Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 12:57

Tiranë – Kryeministri shqiptar Sali Berisha mori pjesë në një aktivitet të organizuar në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 1 Qershorit, ditës ndërkombëtare të fëmijëve. Kreu i ekzekutivit e vuri theksin tek përkujdesi i fëmijëve që u përkasin pakicave, teksa premtoi qeveria do të bëjë gjithçka për një të ardhme më të mirë. 
“Qeveria do të shumëfishojë forcat për të kapërcyer pasojat e diskriminimit për fëmijët romë dhe egjiptianë, por në tërësi një kujdes maksimal duhet adresuar drejt fëmijëve të pakicave”, deklaroi Berisha, transmeton BË. 
Kreu i PS-së, Edi Rama njëherësh kandidati për deputet në Qarkun e Vlorës ka përzgjedhur shtëpinë ku strehohen fëmijët jetim të qytetit bregdetar për ti uruar gjithë fëmijëve shqiptar  “Gëzuar 1 Qershorin”. I shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, Rama qëndroi në mes të fëmijëve, të cilët luanin dhe gëzonin. 
“Sot ne kemi sjellë, disa dhurata , janë dhurata që lidhen me ata që duam të bëjmë për gjithë fëmijët e Shqipërisë , kemi sjellë këto tableta, kompjutera të vegjël dore që kanë një të mirë të madhe se fëmijët i mësojnë vetë nuk kanë nevoje fare për mësues për ti mësuar si të përdorin, për të mësuar gjëra që nga librat mësojnë me vështirësi. Tabletat janë ato që duam të sjellim si të risi për shkollën. Duam brenda 4 vitet e ardhshme, shkollat e mesme dhe dalëngadalë dhe shkolla 9- vjecare të fillojnë të pajisen me tableta. Objektivi është të arrijmë deri ne heqjen e librave dhe mbajtjen e këtyre tabletave edhe për mësimdhënien. Dua që këto 30 tableta të shërbejnë si guri i parë i themelit, për katër vitet e ardhshme këtu në Vlorë për fëmijët e Vlorës. Sot do i japim këto tableta për fëmijët e jetimores, duke i konsideruar si fëmijët tanë, si pasuri dhe amanet të përbashkët. Do vijojmë të pajisim me tableta të gjithë fëmijët”, premtoi Rama.