmë. DvV u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje”, thotë Demokracia në Veprim. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 10:03

Prishtinë-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në takimin e mbajtur sot, ka miratuar rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Ferizaj, të procesuara nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Ferizaj.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillimisht konstaton se zgjedhjet në Ferizaj u organizuan sipas planit të paraparë operacional dhe në atmosferë të qetë e pa probleme. Të gjitha vërejtjet dhe çështjet e ngritura, vërejtjet dhe shqetësimet, gjatë ditës së votimit janë shqyrtuar me prioritet nga KQZ-ja dhe janë evituar me kohë”, thuhet në komunikatën e këtij organi.

E njëjta thekson se në zgjedhje kanë marrë pjesë 28,643 votues, ose 30.6%. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstaton se rezultatet sipas pilot-projektit ‘K-vote’, të dhëna në konferencën e orës 20.00, janë identike me rezultatet e pranuara nga Komisioni Komunal i Ferizajt”, thekson komunikata.

Sipas rezultateve të KQZ-së, që mbështeten në mbi 99 për qind të votave, kandidati i PDK-së, Agim Aliu, ka fituar 40.7 për qind të votave, kurse Adem Salihaj i LDK-së 24.09 për qind. Të dy kandidatët shkojnë në balotazh. (REL)