Lajme Shqip Wednesday, 23 October 2013 13:53

Prishtinë- Partia e Drejtësisë shpreh keqardhje dhe indinjatë përkitazi me deklaratën e Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga se në emër të laicizmit nuk do të lejojë përdorimin e mbulesës së kokës – shamisë në shkollat e vendit. Partia e Drejtësisë ia përkujton Presidentes së vendit se e drejta e manifestimit publik të bindjeve fetare është e drejtë e çdo qytetari të Kosovës, e garantuar me nenin 38 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e drejtë kjo të cilën ajo në bazë të Kushtetutës së vendit është e detyruar ta respektojë dhe ta mbrojë, thuhet në reagimin e kësaj Partie, që iu shpërnda medieve me rrugë elektronike. Nëse zonja Presidente është kaq e pasionuar për të sanksionuar këtë shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut garantuara edhe me nenin 18 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Partia e Drejtësisë ia sugjeron Presidentes së vendit që të iniciojë nxjerrjen e ligjit, i cili do të ndalojë bartjen e shamisë në shkolla, deri atëherë kjo kërkesë është në kundërshtim të plotë me nenin 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut përkitazi me këtë çështje, vazhdon reagimi

Partia e Drejtësisë kërkon nga Presidentja e vendit që të mos tejkalojë kompetencat e saja kushtetuese dhe që të ketë ndjeshmëri dhe maturi shumë më të madhe kur janë në pyetje vlerat kulturore të qytetarëve të besimit Islam që paraqesin shumicën absolute të vendit tonë. Asnjëherë, në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim, populli i Kosovës nuk do të lëshoj pe para përpjekjeve të inxhinieringut politik dhe kulturor që ka për qëllim ndryshimin e vlerave të traditës së tij kombëtare dhe fetare.

Partia e Drejtësisë ia sugjeron Presidentes së vendit dhe të gjithë atyre të cilët në mënyrë kundërkushtetuese dhe kundërligjore janë duke penguar realizimin e lirisë dhe të drejtës elementare kushtetuese të manifestimit publik të bindjeve fetare të qytetarëve që përkitazi me këtë çështje të marrin mësim nga demokracia më e përparuar e botës bashkëkohore dhe simboli i respektimit shtetëror të lirive dhe të drejtave të njeriut, mikut të përjetshëm të popullit shqiptar dhe Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfundon reagimi i Partisë së Drejtësisë.

Presidentja Jahjaga i tha mbrëmë KTV-së se nuk do të lejojë shaminë në shkolla./koha/ 

 
Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 16:12

Gostivar- Imami i Gostivarit, Zekirija Rushani i revotuar me gjendjen e përgjithshme të shqiptarëve në Maqedoni apeloi që të bojktohet gjithçka maqedonase.

Ai këtë e ka theksuar në lutjet e së premtes para besimtarëve në xhaminë qendrore të Gostivarit.

Ai ka theksuar se shqiptarët dhe besimtarët mysliman duke qenë në këtë pozitë të mjerueshme duhet të bojkotojnë maqedonasit në të gjitha aspektet.

Lajmi ka bërë bujë edhe tek mediat maqedonase. “Mos bleni nga ta, dhe zëvendësoni prodhimet e tyre me prodhime shqiptare. Mos bleni asgjë nga ta, sepse me paratë e tua ata ju vrasin”, ka theksuar hoxha. /INA/

 

 

VIDEO: http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=acyI_H_Mejg

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 October 2013 13:43

Tiranë- Prishtinë- Shkup- Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Kremtimi i kësaj filloi në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falen Namazin nën shi. Më shumë paqe, vllazëri dhe begati ka uruar sot Presidenti i Republikës Bujar Nishani për të gjithë besimtarët myslimanë. Xhamia, Rama: Do jem në radhën e donatorëve. Basha uron besimtarët: Shpresojmë që në të ardhmen çdo sprovë të kalohet. Berisha: Gëzuar ditën e madhe të sakrificës. Topi: Më pak egoizëm, më shumë altruizëm e refleksion.

 

KURBAN BAJRAM, SAKRIFICA E NJERIUT NË EMËR TË BESIMIT

Mijëra besimtarë myslimanë kremtojnë sot ditën e sakrifikimit, festën e Kurban Bajrami. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Kremtimi i kësaj dite siç është bërë traditë filloi në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falen namazin.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra.

Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.
Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.

Disa vite më parë, kur besimi fetar, ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste.

Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit, në emër të dashurisë për njeriun.

KREMTOHET KURBAN BAJRAMI, POLITIKA URON BESIMTARËT

 

NISHANI: MPOSHTJE TË EGOIZMIT DHE FRENIM TË MATERIALIZMIT

Më shumë paqe, vllazëri dhe begati ka uruar sot Presidenti i Republikës Bujar Nishani për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ai ka kërkuar mposhtje të egoizmit dhe frenim të materializmit.
“Gëzuar këtë festë që na sjell çdo herë në vëmendje gjënë më madhore të jetës; dashurinë e zotit ndaj njerëzve, mëshirën e tij të pakufishme ndaj tyre, si dhe detyrimet që rrjedhin prej kësaj dashurie dhe asaj mëshire. Mposhtja e egoizmit, të kuptuarit e efektit rrënues të mendjemadhësisë, frenimi i materializmit, arritja e vetëkontrollit gjatë udhës plot peripeci dhe plot rreziqe të Jetës, duke synuar në këtë mënyrë gjithmonë barazinë, vëllazërimin, paqen, begatinë, janë në themel të të kuptuarit të Kurban Bajramit,” thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit.
Urimi i plotë
Të dashur dhe të nderuar besimtarë myslimanë, Gëzuar festën e Kurban Bajramit!
Gëzuar këtë festë që na sjell çdo herë në vëmendje gjënë më madhore të Jetës; Dashurinë e Zotit ndaj njerëzve, mëshirën e Tij të pakufishme ndaj tyre, si dhe detyrimet që rrjedhin prej kësaj Dashurie dhe asaj mëshire.
Kurban Bajrami, kjo festë e bukur myslimane, përcjell shumë mesazhe të epërme përmes një veprimi në dukje të thjeshtë, por jashtëzakonisht të dendur në thellësi;
Bërjen Kurban të diçkaje, në emër të arritjes së diçkaje tjetër më të lartë.
Akt ky, që, i përsëritur, përmban në vetvete thelbin e progresit njerëzor, hapat e njëpasnjëshëm drejt përsosjes duke sakrifikuar nga pak në çdo hap dhe në çdo rast.
Mposhtja e egoizmit, të kuptuarit e efektit rrënues të mendjemadhësisë, frenimi i materializmit, arritja e vetëkontrollit gjatë udhës plot peripeci dhe plot rreziqe të Jetës, duke synuar në këtë mënyrë gjithmonë barazinë, vëllazërimin, paqen, begatinë, janë në themel të të kuptuarit të Kurban Bajramit.
Kumti madhështor që na sjell Kurban Bajrami na bën ta festojmë çdo herë me më tepër adhurim këtë festë të shenjtë, të cilën edhe një herë ua uroj me gjithë shpirt; Gëzuar!

 

RAMA: FAMILJARISHT NË RADHËN E DONATORËVE MODESTE PËR NDËRTIMIN E TEMPULLIT

Kryeministri Edi Rama siguron besimtarët myslimanë për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë, duke theksuar se bashkë me familjen e tij do të vendoset në radhën e donatorëve modestë për ndërtimin e këtij tempulli.

Pas vizitës në Komunitetin Mysliman, kryeministri u ndal përpara mediave për të uruar të gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit.

“Ishte kënaqësi që për herë të parë si kryeministër erdha këtu dhe urova gëzuar këtë ditë kaq të shënuar mikun tim Selim Muca, gjithë përfaqësuesve të lartë të Komunitetit Mysliman. Folëm për xhamin e re dhe i sigurova dhe njëherë që nga një pallat me xhami do kemi një xhami pa pallat. Familjarisht do të jemi dhe ne në radhën e donatorëve modestë të këtij tempulli. Jam i bindur që së bashku do të ngremë një tjetër pikë referimi në qytet, pike referimi e munguar. Me ndryshimin e bërë do ta kthejmë në një vlerë të shtuar urbanistike, arkitektonike. Me ndryshimin bërë nuk do të ndryshojë i gjithë parku.”- deklaroi kryeministri.

 

BASHA URON BESIMTARET: SHPRESOJME QE NE TE ARDHMEN CDO SPROVE TE KALOHET

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi paraditen e sotme një vizitë në Komunitetin Mysliman, prej ku uroi të gjithë besimtarët për Kurban Bajramin. Duke falënderuar besimtarët dhe imamët që realizuan sot kremtimin e kësaj dite, pavarësisht kushteve jo të mira atmosferike, Basha uroi që në të ardhmen çdo sprovë të kalohet.

I pyetur nga gazetarët nëse ndërtimi i xhamisë së madhe të Tiranës konsiderohet si sprovë, kryebashkiaku i Basha tha se Bashkia e ka kaluar tashmë këtë sprovë dhe çështja duhet të zgjidhet mes Komunitetit Mysliman dhe qeverisë së re.

“Shqiptarëve dua t’ju uroj Gëzuar Bajramin, sjelltë kjo festë shëndet hare, gëzim dhe harmoni në familjet tuaja. Kjo ditë është një ditë ku kremtohet dashuria për Zotin, për njëri-tjetrin. Xhamia ka qenë një sprovë e madhe, të cilën Bashkia e Tiranës e kaloi me sukses. Xhamia nisi punimet, ka patur një vendim qe i ka ndaluar punimet, tashme çështja është mes Komunitetit Mysliman dhe qeverisë”- deklaroi Basha.

Basha ka përcjellë urime për begati, shëndet, mbarësi dhe dritë për besimtarët myslimanë dhe çdo shqiptar, edhe nga selia e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Zoti Basha uroi që së shpejti të inaugurohet edhe tempulli i tyre, kryeqendra botërore e bektashizmit.

“Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, sot dua t’i drejtoj një thirrje edhe të gjithë vëllezërve e motrave të këtij komuniteti të cilët përfaqësojnë pa dyshim një ndër virtytet më unike të kombit tonë, atë të tolerancës e gjithpërfshirjes dhe t’i uroj “Gëzuar festën e Kurban Bajramit!”, t’u uroj dhe shpresoj sa më shpejt të inaugurojmë edhe tempullin e tyre, kryeqendrën botërore të bektashizmit. Uroj që kjo festë, bashkë me lajmet e mira, të vazhdojë të rrezatojë dritë dhe mirësi, jo vetëm mbi pjesëtarët e këtij komuniteti të madh dhe të shtrirë anembanë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare por mbi çdo shqiptar të çdo besimi fetar, mbi çdo shqiptar, krijesë dhe besimtari të Zotit!” – deklaroi Basha.

 

META: MË SHUMË SOLIDARITET DHE BASHKIM

Me mesazhin për më shumë solidaritet, Kryeparlamentari Ilir Meta, ka uruar sot të gjithë besimtarët mysliman me rastin e Kurban Bajramit.
Pas vizitës që zhvilloi në selinë e Komunitetit Mysliman ku shprehu edhe urimet me rastin e kësaj feste, Meta përcolli nëpërmjet medias mesazhin për më shumë solidaritet me njëri-tjetrin, sikurse dhe bashkim.

“Uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar Kurban Bajramin. Më shumë solidarit me njëri-tjetrin dhe sidomos me atë që jetojnë në kushte të vështira, më shumë përfshirje dhe më shumë bashkim”, u shpreh Kryeparlamentari Meta.

 

BERISHA: GËZUAR DITËN E MADHE TË SAKRIFICËS

Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri Berisha ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit.
“Gëzuar Bajramin, ditën e madhe të sakrificës së njeriut për zotin, për të mirën! Uroj që Zoti të pranojë e të shndërrojë sakrificën tonë në mirësi, shëndet, lumturi dhe suksese për të gjithë shqiptarët dhe familjet e tyre!”- shkruan Berisha.

 

 

TOPI: MË PAK EGOIZËM, MË SHUMË ALTRUIZËM E REFLEKSION

“Më pak egoizëm, më shumë altruizëm e refleksion.” Ka qenë ky urimi i kryetarit të FRD-së Bamir Topi, për të gjithë shqiptarët në festën e Kurban Bajramit. Pas vizitës në Komunitetin Mysliman Topi u ndal përpara gazetarëve për të shprehur urimin e tij për të gjithë shqiptarët.

Në lidhje me ndërtimin e xhamisë në Tiranë, Topi deklaroi se çështja e xhamisë është defekt i vendimmarrjes.

“Ata që kanë vendimmarrjen kanë edhe përgjegjësinë. Ne rast se ka një mision për të ndërtuar një institucion fetar kjo në mënyrë absolute nuk duhet të ngatërrohet me një biznes. Ata që janë në vendimmarrje duhet ti ndajnë këto gjëra. Sot besimtarët të falen në rrugë është totalisht e papranueshme.”- deklaroi Topi.

I pyetur nëse e kishte uruar kreun e PD-së, teksa u shkëmbyen gjatë vizitës, Topi u përgjigj: “E urova zotin Basha patjetër, është njerëzore, ne kemi raporte normale.”

Në Kosovë festohet Kurban Bajrami

Me faljen namazit, besimtarët myslimanë kanë nisur sot festimet për Kurban Bajram. Në xhamin e madhe në Prishtinë është bërë falja kryesor e namazit të festës së Kurban Bajramit. Qytetarë të shumtë kanë marrë pjesë në faljen e namazit të Kurban Bajramit. Me këtë rast, Myftiu i Kosovës Naim Ternava, në hydben e mbajtur ka porositur të gjithë besimtarët për paqe dhe solidaritet mes njerëzve, sidomos në ditët e festave. Ai tha se festë është e solidaritetit edhe me të varfrit, që sipas tij, në Kosovë nuk janë të pakët.

Ai ka bërë thirrje që të ndihmohen të gjithë ata që kanë nevojë në këtë festë që t’i gëzojnë nënat dhe t”ua mbushin sofrat edhe atyre që nuk kanë. Tërnava ka bërë thirrje që të shtrihet dora e pajtimit që të mos këtë armiqësi.

Unë ju ftoj nga ky vend i shenjt, nga kjo xhami, që të shtrini dorën e ndihmës ndaj të gjithë atyre që kanë nevojë. Mos kurseni të gëzoni shpirtrat e shumë skamnorëve e jetimëve, t’ua riktheni qoftë edhe për një kohë të shkurtër buzëqeshjen e humbur pa fajin e tyre. Të gëzoni shumë nëna e baballarë me rastin e kësaj feste duke ua begatuar sofrat e tyre se nëse ne jemi në ndihmën e vëllaut tonë, Allahu do të jetë në ndihmën tonë”, ka thënë myftiu Tërnava.
Myftiu i Kosovës, me tutje ka shtuar se vet ky Bajram mban edhe emrin Kurban Bajrami apo edhe festa e sakrificës, flijimit, festë që qëndron fuqishëm mbi parimet e unitetit, bujarisë, harmonisë, flijimit dhe sakrificës duke ngritur vlerat e islamit në nivelin më të lartë. Tërnava tha se kjo festë është festë e solidarizimit edhe me varfërit, jetimët e skamnorët, të cilët fatkeqësisht në Kosovën e pas luftës nuk janë të pakët.

”E sot, në ditën e kësaj feste, ai që ka mundësi të prej kurbanin, le ta ndajë me të varfërit, një pjesë t’ua dhurojë të afërmve, kurse një pjesë ta përdorë për vetën dhe familjen e tij. Ndaj, edhe në këtë ditë, ne duhet të shijojmë vlerat që ka kjo festë, si ndjenja për të bërë mirë e për t”u solidarizuar me njerëzit e vullnetit të mirë. Shprehja e pastërtisë shpirtërore si rast për t”u pastruar nga çdo e metë dhe gabim. Për t”u kthyer edhe më fuqishëm në forcimin e besimit te Krijuesi fuqiplotë, sepse, vetëm kështu meritojmë pjesëtar të denjë të një bajrami me kaq vlera siç është Kurban Bajrami”, ka shtuar Tërnava.

Më tej, Tërnava ka thënë se me prerjen e kurbaneve dhe shpërndarjen e mishit nevojtarëve, bëhet edukimi i shpirtit të njeriut dhe afirmimi i tij, e njëkohësisht edhe ngadhnjimi mbi egoizmin dhe daljes në skenën e madhe dhe humane të solidaritetit, ndihmës dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor.

Festa e Kurban Bajramit festohet në të gjitha vendet myslimane, dhe bëhet kryerja e Haxhit, i cili është njëri ndër pesë shtyllat e islamit.

Kurban Bajrami festohet edhe në Maqedoni

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni Reis ul Ulema Sulejman Rexhepi në mesazhin e tij uroi gjithë besimtarët, duke i ftuar të jenë të përkulur, të arsyeshëm, të reflektojnë kthimin e sinqertë në parimet e Fesë Islame, të kultivojnë vlera humane dhe njerëzore ndaj të gjithëve pa dallim feje dhe që mendon ndryshe, me theks të veçantë ndaj të afërmve, fqinjëve dhe ndaj gjithë atyre që kanë nevojë për dashurinë dhe dorën tonë. “Festa e Kurban Bajramit në mënyrë simbolike paraqet sakrificën, përkatësisht Kurbanin, akt ky i cili ngërthen në vete kuptime sublime me efekte pozitive gjithëpërfshirëse, paraqet flijimin për çështje madhore, përkushtimin ndaj idealeve dhe arritjen e kënaqësisë së përhershme të Krijuesit të gjithësisë. Festa ndërlidhet me disa ngjarje, të cilat i përkasin rëndësisë së veçantë shikuar nga këndvështrimi islam; ndërlidhet me kryerjen e shtyllës së pestë të Islamit – me Haxhin, i cili tubon me miliona besimtarë nga të gjitha vendet e botës në një vend, në tokën e shenjtë dhe të bekuar, pjesë e së cilës janë edhe haxhilerët e vendit tonë, ku të gjithë të bashkuar me lutje të shumta i drejtohen Krijuesit të Gjithësisë; me përmbylljen e fjalës dhe mrekullisë së pavdekshme, Kuranit fisnik – librit të fundit hyjnor të shpallur për gjithë gjeneratat njerëzore. Kjo festë ringjall pozitën dhe forcën e gjithënashme të myslimanëve që reflektohet nga tubimi i miliona haxhilerëve në Qabe, duke dhënë porosi madhështore për botën Islame se duhet unifikuar idetë dhe të jemi shumë vigjilentë ndaj kurtheve të pabesëve dhe dashakëqëve të Islamit. Potenciali intelektual dhe ai shpirtëror gjithnjë duhet frymëzuar nga vepra kapitale dhe e ndritur e Muhamedit (a. s.). vetëdia jonë në këto çaste duhet të jetë tejet e madhe dhe njëherit e ngritur dhe e ndërtuar mbi bazë të filozofisë së fuqishme që rrezaton nga drita e Kur’anit”, theksohet ndër të tjera në mesazhin e kreut të BFIM, duke bërë thirrje për solidaritet, humanizëm dhe zemërgjerësi. /Ballkanweb/RTK/INA/

 
Lajme Shqip Saturday, 12 October 2013 11:21

Tiranë- Edhe pse u tha se ndërtimi i kësaj xhamie do të kushtonte 30 milionë euro, nga të cilat 10 milionë euro do të financoheshin nga qeveria turke dhe ajo kuvajtiane, duket se vetë Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk ka pasur para mjaftueshëm për finalizimin e projektit.

Në këtë situatë, për të siguruar pjesën tjetër të parave, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka hapur një fushatë, me anë të së cilës kërkon të mblidhen donacione nga besimtarët për ndërtimin e këtij objekti kulti të myslimanëve.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë hap fushatën e mbledhjes së donacioneve nga e gjithë Shqipëria e më gjerë për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Ftojmë të gjithë besimtarët dhe të interesuarit që të bëhen pjesë në këtë projekt historik për besimtarët myslimanë shqiptarë.

Ndërtimi i xhamisë ka nisur me fillimin e gërmimeve dhe ndihma e besimtarëve është shumë e rëndësishme për vazhdimin e punimeve. Emrat e kontribuuesve me shumat përkatëse, sipas dëshirës, do të shpallen në www.kmsh.al dhe www.tiranagrandmosque.com. Kontribuuesit me 10.000 Euro e më shumë do të kenë emrin në pllakadën e donatorëve të Xhamisë së Madhe të Namazgjasë”, thuhet në njoftimin e KMSH-së.

Por ndërkohë në rrjetin social Facebook, ku është hapur edhe një faqe dedikuar Xhamisë së Namazgjasë, kanë filluar të vijnë edhe donacionet e para.

Kështu ka pasur edhe nga ata që kanë siguruar tashmë që emri do t’u shkruhet në pllakadën e donatorëve, pasi kanë dhuruar 10 mijë euro, ndërsa shumica janë donatorë modestë me 1000 dollarë.

Xhamia e re e myslimanëve do të ndërtohet në të njëjtin vend, tek lulishtja e Namazgjasë.

Nuk do të zbatohet i njëjti projekt, i cili kishte marrë edhe lejen për ndërtim, por myslimanët tashmë duhet t’i futen punës dhe të bëjnë gati një projekt të ri për xhaminë e tyre.

Që sigurisht duhet t’i përshtatet edhe sipërfaqes së truallit që ata kanë në dispozicion, prej 5500 metrash katrorë, pasi familja Kruja, me rënien e projektit të godinës së saj, e tërheq edhe truallin prej 2050 metrash katrorë që i kishte lënë KMSH-së, për ndërtimin e xhamisë më të madhe të myslimanëve të Shqipërisë.

 
Lajme Shqip Saturday, 28 September 2013 14:55

Prishtinë-Sindikata e Bashkësisë Islame ka reaguar ndaj shpalljes së zgjedhjeve në Bashkësinë Islame të Kosovë (BIK), duke i konsideruara zgjedhjet si të paligjshme. Sipas kësaj Sindikate, Naim Tërnava po shkel mbi çdo normë shoqërore, morale dhe njerëzore vetëm për ti ruajtur privilegjet e tij dhe të stafit të tij.Duke përdorur metodën makiaveliste, z. Tërnava shkeli dhe po shkel çdo normë njerëzore, morale dhe fetare, duke krijuar tollovi e përçarje, në mesin e punonjësve dhe të besimtarëve, vetëm e vetëm për të ruajtur privilegjet e tij dhe të stafit të tij të ngushtë, thuhet në kumtesën e Sindikates se BIK-;ut.

“Të ashtuquajturat shpallje të zgjedhjeve qendrore, të cilat po mbahen këto ditë në teren, kinse për të propozuar kandidatët për kryetar të BIK-së, nuk janë tjetër vetëm se vazhdimësi e parregullsive dhe kulminacioni i të së keqes në këtë institucion tonin dhe tuajin, kanë shtuar ata”.

Sipas Sindikatës, ndryshimi i kushtetutës së BIK-ut, vetëm një javë para shpalljes së zgjedhjeve, përmes formës imponuese puçiste, si dhe përshtatjes së saj sipas tekeve të dy aktorëve kryesor ; z. Tërnavës dhe të z. Resul Rexhepit, ndryshe ky i fundit i njohur edhe me lidhjet e tij të ngushta me Slobodan Bogujevskin nga Shkupi, janë raste të pa ndodhura më herët në institucionin tonë, por edhe dëshmi e ikjes nga transparenca, nga e drejta, sinqeriteti, nga kriteret morale e njerëzore dhe bunkerizimi e ruajtja e beneficioneve të klanit të ngushtë me çdo kusht.

“Pas leximit dhe analizës që kemi bërë ndryshimeve të disa neve të kushtetutës-statutit të BIK-së, ne nuk kemi vërejtur tjetër, përveç privilegjeve që stafi i ngushtë i punonjësve teknik të kryesisë së BIK-së i ka dhënë vetes, ndërsa nuk kemi gjetur asnjë ndryshim të rëndësishëm në dobi të interesit të përgjithshëm të punonjësve të BIK-së, të vendit dhe të fesë, thuhet më tej në komunikatë.

Sindikata ka bërë thirrje që të ndalen veprimet brenda BIK dhe të vendoset ligjshmëria.

“Apelojmë tek të gjithë punonjësve të BIK-së, që të mos bien në grackën e këtyre parregullsive të këtij stafi të ngushtë aktual të kryesisë së BIK-së, si dhe të mos vazhdojnë të nëpërkëmbin edhe më tutje institucionin tonë shpirtëror, vetëm për t`i plotësuar apetitet e këtij grupi të ngushtë të njerëzve jo vullnet mire”. /Express/ 

 
Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 11:34

Prishtinë- Komuna e Prishtinës do të fillojë këtë javë punimet për ndërtimin e lokaleve në Lagjen “Pejton”, pavarësisht pengesave nga Katedralja. Me të dëgjuar këtë, zyrtarë të katedrales thanë se ata nuk janë të dhunshëm, por kërkuan nga komuna që të respektojë vendimin e vet. Kësaj here nuk përmendën vetëm miratimin e UNMIK-ut, por edhe presidentin Ibrahim Rugova. Ndonëse thanë se duan gjelbërim përreth, kisha katolike shprehet e gatshme të lejojë lokale, për, siç u tha, të mos i lënë zejtarët pa bukë, por nëse heq dorë nga gjelbërimi, kërkon që lokalet t’i menaxhojë vetë, transmeton KTV.  Por edhe në mbledhjen e saj të fundit komuna miratoi vendimin e vitit 2007, që i jep katedrales vetëm atë pjesë që e ka tani.

 
Lajme Shqip Thursday, 05 September 2013 19:01

Prishtinë – Forumi i Të  Rinjve Muslimanë  ka reaguar ndaj fjalës së  ministrit të  Jashtëm të  Kosovës, Enver Hoxhaj mbajtur me rastin e 1700 vjetorit të  Ediktit të  Milanos, ku ministri ka deklaruar se “Konstantini i Madh dhe Edikti i Milanos janë  të  rë ndë sishme pë r kujtesë n historike të  Kosovë s”.

 

Forumi i cili ë shtë i i afërt me Lëvizjen Islame Bashkohu, vec tjerash e cilëson ministrin Hoxhaj si “laik-katolik”

 

Më  poshtë është deklarata e plotë  e FRM-së .

 

Deklaratë për media nga Forumi i Te Rinjve Muslimanë

 

Kostandini i madh është simbol i Serbisë, z. Enver Hoxhaj!

Forumi i të Rinjve Muslimanë ka parë sesi ministri laik-katolik i qeverisë Thaqi, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në simpoziumin katolik që Ipeshkvia e Kosovës ka organizuar me Institutin e Historisë, Institutin Albanologjik, Universitetin e Prishtinës dhe Institutin e Arkeologjisë në Prishtinë për të festuar rastin e 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos, vit kur perandori fondamentalist romak Konstandini i Madh, i imponoi fenë kristjane Perandorisë Romake dhe të parëve të popullit tonë. Në këtë ceremoni mesjetare fetare e cila u udhëhoq nga delegati Apostolik i Vatikanit për Kosovën, Juliusz Janusz, për turpin e Republikës sonë u përzienë edhe institucionet laike të Kosovës dhe ministri Enver Hoxhaj. Ministri Hoxhaj i cili ka larguar me dhunë gratë kosovare muslimane nga shkollat nën pretendimin se shteti i Kosovës është laik, në simpoziumin në fjalë e ka shfaqur veten si një katolik ekstremist. Ministri laik-katolik Hoxhaj ka thënë ndër të tjera se “trashëgimia historike e Konstatinit të Madh dhe e Edikti të Milanos janë të rëndësishme për kujtesën historike të Kosovës dhe për identitetin evropian të saj.”… Ai ka deklaruar po ashtu se gjeografia “e Konstatinit të Madh që ishte Dardania antike. Ne frymëzohemi nga fakti i vendlindjes së tij, Dardanisë antike, por krenohemi që gjeografia që e ka përcaktuar Kosovën në qendër të Ballkanit dhe Evropës, e bën Kosovën vend evropian”.

 

Po ashtu ka thënë se: “Gjuha e tij, ishtë gjuha latine. Është një fakt i pamohueshëm historik që në Kosovë deri në shekullin e 18 është shkruar në dy gjuhë, është shkruar në gjuhën shqipe dhe në gjuhën latine. Ne sot krenohemi me alfabetin latin që e përdorim historikisht në këto troje për disa mijëra vjet, dhe i cili alfabet flet për orientimin tonë evropian”.

Dhe“Edikti i Milanos 1700 vjet më parë e shpalli krishterimin fe të barabartë, por të gjithë ne në këtë sallë dhe dihet botërisht që krishterimi është përhapur përpara se të bëhet fe zyrtare në trojet ilire dhe në territorin e Kosovës. Katedralja në mes të Prishtinës është dëshmi e lashtësisë së krishterimit në Kosovë, është dëshmi e fuqisë së tij”.

Për sa më sipër, FRM i përgjigjet si vijon ministrit ekstremist katolik Enver Hoxhaj.

1. Kostandini i madh dhe historia e tij e shtypjes së feve të tjera në favor të Krishtërimit nuk i përket Kosovës. Kostandini ishte një okupator romak, sikur Millosheviqi dhe ne populli i Kosovës nuk kemi lidhje me atë.

2. Gjuha e gjyshërve tanë dhe e gjyshit të z. Enver Hoxhaj është shkruar me gërma arabe, ndërsa të krishterët e Kosovës kanë shkruar me gërma cirilike. Në Kosovë gjuhën shqipe me gërma latine e sollën okupatorët nazi-fashistë italo-gjermanë me në krye kuislingun fashist Ernest Koliqi. Ishin fashistët e Italisë ata që ia ndërruan alfabetin popullit të Kosovës duke i sjellë alfabetin latin të Kostandinit dhe Italisë Fashiste.

3. Krishtërimi në Kosovë, apo Dardaninë e lashtë është përhapur me dhunën shtetërore romake e cila nisi nga Kostandini i Madh, vazhdoi me perandorin Theodhos, me Stefan Dushanin dhe u finalizua më okupimin e Kosovës nga Serbia e Krishterë në vitin 1912.

4. Katedralja Katolike që qeveria Thaqi i ndërtoi me hile popullit të Kosovës në mes të Prishtinës nuk është dëshmi e lashtësisë së Krishtërimit Katolik në vendin tonë, por është dëshmi e dhunës dhe intrigës moderne që Kisha Katolike dhe Opus Dei po bën me popullin e Kosovës të cilin kërkon ta Katolicizojë me dhunë. Katedralja Katolike në qendër të Prishtinës e cila u ndërtua pak vite më parë, duke rrënuar me dinakëri një shkollë publike shqiptare është dëshmi e shkatërrimit të shekullarizmit në vendin tonë nga Vatikani dhe mashat e tij!

5. I kujtojmë ministrit laik-katolik Enver Hoxhaj se përpara ardhjes së Islamit dhe shqiptarizmës në Kosovë, vendi ynë i ka përkuar besimit Ortodoks. Kostandini i Madh ishte pararendës i Ortodoksisë. Pas Ortodoksisë në Kosovë erdhi Islami dhe ne u bëmë muslimanë siç jemi sot e 600 vjet dhe kështu do të jemi deri në Ditë të Kiametit, në dashtë Allahu i madhëruar!

Në fund duam ti kujtojmë ministrit Enver Hoxhaj që Kostandini i Madh nuk është simbol i Kosovës dhe as i 98% muslimanëve të saj. Kostandini është simbol i herezisë së Krishtërimit Trinitar Greko-Roman i cili shkon kundër mësimeve të Jezu Krishtit. Ai është simbol i dhunës Kristjane ndaj feve të tjera dhe i shirkut ndaj Allahut, Zotit të Botëve. Krishtërimi i Kostandinit të madh është ai që e bëri Jezu Krishtin, profetin e Allahut – bir të Tij dhe deklaroi që Zoti është tre – kur Ai është Një! Kostandin pushtuesi është simbol i okupacionit serb të Sllobodan Millosheviçit i cili e shikonte Kosovën si djep të Krishtërimit.

Për sa më lartë, FRM i thotë ministrit Enver Hoxhaj që të ketë turp për deklaratat që ka dhënë në simpoziumin katolik! Deklaratat e tij janë një grusht fytyrës ndaj tolerancës fetare në Kosovë dhe ndarjes së shtetit nga kisha. Ato janë një fyerje ndaj teuhidit të Kuranit i cili dënon Trinitarizmin Greko-Romak të Kostandinit të Madh. Ministri Hoxhaj i cili ka hequr me dhunë nga shkollat motrat tona me shami – në emër të laicizmit të shtetit – në simpoziumin Katolik në fjalë e ka hequr maskën e tij dhe ka treguar që nuk është një laik, por një fanatik katolik.

Për sa më sipër, ne i kërkojmë publikisht ministrit Enver Hoxhaj që të japi dorëheqjen pasi ai ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. I kujtojmë z. ministër që simbol i Kosovës nuk është Kostandin Heretiku i i Madh, por është sulltan Murati e sulltan Mehmet Fatihu që e çliruan Kosovën nga tradita e Kostandinit të Madh dhe nga idhujtaria e Trinitarisë dhe sollën Teuhidin e Kuranit. Heroj e simbole të Kosovës janë edhe Adem Jashari, Azem Galica, Isa Boletini, dhe të gjithë herojtë islamik të popullit të Kosovës të cilët luftuan dhe u flijuan për ta ruajtur Kosovën e lirë nga pasardhësit e Kostandinit të Madh dhe diktatorët e Krishtërimit! Z. ministër! Të të vijë turp për ato që kë deklaruar! Ti ke shkelur Kushtetutën – me anë të të cilës po dhunon motrat tona shqiptare! Jip dorëheqje pasi me deklaratat e tua ke fyer traditën dhe fenë e 98% të popullit të Kosovës dhe je rreshtuar me pasardhësit e Sllobodan Millosheviqit, Stefan Dushanit dhe Kostandinit! Ke mëkatuar para Allahut, shtetit dhe kombit! Prandaj pendohu dhe ik!

 

Kryesia e FRM-së

 

 
Lajme Shqip Friday, 30 August 2013 11:41

Prishtinë- Fadil Hasani, kryetari i sapozgjedhur i këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës, po del se nuk është ashtu qysh duket. Për këtë njeri, një ish-koleg, po hedh akuza të rënda, për të cilat thotë se posedon edhe fakte.

Para plot tri vitesh qysh kur u shkarkua nga posti i profesorit të mësimeve të Kur`anit, Emin Behrami, pati publikuar në Express disa të dhëna, sipas të cilit, ishin dëshmi për ngacmime seksuale të nxënësve të medresesë nga ana e profesorëve.

Në mesin e shumë prej tyre figuron edhe emri i Fadil Hasanit, profesorit të gjuhës arabe në medresenë “Alauddin”, i cili të enjten u zgjodh Kryetar i Kuvendit të BIK’ut.

Emin Behrami thotë se zgjedhja e Fadil Hasanit në këtë post të rëndësishëm, po e shtyn të ndërmarrë masa konkrete.

“Do të dalë me fakte të reja shokuese. Fakte të cilat nuk pranohet as me sheriat e as me Kur’an”, thotë Behrami për Express.

Sipas tij, përveç problemeve dhe dallavereve të shumta që janë bërë dhe po vazhdojnë me ritëm të njëjtë brenda Bashkësisë Islame, mes shumë emrave që janë të përfshirë në skandale është edhe ai i kryetarit aktual të kuvendit.

“Ka një mori dokumentesh te ngacmimit në orë të mësimit dhe jashtë orëve. Në mesin e tyre ka qenë edhe profesor Fadili”, thotë Behrami.

Ai pohon se i posedon të gjitha e-mailet që nxënësit i kanë shkëmbyer me drejtorin e shkollës nëpërmjet të cilave i kanë rrëfyer të gjitha të bëmat e profesorëve të tyre, përfshirë edhe kryetarin aktual të këshillit të BIK.

“Aty vërehet qartë fjalori amoral i profesorit në fjalë dhe profesorëve të tjerë si për shembull ‘puthjet tuaja ma kanë qetësuar shpirtin’, apo ‘duhet të takohemi edhe një herë’”, tregon Behrami për bisedat që sipas tij profesorët i kanë bërë me nxënëset e medresesë. “Unë i posedoj të gjithë e-mailat, bisedat e nxënësve me drejtorin në relacion me profesorët”, thotë ai.

E krejt këto marifete që sipas tij i ka bërë i sapoemëruari në kryesi, i di mirë edhe myftiu i Kosovës Naim Tërnava.

“Por cilado shkelje që bëhet kur një individ është i dëgjueshëm ndaj myftiut, mbrohen pavarësisht se çfarë kanë bërë”, pohon Behrami duke e quajtur Fadil Hasanin si kandidati kukull e myftiut Tërnava. Megjithëse pritjeve të Behramit për t’ia nxjerrë krejt të palarat BIK’ut dhe punonjësve të saj, po u vjen fundi.

“Unë që tri vite jam në proces gjyqësor për shkak të shkarkimit tim. Krejt këto që po i them i mbuloj me fakte ligjore të cilat unë do t’i paraqes herët apo vonë”.

 
Lajme Shqip Friday, 30 August 2013 11:33

Prishtinë-Haris Tërnava, djali i myftiut të Kosovës Naim Tërnava, u ka bërë thirrje shqiptarëve që të shkojnë në Siri për të luftuar.

Ai, në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se, çdo ditë e më shumë po i shtohet vullneti për t’iu bashkangjitur bashkatdhetarëve të tij në luftimet e Sirisë.

Ai, po ashtu shkruan se, është i gatshëm që për hir të Allahut edhe të vdes.

Çdo ditë e më shumë po më shtohet vullneti me shku në Shaaaamm për hir të Allaht. A jeni edhe ju me mu vllazni të vdesim për Allahun”, shkruan Harisi në “Facebook”.

 
Lajme Shqip Thursday, 29 August 2013 15:00

Prishtinë – Policia e Kosovës, i ka lëshuar sot urdhëresë Bashkësisë Islame të Kosovës, për t’i siguruar transport ish kryetarit të BIK të cilin e kanë shkarkuar vet zyrtarët e këtij institucioni ditë më parë, Xhabir Hamiti për shkak të rrezikut që ky i fundit ka nga kërcënimet.
Dokumentin e policisë gazeta “Zëri” e ka siguruara nga burimet brenda Bashkësisë Islame të Kosovës ku thuhet; se Njësia për Vlerësimin e Kërcënimit/Rrezikut ka përfunduar raportin e vlerësimit të rrezikshmërisë, dhe BIK duhet ti përmbaheni këtyre rekomandimeve të bëra nga njësia përkatëse. “Z. Xhabir Hamitit’i sigurohet transporti nga vendbanimi i tij deri në punë dhe anasjelltas nga institucioni ku ai punon deri në përfundimin e rastit të tij”, shkruan në urdhëresën e Policisë së Kosovës drejtuar BIK-ut. Ky dokument i ka shkuar sot Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila çdo ditë me veturat myftiut Naim Tërrnava, duhet ti sigurohet transporti Hamitit.
Ditë më parë ai është kërcënuar nga individ të paidentifikuar. Reagimet janë shtuar pas shkarkimit që i është bërë Hamitit nga posti i kryetari të kuvendit të BIK-ut. Ky i fundit ka kundërshtuar ashpër krahun e Naim Tërrnavës.
Tashmë brenda Bashkësisë Islame të Kosovës(BIK) kanë dal haptazi dy klane, ajo e Myfiut Naim Tërrnava i cili e ka mbështetjen edhe të partisë islamike LISBA në krye me Fuad Ramiqin, dhe krahu i Xhabir Hamitit i cili ka pas vete një grup imamësh të cilët kritikojnë ashpër për keqpërdorim të pozitës myftiun Tërrnava./Zëri/