Lajme Shqip Wednesday, 28 August 2013 16:18

Prishtinë – Kandidati i vetëm për postin e Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, i cili deri vonë kishte për kundërkandidat tashmë të shkarkuarin nga posti i Kryetarit të Kuvendit të Bashkësisë Islame, Xhabir Hamiti, ditë më parë ka marrë pjesë në përurimin e një xhamie në fshatin Makovc, Komuna e Prishtinës.

Tërnava ishte në mesin e Kryeimamit të Këshillit të Prishtinës, Burhan Hashani, kryetarit të Lëvizjes Islamike “Bashkohu” (LISBA), Arsim Krasniqi, Imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, Kryetarit të BIK-ut në Gjilan, Sylejman Osmani e figurave tjera të larta fetare, nga Kosova e më gjerë.

Ndërkaq, ka qenë pikërisht kjo xhami që është përfolur të jetë një prej qendrave të rekrutimit të qytetarëve shqiptarë për të luftuar në anën e kryengritësve në Siri.

Sipas një raporti të organeve të sigurisë së Kosovës, të siguruar nga Klan Kosova, thuhet se kjo xhami është ndërtuar nga salafi, dhe frekuentohet nga persona të cilët mund të jenë rekrutë të ardhshëm në luftën e Sirisë.

Këtë gjë e pati mohuar Arsim Krasniqi, kryetar i Lëvizjes Bashkohu, i cili edhe e ka dhënë tokën për ndërtimin e xhamisë në Makofc.

Raporti tregon se shqiptarët shkojnë në Siri në grupe të vogla, ndërsa, sipas tij, janë dy pika ku bëhet grumbullimi i atyre që shkojnë tu ndihmojnë ‘vëllezërve’ sirianë – njëra në Prishtinë dhe tjetra në Mitrovicë.

Ndërkaq, Osman Musliu nga Sindikata e Bashkësisë Islame të Kosovës, tha për “Zërin” se për këtë çështje nuk është i interesuar të flas.

“Le të marrin pjesë jo vetëm në një xhami, por edhe në dhjetë xhami tjera”, ka thënë Osmani.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, i pyetur nga “Zëri” për pjesëmarrjen e Myftiut Tërnava në përurimin e xhamisë së dyshimtë në Makovc, tha se kjo vizitë është thikë me dy teha.

“Në njërën anë, ai tenton që para opinionit të paraqitet se kinse unë jam që t’i fus nën juridiksionin e BIK-ut të gjitha rrymat fetare dhe në anën tjetër, kryetari i BIK-ut Naim Tërnava, është duke e thelluar bashkëpunimin me grupe të caktuara ideologjike të cilat në një mënyrë e kanë në dorë Naim Tërnaven dhe në çdo kohë munden ta shantazhojnë”, ka thënë Islami./Zëri/ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 28 August 2013 12:41

Feja islame sipas një dijetari mysliman me emrin Sa’d Arafat, i cili për këtë temë flet në një televizion egjiptian, lejon rrahjen e gruas. Por sipas tij, kjo ka rregulla. Gruaja nuk duhet rrahur siç ta ka qejfi, dhe sipas tij, Allahu me këtë e ka nderuar gruan.
Ndërsa i pyetur nga moderatori se si rrahja mund të cilësohet nder, dijetari përgjigjet: “Po, sepse ka caktuar rregulla, të cilat ndalojnë që ajo të rrihet në fytyrë dhe të shëmtohet. Profeti Muhamed ka thënë: Kur të rrihet gruaja, ajo nuk duhet të qëllohet në fytyrë që të mos shëmtohet, dhe gjatë rrahjes ajo nuk duhet të mallkohet”, shpjegon dijetari.
Ai thotë se, kjo bëhet për të disiplinuar gruan. Gjithashtu gjatë rrahjes ai thotë se duhet pasur kujdes, që ajo të mos lëndohet, të mos i shkaktohen plagë, thyerje të kockave, e as të dhëmbëve. Në procesin e rrahjes dijetari mysliman thotë se nuk duhet ngritur dora lart, por atë duhet mbajtur drejtë me gjoksin. Ndërsa rrahja duhet të bëhet në trup, duke mos e qëlluar më shumë se 10 herë dhe jo në të njëjtin vend. E nëse rrahja bëhet me shkop, ai duhet të jetë i shkurtër.
Rrahja sipas tij, duhet të vijë, vetëm pas kritikave dhe ndëshkimit duke mos i dhënë ushqim. E nëse edhe atëherë nuk ka efekt, atëherë lejohet rrahja.Dijetari i islamit në fund thotë se, në fakt rrahja e gruas në islam është e lejuar vetëm në një rast. Sipas tij, në rastin kur ajo refuzon të flejë me burrin./Express/

 
Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 09:44

Tiranë – Futja e lëndëve fetare në kurrikulat arsimore, raporti i të rinjve me fenë, fondamentalizmi islamik dhe polemikat mbi Xhaminë e Madhe janë disa nga çështjet mbi të cilat jep opinionin e tij kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça.

Në një intervistë për gazetën Panorama ai pohon se në shumë reagime vihet re një tendencë islamofobie që nuk lë aspak shije të mirë.

“Islami është fe e paqes, sigurisë dhe mirëqenies. Islami ka deklaruar gjithmonë se njerëzit gëzojnë respekt pa iu nënshtruar diskriminimit socialpolitik, materialo-shpirtëror, kulturoro-racial dhe të çfarëdo lloji tjetër, dhe i ka nderuar ata me një status të tillë mbi të gjitha krijesat. Kuranideklaron:
“Dhe sigurisht ne i kemi nderuar bijtë e Ademit”. (Isra, 76)
E drejta për të jetuar, liria e praktikimit të fesë, gjuhës, ligjit, kulturës, veshjeve dhe tolerancës, e treguar ndaj jomyslimanëve, buron natyrshëm nga Islami. Kjo është ajo që përfaqëson feja islame. Nëse dikush ka prirje jashtë kësaj kornize dhe madje pretendon se me këtë veprim përfaqëson Islamin, kjo është për shkak të paditurisë ose interesave personale, që mund të jenë çfarëdolloj. Kurani është i qartë, Tradita Profetike është e qartë dhe të gjithë njerëzit sot kanë mundësi të informohen rreth tyre…” shprehet kreu i KMSH-se.

 
Lajme Shqip Thursday, 22 August 2013 13:32

Prishtinë – Nëse Kosova synon të avancojë në shtegun e saj evropian – që t’i afrohet Evropës gjithnjë e më tepër – ideologjitë ekstreme nuk kanë vend në Evropë. Kështu ka thënë në pjesën e dytë të intervistës për gazetën ”Zëri” ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e cila thotë se është në favor të lirisë së të shprehurit të religjionit, por jo që cilido grup të imponojë mendimet e tyre ndaj kujtdo tjetër.

Për tendencat e grupeve të ndryshme që Kushtetuta e Kosovës të mos jetë laike, ambasadorja bënë të ditur se Kosova si shtet ka marrë vendim që të jetë shtet multietnik dhe sekular, shtet që respekton diversitetin, dhe ky është një qëndrim modern. “Ky është pra ai lloj i shtetit që ka një të ardhme evropiane”, ka thënë Jacobson.

Ajo thotë se tradicionalisht Kosova ka pasur një formë shumë tolerante dhe evropiane të islamit. Sa u përket kresave për ndryshimin e rregullores për lejimin e bartjes së shamive nëpër shkolla, ajo bën të ditur se nuk ka ndonjë informacion se do të ndryshohet diçka në një të ardhme të afërt. Jacobson shton se Kosova ka pozitë unike gjeografike ku ka ndikime nga Lindja dhe Perëndimi, por sipas saj, Kosova qartësisht shikon kah Evropa. “Dhe mendoj se kjo është mundësia më e mirë e Kosovës për sukses”, ka thënë ajo.

Në pyetjen nëse Kosova po rrezikohet nga rritja rrymave të islamit ekstrem, ambasadorja amerikane thotë se ato nuk kanë vend në një shtet modern demokratik, dhe se kjo nuk është historia e Kosovës.

“Siç thashë më herët në bisedën tonë, ne duhet të jemi kundër çfarëdo forme të dhunës apo frikësimit, ato nuk kanë vend në një demokraci moderne, pa marrë parasysh se nga cili sektor i shoqërisë këto mund të vijnë. Unë pajtohem se tradicionalisht Kosova ka pasur një formë shumë tolerante dhe evropiane të islamit, që respekton ekzistimin e feve tjera. Për mua gjithmonë është interesante të shkoj në Prizren, Gjakovë, apo edhe këtu në Prishtinë, ku mund të shohësh xhamitë pranë kishës katolike dhe ortodokse. Kjo ka qenë historia e Kosovës. Unë e di se gjersa Kosova synon të avancojë në shtegun e saj evropian – që t’i afrohet Evropës gjithnjë e më tepër – ideologjitë ekstreme me të vërtetë nuk kanë vend në Evropë. Unë jam plotësisht në favor të lirisë së shprehjes, lirisë së të shprehurit të religjionit, por jo që cilido grup të imponojë mendimet e tyre ndaj kujtdo tjetër”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 August 2013 19:57

Anëtarët e Kuvendit të BIK kanë vendosur me shumicë votash për ta shkarkuar kryetarin e deritanishëm të Kuvendit të BIK Xhabir Hamiti.
Sekretari organizativ i BIK, Resul Rexhepi në një konferencë për gazetarë ka thënë se shkarkimi i Xhabirit është bërë për shkak se ai e ka lëshuar mbledhjen në mënyrë arbitrare duke mos përfillur kërkesat e anëtarëve të Kuvendit.
“Në bazë të nenit 73 të Kushtetutës së Kuvendit të BIK anëtarët kanë të drejtë ta shkarkojnë dhe ta emërojnë kryetarin e vet. Bashkë me Hamitit mbledhjen e kanë lëshuar edhe 4-5 persona dhe ne me 23 vota për dhe një abstenim kemi vendosur për shkarkimin e tij”, ka thënë Rexhepi.
Sipas Rexhepit pritet që me datën 29 gusht të mbahet edhe një mbledhje e radhës ku do të diskutohet ndryshimi i këtij ligji por ai ka thënë se kjo nuk do të thotë që Hamiti nuk ka të drejtë të konkurrojë për myfti të Republikës së Kosovës.
“Çdo person që propozohet nga nga subjektet islame, fakultetit të Studimeve Islame ka të drejtë që të konkurroj për myfti të Kosovës”.
Rexhepi ka mohuar zërat se ka pasur tensione në mbledhje dhe ka thënë se gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe se e sheh të paarsyeshme thirrjen e Policisë së Kosovës nga ana e Hamitit para zyrave të BIK./Express/

 
Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 13:34

Sot në mëngjes besimtarët ortodoksë janë futur me forcë në Pallatin e Kulturës, e cila përdorej si kisha e Shën Marisë së Pazarit, por prej 15 gushtit, godina iu kthye bashkisë pasi kishte fituar betejën gjyqësore.

Rreth orës 11:00 dy autobusë me besimtarë dhe priftërinj ortodoksë nga qarku i Gjirokastrës kanë zbritur në Përmet dhe i janë drejtuar Pallatit të Kulturës për të rimarrë godinën.

Ata iu bashkuan besimtarëve që qëndronin para godinës së Shtëpisë së Kulturës dhe tentuan të hynin brenda. Fillimisht kanë hasur në rezistencën e policisë private “Aulona” dhe të policisë bashkiake, ku nuk kanë munguar debatet dhe konfrontimet fizik mes tyre. Madje një prej policëve privatë kanë hedhur sprajt në drejtim të protestuesve, njofton A1 Report.

Më pas situata u tensionua dhe filluan konfrontimet fizike. Dëshmitarët thonë se 2 priftërinj dhe 2 besimtarë janë parë të gjakosur.

Më pas protestuesit kanë hequr rrethimin prej llamarine dhe kanë hyrë brenda ku po mbajnë dhe “Meshën e Triumfit”.

E gjithë kjo është zhvilluar në sy të policisë së shtetit e cila rrinte indiferentë në një distancë me konfliktin. /albeu.com/

 
Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 09:41

Prishtinë – Shtatë organizata ndërkombëtare dhe njëmbëdhjetë vendore të cilat veprojnë në Kosovë nën petkun e “ndihmave humanitare”, janë duke u hetuar për keqpërdorimin e fondeve për çështje fetare.
Për 14 vjet më radhë që nga mbarimi i luftës në Kosovë, shumica prej tyre janë deklaruar se kanë ardhur në Kosovë “për të ndihmuar skamnorët”, por ato nuk japin llogari për prejardhjen e fondeve dhe mënyrën sesi i shpenzojnë ato. Gazeta “Zëri” ka siguruar dokumente të institucioneve që janë duke i hetuar këto organizata të dyshimta.
Listat me emra të cilat i posedon gazeta, është kërkuar që të mos publikohen për shkak të rrezikut të prishjes se hetimeve. Ndërkohë që nga emrat mësohet se këto organizata kanë lidhje kryesisht me vende të Lindjes.
Në dokumentet që i posedon “Zëri” qartësohen veprimtaritë e këtyre organizatave dhe përshkruhen dyshimet që i kanë institucionet relevante mbi veprimtarinë e tyre. Ndërkohë nga hetimet është mësuar se buxheti i tyre nga viti në vit ka shkuar për organizime të ndryshme ; paga, trajnime, kurse, libra fetarë.

Pavarësisht numrit të madh të organizatave ndërkombëtare e joqeveritare në vend, organet e rendit së paku publikisht nuk kanë bërë me dije për hetimet në lidhje me veprimtaritë e këtyre organizatave.
Nga zyrtarë brenda hetuesisë gazeta ka mësuar se për vite të tëra ka dyshime në lidhje me këto veprimtari por se e tëra kjo është jo lehtë e zbulueshme ngase këto organizata veprojnë, pas pak viteve mbyllen, hapen të reja me drejtues të njëjtë.

 
Lajme Shqip Sunday, 18 August 2013 15:13

Obiliq – Vehabistët në komunën e Obiliqit nuk po lejojnë kurrsesi vendosjen e shtatores së Nënës Terezë, në qendër të kësaj komune.
Qysh para katër vitesh komuna kishte menduar që pikërisht përballë zyrës së Bashkësisë Islame të Kosovës, të ndërtohet një shtatore e madhe e Nënës Terezë. Për këtë punë ai shesh edhe mori emrin e saj. Por qysh prej atëherë bazamenti ku u parapa të vihet busti, ka mbetur bosh.
Burime të Express nga komuna e Obiliqit thonë se shtatorja nuk u vu kurrë për shkak të pengesave fetare.
“Janë disa ekstremistë që nuk po duan që ta kenë shtatoren e saj aty për shkak të përkatësisë fetare që kishte Nëna Terezë”, kanë thënë këto burime në kushte anonime për Express.
E lënia anash e projektit “Nëna Terezë”, ka ngritur zëra në qytetin e Obiliqit që shkak i neglizhencës të kësaj punë është edhe përkatësia fetare e saj. Disa qytetarë, që nuk kanë dashur të prononcohen me emër kanë thënë se më të pëlqyer për obiliqasit janë heronjtë se sa një katolike.
Madje, u përfol edhe për disa kundërshtime të ngritjes së asaj shtatoreje nga ana e komunitetit mysliman në atë komunë. Sipas tyre, problemin e dinë shumë mirë edhe të gjithë zyrtarët komunalë të Obiliqit. Megjithëse këta të fundit po japin një arsye krejt tjetër për mosvendosjen e bustit në vendin ku u parapa të vihet tash e katër vite. Arsyetimi për këtë, sipas Drejtorisë komunale të Kulturës në Obiliq, është se nuk ka mjetet për punimin e shtatores e cila duhet të jetë në total nga këmbët deri te koka.
“Shtatorja e Nënës Terezë do të jetë në këmbë pra në total andaj kushton shumë më shumë se të tjerat”, tha Rifadije Paloji, Drejtoreshë e Kulturës së Obiliqit.
Por, pikërisht për këtë qëllim ishin ndarë edhe paratë nga Kuvendi komunal po të njëjtin vit kur u mor vendimi.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Hajriz Bekteshi tha për Express se bëhet fjalë për 60 mijë euro për të dy shtatoret dhe tri buste.
“Paratë janë ndarë për të gjitha shtatoret por kjo e Nënës Terezë ka mbetur vetëm me bazament. Nuk e di cila është arsyeja e saktë por si duket paratë nuk kanë mjaftuar”, tha Bekteshi.
Arsyetimi se busti nuk po vendoset aty ku e ka vendin u mohua kategorikisht nga Kryetari i bashkësisë islame në Obiliq, Behar Mjekiqi.
“Kjo është rrenë! Asnjëherë nuk kam dëgjuar për diçka të tillë ju them me plot sinqeritet është hera e parë që po dëgjojë”, tha ai. “Unë as që po di që ka pas mu ndërtuar ajo shtatore, po edhe mu ndërtua normalisht që nuk e kundërshtojmë”, ishte përgjigja e tij.
E në ndërkohë as vetë komunarët nuk e din se kur do të mund të ndodh vendosja e shtatores së femrës shqiptare që bëri bujë botërore, në vendin të cilin i është ndarë. Drejtoresha e Kulturës, Rifadije Paloji këtë punë ia lanë kësmetit.
“Kësmet ka mu vendos”, ishte përgjigja e saj.

 
Lajme Shqip Sunday, 18 August 2013 12:53

Tiranë – “Më thanë grek i poshtër dhe këlysh i Janullatosit”. Kështu shprehet at Ilia Tyto, prifti ortodoks nga Përmeti që pretendon se e kanë rrahur dy ditë më parë pranë Kishës së Shën Mërisë së Pazarit, në qytetin jugor.

Ai rrëfen në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, detajet e ngjarjes dhe kërkon zgjidhje të çështjes. Pas përplasjes mes zyrës së Përmbarimit dhe komunitetit ortodoks në këtë qytet, për godinën e Pallatit të Kulturës, reagimet kanë qenë të shumta.

Kryetari i zyrës Përmbarimore, Fatos Alimadhi, deklaroi se përfaqësuesit e kishës kanë përdorur forcën dhe presione për të bllokuar punën, ndërsa vetë at Ilia Tyto shprehet se është sulmuar me grushte dhe shkelma.

 
Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 13:48

Prishtinë – Këto ditë është rihapur debati për lejimin e mbajtjes së shamisë, si veshje fetare, nëpër shkollat laike të Republikës së Kosovës. Nga ajo që kemi parë nga rekomandimet e komisionit dhe debatet rreth kësaj çështje të ndjeshme, kemi konstatuar se komisioni i ngritur nga Qeveria, është i përçarë, i fragmentuar dhe nuk i përfaqëson të gjitha palët në vend. Pikërisht për këtë, komisioni nuk ka arritur asnjë kompromis dhe këto janë arsye të mjaftueshme që shamia të mbetet jashtë shkollave.

Ne jemi kundër politizimit të kësaj çështjeje dhe i bëjmë thirrje qeverisë që në asnjë mënyrë të mos bëjë gafe të pafalshme me këto çështje kaq të ndjeshme për vendin dhe të ardhmen e tij, pothë perms një kumtese Partia Shqiptaro – Demokristiane nënshkruar nga kryetari Ukë Berisha. Po ashtu, PSHDK-ja është thellësisht e shqetësuar me presionin që bëhet për këtë çështje nga disa parti, të cilat në raste të caktuara kanë cenuar rëndë figurat tona kombëtare..

Kosova është përcaktuar të jetë shtet laik, prandaj futja e shamisë në shkolla sekulare, përbën një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e Republikës së Kosovës si shtet laik dhe si një vend ku feja është e ndarë nga politika.