12
 
Lajme Shqip Saturday, 16 February 2013 19:37

TIRANE- Ministri i Drejtesise, Eduard Halimi ka deklaruar sot se do te merren masa te ashpra per te nderprere inkurajimin e fenomentit te gjakmarrjes, duke parashikuar denime te renda.

“Une gjykoj se nje person i cili vret duke perdorur institutin e gjakmarrjes nuk duhet te denohet me pak se 40 vjet deri ne burgim te perjetshem. E gjithe shoqeria duhet te reagoje per ta nderprere kete fenomen, por ligji duhet te jete i ashper ndaj atyre qe mendojne ta perdorin kete mekanizem, gjakmarrjen per te vazhduar ritin me trondites ne Europe”- shkruan Halimi ne faqen e tij zyrtare ne FB.

Sipas tij, kjo do te jete paketa me e ashper ndaj krimit urban, ne keto 20 vjet, duke synuar reduktimin e ketyre fenomeneve tronditese.

Shenimi eshte bere ne pergjigje te nje miku te tij ne FB qe e pyeste per zgjidhjen sesi do te mund te votonin ata persona qe ishin te ngujuar per shkak te gjakmarrjes.

“Gjakmarrja, ky fenomen unikal ne Europe, eshte sjellja me absurde ne nje shoqeri te civilizuar. Kam qene gati femije, kur kam lexuar “Prillin e thyer” te Kadarese, dhe jam perlotur por dhe aq tronditur me historine e Gjorgut. Dhe sa te tjere si Gjorgu duhet te jene te perfshire ne historine e nje tradite te pakuptimte dhe ne mungese totalisht te sundimit te ligjit dhe shtetit”- shkruan Halimi.

Sipas tij,  historia e lindjes se saj, eshte e lidhur ngushte sa me mungesen e rregullave dhe shtetit dhe ligjit aq me ata qe e inkurajonin ate. Madje nese nuk kryeje gjakmarrjen te gjithe te percmonin, ashtu si Gjorgun, tek i sherbenin kafen nen dore.

“Inkuarajimi i ketij fenomeni makaber edhe nga vete shoqeria, solli nje situate absurde ne kete vend. Tashme eshte koha te presim me gersheret e ligjit kete fenomen, te nderpresim inkurajimin, dhe per me teper te ndershkojme ashper ata qe perdorin institutin e gjakmarrjes per te  marre jete te tjera njerezish”- shkruan ai.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 11:01

Tiranë – Nisur nga statistikat shqetësuese të fenomenit të gjakmarrjes javëve të fundit, Avokati i Popullit i ka nisur një letër rekomanduese Këshillit të Ministrave për “marrjen e masave të menjëhershme në zbatim të nenit 7 të ligjit nr. 9389, datë 04.05.2005 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes” për përgatitjen dhe nxjerrjen nga Këshilli i Ministrave të akteve nënligjore të parashikuara në nenet 4, 5 dhe 6 të këtij ligji.

Në një njoftim të Avokatit të Popullit thuhet se ligji në fjalë është miratuar në vitin 2005, me qëllim marrjen e masave për parandalimin e fenomenit të gjakmarrjes. Por, në bazë të informacionit që Avokati i Popullit ka marrë nga Këshilli i Ministrave, rezulton se nga miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit, nga drejtuesi i Këshillit Koordinues nuk është marrë asnjë iniciativë për organizimin dhe mbledhjen e këshillit, i cili ndër të tjera, përcakton detyrat dhe masat konkrete për organet ekzekutive e ato të pushtetit vendor.

Sipas AP-së, ky ligj ka si qëllim të organizojë dhe të koordinojë më mirë masat dhe luftën e organeve shtetërore, institucioneve të tjera shoqërore, shkencore, fetare etj., si dhe të përcaktojë një strategji afatgjate për parandalimin dhe eliminimin e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri.

Ligji parashikon edhe nxjerrjen e akteve nënligjore, dhe sipas AP-së, nxjerrja e këtyre akteve nënligjore do të krijonte mundësinë që ligji të vihej në zbatim.

Vetëm pak ditë më parë, kryeministri i vendit, Sali Berisha propozoi ndryshime ligjore sa i përket fenomenit të gjakmarrjes, duke kërkuar që për ata që vrasin për gjakmarrje, vrasin apo plagosin një punonjës policie, të parashikohet dënimi maksimal me burgim të përjetshëm.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 September 2012 19:48

Shkodër – Shtimi i numrit të vrasjeve dhe përmasat që ka marrë fenomeni i gjakmarrjes  kanë nxitur tre ipeshkvijtë e zonës Veriore të Shqipërisë që të publikojnë, gjatë mbrëmjes së kaluar, dekretin e tyre kishtar, përmes të cilit ata shkishërojnë të gjithë autorët e vrasjeve dhe përkrahësit e tyre. Është ky dekreti i parë i këtij lloji që ipeshkvijtë shqiptarë firmosin gjatë 22 viteve të rifitimit të lirive fetare në Shqipëri. Sipas ipeshkvit të Sapës, monsinjor Luçiano Avgustinit, kjo masë është marrë për të mbrojtur besimtarët.
 
Bashkëndajmë me ju shqetësimin e madh dhe dhimbjen atërore që na kanë nxitur të shpallim dekretin për ndëshkimet kanonike të parapara në raste vrasjeje. Jemi me të vërtetë të shqetësuar për numrin e madh të vrasjeve dhe të akteve kriminale që janë duke ndodhur në këtë vit 2012.
 
Dekreti u lexua nga Kryetari i Konferencës Ipeshvore të Shqipërisë, Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Engjëll Masafra.
 
Me qëllim që të arrihet pendimi i vrasësve dhe zbutja e zemrave të të gjithë njerëzve, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin, ne dekretojmë: se “kushdo që bën një vrasje ose bashkëpunon që ajo të bëhet, ose ndihmon në mënyrë të qëllimshme që ajo të ndodhë, në baze të nenit 1331 të Kodit të së Drejtës Kanunore ndëshkohet me shkishërim.”
 
Dekreti parashikon që autorët e vrasjeve nuk mund të marrin pjesë në kremtimet dhe sakramentet e kishës si dhe në varrimet e krishtera në varrezat katolike.
 
Për docentin e Institutit Filozofik dhe Teologjik, dom Nikë Ukgjinin, dekreti i tre ipeshkvijve katolike synon jo ndëshkimin, por kthimin në rrugën e besimit. Ai shton se dekreti mund të shoqërohet me masa të tjera, që synojnë parandalimin e krimit .
 
Në kuadër të këtij aksioni të marrë nga tre ipeshvijtë kërkohet të krijohet edhe Këshilli i Meshtarëve për parandalimin dhe faljen e gjaqeve. Unë kam propozuar, që dy vìte më pare, që të krijohet ky Këshillë, ku të marrin pjesë edhe klerikë të besimit muslimanë, për të qenë një veprimtari e vazhdueshme që të parandalohen këto fenomene, siç janë vrasja apo gjakmarrja.
 
Dekreti i tre ipeshkvijve të Shqipërisë po gjen jehonë mes besimtareve dhe shoqatave që merren me problemet e gjakmarrjes. Drejtuesi i Fondacionit Drejtesi e Paqe, Luigj Mila, thotë se për parandalimin e krimit dhe gjakmarrjes duhet të punojnë bashkërisht të gjithë strukturat e shtetiti shqiptar.
 
Krahas këtij dekreti, që ka të bëjë me shkishërimin e përkohshëm të atyre që kryejnë krime, ne duhet të punojmë fuqishëm; strukturat fetare, shkollat, familjet, sidomos shteti shqiptar, strukturat e drejtësisë, që të përpiqemi ta zgjidhim problemin, jo me forcë, por me edukim
 
Vitet e fundit, në Shqipëri është rritur mjaft numri i konflikteve brenda familjes dhe për motive të pronësisë, konflikte këto që, në më të shumtën e rasteve, kanë përfunduar në mënyrë të dhunshme.
Vetëm gjatë këtij viti, në Qarkun e Shkodrës janë kryer 13 vrasje me 17 viktima, pjesa më e madhe e të cilave për motive të gjakmarrjes. (VOA)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 September 2012 16:14

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha propozoi sot, gjatë mbledhjes së qeverisë, që të dërgohet në Kuvend për miratim ligji që të përcaktojë dënim përjetë ndaj çdo atentatori apo vrasësi të efektivave të policisë.

Duke iu referuar ngjarjes së vrasjes së Kryekomisarit Adem Tahiraj në krye të detyrës, Kryeministri theksoi se, “ky ndryshim është i domosdoshëm dhe besoj dhe shpresoj se opozita do ta votojë atë”.

“Të ngresh dorë kundër dhe të ekzekutosh një njeri që po kontrollon, që po bën detyrën, meriton ndëshkimin më maksimal. Ne nuk kemi ndëshkim kapital, por kemi ndëshkim përjetë. Ky nen duhet të dërgohet sa më parë në Kuvend dhe kjo është dhe mbështetja e madhe që policia e shtetit meriton”, tha Berisha.

Kryeministri gjithashtu përsëriti akuzën e tij ndaj ish-Presidentit Bamir Topi dhe ish-kreut të KLD-së Kreshnik Spahiu. “Vrasësi i komisarit rezulton se ishte liruar me kërkesë të Kreshnikut të KLD-së, të Topit dhe faqeziut të tij. Pse e liroi? I duhej për të mbajtur banditët. Ndaj dhe vinin gjykatësit në presion, ose i shpërblenin me emërime.

Kam besim të plotë tek drejtësia, ndiqeni këtë rast, mos u përbaltni, prokurori ka qëndruar, ka treguar ndërgjegje personale dhe nuk ka kërkuar eskortë, ka patur ligjin si mburojë, por hanxharët e KLD-së urdhëruan moszbardhjen e vendimit. Janë tre fëmijë që humbën babain e tyre, efektivat komisarin më të ndeshëm, më të vendosur, sepse bajlozët e krimit në pushtet duhet të rekrutonin veasësin. Por unë ju them se beteja me krimin është e pashmangshme”, tha Kryeministri Berisha.

E dyta ka të bëjë me ndryshimin e nenit që penalizon hakmarrjen dhe gjakmarrjen si krim që duhet dënuar vetëm me burgim të përjetshëm. Aktualisht, Kodi Penal, i ndryshuar ne vitin 2007 me nismen e shoqerise civile, e perfaqesuar nga Forumi per Mendimin e Lire, parashikon denim alternativ jo me pak se 20 vjet burg ose burgim te perjeteshem, si dhe 3 milionë lekë gjobë.

Por duke u nisur edhe nga vrasja per gjakmarrje e nje adoleshenteje ne Dukagjin, pak jave me parë, Kryeministri Berisha kerkoi penalizim maksimal dhe taksativ per krimin e hakmarrjes dhe gjakmarrjes.

“Vrasja per hakmarrje duhet te marre ndeshkimin maksimal. Prita qe vrau vajzen ne Dukagjin ishte prite ndaj nje shoqerie te lire. Une besoj se edhe ne kete rast, si vend na takon te kemi nje denim me te vecante se te tjeret.  Shpresoj qe edhe opozita ta pranoje dhe ta votoje. Nuk shkohet perpara me kete trashegimi thellesisht negative”, tha Berisha.

Por ka edhe nje aspekt tjeter, qe, megjithese ligji ekziston dhe eshte i rrepte, nuk duket se zbatohet nga organet pergjegjese. Kanosja per hakmarrje dhe gjakmarrje ose nxitja e ketyre veprave penale denohet me burgim, por, deri tani, megjithese ligji eshte ashpersuar, nuk ka asnje statististike per zbatimin e tij, edhe pse nje studim i Forumit per Mendimin e Lire ka faktuar se, kryesisht ne rrethin e Shkodrës, janë te ngujuar me dhjetëra familje per shkak te frikes nga gjakmarrja. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 14:29

SHKODER – Mitropolia Katolike e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës ka marrë një vendim të rëndësishëm, me qëllim frenimin e fenomenit të gjakmarrjes. 

Nëpërmjet një deklarate për mediat, e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës shpalli dekretin, i cili çkishëron të gjithë katolikët shqiptarë që kryejnë vrasje në emer të gjakmarrjes. Vendimi ekstrem i kishës katolike synon që të ulë tensionet dhe të minimizojë vrasjet, të cilat në zonën veriore po marrin dita ditës jetë njerëzore. 

Fenomeni i gjakmarrjes cdo ditë dhe me i thekusar në Shqipëri sidomos në veri. Familje të tëra të ngujuara, fëmijë të pashkolluar, femra që bëjnë rolin e femrës dhe të burrit për të mbijetuar, sy të përlotur, klithma, vuajtje, dëshpërim, njerëz të pa shprese, janë pasoja të gangrenës së gjakmarrjes. 

Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit gjatë këtij viti 1621 fëmijë kanë braktisur bankat e shkollës. Pjesa më e madhe e nxënësve që braktisin shkollën janë meshkuj, ndërsa vajza janë vetëm 253. Sipas institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar”, rreth 700 familje shqiptare vuajnë nga fenomeni i gjakmarrjes. 

Rasti më ekstrem i vrasjes për gjakmarrjes në Shkodër është ai i vrasjes së 17 vjecares Marie Cuku dhe gjyshit të saj, Kolë Cuku 70-vjec, të cilët u ekzekutuan vetëm se dolën për të punuar tokën disa metra larg banesës së tyre ku ato ishin ngujuar.

Si një traditë e trashëguar nga drejtësia primitive, fenomeni i gjakmarrjes ne dy dekadat e fundit ka dëshmuar rast pas rasti e ne tërësi edhe defekte te luftës kundër kriminalitetit dhe mosbesimin qe ka komuniteti ndaj policisë dhe drejtësisë. Vitet ’90 si vite me kriminalitet te larte dhe ne rritje u shoqëruan me një numër të madh vrasjesh në emër të vetegjyqsisë dhe anarkisë. Jo pak raste të vrasjes për gjakmarrje u riaktivizuan pas disa vendimeve gjyqësore, me masa dënimi minimale ndaj autorëve, që kishin kryer krime të rënda. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 30 July 2012 16:51

Mitrovicë – Vëllezërit Mikel e Simon Kuzhnini, veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, kanë prezantuar në Mitrovicë projektin “Stop vëllavrasjes, jo hakmarrje”, bëhet e ditur në një njoftim të lëshuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës.

Përzgjedhja e Mitrovicës për nisjen e një projekti kombëtar të Lidhjes Shqiptare në Botë (LSHB) thuhet se është bërë me qëllim simbolik për rrethanat në të cilat ndodhet qyteti.

Vëllezërit Kuzhnini, janë shprehur të bindur në suksesin e këtij projekti, për çka kërkuan edhe mbështetjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Është një plagë që e ka lënduar kombin tonë, për çka ne duhet të angazhohemi dhe ta stopojmë një herë e përgjithmonë”, tha Mikel Kuzhnini, njëri prej dy vëllezërve të njohur nga Prizreni, të cilët janë bërë të njohur me veprimtarinë e tyre kombëtare në Kroaci ku jetojnë dhe punojnë që shumë vite.

Ndërsa vëllai tjetër, Simoni, sqaroi se ideja është që në secilën komunë të Kosovës të përzgjidhen nga pesë, ndërsa në Shqipëri nga dy personalitete prej çdo bashkie, që gëzojnë autoritet në popull, të cilët do të përfshihen në Këshillin kombëtar që do të formohet për këtë qëllim.

“Ende është duke u punuar në përpunimin detajeve, mirëpo qysh tani kemi një përkrahje të madhe për këtë projekt, që do ta ndihmojë kombin shqiptar që sa më parë të zë vendin e duhur krahas popujve të qytetëruar të perëndimit”, ka thënë Kuzhnini. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 15:00

Tiranë – Filmi “Falja e gjakut”, që prej datës 24 shkurt do të fillojë produksionin e tij në kinematë amerikane, duke çuar kështu një copë nga tradita e gjakmarrjes në Shqipëri. Festivali “Sundance Selects” ka marrë përsipër shpërndarjen e filmit në 40 kinema amerikane në Los Angeles, Texas, Florida e Çikago, ndërkohë që premiera do të jetë në New York.

Grupi i aktorëve nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria do të udhëtojnë për në kryeqytetin e botës në premierën që do të shfaqet atje.

Filmi, një produksion shqiptaro-amerikan, me regji të Joshua Marston, me skenar të tijin dhe të Andamion Murataj, trajton historinë e një vrasjeje pas grindjes për një tokë dhe që çon në ngujimin e një familjeje. Ky zakon i vjetër që e detyron Nikun 17-vjeçar të ngujohet në shtëpi bashkë me meshkujt e tjerë të familjes, papritur ia përmbys të ardhmen atij.

Rrëfimi i familjes shqiptare, që izolohet për shkak të gjakmarrjes, ka shëtitur pak kohë më parë edhe në Hollandë. “Falja e Gjakut” është vlerësuar me “Ariun  e Argjendtë” në Berlin, Çmimin Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hamptons të New York-ut, për skenarin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Çikago, etj.

Pas filmit “Amnistia” të Bujar Alimanit ky është një tjetër histori shqiptare që projektohet në kinematë amerikane. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 15 October 2011 15:38

Tiranë – Filmi “Falja e Gjakut”, ka tërhequr një tjetër trofe për realizmin e tij artistik. Pas çmimit për skenarit në Berlinale, fiton një tjetër çmim për skenarin më të mirë në Festivalin Ndërkombetar të Filmit në Çikago.

Në lidhje me këtë çmim, skenaristi Andamion Murataj është shprehur i nderuar të tërheq nga Festivali i Çikagos një çmim për skenarin. “Ka qënë rrugë e gjatë për të arritur deri ketu. Sot filmi shqiptar po kalon fazën e integrimeve të thella dhe filmat, më shumë se kurrë realizohen si bashkëpunime me kineastë që vijnë nga kultura të ndryshme, megjithëse gjuhët që flasim janë të ndryshme, emocionet mbeten të njëjtat”, është shprehur Murataj.

“Falja e Gjakut”, trajton historinë e një vrasjeje pas grindjes për një tokë dhe që çon në ngujimin e një familjeje. Ky zakon i vjetër që e detyron Nikut 17-vjeçar të ngujohet në shtëpi bashkë me meshkujt e tjerë të familjes, papritur ia përmbys të ardhmen atij. Ky film është një bashkëprodhim i shtëpisë filmike shqiptare “Lissus Media” dhe asaj amerikane “Dean Street Production”.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Çikago është një ndër festivalet më të rëndësishme dhe më i gjati festival konkurues në Amerikë. Festivali ka filluar në vitin 1964 si një alternativë ndaj kinemase komerciale. Tashmë në vitin e tij të 47-të, ky festival është një nga eventet më të njohura të kinemasë botërore kushtuar diversitetit kulturor.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 October 2011 13:12

Përzgjedhja shqiptare për në garën e Oskarve në kategorinë e filmit të huaj, “Falja e gjakut” me regji të Joshua Marston u skualifikua, pasi Akademia vendosi se ai nuk ka mjaftueshëm pjesëmarrje lokale.

Filmi i Marston, i cili zhvillohet në vendin ballkanik me një kast të gjerë aktorësh dhe krijuesish lokalë, flet mbi qëndrimin modern ndaj traditës së vjetër të gjakmarrjes.

Fitues i Ariut të Argjendtë në Berlinale për skenarin më të mirë, i shkruar në bashkëpunim me një shqiptar dhe me dialogët të gjithë në shqip, filmi u përzgjodh në shtator si kandidat nga Komiteti Shqiptar i Oskarit, sipas të cilit filmi i përmbushte kriteret e Academy Award.

Por pasi regjisori i “Amnistisë”, një ndër tre filmat e tjerë lokalë që nuk arriti të kualifikohet, u ankua, Akademia rishqyrtoi çështjen dhe javën e shkuar vendosi të skualifikojë “Faljen e gjakut”.

Bujar Alimani i kishte shkruar një ankesë zyrtare Qendrës Kombëtare Kinematografike, duke i kërkuar që filmi i Marstonit të skualifikohej, meqë ai ishte më së shumti një produksion amerikan.

Kjo duket të ketë gjetur mbështetje në Los Angeles, ku një komitet i Academy Awards ka rishqyrtuar vendimin dhe skualifikoi filmin e Marstonit me arsyen se thyente kriterin mbi ekipin krijues lokal.

Në mbledhjen e zhvilluar në Tiranë ditën e premte, selektuesit shqiptarë të Oskarit, të cilët më parë kishin përzgjedhur filmin e Marstonit, zhvilluan një tjetër votim dhe “Amnistia” u përzgjodh zyrtarisht si kandidati shqiptar për kategorinë e filmit të huaj.

Komiteti përzgjedhës përbëhej nga profesionistët e fushës Esat Musliu, Bujar Lako, Durim Neziri dhe Agron Tufa, ndërsa mungonte shkrimtari Teodor Laço.

“Njëri prej anëtarëve të bordit, i cili më së shumti është shprehur për “Faljen e gjakut”, shkrimtari Teodor Laço, nuk mori pjesë në mbledhje për arsye personale”, u shprehën për “Variety” burime nga Tirana.

Vendimi i marrw në L.A për të rrëzuar kandidimin e mëparshëm, nuk u prit mirë nga një palë në Tiranë.

Kryetari i QKK-së, Artan Minarolli, u shpreh për “Variety”: “Bordi në Shqipëri votoi “Forgiveness of Blood” për disa arsye (të veçanta). Më të rëndësishmet janë: Filmi është 100% në gjuhën shqipe. Historia, por edhe mbështetja e Shqipërisë në këtë film, janë të forta.

Producenti është shqiptar dhe një nga më të mëdhenjtë këtu. Ai dhe regjisori shpenzuan një kohë të gjatë në Shqipëri përpara xhirimeve dhe e zhvilluan skenarin dhe projektin në marrëdhënie të ngushta me teknikë e njerëz të thjeshtë shqiptarë”.

Minarolli shton se u përpoq t’i shpjegojë komitetit të Academy Awards në Los Angeles se, meqenëse Shqipëria ka një industri të vogël filmi, është i paevitueshëm bashkëpunimi me profesionistë të huaj dhe të gjithë filmat lokalë përfshijnë pjesëmarrjen e bashkëpunëtorëve të huaj.

“Është një kinema kozmopolitane, e cila po përpiqet të mbijetojë mes shkëmbimeve kulturore. Në të shkuarën, Shqipëria ishte tërësisht e izoluar; sot ne përpiqemi të gjejmë realitetin në kinema dhe të kapim kohën që humbëm për rreth 50 vjet. Akademia duhet ta kuptojë këtë”.

Por gjithsesi, Alimani, regjisori i “Amnistisë” e mirëpriti vendimin. Ai u shpreh për “Variety” se “Vendimi i parë u mor në kundërshtim me rregullat e vetë Akademisë.

Protesta ime nuk ishte për qëllime vetjake, por sepse unë e ndiej se Shqipëria ka kineastë që mund ta prezantojnë në nivele botërore. Përzgjedhja e filmit tim “Amnistia”, si kandidati zyrtar shqiptar, u jep shpresë kineastëve të rinj në Shqipëri dhe nderon punën e gjithë stafit tim”.

Marston, i cili mësoi shqip ndërsa realizonte “The Forgiveness of Blood”, thotë: “Kjo është dëshpëruese, të jeni të sigurt. Ka pasur kaq shumë krijues shqiptarë të përfshirë në realizimin e filmit! Është e trishtueshme që Akademia të mbështetet vetëm në 6 pozicione të stafit, si barometër për “shqiptarinë” e filmit”.

“Filmi është realizuar nga shqiptarët, në Shqipëri, mbi shqiptarët dhe në gjuhën shqipe. Dhe tashmë një film i mirë si ai i Kaurismakit “Le Havre”, i cili është zhvilluar në Francë me një kast francez dhe mbi një histori franceze, kualifikohet si finlandez? Dhe “As If I Am Not There”, i cili është xhiruar në Ballkan dhe është në gjuhën serbokroate, me një kast nga ky rajon, të kualifikohet si irlandez? Kjo është absurde.

Unë mendoj se ka një problem me sistemin kur Hollywoodi pretendon ta dijë më mirë se vendi përzgjedhës kur filmi i përket atyre. Është pabesueshmërisht shfuqizuese dhe e pakëndshme për një vend me një industri të re filmike”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 October 2011 12:20

Tiranë- Aktori i ri Tristan Halilaj do të kandidojë në “Shooting Stars 2012”, për rolin e Nikut në filmin “Falja e Gjakut”.

Qëndra Kombëtare Kinematografike ka përzgjedhur aktorin shkodran, i cili interpretoi për herë të parë në  filmin e regjisorit, Joshua Marston.

Në programin European Film Promotion “Shooting Stars 2012” Halilaj do të konkurojë së bashku me aktorë të tjerë nga vende të ndryshme të botës për interpretimet e tyre në realizimet kinematografike.

Në filmin “Falja e Gjakut” Halilaj është zgjedhur pas një audicioni në shkollat e mesme të Shkodrës dhe pas përvojës së tij të parë në film ai vendosi të studiojë në Fakultetin e Arteve në Tetovë, dega aktrim.

Në filmin e Joshua Marston, Tristan Halilaj interpreton Nikun, një adoleshent të cilit brenga për ëndërrat e tij të ndërprera fillon t’i shndërrohet në zemërim e më pas në rebelim, teksa ditë pas dite ai thur një plan për t’i dhënë fund ngujimit të tij.

Halilaj konkuron në “Shooting Stars” pas aktorit Nik Xhelilaj i cili, vitin që shkoi, fitoi çmim për interpretimin e tij në filmin “Shqiptari”.

Programi “Shooting Stars” financohet nga Agjencia për Promovimin e Filmave Evropianë dhe u ofron fituesve mundësi promovimi, si takime me agjencitë audicionale në Berlinale apo vizita nëpër festivale të ndryshme në Evropë si dhe në Hollywood.

12