Lajme Shqip Wednesday, 05 June 2013 09:51

Prishtinë – Lëvizja Islame për Bashkim (LISBA), i ka dalë në mbrojtje hoxhës Irfan Salihu, pas reagimeve të shumëta që ka ngjallur një ligjeratë e tij e postuar në rrjetin YouTube.

LISBA konsideron se ligjerata në fjalë, nuk ka qenë e drejtuar ndaj personave të caktuar, andaj sipas saj, “vetëm ata që e kanë gjetur vetën në të kanë bërë reagim të menjëherëshëm”.

“LISBA denoncon hipokrizinë e atyre që sulmuan hoxhën madje duke kërkuar llogari nga BIKU në emër të të drejtave të gruas, kur dihen shkeljet që u bëhen këtyre të drejtave nga ana e pushtetit.

Ajo në të cilën ka thirrur hoxha Irfan Salihu  është morali i femrës të cilin e kultivoj me përkushtim dhe e ruajti me sakrificë populli i shqiptar me shekuj”, thuhet në reagimin e LISBA-s.

Kjo Lëvizje konsideron se “hoxhallarët mbesin thirrësit më të moralshëm në vendin tonë dhe mbrojtësin e vlerave të mirëfillëta”.

“LISBA mbështetë fuqishëm  hoxhën Irfan Salihu dhe çdo hoxhë tjetër i cili sulmohet vetëm pse thotë të vërtetën dhe thërret në të dhe ua bën të qartë misionarëve për shkatërrimin e moralit të rinisë sonë se pavarësisht përpjekjeve tuaja nuk do të arrini ta zhvishni nga morali dhe ta dërgoni në degjenerim popullin Kosovës”, thuhet në reagimin e LISBA-s.

 
Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 22:35

Prishtinë – Hoxhë Irfan Salihu, i cili njihet për ciklin e ligjeratave të tij, të postuara në rrjetin e internetit, YouTube, në një prej ligjeratave të tij të postuar së fundmi, flet mbi moralin shqiptar, gjegjësisht për femrat shqiptare.

Ai në këtë ligjeratë, flet për virgjinitetin e femrave, duke porositur të rinjtë që femrat të cilat janë jo të virgjëra, të mos i martojnë, duke i quajtur femrat me emra si “kurva, meçka”.

Hoxhë Irfan Salihu, gjatë ligjëratës së tij e cila është mbajtur në xhaminë Suzi Zerrini në Prizren, ligjeratën e tij e nis me një rrëfim duke iu referuar një “bisede që ka dëgjuar nga i vëllai, se një prind i ka blerë vajzës së tij një paketë kondoma”.

Hoxha, i cili njëherit është edhe prijës (imam) në xhami, thotë se rinia shqiptare “është duke bërë punë të flliqta”, mirëpo në ligjeratën e tij në fjalë, më shumë flet për gjininë femërore.

Ai vazhdimisht porositë të rinjtë, përkatësisht gjininë mashkullore që të jenë të “pamëshirshëm” përballë femrave që siç shprehet hoxha, “e kanë humbur moralin e tyre”.

Hoxha vazhdimisht flet për moralin, duke iu referuar virgjinitetit të femrës. Në këtë mënyrë sipas tij, ato femra të cilat nuk janë të virgjëra, nuk kanë moral.

“Këto rrospija dhe kurva…çdo femër që ban akt intim pa kurorë, sipas dispozitave islame është kurvë”, thotë ai në njërën prej fjalive të tij përgjatë ligjërimit.

Hoxha u drejtohet të rinjëve (përkatësisht gjinisë mashkullore, pasiqë siç dihet në vendet tona xhamitë vizitohen më shumë nga gjinia mashkullore për ritualet fetare) duke u thënë se ata “duhet ti dënojnë femrat e pamoralshme duke i lënë në sokaqe”.

“Këto leni, dënoni në këtë formë si meqkat në sokak. Këto një ditë munden me qenë eduktatore të fëmijëve tuaj. Këto e kanë tradhëtu Zotin e tyre, prindin e ju tradhëtojnë edhe juve”, thotë ai.

Madje për hoxhën, virgjiniteti konsiderohet një lloj “kodi” siç e quan ai, që duhet të jetë vendimtar për një lidhje apo martesë. Hoxha përdorë shprehje si “të dekodume, të çelme”, kur flet për virgjinitetin.

Madje në një rast, ai akuzon mediat, apo siç i klasifikon ai “mediat e çoroditura”.

“Mediat e çoroditme dëshirojnë të na paraqesin se femra e cila nuk e ka ruajtë ndershmërinë e saj, dëshirojnë të na e paraqesin se …jo nuk matet morali i femrës me atë se a ka ecë me këtë apo atë frajer”, shprehet ai, duke vazhduar sërish me porosinë ndaj gjinisë mashkullore “Lejeni bërllogun, le të mbesin jashtë”.

Në vazhdën e ligjëratës, hoxha thotë se ata që “marrin një femër të pandershme janë si gomat rezervë të makinave”.

Madje hoxha i klasifikon meshkujt e tillë edhe si “jo burra”.

“Nëse e bënë këtë punë”, thotë ai duke iu referuar martesës së mundshme mes mashkullit dhe femrës (së pandershme sipas tij), “vlerë të mashkullit nuk ke, ti nuk je burrë, ti je burrec, ti je njeri i troshave”, thotë ai.