Lajme Shqip Wednesday, 26 March 2014 13:50

Deputeti Fatmir Limaj dhe katër të tjerë kanë dalë sërish sot në para gjykatësve, të akuzuar për veprën penale të korrupsionit. Ish-ministri Limaj ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se ndaj tij nuk është gjetur asnjë provë konkrete për pretendimet se gjatë kohës që ai ishte në krye të Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, ai i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm të madh.

 
“Prokurori nuk ka arritur të paraqes asnjë provë për pretendimet e tij, as për vlerën që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës. Pretendimet e tij (Prokurori i EULEX) bazohen në paragjykime, gjëra abstrakte dhe spekulime”, ka thënë Limaj.
 
PROKURORIA, LIMAJ DHE TË  TJERËT GRUP KRIMINAL
Ish-ministri Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, ish-shef i Prokurimit në Ministrinë e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (e ndryshuar) dhe shef aktual në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Shpëtim Telaku truprojë i Limajt, janë cilësuar nga Prokuroria si anëtarë të një grupi kriminal të organizuar që ka vepruar nga viti 2008 deri në 2012-ën.
 
“Limaj, figurë politike me shumë ndikim, ka qenë udhëheqës i grupit kriminal”, ka thënë prokurori Johannes Picket.
 
Limaj, Krasnkqi e Teleaku, përvç krimit të organizuar, ballafaqohen edhe me akuzat “përvetësim gjatë detyrës zyrtare’, ‘lidhje e kontratës së dëmshme’, ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit’.

Ndërkaq, Beqir Deda pronar i kompanisë ndërtuese “Burimi” dhe Ali Aliu që sipas aktakuzës ka shërbyer si ndërmjetës për MTPT dhe kompanitë, dyshohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.
 
Dyshimet e Prokurorisë janë për keqpërdorime me të paktën dy tendera.

“Qëllimi i grupit kriminal ka qenë përfitimi personal duke siguruar që tenderët për mirëmbajtje dhe ndërtim rrugësh t’iu jepen kompanive në bazë të preferencave politike dhe atyre që jepnin ryshfet”, ka thënë prokurori i EULEX-it, Johannes Picket.

 
Lajme Shqip Monday, 10 March 2014 11:59

Kryetari i Nismës për Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë sekjo nismë pavarësisht se ka një kohë të shkurtë që është themeluar është e gatshme për zgjedhjet parlamentare. Ai ka treguar se ka interesim të madh të qytetarëve, për t’iu bashkuar Nismës.

Limaj ka thënë se Nisma për Kosovën synon elektoratin e të gjitha partive politike. Po ashtu, ka treguar se kanë shprehur interesim për t’ju bashkuar Nismës mbi dhjetë deputetë të partive të ndryshme, shkruan Epoka e Re.

Limaj ka thënë se Nisma për Kosovës do të hyjë në zgjedhje për të marrë besimin e qytetarëve, pastaj do ta nxjerrë kandidatin për kryeministër.

E kur është pyetur rreth mundësisë së një koalicioni me PDK-në pas zgjedhjeve, ai ka thënë se Nisma, koalicionet do t’i bëjë mbi bazën e parimeve dhe vlerave të saj./Epoka e Re/

 

 
Lajme Shqip Thursday, 27 February 2014 12:11

Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi do të zyrtarizojnë partinë e re të premtën, në orën 17. Sipas burimeve të LajmeShqip, Limaj dhe Krasniqi janë përcaktuar që partia të ketë emrin “Nisma Qytetare për Kosovën”.

Në një ftesë që e ka siguruar LajmeShqip, në lidhje me ceremoninë e neserme, bëhet e ditur se takimi do të mbahet në Sallën e Kuqe në Prishtinë.

Aty do të marrin pjesë edhe ata emra të jetës politike të cilët pritet ti bashkohen subjektit më të ri politik nën udhëheqjen e Limajt dhe Krasniqit.

Gjithashtu bëhet e ditur se aty do të bëhen të ditura edhe objektivat e këtij subjekti politik. /Lajmeshqip/

 
Lajme Shqip Saturday, 22 February 2014 22:06

Dhënia e një tenderi fitimprurës për mirëmbajtjen e rrugëve dhe një për ndërtimin e rrugëve, kompanive në bazë të pikëpamjeve politike dhe atyre që paguanin para të gatshme, ishte cak i grupit të organizuar kriminal. Kështu thuhet në aktakuzën e dytë të ngritur nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale kundër Fatmir Limajt dhe katër të tjerëve në rastin e njohur si MTPT, raporton KTV. Kohavisioni ka siguruar një kopje të aktakuzës ku të përfshirë janë edhe dy pronarë kompanish e që së bashku akuzohen se i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, 890 mijë euro.

I quajtur si “daja”, “bossi” dhe “shefi” nga bashkëpunëtorët e tij, Fatmir Limaj, ka pasur fuqi vendimmarrëse mbi grupin e organizuar kriminal, thuhet në aktakuzën e re të ngritur ndaj ish-ministrit të Transportit, Limaj, ish-shefit të Prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi, truprojës së Limajt, Shpëtim Telakut, Ali Aliut dhe Beqir Dedajt.

Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi dhe Shpëtim Telaku, akuzohen për krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, lidhje të kontratës së dëmshme, keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, si dhe marrje të ryshfetit, raporton KTV.

Ndërsa, për Ali Aliun dhe Beqir Dedën, pronarë të kompanive për shtrimin e rrugëve, rëndon akuza për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.

Në aktakuzë përmendet biseda telefonike mes Shpëtim Telakut dhe Ali Aliut.

Ky i fundit i kishte thënë truprojës së Limajt që Fatmir Limaj ka obligim moral që t’ia japë tenderin atij, sepse ai kishte mbledhur 12 mijë euro për “avokatët nga Haga” të Fatmir Limajt, kur ai ishte i akuzuar.

Sipas aktakuzë së re, që e ka siguruar Kohavisioni, Limaj dhe katër të akuzuarit tjerë dyshohen se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm prej së paku 890.000 eurosh.

Sipas prokurorit gjerman të EULEX-it, Johannes Pickert, veprat penale për të cilat dyshohen të akuzuarit, janë kryer në vitin 2008.

Në aktakuzë thuhet se cak i grupit të organizuar kriminal ishte dhënia e një tenderi fitimprurës për mirëmbajtjen e rrugëve dhe një për ndërtimin e rrugëve, kompanive në bazë të pikëpamjeve politike dhe atyre që paguanin para të gatshme.

Veprat dyshohet se janë kryer me nënshkrimin e kontratave me dy firma, “Ekskavatori” dhe “Burimi”.

Limaj dhe bashkëpunëtorët e tij, u morën në pyetje në mars të vitit të kaluar. Provat që përbëjnë boshtin e kësaj aktakuze, burojnë nga thirrjet telefonike të përgjuara, të cilat janë marrë në mënyrë të ligjshme.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 February 2014 19:05

Sot, një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër ish-Ministrit të Transportit dhe të Postë-Telekomunikacionit dhe katër personave të tjerë të bashkë-akuzuar për vepra të ndryshme penale përfshirë –krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitës dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin.

Prokurori pretendon se tre të pandehur kanë manipuluar me procedurat e tenderit, janë marrë me dhënie dhe marrje të mitës dhe me pengim të provuarit në lidhje me administrimin e dy tenderëve në kompetencë të Ministrisë së Transportit. Këta të pandehur pretendohet se i kanë kryer këto vepra për përfitim material personal. Dy të pandehur pretendohet se janë angazhuar në keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike, si edhe në veprën penale të dhënies së mitës. Sipas prokurorit, këto vepra ndodhën më 2008 kur njëri prej të pandehurve punonte si Ministër i Transportit.

Prokurori pretendon se buxheti i Ministrisë së Transportit është dëmtuar për së paku 890.000 euro.

Ky hetim i përbashkët është kryer nga Departamenti Kundër Korrupsionit i Policisë së Kosovës dhe nga Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar (NJHKO) dhe është udhëhequr nga një prokuror ndërkombëtar nga PSRK. /Tribuna/

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 February 2014 12:39

Partitë opozitare nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me subjektin politik, të cilin shumë shpejt pritet të deklarojë ish nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka deklaruar se partia e tij është e hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike, duke sqaruar se këtu nuk bën përjashtim as partia të cilën pritet ta formojë ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj.

Ai tha se AAK-ja çdo herë ka pasur raporte korrekte me Fatmir Limajn dhe pret që të tilla të mbesin këto raporte edhe në të ardhmen.

“Nuk dua të jap vlerësime se a ka nevojë ose jo skena politika për formacione të reja, sepse është e drejtë e gjithsecilit të formojë parti politike dhe të kandidojë për tu përfaqësuar nëpër institucionet e vendit”, ka thënë Isufi për Telegrafin.

Ndërsa, Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Telegrafin se VV-ja nuk ka problem me emrat, sepse bashkëpunimin me partitë politike e bën mbi baza të programit qeverisës dhe besimit të ndërsjellë.

“Ne tash e kemi bërë të qartë që këto kushte vlejnë për të gjitha subjektet politike dhe për asnjërën nuk ka ndonjë privilegj”, ka thënë Vraniqi për Telegrafin.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me formacioni politik, të cilin pritet të dal ish nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj.   

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 14:07

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj dhe njëri ndër themeluesit e kësaj partie, mbrëmë gjatë emisionit “Debat” në RTK, e ka bërë të qartë largimin e tij nga PDK.

Limaj gjatë këtij emisioni gjithashtu ka thënë se ai ka vendosur që të formojë një subjekt të ri politik së bashku me kryeparlamentarin e Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Falënderoj të gjithë ata që ndërtuam bashkë PDK-në. Falënderoj të gjithë simpatizantët e devotshëm të Partisë Demokratike të Kosovës. Ne nuk kishim rrugë tjetër. Kemi vendosur të vijmë më një ofertë të re. Shumë shpejt do të dalim me një subjekt të ri politik”, ka thënë Limaj.

Gjatë këtij emisioni, Limaj ka folur edhe për cështje të ndryshme si për Kongresin e fundit të PDK-së, duke thënë se “ai ishte kulmi” dhe “ishte një kthesë në PDK”.

Limaj e ka quajtur Kongresin e fundit të PDK-së “një njollë e zezë” për këtë parti.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë personale me kryeministrin Hashim Thaci, porse ka ardhur momenti që rrugët të ndahen.  /Lajmeshqip/

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 January 2014 11:30

“Koha Ditore” merr vesh se hetime te reja janë duke u zhvilluar kundër Fatmir Limajt, për vepra korrupsioni. Dyshohet se në cilësinë e ministrit të Transportit dhe të Telekomunikacionit ka keqpërdorur detyrën zyrtare në tre tenderë rrugësh në rajonin e Ferizajt.

Limaj, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, dyshohet për shumë vepra penale, duke i përfshirë krimin e organizuar dhe marrjen e ryshfetit. 

“Mund të konfirmojmë se hetimet kanë të bëjnë me tre tenderë të ndërtimit të rrugëve, mirëpo nuk mund të japim më shumë detaje”, ka thënë EULEX-i në një përgjigje me shkrim për gazetën.

Janë edhe dy procese ose hetime të tjera që po zhvillohen kundër Limajt e të tjerëve, rikujton gazeta

 
Lajme Shqip Monday, 30 December 2014 12:09

Prishtinë- Deputeti Fatmir Limaj ka thënë se Kosova gjatë vitit 2013 në aspektin e përgjithshëm është ballafaquar me sfida si në planin social, politik dhe atë ekonomik.Ai ka thënë se në zgjedhjet lokale qytetarët me votën e tyre shprehën pakënaqësinë me gjendjen aktuale në Kosovë. 

Limaj ka thënë se nuk është i kënaqur me jetën parlamentare në Republikën e Kosovës për faktin se partitë politike nuk kanë qenë shumë aktive. Ai ka shtuar se do ta vazhdojë aktivitetin e tij politik, duke paralajmëruar se mund ndodhin ndryshime pozitive në 2014-n. 

Në intervistën e parë për mediet e shkruara dhënë gazetës “Epoka e re”, Limaj ka thënë se qeverisja aktuale më shumë ka shpenzuar energji me dialogun në Bruksel. Ai ka thënë se që në fillim ka qenë skeptik në kabinetin qeverisës të Thaçit. 

Limaj ka folur edhe për procesin e tij gjyqësor në rastin “Kleçka”. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 December 2013 14:57

Jakup Krasniqi bashkë me Fatmir Limajn janë në finalizimin e të gjitha detajeve rreth partisë së tyre të re. Ata përfundimisht nuk i kthehen Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe nuk i bashkëngjiten asnjë partie tjetër politike në vend. Të dy këta ish-figura të larta të partisë më të madhe në vend, brenda pak javësh do të dalin me partinë e tyre të re.

Kësaj partie pritet t’i bashkëngjiten edhe figura tjera politike themeluese të hershme të PDK-së. Zyrtarisht Krasniqi nuk jep detaje, por konfirmon se viti i ri do t’i presë me partinë e tyre. “Tashmë e kemi bërë të qartë se nuk kthehemi në PDK dhe as nuk i afrohemi LDK-së apo partive të tjera”, ka thënë për gazetën”Zëri”, Jakup Krasniqi.

Ai ka paralajmëruar se brenda pak javësh do të dalin me partinë e tyre të re, për të cilën nuk jep detaje as për emrin e as për të tjera detaje rreth partisë. Ndërkohë që burime të gazetës të afërta me Limajn, kanë treguar se tashmë jozyrtarisht kësaj partie i janë afruar edhe disa emra të tjerë të PDK-së të pakënaqur me partinë të cilën vet e kanë themeluar.

“Shumë shpejt do të mësoni edhe emra të tjerë nga PDK-së të cilët përkrahin Krasniqin dhe Limajn”, ka thënë burimi i gazetës.

Analistët politikë tashmë e shohin përfundimisht partinë më të madhe në pushtet drejt ndarjes pa kthim. Sipas tyre, tashmë vetëm duhet pritur se kush janë ata të “revoltuarit” e që do të largohen nga PDK-ja.