Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 11:23

Prishtinë- Bajram Asllani vazhdon jetën e tij të qetë në Mitrovicë, edhe pse që nga vera e vitit 2010 kërkohet nga SHBA’ja, si i dyshuar për lidhjet e tij me terrorizëm, shkruan sot gazeta Tribuna..
Kjo për shkak se FBI (Zyra Federale e Hetimeve) kishte përgjuar komunikimin e Asllan Bajramit dhe të riut gjilanas, Hysen Sherifit, i cili në vitin 1999 në SHBA kishte emigruar si refugjat.
Sherifin në ndërkohë, në janar të vitit 2012, drejtësia amerikane e ka dënuar me 45 vjet burg, ngase, bashkë me disa anëtarë të tjerë të një grupi terrorist u shpallën fajtor për planifikimin e sulmeve ndaj forcave ushtarake amerikane të stacionuara jashtë SHBA’ve, përfshirë këtu edhe ata në Kosovë, Jordani dhe në Rripin e Gazës.
Bajram Asllani ndërkaq nga shteti amerikan akuzohej se kishte lidhje pikërisht me këta njerëz nga Karolina Veriore. Mirëpo, sipas gjykatësve të EULEX’it, “SHBA nuk kanë ofruar bazë të mjaftueshme që të besohet se Asllani i ka lidhje me veprat në fjalë”, thekon gazeta.
Nga ana tjetër, në Kosovë nuk ekziston asnjë padi e ngritur ndaj Asllanit. Sektori për luftimin e terrorizmit, i Policisë së Kosovës, asokohe vetëm i kishte asistuar FBI’në gjatë operacionit për arrestimin e tij.
Ndryshe, kërkesa për arrestimin dhe ekstradimin e Asllanit në SHBA ishte nënshkruar nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
Edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka folur kohë më parë për çështjen e ekstradimeve, të cilat, sipas tij, nuk po kryhen për shkak se nuk ekzistojnë marrëveshjet bilaterale për këtë punë.
“Ne kemi raste kur me disa shtete, përfshirë SHBA’të, ekstradimi bëhet vetëm kur të plotësohen kushtet ligjore dhe kushtetuese. Kosova ka nevojë që të bëjë marrëveshje konkrete ekstradimi edhe me Irlandën, edhe me SHBA’të, edhe me disa shtete të tjera”, pat thënë Kuçi. Me sa dihet, këto marrëveshje ende nuk janë bërë.