12
 
Lajme Shqip Friday, 01 June 2012 19:59

Tetovë – Nobelisti shqiptar Ferid Murad u shpall sot “Doctor Honoris Causa” i Universitetit Shtetëror të Tetovës. Me këtë vendim të Senatit të USHT-së, nobelisti Ferid Murat vlerësohet lartë për punën kërkimore.

“Senati i USHT-së në mbledhjen e mbajtur më 31 maj të vitit 2012 mori këtë vendim. Profesor doktor Ferid Muradit i jepet Titulli ‘Doctor honoris causa’ i Universitetit Shtetëror të Tetovës. Ky titull i jepet për meritat e jashtëzakonshme për krijimin e kushteve në fushën e arsimit dhe shkencës, ruajtjen e vlerave dhe dinjitetit njerëzor për ngritjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor dhe akademik”, tha Vullnet Ameti, prorektor për shkencë i USHT-së. 

Për nobelistin shqiptar Ferid Murad, i cili numëron deri tani 16 tituj “Doctor Honoris Causa”, titulli i sotëm do të zërë një vend të veçantë, pasi i jepet nga universitetit shqiptar i Tetovës.

“Të marrësh këtë titull nderi nga i vetmi universitet shtetëror shqiptar  që ndodhet kaq afër vendlindjes së babait tim Llakavicës është gjë e veçantë për mua! Unë e dua kërkimin shkencor, mësimin dhe kujdesin për pacientin dhe kam dhënë maksimumin tim për të bërë të mundshme këto gjera, dhe mendoj se shumë njerëz nuk kënaqen me punën si kënaqem unë, dhe diçka, nuk e kam në plan të dalë në pension, do punojë gjithmonë. Shpresoj që të ndihmoj edhe këtë universitet, Universitetin Shtetëror të Tetovës që Maqedonia t’i ketë këto gjëra në të ardhmen”, tha prof.dr.Ferid Murad.

Paraprakisht nobelisti Ferid Murad është takuar edhe me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa, i cili i ka dhuruar ikonën e nobelistes tjetër shqiptare Nënë Tereza. “Është kënaqësi që nobelistit tonë t’i dhurojmë këtë skulpturë që simbolizon nobelisten tjetër, e që reflekton një unitet shpirtëror të vlerave për çka ne si shqiptarë jemi krenarë”, tha Ylber Hysa, ambasador i Kosovës në Maqedoni. Në këtë manifestim, përveç figurave politike nga Maqedonia, morën pjesë edhe përfaqësues universitetesh nga të gjitha trojet shqiptare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 31 May 2012 20:34

Shkup – Nobelisti shqiptar Dr.Ferid Murati deklaroi se në hulumtimet e tij të fundit po merret me avancimin e luftës kundër kancerit.

“Në laboratorin tim në Shangaj po hulumtojmë ilaçin që avancon luftën kundër kancerit dhe shpresojmë se pas 5 apo 10 vite do të arrijmë ti bëjmë të lumtur miliona njerëz”, premtoi nobelisti me origjinë shqiptare nga Gradeci i Gostivarit, sot me rastin e prezantimit të librit të tij “Dr.Ferid Murati, krenaria ynë” nga autori Halil Zendeli në Librarinë e Çarshisë në Shkup.

Ai në një bashkëbisedim me adhuruesit e librit dhe shkencës theksoi se laboratoret kërkimore që udhëheq ai, kanë arritur rezultate shumë të mira në gjetjen e barnave për shërim të bakteries që shkakton diarrenë, dhe vazhdon ende gjatë përsosjes së kësaj formule.

Dr. Ferid Murati nuk tregoi hollësi për jetën e tij, për prejardhjen, për historinë e familjes së tij, peripecitë, mërgimin, sakrificat dhe sfidat jetësore. Theks të veçantë i dha rëndësisë së arsimimit, këmbënguljes e tij për avancim te diturisë, për të gjitha sakrificat jetësore për të aritur rezultatet e tija në kërkimet dhe hulumtimet në mjekësi, për çka është dekoruar me çmimin Nobël në vitin 1998, i njohur për zbulimin e ilaçit viagra bashkë me dy shkenctarë të tjerë amerikan. Autori i librit për nobelistin shqiptar ka shpalosur fragmente nga libri dhe nga biografia, duke ngritur lartë figurën e Dr.Ferid Murati. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 22:40

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim, Eqerem Zenelaj, Profesor i Shkencave Juridike dhe studiues i çështjes shqiptare.

Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se Profesor Zenalaj i dorëzoi Kryeministrit 300 eksponate të familjeve shqiptare që kanë dhënë kontribut të shquar në botë, shoqëruar me albumin që prezanton këto familjeve, duke filluar kryesisht nga vitet 1500 dhe deri në ditët tona, ku përfshihen edhe Ernesto Sabato, Xhon Belushi dhe Ferid Murati.

Ai e njohu Kryeministrin me punën hulumtuese të bërë për qëmtimin e dokumentacionit, të cilin e ka mbledhur në 17 arkiva të huaja, si Lisbonë, Londër, Firence, Napoli etj. Me nismë të Profesor Zenelaj dhe nën kujdesin e Kryeministrit, 300 eksponatet do të prezantohen në një ekspozite me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, me temë “Figurat shqiptare në veprat e artistëve europianë”.

Kryeministri Berisha e vlerësoi të çmuar punën e Profesor Zenelajt, në dokumentimin e kontributit të figurave të shquara shqiptare në botë, në periudha të ndryshme të  histories. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 18:24

Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka nderuar Ferid Murad, shkencëtar i madh me prejardhje shqiptare, me dekoratën “Qytetar Nderi i Kosovës”, në shenjë mirënjohje për kontributin e tij fondamental në fushën e mjekësisë dhe për nderin që i bën vepra e tij popullit të Kosovës.

Vendimin për dekorimin e fituesit të Çmimit Nobel, presidentja Jahjaga e mori në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës, që i jep presidenti i Kosovës.

Murad, pasi përgëzoi presidenten Jahjaga për zgjedhjen në krye të vendit, u shpreh shumë i nderuar me dekoratën e dhënë.

Duke folur për Kosovën, ai tha se është me rëndësi që të ketë arsim cilësor, në mënyrë që Kosova të zhvillohet ekonomikisht dhe të bëhet konkurruese.

Po ashtu, ai theksoi se është me rëndësi që atyre që shkojnë jashtë për të studiuar t’iu krijohen kushtet për të kontribuar në vendin e vet, sepse secili, në fund, më së shumti ka dëshirë të kontribuojë për atdheun e vet, njofton Zyra e informacionit të Presidencës së Kosovës.

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 16:31

Tetovë – Nobelisti me prejardhje shqiptare, prof. dr. Ferid Murati ka vizituar Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT). Ai është pritur nga rektori Agron Reka i shoqëruar nga Prorektorët, Dekanët, Sekretari i përgjithshëm dhe Shefja e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë.

”Vizita e juaj e nderon institucionin tonë, stafin akademik dhe studentët tanë. Ne ndjehemi të nderuar me vizitën tuaj në USHT, sikundër krenohemi me emrin dhe veprën tuaj që ka arritur në piedestalet më të larta në shkencat e mjekësisë në nivel botëror”, ka thënë rektori Reka, i cili po ashtu, nobelistin Ferid Murati e njoftoi me historikun e USHT-së, që nga themelimi e deri në ditët e sotme, dhe për rolin dhe rëndësinë që luan në ngritjen dhe avancimin e shkencës ndër shqiptarët. Ndërkohë, nobelisti Ferid Murati, me këtë rast u shpreh i kënaqur me ritmin e punës dhe zhvillimet shkencore dhe akademike në USHT.

“Me lejoni që t’u shpreh kënaqësinë dhe emocionet e mia për pritjen e ngrohtë që më ofruat, po ashtu, më lejoni të ndaj bashkë me ju respektin dhe konsideratat më të larta për këtë Universitet, për rolin e tij për avancimin e shoqërisë shqiptare në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Prof. Dr. Ferid Murad, i cili premtoi se në të ardhmen do të mbajë një ligjëratë para studentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisëi.

Në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për vizitën e tij në USHT, Rektori Reka, nobelistit Murati i dhuroi një pikturë të piktorit Nevzat Kica.

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 13:32

Tiranë – Nobelistit shqiptaro-amerikan, Ferid Murati iu dorëzua sot, në Tiranë, medalja “Nderi i Akademisë”, nga Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, për kontributin e tij në shkencën e mjeksisë dhe për nivelet e larta që ka arritur.

Studiuesi i mjekësisë, në takimin zyrtar në Akademinë e Shkencave tha se, për të është gjithmonë emocionuese që të kthehet dhe të vizitojë vendin e tij, pasi 50 % e gjakut të tij është nga Shqipëria.

“Jam i lumtur dhe krenar për këtë medalje. Kam marrë shumë medalje nga të gjitha vendet e botës, por të gjithë kanë për ta vënë re këtë medalje në raftin tim, pasi ajo është më e madhja”, tha Murati.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Beqiraj e cilësoi dorëzimin e medaljes nobelistit, Muati, si një ngjarje të madhe për Akademinë, për një personalitet që ka arritur nivele të larta dhe është pjesë e shqiptarëve.

Nobelisti për mjekësinë vjen në Shqipëri për herë të dytë, pas vizitës së 12 viteve më parë. Ferid Murat, i njohur për shpikjen e Viagrës lindi më 14 shtator të vitit 1936, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mban titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit të Evropës Juglindore dhe të Universitetit të Tiranës.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 16:18

Tiranë – Rëndësia që duhet t’i kushtohet kërkimit shkencor ishte në qendër të takimeve që fituesi i çmimit Nobel për mjekësinë, Ferid Murat, pati gjatë vizitës së tij në Tiranë me ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj, Rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, si dhe përfaqësues të lartë akademikë të Universitetit të Tiranës.

Sudiuesi shqiptaro-amerikan, Ferid Murat, ka marrë çminin Nobel për Mjekësi në vitin 1998 dhe në vitin 1999 ka marrë titullin “Honoris Causa” të Universitetit të Tiranës.

Në fjalën e tij Murat theksoi se “kërkimi shkencor dhe edukimi janë gjërat më të rëndësishme në jetë. Po të mos kishim kuriozitetin për zbulimin shkencor, jeta do të ishte shumë primitive. Do të përdornim akoma veglat që çajnë gurin”.

Gjatë takimit, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i dhuroi sudiuesit shqiptaro-amerikan bustin e nobelistes shqiptare Nënë Tereza. Ferid Murat, i njohur për shpikjen e Viagrës lindi më 14 shtator të vitit 1936 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkencëtari mban titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit të Evropës Juglindore.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 08:23

Shkup – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov priti dr. Ferid Muratin, fituesin e Çmimit Nobel nga sfera e mjekësisë dhe farmakologjisë klinike. Në takim, siç ka kumtuar kabineti i presidentit, dr. Murati i ka përshëndetur angazhimet e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë për zhvillimin dhe kultivimin e bashkëjetesës në një shoqëri multikulturore dhe është angazhuar që ta shfrytëzojë prestigjin e tij në shoqërinë amerikane, të lobojë për Maqedoninë që sa më shpejtë të realizojë qëllimet strategjike të vendit – anëtarësimin në BE dhe NATO. Dr. Murati është interesuar për gjendjet në shëndetësi dhe arsimin mjekësor në Republikën e Maqedonisë, duke i identifikuar sferat e bashkëpunimit të mundshëm. Presidenti Ivanov duke i uruar Ferid Muratit për të gjitha sukseset e arritura deri më tani, shfaqi shpresë se edhe më tej projektet e tij hulumtuese do të kontribuojnë drejt zhvillimit të mjekësisë dhe farmakologjisë kudo në botë. Siç theksohet në kumtesë, presidenti Ivanov në takim shprehu falënderim për faktin se dr. Murati sukseset e tij i quan edhe suksese të Republikës së Maqedonisë. Bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për integrimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, rolin e saj në planin ndërkombëtar, si dhe për problemin me emrin e fqiut jugor, i cili i vështirëson këto procese. Profesori universitar dhe hulumtuesi dr.Ferid Murati, i cili me prejardhje është nga Gostivari, ndërsa jeton dhe punon në Hjuston, Teksas, është fitues i çmimeve dhe mirënjohjeve të shumta për hulumtime në sferën e mjekësisë. Arritja më e rëndësishme në veprimtarinë e tij shkencore dhe hulumtuese është marrja e Çmimit Nobël për mjekësi dhe fiziolgji në vitin 1998 për zbulimin lidhur me zbatimin e oksidit nitrik si molekulë sinjalizuese në sistemin kardio-vaskular.

 
Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 18:48

Prishtinë – Fituesi i çmimit Nobel për mjekësi, Dr. Ferid Muradi, me ftesë të Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK) të enjten do të vizitojë Kosovën.

Gjatë kësaj vizite Dr. Muradi do të mbajë një ligjëratë për studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë dhe do të njihet më për së afërmi me punën e këtij universiteti.

“Dr. Muradi është një personalitet i cili ka lënë gjurmë të rëndësishme në shkencën botërore dhe ne jemi shumë të nderuar që ai ka pranuar ftesën tonë për të na vizituar”, tha kryetari i AUK-ut, Dr. Kris Hall.

Personalitete si Dr. Murati, shtoi Hall, padyshim janë një inspirim i madh për studentët e këtij universiteti për të synuar majat e suksesit.

Universiteti Amerikan në Kosovë ka propozuar dhe presidenca e ka pranuar kërkesën që Dr. Murati të shpallet “Qytetar Nderi i Republikës së Kosovës” nga presidentja Jahjaga.

Gjatë vizitës Dr. Muradi to të takohet edhe me personalitete të tjera në Kosovë nga fusha e mjekësisë, shkencës, politikës dhe shoqëria civile.

Dr. Murati fitoi Çmimin Nobel për mjekësi në vitin 1998, me dy shkencëtarë të tjerë. Dr. Muradi tani është profesor në Universitetin George Washington dhe udhëheqës i laboratorit të Biokimisë dhe Biologjisë Molekulare në këtë universitet. Gjatë karrierës së tij të bujshme Dr. Muradi ka ligjëruar në disa nga universitetet më të njohura amerikane dhe ka bërë punime kërkimore shkencore në disa nga qendrat më inovative amerikane. Krahas Nënës Terezë, Dr. Murati është i vetmi person me preardhje shqiptare që ka fituar këtë çmim prestigjioz.

 
Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 16:51

Tetovë – Siç kishte raportuar Portali Lajmeshqip.com, nobelisti shqiptar Prof. Dr. Ferid Murati është shpallur të shtunën mbrëma “Qytetar nderi” i Tetovës. Ajo që e ka karakterizuar këtë ceremoni ka qenë prania e dy liderëve të partive më të mëdha shqiptare, atij të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti dhe kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi. Ndonëse të dy në sallë kanë hyrë njëri pas tjetrit, ata nuk janë përshëndetur, ndërsa gjatë gjithë kohës kanë qenë të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë, Arben Çejku.

Në këtë eveniment, po ashtu, ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Skënder Durmishi. Nëpërmjet një ceremonie zyrtare të organizuar nga Komuna e Tetovës, kryetari Sadi Bexheti i ka ndarë çmimin nobelistit me prejardhje shqiptare. Gjatë fjalimit të tij, Bexheti ka thënë se kjo ngjarje është shumë e vogël krahas kësaj figure, i cili njihet në dimensione ndërkombëtare dhe botërore.

Ndërkaq, vetë Murati, është shprehur i emocionuar për nderin që i është bërë atij dhe familjes.

“Jam shumë gëzuar dhe i nderuar për këtë çmim, por siç thash në dokumentar, mendoj se shumë e rëndësishme është që ne të motivojmë rininë të punojnë fort në edukimin dhe trajnimin e tyre që nëse punojnë me mentorë të mirë dhe elan, dhe nëse ke qëllim dhe punon fort, çdo gjë është e mundur”, ka thënë Murati, pas marrjes së çmimit “Qytetar nderi” i Tetovës.

12