Lajme Shqip Thursday, 03 April 2014 12:03

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Fatos Klosi, në një intervistë për Radio Kosovën, nuk pajtohet me krijimin e Tribunalit për Kosovën.

Ai t thotë se gjithçka është dashakeqësi për të dëmtuar imazhin e UÇK-së dhe të luftës për liri. 

Fatos Klosi flet për bashkëpunimin me UÇK-në dhe me kryeministrin e sotëm, Hashim Thaçi për luftën.
 
Sot, drejtor i Agjencisë Kombëtare Bërthamore të Shqipërisë, Klosi, thekson se nuk ka patur asnjë shans që UÇK-ja të ketë bërë transplant organesh apo krime të tjera. Ish-drejtori i shërbimit sekret nuk pajtohet me krijimin e Tribunalit për Kosovën dhe thotë se gjithçka është dashakeqësi për të dëmtuar imazhin e UÇK-së dhe të luftës për liri.
 
Klosi tregon bashkëpunimin me shërbimin sekret amerikan, CIA-n, në anën e UÇK-së dhe thotë që “Hashim Thaçi ishte djalë serioz dhe trim”. Sipas tij, ndërkohë, ish-kryeministri Pandeli Majko “në aktivitetin e qeverisë shqiptare ai ngulte këmbë që të ruhej embargoja” ndaj ish-Jugosllavisë.
 
Ish-shefi i shërbimit sekret thotë gjithashtu se Krimeja nuk ka asnjë ngjashmëri me Kosovën dhe se nuk e sheh me rrezik që Serbia të bëjë në Ballkan siç veproi Rusia në Ukrainë.
  
Zoti Klosi, si u përballët 15 vjet më parë me mundësinë e komunikimit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?
 
Fatos Klosi: “Për mua ka qenë me të vërtetë shumë interesante. Në fillim më erdhi një kushëri i një të njohurës time dhe më çoi fjalë nëpërmjet saj që “do të të takojë”. U takuam. Filloi të më flasë për plane lufte, për plane të rëndësishme. Sipas meje “e kaloi një çikë masën”, sepse më foli edhe për aeroplanë e për armë, që ishte praktikisht e pamundur. Në fund të bsiedës isha paksa e emocionuar le të themi, por prapë e mora seriozisht. Pastaj kontakti serioz ishte kur një punonjës i yni, nëpërmjet vëllait të tij, njihte një nga figurat e rëndësishme të UÇK-së që ishte në Tiranë. Më thotë që “unë e njoh atë”. Unë isha i interesuar me thënë të drejtën, sepse e dija që po luante diçka.
Di që hezitoi në fillim, meqënëse ata kishin një eksperiencë shumë të hidhur nga marrëdhëniet me SHIK-un e Gazidedes (Shërbimi Informativ Kombëtar me drejtor Bashkim Gazidede. v.j.). Nuk e quajti të arsyeshëm takimin në zyrat e mia. Por, pastaj i çova prapë fjalë dhe i thashë që “shiko e kam fare seriozisht, nuk ka asnjë problem”. Di që më treguan se kur erdhën në zyrën time, kishin bërë shumë dredha në rrugët e Tiranës për të humbur gjurmët, o nga ne o nga policia, mbase edhe nga shërbimi serb. Probabilisht po!
Me atë u bisedua seriozisht për situatën që ishte, për planet që kishin, për mundësitë që kishin. I thash që “jam i interesuar, sepse është detyra ime”. U konsultuam në Shërbim me njerëz që e njihnin. Më konfirmuan që ishte njeri serioz, që nuk kishte probleme. Pati pastaj një kontakt të dytë, një kontakt të tretë… Nuk them që u bëra pjesë e tyre, por e njihja problemin dhe ndaja me ta të njejtat interesa, të njejtat qëllime”.
 
Si qëndronte bashkëpunimi me shërbimet partnere dhe veçanërisht me CIA-n dhe politikës?
 
Fatos Klosi: “Shiko, ka pasur dy probleme: Në fazën e parë qenë partnerët tanë të interesuar për UÇK-në. Natyrisht, shërbimet janë gjithmonë përpara politikës në kohë dhe qenë ata përpara se problemi i UÇK-së të bëhej publik. Ne qemë të kujdesshëm në fillim. Donim të shihnim edhe opinionin e tyre dhe pastaj të prononcoheshim. Por, shpejt e morëm vesh që edhe ata ishin dashamirës. Sidomos Shërbimi amerikan, por dhe të tjerët. Kur “u hapën kartat” konstatuam se kishte një dashmirësi dhe ata kishin një opinion jo të njejtë me tonin, por dashamirësie, kryesisht që lidhej me opinionin që kishin për Serbinë dhe për pushtetin represiv që ishte në Serbi.
Pastaj, kur i njohën njerëzit e UÇK-së e kuptuan që ishin njerëz seriozë, që ishin njerëz që e kishin marrë atë aktivitet për ideale e jo për gjë tjetër dhe e përkrahën. Lidhur pastaj me diferencën midis opinioneve të politikës dhe të shërbimeve, them që në fillim ka pasur një diferencë goxha të madhe. Mesa duket edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucione të ndryshme kanë opinionet e tyre. Natyrisht, në veprime ata pastaj rakordojnë sepse kanë një shef që është në krye.
Politikanët tanë që kishin kontakte me diplomacinë amerikane, kishin tjetër opinion për opinionet e amerikanëve. Ndërkohë, që unë që kisha kontakte me shërbimet, e shihja shumë më qartë dëshirën e tyre për të ndihmuar, dëshirën e tyre “për t’i vënë fre pushtetit represiv të (Sllobodan) Millosheviçit”.
 
Reflektohej kjo në marrëdhëniet tuaja me ish-kryeministrat Fatos Nano dhe Pandeli Majko?
 
Fatos Klosi: “Me Fatos Nanon nuk patëm probleme. Fatos Nanuan ishte një çikë i vonuar në këtë gjë, meqënëse ai kontaktet më të mëdha i kishte me diplomacinë amerikane, me ambasadën amerikane, me Departamentin e Shtetit. Ndërkohë, që unë që kisha kontakte me Shërbimin amerikan, isha në kontak me të tjera opinione për luftën në Kosovë. Mu desh të diskutonim me kryeministrin. Natyrisht, ai ishte shefi dhe ai do të vendoste për qëndrimin që do të mbanim dhe nuk e vendosja unë. Pastaj, u siguruan kontakte direkt edhe me Shërbimin amerikan edhe me UÇK-në vetë dhe them që gjërat u sqaruan.
Kurse, me Pandeliun problemi ishte një çikë më i ngatërruar, sepse pati një keqkuptim që në fillim… Nuk e di, ende nuk e kam të qartë se përse kryeministri pati idenë që… 
Duke pasur më pak eksperiencë se Fatosi (Nano), i ruhej shumë aspektit formal të problemit, aspektit zyrtar. Konsiderohej që ndaj Jugosllavisë kishte embargo dhe ai u përpoq që ta reflektonte këtë fakt. Në aktivitetin e qeverisë shqiptare ai ngulte këmbë që të ruhej embargoja, ndërkohë që gjërat kishin “marrë rrugë” kur erdhi Pandi në kryeministri. Nuk mund të ndaloheshin më dhe ky ishte burim i konflikteve që lindën dhe i disa vështirësive që u krijuan për furnizimin me armatim të luftës. Nuk them në asnjë mënyrë se ishte dashakeqësi e Pandeliut, por thashë që ai u përpoq më shumë që të zbatonte ato këshillat e diplomacisë ndërkombëtare, të aleatëve që siç thashë ishin me vonesë”.
 
Përpara se të merrej vendimi për të sulmuar ish-Jugosllavinë, caqet serbe, përfundoi Konferenca e Rambujesë, ku udhëheqjen e pati për delegacionin e Kosovës, Hashim Thaçi. Cilat ishin kontaktet tuaja me zotin Thaçi, sot kryeministër dhe në tërësi me delegacionin në atë kohë?
 
Fatos Klosi: “Thaçi kishte ardhur disa herë në Shqipëri. Madje, patëm edhe një fakt një çikë të hidhur për të…
Gjatë një kalimi të kufirit nga Shqipëria në Kosovë, erdhi lajmi se Thaçi ishte vrarë dhe u krijua një situatë vërtetë e vështirë mes njerëzve të UÇK-së, por dhe ne tani, sepse e quanim  veten sëbashku me ta, në të njejtën çështje, në të njejtën kauzë. Me Thaçin jam takuar në Tiranë, sa herë që ai ka ardhur.
Kemi shkuar bashkë te kryeministri Fatos Nano, për ta bindur që “shiko, gjërat tashmë kanë hyrë në një hulli” dhe “nuk është më në dorën tonë që ta nxjerrim nga kjo hulli situatën”. Unë e kam vlerësuar vërtetë si një djalë serioz, si një djalë që dukesh që ishte një djalë trim. Pastaj, në Rambuje, natyrisht ai mori një peshë tjetër.
Ishte shumë e rëndësishme që delegacionin ta drejtonte një nga UÇK-ja dhe të ishte një nga ata që ishin në front. Lufta atje bëhej, pavarësisht se kishte ndihma edhe nga jashtë dhe personazhe të tjerë të rëndësishëm, që nuk ishin direkt në luftë, por që mbanin kontakte me botën, me…
Natyrisht, që ishte një hap cilësor që u bë në karrierën e Thaçit dhe pastaj ai e tregoi që e kishte merituar”.
 
Po flitet për një Tribunal për Kosovën…
 
Fatos Klosi: “Është një vendim politik që niset nga qëllime të caktuara. Mua më vjen keq që pas kaq shumë vitesh ka një dëshirë për të hedhur baltë mbi luftën. Lufta ka rregulla. Por, një gjë duhet të kemi parasysh; Që, ajo luftë nuk ka qenë një luftë jofrontale. Një luftë midis një ushtri nga më të fortat në Europë me një organizatë le ta quajmë, djemsh të rinj, pa asnjë eksperiencë, të cilët vunë në sheshin e luftës vetëm vullnetin e tyre, trimërinë e tyre dhe sakrificën e tyre. Eksperiencën ata njerëz e fituan në luftë. Në fund të fundit, ata në çdo çast po rrezikonin jetën e tyre.

Më duket e gabuar kjo q ëpo bëhet tani në grup, të diskutohet gjithë ndershmëria në luftë për shembull e UÇK-së!?

Për mua është një vendim politik që ka  një qëllim të keq. Kush është akuza e vërtetë?
Po, fakti që po merren në bllok të gjithë drejtuesit e UÇK-së, po diskutohet të paktën, tregon që këtu ka një qëllim jo dashamirës”.
 
Nuk bëhet fjalë as për quajturën “Shtëpi të Verdhë” as në Burrel, as në Fushë-Krujë, as në Krujë dhe as për transplant?
 
Fatos Klosi: “Këto janë pastaj vërtetë broçkulla, pretendime që nuk i rezistuan asnjëherë qoftë edhe një prove shumë të thjeshtë, një fakti shumë të thjeshtë! Ka qenë praktikisht e pamundur që brenda territorit të Shqipërisë të ndodhnin të tilla gjëra… Unë e them ndershmërisht dhe jam gati të përballem në çdo lloj situate që të paktën Shërbimi Informativ të mos e dinte! Ne ishim shumë aktiv në atë pjesë të territorit të Shqipërisë. Ishim shumë pranë UÇK-së. Kështu, që nuk do të na kishte shpëtuar një gjë e tillë. Dhe, po ta dinim absolutisht, nuk do ta kishim lejuar! Nëqoftëse ka pasur pastaj interesa pastaj të vogla fare që nuk lidhen me UÇK-në të horrave që shfrytëzojnë situatat për të përfituar… 

Po pastaj, me argumenta teknikë mund them që ka qenë e pamundur! Nuk janë kushtet, nuk kanë qenë ndonjëherë në Shqipëri. Ne e dimë që transplantet në Shqipëri shumë vonë kanë nisur në Qendrën Spitalore dhe akoma nuk po vihen në vijë! Jo më atëherë në ato kushte, qenkërkan bërë transplante?!
Më duket absurde! Është thjesht në të njejtin kuadër që shoh edhe këtë fushatë kundër UÇK-së për të zbehur atë përshtypje të mirë që bëri në të gjithë botën lufta e këtyre djemve që detyroi Millosheviçin të dorëzohej”.
 
Zoti Klosi, një qendër studimore për Siguri dhe Mbrojtje në varësi të ministrisë së Mbrojtjes, ka hartuar një raport të ndarë në tri pjesë, marrë shkas nga ngjarjet në Krime. Besoni se ka rreziqe në rajon?
 
Fatos Klosi: “Absolutisht jo! Situata në Krime dhe situata në rajonin e Ballkanit, është fare e ndryshme!
Them që nuk mund të krahasohet me Serbinë, e cila jo vetëm që ëhstë më e vogël, por pretendon që të futet në Bashkimin Europian, e për në NATO nuk e kam dëgjuar diskutimin”.

 
Lajme Shqip Thursday, 30 January 2014 12:43

Shërbimi Informativ Shtetëror ka për detyrë të informojë lidhur me probleme që cenojnë sigurinë kombëtare. Dhe ngjarjet e ndodhura ditët e fundit janë ngjarje që cenojnë sigurinë kombëtare. Kështu deklaron në një intervistë për “Shekullin”, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. 

Duke i konsideruar ngjarjet e fundit si akte terroriste, Klosi pohon se detyra kryesore e SHISHit në këto momente duhet të jetë lufta ndaj këtyre fenomeneve. 

Ishkreu i SHISH-it shprehet se situata e rënduar e rendit shkon paralelisht me akuzat për dobësim të policisë për shkak të shkarkimeve apo emërimeve.

 “Shoh që këto ngjarje u përqendruan shumë në këtë periudhë, kur po diskutohet shumë se gjoja nga policia janë hequr shumë specialistë dhe janë vënë militantë, e diskutime si këto. Janë në unison këto dy skenarë. 

Dobësimi gjoja i policisë meqenëse qenkan hequr specialistët dhe shtimi i i këtyre lloj fenomeneve. Kjo duhet parë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror e ka këtë detyrë”, – pohon ai. 

Klosi nuk shprehet i habitur as nga ideja se kreu aktual i SHISH-it mund të vijojë të informojë ish-kryeministrin për ngjarje të caktuara, ndërsa thekson se Ajazi është i zgjedhur në atë detyrë nga Berisha. 

Klosi shton se në situatën aktuale është kryeministri ai i cili mund të kërkojë informacion të detajuar nga kreu i SHISHit sepse kjo strukturë është në varësi të ekzekutivit dhe e ka për detyrë të raportojë për fenomene të caktuara, madje brenda afateve që i vendosen.

 

Zoti Klosi a ka një procedurë ligjore mbi bazën e të cilës Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të japë informacion?

 

 Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të bëjë punën e vet që të ketë   informacion. Natyrisht jo për ngjarje të veçanta se kjo është absurde, por kur ngjarjet marrin pamjen që kanë marrë sot dhe praktikisht po bëhet si rregull vendosja e dinamitit, natyrisht duket që këtu ka një dukuri. Nuk është një ngjarje e thjeshtë që ndodhi njëherë, ja ndodhi dhe njëherë të dytë.

 Kjo mënyrë po bëhet praktikisht mënyrë e zakonshme. Për sa kohë që është kthyer në fenomen, është e qartë që Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të ketë informacion ose duhet të punojë të paktën për të pasur informacion dhe të informojë.

 Shërbimi Informativ Shtetëror është pjesë e ekzekutivit dhe si i tillë të gjitha detyrat i merr nga kryeministri. 

Natyrisht në sektorin e vet të punës, për informacionin lidhur me sigurinë  kombëtare, por prioritetet e punës sa herë që bëhet plani i punës, plani vjetor zakonisht se kështu funksionon administrata tek ne, merr prioritetet nga kryeministri dhe ai duhet të punojë dhe të japë llogari për ato detyra që ka marrë.

 Një nga detyrat kryesore në këtë periudhë është lufta ndaj këtyre fenomeneve që janë vërtet fenomene terroriste sepse të vësh bombë, nuk mund ta quash thjesht një ngjarje. Nuk është se po bëhet thjesht një vjedhje apo diçka e tillë. 

Njëherë vë një bombë nëpër shtyllat e tensionit të lartë, pastaj nëpër makinat, në dyert e shtëpive… Skandaloze ishte vendosja e bombës në furgonin e një banori të Lezhë, ajo nuk kishte asnjë lloj shpjegimi tjetër. 

Ai ishte njeri pa asnjë problem, një gjynahqar në punën e vet. Kështu që më duket se në këto ngjarje ka një orientim të përgjithshëm. Edhe nëse nuk ka një planifikimin, një orientim është. 

 

Si e konsideroni shqetësimin e ministrit Tahiri të shprehur në Komisionin e Sigurisë, sipas të cilit mungesa e informacionit nga SHISH-i po cenon sigurinë kombëtare? 

 

Mosdhënia e informacionit për këto gjëra që po ndodhin, cenon sigurinë kombëtare. Shërbim Informativ Shtetëror është ai institucion që furnizon ekzekutivin me informacion për të gjitha ngjarjet, më shumë për të gjitha dukuritë, fenomenet që cenojnë sigurinë kombëtare.

 Unë thashë që kjo u bë fenomen. Është bërë i shpeshtë dhe ata duhet ta vrasin mendjen qoftë dhe në aspekte teknike shumë të thjeshta, nga vjen ky dinamit, ku gjendet, kush janë linjat në të cilat zhvillohet kjo gjë?

 Sepse është një pajisje, dinamiti i bashkuar me një celular a me një radio krijon një pajisje, domethënë janë gjëra teknike që kanë kohë që diskutohen në Shqipëri. 

Kush janë linjat e furnizimit të atyre që i përdorin këto pajisje?  Pra në një mënyrë apo në një tjetër duhet t’u kishte rënë në mendje me kohë për këto fenomene që po ndodhin sot. Nuk është se bëhen brenda ditës. Jam i sigurt se nuk janë ngjarje të veçanta nga njëra-tjetra. 

Kanë një gjë të përbashkët, qoftë dhe furnizimit me pajisje. Unë kam përshtypjen se kanë dhe më shumë të përbashkëta. 

Unë po përdor fjalën orientim për të qenë brenda, sepse unë sot jam një qytetar i zakonshëm dhe nuk di asgjë konkrete, por e shoh që u përqendruan shumë në këtë periudhë, kur po diskutohet shumë se gjoja nga policia janë hequr shumë specialistë dhe janë vënë militantë, e diskutime si këto.

 Janë në unison këto dy skenarë. Dobësimi gjoja i policisë meqenëse qenkan hequr specialistët dhe shtimi i i këtyre lloj fenomeneve. Kjo duhet parë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror e ka këtë detyrë. 

 

Ish-presidenti Bamir Topi në një intervistë për “Shekulli” ka deklaruar se SHISH-i vijon të jetë në shërbim të Berishës duke përgjuar kundërshtarët e tij politikë…

 

 Nuk besoj se kjo bëhet e mundur zyrtarisht. Por mund të bëhet. Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror është një njeri që është vënë nga Berisha. Nuk do çuditesha fare që ai informon dhe Berishën për gjëra që i duhen. 

 

Në këto kushte ku jemi sot, kur SHISH akuzohet për mosdhënie informacioni cila është zgjidhja ligjore e kësaj situate? 

 

Në kushtet që jemi për mua, nuk është kaq e thjeshtë por kryeministri ka të gjitha të drejtat, si epror direkt i drejtorit të SHISH-it, që të japë orientimet lidhur me prioritetet e punës së shërbimit, qoftë për 3-4 muajt e ardhshëm dhe natyrisht prioriteti numër një është zbulimi i atyre që acarojnë situatën sot. Sepse për mua kjo që po ndodh është një politikë që acaron situatën.

 Unë nuk i quaj të shkëputura. Kryeministri ka të drejtën e plotë të kërkojë llogari duke vënë dhe afate të caktuara se kur kërkon informacion për këtë problem, kur për këtë tjetrin. Është shumë e kollajshme për kryeministrin, ai i jep detyrat Shërbimit dhe ka të drejtë të kërkojë llogari.

 Në ligjin për SHISHin thuhet: raporton për kryeministrin. Raportimi natyrisht është dhënie llogari për diçka që është kërkuar. Me këtë synim është vënë fjala raportim. 

 

 Braho: I zhgënjyer nga superlativat e Nishanit për SHISH-in 

 

 Kreu i Komisionit të Sigurisë flet për rolin e munguar të institucionit të drejtuar nga Visho Ajazi dhe pse është kundër presidentit 

 Burimi i parë i informacionit për luftën kundër krimit është Shërbimi Informativ Shtetëror. Nëse ai nuk kryen këtë detyrë atëherë është kthyer në një organizatë fronti si dikur. Kështu shprehet kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho lidhur me detyrat e SHISH në një kohë kur janë shtuar akuzat ndaj tij për mungesë bashkëpunimi.

 Spaho shprehet i zhgënjyer dhe për vlerësimet me superlativa të Presidentit ndaj SHISH-it ndërsa paralajmëron hetim për akuzat për punësime jashtë kritereve ligjore. 

 

Zot Braho, Presidenti Nishani ka deklaruar se SHISH-i ka bërë punë të mirë. Ministri i Brendshëm ka deklaruar se nuk bashkëpunon, po ashtu dhe partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të nuk janë të kënaqur me punën e SHISH-it. Ju çfarë mund të na thoni për punën e bërë nga zoti Ajazi? 

 

Ç’ka thënë presidenti e di, edhe pretendimin e djeshëm në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. Çfarë kanë thënë partnerët amerikano-anglez, për Visho Ajazin dhe strukturën e SHISH nuk e di.

 

 Gjatë dy ditëve të kaluara kanë bërë një inspektim dhe është një reagim i zyrtarëve të DASH…

 

 Nuk e besoj. Inspektimi ka qenë për të tjera gjëra në dijeninë time. Tv “Ora Neës” shfaqi inserte dhe pamje nga një dokumentacion, që bënte fjalë për emërtime të paligjshme në strukturën e SHISH-it. 

Duke veshur këtë edhe me opinionin tjetër, që pjesa dërrmuese e tyre janë shokë të Vishos gjatë periudhës që ka drejtuar SHISH-in Gazidede, gjatë periudhës ‘92-‘97. 

Nëse janë të sakta apo jo është proces tjetër. Ne i kemi kërkuar televizionit që materialet t’i verë në dispozicion të Komisionit të Sigurisë dhe ai i ka dorëzuar pranë kuvendit. Pasi ti shohim do të gjykohet si do të veprohet. 

Rrugët janë dy: verifikimin mund ta bëjë dhe qeveria, kryeministri nga varen detyrat që kryen SHISH-i, nëpërmjet inspektores së përgjithshme ose mund ta bëjë dhe një grup i ngarkuar nga Komisioni i Sigurisë pranë zyrave të SHISH-it për të ballafaquar këto materiale me situatën konkrete në këtë institucion.

 

  Ju si kryetar i Komisionit të Sigurisë keni kontakte me zotin Ajazi dhe a ju shqetësoi ajo çka deklaroi ministri Tahiri?

 

 Kontaktet e mia me zotin Ajazi janë normale. Kemi shkëmbyer mendime të ndryshme lidhur me funksionimet e SHISH-it. U përpoqëm ta ndihmonim financiarisht gjatë kohës së miratimit të buxhetit. Iu dhanë më shumë fonde se vitin e kaluar. 

U njoha me deklaratën e ministrit të Brendshëm. Tentova të lidhem me Vishën por është jashtë shtetit. Padyshim që do ta kontaktoj dhe për këtë çështje. 

 

Sa mund të ndihmojë SHISH në dhënien e informacioneve lidhur me çështje të rëndësishme që cenojnë sigurinë kombëtare? 

 

Atë ka detyrë kryesore.

 

 E ka bërë deri tani sipas jush?

 Nuk mund të shpreh ndonjë opinion. Unë mund të them që opinioni i shprehur nga Presidenti ishte me superlativa. 

Nga dozat e asaj kënaqësie, mbeta i zhgënjyer sa kohë që në Shqipëri shfaqet veprimtaria kriminale qoftë në formën e shfaqjes së terrorizimit, të elementëve të ndryshëm të tij apo të krimit të organizuar. Sa kohë që SHISH-i nuk është prezent nuk e di nëse ka apo jo informacione. 

Ministri i Brendshëm thotë që nuk kam informacione. Mundet që këto informacione ti marrë dhe presidenti por është e pamundur. 

Nëse presidenti i ka këto informacione duhet t’i konsumojë me qeverinë, me ministrin e Brendshëm, mos ti mbajë vetë, por nuk besoj të ndodhë kështu. Nuk dua të bëj asnjë aludim për presidentin. 

Por roli i SHISH-it në luftën kundër krimit është burim i parë i informacionit, element i parë i veprimtarisë së tij, i strukturave kudo ku është prezent. Nuk e di me çfarë mund të merret SHISH-i nëse nuk merret me këto informacione. 

Ose është kthyer në organizatë fronti si dukur që bën letra anonime, apo veprimtari të tjera që nuk i shërbejnë punës apo qëllimit për të cilin është ngritur dhe funksionon. 

Natyrisht Shërbimi ka dhe funksione të tjera që lidhen me bashkëpunimin me agjenci të tjerë të huaja. Nuk e di si i ka raportet me këto agjenci. Është një çështje që do të hetohet.   

 
Lajme Shqip Saturday, 28 September 2013 10:46

Plani i fshehtë i Sali Berishës për ta kthyer Shqipërinë në republikë të gjashtë të Jugosllavisë së re, ka provokuar intelektualët dhe figurat e politikës shqiptare. Firmosja e traktatit të fshehtë në 16 korrik, në Përzhno të Malit të Mal të Zi, pra pak ditë para zgjedhjeve të 23 Qershorit, për të kaluar Shqipërinë nën ombrellën e Serbisë, ka trazuar dhe indinjuar opinion publik. Ish shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaroi se Unioni Ballkanik në Bashkimin Europian është artificial dhe sforcuar. Ai tha se Unioni Ballkanik është një sajesë që mund të pengojë integrimin e Shqipërisë.

 

“Krijimi i Unionit Ballkanik është shumë artificial. Mendoj se është e parakohshme. Nuk ka shembull që në Bashkimin Europian të marrin pjesë unione. Kjo është një sajim serb, i cili mund të pengojë integrimin e Shqipërisë. Qeveria “Berisha” nuk duhet ta mbështeste”, u shpreh Klosi. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, shprehet se Shqipëria duhet të injorojë Unionin Ballkanik dhe hyjë e vetme në Bashkimin Europian. Shehi deklaron se Shqipëria është shtet i pavarur dhe kurrsesi nuk duhet t’ia lejojë vetes të përfshihet në unione të tilla. “Shqipëria duhet të shkojë e vetme në BE. Shqipëria është shtet i pavarur. Shqipëria do të hyjë e para në BE dhe më pas të tërheqë me vete edhe të tjera komunitete”, u shpreh Shehi.

 

Shqipëria, drejt politikave globale

 

Shtohen zërat kundër krijimit të Unionit Ballkanik dhe sidomos përfshirjes së Shqipërisë në këtë bashkim. Ish deputeti socialist, Agim Leka, në profesion studiues, në një prononcim për gazetën “Sot”, thekson se Shqipëria duhet të ndjekë politikën e integrimit në familjen e saj evropiane. Sipas tij, grupimet rajonale asnjëherë nuk kanë sjellë gjëra pozitive, ndërsa në rastin e Shqipërisë do të pengonte proceset globale.  “Jam partizan i politikave globaliste dhe integruese. Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën që ka nisur drejt Bashkimit Europian dhe të marrë kartën e asocimit. Jam kundër grupimeve rajonale. Filozofitë provinciale sjellin pasoja dhe në proceset globale.

 

Koncepti i BE ka të bëjë me qytetërimin evropian”, u shpreh ish deputeti socialist. Studiuesi Leka thekson se Shqipëria i përket familjes evropiane, por për shkak të vonesave që lidhen me historinë, është vonuar në aderimin e saj në Bashkimin Europian. Megjithatë, Shqipëria do të vijojë rrugën e saj që ka nisur drejt integrimit si më të duhurën, pasi një gjë të tillë e kuptojnë edhe vetë politikanët tanë. “Ne kemi ndërprerë përfshirjen në qytetërimin Europian për shkak të sistemit diktatorial. Shqipëria në BE do të kthehet në identitet. Ky qytetërim u ndërpre për shkak të historisë fatale, këto 100 vitet e fundit. Vonesat janë historike dhe jo për faj të shqiptarëve”, u shpreh Leka. Pjesë e Federatës do të jenë Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Kjo e fundit, pritet të jetë koka e federatës së re, siç ishte edhe e federatës së vjetër, e cila u shkatërrua nga luftëra të përgjakshme.