Lajme Shqip Wednesday, 25 September 2013 21:45

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, deri në kuvendin e fundit zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, sekretar i përgjithshëm i saj, dhe Fatmir Limaj nënkryetar i parë, më nuk janë në këtë parti, por jo edhe jashtë saj.

Me ndihmën e tyre, janë themeluar iniciativa qytetare në Malishevë dhe Drenas, komuna nga ata vijnë, të cilat në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të garojnë për t’ua marrë pushtetin partisë për të cilën deri sot kërkonin votën.

Limaj edhe publikisht në një tubim të mbajtur në Malishevë, ka kërkuar që vota e qytetarëve të kësaj komune të jetë kundër PDK-së.

Shumëkush tha se ata po themelojnë një parti të re, e në PDK pati edhe nga ata që kërkuan përjashtimin e tyre nga partia, por plani i Krasniqit e Limajt nuk është ky.

Të dy këta ish themelues të PDK-së, që tani janë vetëm anëtarë të thjeshtë të kësaj partie, po përgatisin planin e rikthimin, por në krye të saj, dhe me një fuqi edhe më të madhe se sa më parë, kanë thënë burime të afërta me ta, të LajmeShqip.com.

Iniciativat qytetare të cilat janë themeluar me përkrahjen e tyre, janë instrument të cilin ata do ta përdorin, për thirrjen e një kongresi të jashtëzakonshëm të partisë, i cili do të mbahej para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vend, të cilat pritet të organizohen nga mesi i vitit të ardhshëm.

Këtë në mënyrë të tërthortë e ka thënë edhe vetë zoti Krasniqi në një bisedë me një media online. Ai ka thënë se situata aktuale mes tyre dhe PDK-së, është si rezultat i mospërfilljes së kërkesave të zotit Limaj si nënkryetar i partisë dhe kërkesave të tij, atëherë si sekreatar i përgjithshëm i partisë për formën e zgjedhjeve të brendshme, që ato të jenë një anëtar një votë, për ta fuqizuar demokracinë e brendshme.
Tutje ai ka shtuar se përveç kësaj, nuk është pranuar as kërkesa e fundit e tij dhe e Limajt, për shtyrje të Kongresit të partisë.

Ndërsa kongresi i mbajtur pa ta, sipas Krasniqit, ka prodhuar një strukturë udhëheqëse, jo të zgjedhur por të emëruar.

Sipas Krasniqit pakënaqësi ka pasur edhe nëpër degë të partisë, e si rezultat i të cilave kanë lindur edhe iniciativat qytetare, të themeluara nga ish themelues të degëve të PDK-së. Me këtë Krasniqi, ka lënë të nënkuptohet, se kërkesa e tij, e Limajt dhe të pakënaqurve tjerë të PDK-së, është për zgjedhje të reja në parti, të cilat do nisnin duke filluar nga zgjedhja e strukturave të reja nëpër degë, e deri te udhëheqja qendrore e partisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 23 September 2013 13:56

 

Ish sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasnqi dhe ish nënkrytari i parë i kësaj partie, Fatmir Limaj ka kohë që i kanë shkëputur raportet me partinë, në të cilën edhe vetë ishin themelues.

 

Por për dallim nga Krasniqi, Limaj deri sot fare pak ka folur për të ardhmen e tij politike. Ai kishte punë me drejtësinë, nga e cila tanimë është liruar, gjë që i jep mundësi të aktivizohet politikisht.

 

Të dy, Krasniqi e Limaj, janë pozicionuar në përkrahje të subjekteve poltike lokale, të cilat janë ndarë nga PDK, dhe po garojnë kundër kësaj të fundit, në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

 

Ndërsa, siç edhe është pritur, ata tanimë shumë shpejtë, do t’i japin fund edhe zyrtarisht pranisë së tyre në PDK, duke themeluar një subjekt të ri politik.

 

Burime të gazetës Lajm, thonë se kryeparlamentari Krasniqi, bashkë me Limajn dhe të tjerë të pakënaqur brenda PDK-së, por edhe jashtë saj, do të themelojnë partinë “Rilindja Demokratike e Kosovës”.

 

Pjesë e këtij subjekti pritet të jenë edhe  Hydajet Hyseni, Flora Brovina, Justina Pula – Shiroka, Muhamet Mustafa dhe Emin Gërbeshi, e ka shumë gjasa që pjesë e këtij Grupi Parlamentar të jenë edhe Nijazi Idrizi, Nait Hasani Xhevahire Izmaku e Azem Syla. (LajmeShqip)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 September 2013 22:41

Gjykata sot për here të dytë e shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn. Ai wshtw liruar nga të gjitha akuzat për krime të luftës qw akuzohej nga EULEX-i.  Bashkë me Fatmir Limaj të pafjahsëm janë shpallur edhe Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku. 

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Malcolm Simons i EULEX-it, deklaroi se në raport me Limaj nuk kishte asnjë argument fajësues dhe se të gjitha provat e vërtetuan pafajësinë e tij.

Pas më shumë se tre vjet përballjeje me akuza tepër të rënda dhe të paargumentuara ndaj Limaj më në fund e fitoi pafajësinë e dytë në këtë rast.

Tom Gashi, avokat i Limajt, deklaroi se e konsiderojmë fitore të Limajt dhe fitore të drejtësisë dhe të sundimit të ligjit.

“Në këtë rast u vërtetua se kur nuk ka implikime nga jashtë drejtësia triumfon” deklaroi Gashi.

 
Lajme Shqip Monday, 20 May 2013 10:59

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi përmendi tre emra të zyrtarëve të partisë së tij të cilët mund ta zëvendësojnë atë në postin e kryeministrit.

Kryeministra të ardhshem sipas tij mund të jenë figura politike si Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Hajredin Kuçi.

” Nëse unë nuk do të rikandidoj atëherë njëri nga kandidatët e mundshëm për kryeministër janë: z.Kadri Veseli,  z.Fatmir Limaj dhe z.Hajredin Kuqi”, ka deklaruar Thaçi.

Kryeministri ka folur edhe për rastin Limaj ku është si dëshmitar.

Ai ka thënë se i ka raportet e mira me ish-ministrin e Transportit.

“Limaj padrejtësisht po akuzohet nga misioni për sundimin e rendit dhe ligjit EULEX. Limaj shpejt do të jetë i lirë pranë familjes së tij dhe do të rikthehet fuqishëm në skenën politike”, ka thënë Thaçi.

 
Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 14:45

Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në sallën e improvizuar në “Kinemanë ABC1” është mbajtur seanca e rradhës ndaj Fatmir Limajt dhe të akuzuarve të tjerë për rastin e MTPT-së, në të cilën pritej të shqyrtoheshin kundërshtimet e mbrojtjes për pranueshmërinë e provave dhe kërkesa për hedhjen poshtë të akuzës.

Pjesa e parë e senacës gjyqësore ka përfunduar për të vazhduar në ora 13:45. Fatmir Limaj, Deputeti I Kuvendit të Kosovës kërkoi që në këtë proces gjyqësor nga trupi gjykues, palët të jenë të barabarta.

Gjatë paraqitjes në seancën gjyqësore, Limaj, tha se pas shumë torturave që I janë bërë atij dhe familjes së tij, tani ka ardhur koha që të dëgjohet zëri I tij.

“Jemi palë të barabarta dhe ju kisha lutur që të na respektoni dhe të na trajtoni si të barabartë. Kërkoj që të ma jepni rastin të flas, këtë të drejt ma garanton Kushtetuta. Ju lus që të respektohet barazia dhe mos të na futni në kohën e kufizuar. Unë dhe familja ime jemi torturuar që katër vite, dhe tani është koha që të dëgjohet zëri ynë”, tha Limaj, duke shtuar që në pjesën e dytë të seancës t’i jepet mundësia të flas, raporton “Epoka e re”.

Në ndërkohë, kryetarja e trupit gjykues tha se janë duke respektuar të drejtat e të gjithëve.

Avokati i Limajt, Karim Khan në përfundim të fjalës së tij ka kërkuar që të përfundoj sa më shpejt ankthi i Limajt, në mënyrë që të vihet drejtësia në vend dhe të hedhet poshtë aktakuza dhe sipas tij të ndërpritet kjo çmenduri.

Kurse, gjykatësja pas përfundimit të fjalës së Khanit tha se, është këtu për ta vënë drejtësinë. 

 
Lajme Shqip Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 00:16

 

Zëvëndës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se proceset gjyqësore kundër ish-ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, janë të montuara.

“Ky proces duhet të ndërpritet sa më pare”, deklaroi Veseli në një vizite të drejtuesve të PDK-së në Malishevë.

Veseli deklaroi se Fatmir Limaj ishte njëri prej komandantëve më të fuqishëm të UÇK-së dhe se EULEX-i nuk po veprojnë drejtë që po udhëheqë një proces të montuar kundër tij.

“Është në të mirën e tyre, por edhe të gjithë njerëzve që ia donë të mirën Kosovës të ndalen proceset që po montohen, me anë të disa dëshmive të dëmshme të cilat që nuk janë korrekte për luftëtarët tanë”, deklaroi Veseli.

Ai po ashtu iu premtoi malishevasve se PDK-ja do të vazhdojë ti mbështesë përmes investimeve në këtë rajon.

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 16:20

Prishtinë – Ka nisur dëshminë e tij dëshmitari i mbrojtur “C” në rastin “Kleçka” ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve. Në pjesën e parë të seancës ai është marrë në pyetje nga Prokurori Mauritzo Salustro. Por, pothuajse gjatë tërë kohës fjalia e tij kryesore ka qenë “nuk më kujtohet”  kur prokurori e ka ballafaquar me deklaratën e tij gjatë hetimeve, raportoi  KTV nga ky proces . Ai ka pranuar se ka qenë në Kleçkë, por jo i burgosur.

“Nuk jam kon në burg more, veç kena lujt me top”, ka thënë dëshmitari “C” me videolink. Prokurori i ka kujtuar atij se në fazën e hetimeve ka thënë se ka qëndruar në një qeli me 4 persona të tjerë. “Nuk ka pas qeli. Ku kemi pasë kohë me maru qeli. Mos folni pallavra”, është përgjigjur dëshmitari.

 Megjithëse gjatë hetimeve kishte thënë se ka qenë anëtar i LDK-së, dëshmitari ‘C’ ka demantuar veten, duke thënë se është me rëndësi që është qytetar i Kosovës e s’ka rëndësi a është me LDK-në apo PDK-në. Por, gjatë dëshmisë ka potencuar se është nga Drenica.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 13:28

Prishtinë – Sot ka vazhduar seanca për Rastin Kleçka.

Sokol Dobruna, i njohur si dëshmitari ‘A’, është në marrë në pyetje nga avokatët mbrojtës të Nexhmi dhe Naser Krasniqit.

Pyetjet kishin të bënin me një të burgosur serb që po trajtohej në burgun e Kleçkës.

Avokati Bajram Tmava u fokusua në përkujdesjen e stafit ndaj këtij të burgosuri duke pyetur dëshmitarin, Sokol Dobruna se a është ftuar mjeku edhe për të burgosurit tjerë sikurse në rastin e serbit.

“Zakonisht mjeku ka ardh për të konstatuar vdekjen e të burgosurve”, tha dëshmitari.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 12:24

Prishtinë –  Në seancën e shqyrtimit kryesor në rigjykimin e rastit për krime lufte, i njohur si rasti “Kleçka” ka dëshmuar dëshmitari Sokol Dobruna, i njohur si “dëshmitari A”.

Me kërkesën e vet dëshmitarit, ai ka pranuar që identiteti dhe të dhënat e tij të jenë publike për opinionin edhe pse ishte i koduar nën shifrën “dëshmitari A”.Ai ka thënë se detyra e tij gjatë luftës ishte Shef i Shërbimit Juridik në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pasi që me profesion ishte jurist.

Dobruna, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Maurisio Salustro ka pranuar se ka ekzistuar një burg i improvizuar në Kleçkë, ku, sipas tij, pjesa më e madhe e të ndaluarve në atë burg ishin civil.I njohur gjatë luftës si “Petrit Ujmiri”, ai ka thënë se ndër të ndaluarit në burg kanë qenë edhe dy serbë të cilët kur i ka vizituar njërin e ka gjetur të vdekur në trupin e të cilit vëreheshin shenja torture kurse personi tjetër serb ishte i gjallë por me probleme shëndetësore.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga mjekët që të vërtetojnë shkaktarin e vdekjes së serbit i cili kishte qenë i veshur me rroba të rojtarit të pyllit kurse serbi tjetër . Sipas tij, të dy ishin vëllezër dhe se ata ishin polic lokal serbtransmeton indeksonline.Dobruna ka thënë se kurrë s’e ka parë raportin mjekësor mbi shkaqet e vdekjes së tij por që në konsultim me Bislim Zyrapin të dy personat ia kanë dorëzuar OSBE-së kurse sa i përket trajtimit të të burgosurve dhe ankesave të tyre ai ka marrë si shembull kërkesën e Blerim Kuçit i cili aso kohe ishte i burgosur.

Sipas tij, Blerim Kuçi ka qenë i burgosur nën arsyetimin për dezertim, rastin e të cilit Dobruna ka thënë se e ka gjykuar vet dhe vendimi për këtë rast ka qenë me pushkatim.Ai ka thënë se ky vendim erdhi si pasojë e dezertimit të Kuçit e që për pasojë ka pasur shpërbërjen e një brigade të tërë të UÇK-së pasi që Blerim Kuçi ishte komandant brigade. Vendimi me pushkatim nuk u ekzekutua për shkak se ligjet e luftës asokohe nuk lejonin një gjë të tillë.“Petrit Ujmiri” ka treguar edhe për kërkesat që i kanë ardhur nga njerëz të ndryshëm partiak për ndryshimin e vendimit me pushkatim ndaj Kuçit, pasi që Kuçi ishte rikthyer në Luftën e Kosovës pas dezertimit nën petkun e FARK-ut por në uniformë të UÇK-së, mirëpo Dobruna ka thënë se nuk është ndikuar aspak nga këto kërkesa të njerëzve të ndryshëm.

Duke marrë parasysh se ligjet e luftës nuk lejonin zbatimin e vendimit me pushkatim ndaj Kuçit si rrethanë lehtësuese ndaj tij, Dobruna ka thënë ta kenë marrë një vendim që zotëri Kuçit t’ia formojnë një njësit ushtarak për ta dëshmuar veten ndaj luftës në Kosovë të cilën detyrë ai e ka kryer me përpikëri. Dobruna si rast të dytë ka përmendur emrin e Sherafedin Ahmetit i cili aso kohe ishte drejtor i të gjitha burgjeve në ish-Jugosllavi. Ai ka thënë se rasti i tij nuk ka shkuar për gjykim në duart e tij se po të shkonte pa dyshim se do ta dënonte pasi që ai njihej aso kohe për torturim të jashtëzakonshëm të shqiptarëve nëpër burgje.

Gjatë pjesës së parë të seancës prokuroi ka përfunduar parashtrimin e pyetjeve ndaj dëshmitarit Dobruna ndërsa në pjesën e dytë të seancës e cila pritet të vazhdoj në orën 14:15 pritet që avokatët mbrojtës ta marrin në pyetje dëshmitarin Dobruna.Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë,  në sallën e improvizuar në “Kinemanë ABC 1” sot ka filluar rigjykimi ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fatmir Limajt dhe nëntë bashkëluftëtarëve të tij, i njohur si rasti “Kleçka”. (I.O/LajmeShqip.com)

*******************************************************

Prishtinë – (E plotësuar ) Po vazhdon sot procesi gjyqësore kundër Fatmir Limajt dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij, të akuzuar për krime lufte, të njohur si rasti “Kleçka”.
Para trupit gjykues është duke dëshmuar, dëshmitari i mbrojtur, i identifikuar me shkronjën “A”, raporton KTV. Ai  nuk ka pranuar të jetë dëshmitar i prokurorisë. Megjithatë ka thënë se do t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorit.

Rigjykimi i këtij rasti ka nisur javën e kaluar dhe të akuzuarit në seancën e parë ishin deklaruar të pafajshëm.

 Për këto akuza Fatmir Limaj ishte shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës dhe nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, por ai u kthye në rigjykim nga Gjykata Supreme, e cila ka pranuar si prova materiale edhe dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari “X”, të cilat, në gjykimin e kaluar ishin shpallur si të papranueshme.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 18 April 2013 13:30

Prishtinë – (E plotësuar në orën 10:45) Ka nisur seanca e parë gjyqësore ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij për rastin “Kleçka”.

Gashi: Limaj do të dalë fitues

Avokati i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se përballja me dy proceset gjyqësore në të njëjtën kohë nuk do të jetë e vështirë për mbrojtjen e cila, sipas tij, mezi pret që edhe sot për rastin “Kleçka” të përballet me aktakuzën e prokurorit për ta dëshmuar edhe një herë pafajësinë e Fatmir Limajt.

Gashi ka thënë se pala mbrojtëse është përgatitur për këtë proces. “Pala mbrojtëse është e përgatitur ta mbrojë me dinjitet Fatmir Limajn. Konsideroj se nuk do të jetë punë e vështirë sepse bazamenti i mbrojtjes është aktgjykimi lirues i majit të vitit të kaluar, i cili është mbledhur nga gjyqtarët e EULEX-it. Kështu që, me prova të njëjta rezultati nuk do të jetë i ndryshëm, por do të jetë prapë lirues”, ka thënë Gashi.

Ai ka bërë me dije se pala mbrojtëse është e njoftuar se ky proces do të zgjasë disa muaj. Ai ka thënë se nuk kanë ndonjë datë të saktë të përfundimit të këtij procesi për faktin se nuk do të dihet se si do të shtjellohen ngjarjet në gjykatë.

“Jemi të njoftuar se procesi do të zgjasë përafërsisht disa muaj, por këtu nuk ka asgjë definitive sepse varet prej ngjarjeve që do të shtjellohen në gjykatë”, është shprehur Gashi. Ai ka bërë me dije se pikënisja e palës mbrojtëse është gjykimi lirues për Fatmir Limajn.

“Mendojmë se mbrojtja nuk do ta ketë shumë vështirë ta dokumentojë prapë pafajësinë e Fatmir Limajt”, ka thënë Gashi.

Sot nis procesi gjyqësor për rastin “Kleçka”

Ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, sot fillon procesi gjyqësor për rastin “Kleçka”.

Bëhet e ditur se tashmë në Prishtinë ka mbërritur avokati i njohur për kosovarët, Karim Kan. Ai sot do ta mbrojë deputetin Fatmir Limaj.

Seanca e parë gjyqësore do të nisë në orën 10:00, në kinemanë ”ABC” në Prishtinë.

Gjykata e EULEX-it e ngarkon Limajn për krime lufte, të supozuara të kenë ndodhur në fshatin Kleçkë të Lipjanit.(LajmeShqip.com)