Lajme Shqip Thursday, 06 March 2014 13:29

Qeveria e Serbisë do të kërkojë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për shkak të paralajmërimeve për formimin e Forcave të Armatosura  të Kosovës, ka thënë ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin.

Duke folur për gazetarët në Beograd, Vulin ka thënë se “formimi i forcave të armatosura është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB-së, e cila në mënyrë eksplicite thekson se në territorin e Kosovës mund të jenë vetëm forcat e armatosura të KFOR-it”.

 
Lajme Shqip Thursday, 06 March 2014 13:07

Sipas ekspertëve, rekomandimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që u miratua nga Qeveria e Kosovës, vlerësohet si rekomandim profesional i dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, në përputhje me rrethanat dhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës. 

Naim Maloku, njohës i çështjeve të sigurisë, vlerëson se procesi i ngritjes së një force të armatosur, kërkon rreth 10 vjet. Sipas tij, procesi do të ballafaqohet me një varg barrierash, të cilat duhen tejkaluar. Barriera e parë është pamundësia buxhetore që ky proces të zhvillohet shpejt. Ai shton se aftësimi i specialistëve dhe komandantëve kërkon kohë, sidomos nëse kihet parasysh që akademitë ushtarake zgjasin 3 deri në 5 vjet. 

Barrierë tjetër, sipas tij, do të jetë edhe vlerësimi i rrezikshmërisë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe vlerësimi se nga cila forcë në rajon mund të vijë ky rrezik. Ai thotë se ky rrezik është potencial vetëm nga Serbia dhe në përputhje me forcat e saj, duhet të ngrihen kapacitetet e Forcës së Armatosur të Kosovës. 

Si barrierë në këtë proces ai sheh edhe çështjen e marrëveshjes së Kosovës me NATO-n. Maloku ka theksuar se Kosova është e orientuar drejt integrimit në NATO dhe në strukturat euro-atlantike dhe çështja e ngritjes së Forcës së Armatosur të Kosovës do të varet edhe nga planet që ka NATO për rajonin. Sipas tij, në qoftë se Kosova dhe rajoni integrohen në NATO, atëherë kjo e fundit do të përcaktojë edhe numrin e pjesëtarëve të Forcës së Armatosur të Kosovës, cilësinë e pajisjeve për të  dhe llojin e armatimeve.

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 March 2014 13:07

Qeveria e Kosovës sot në mbledhjen e saj ka miratuar analizën e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe tetë rekomandimet e dala nga ky proces, ku parashihet që FSK-ja të shndërrohet në Forca të Armatosura të Kosovës.

Po ashtu, kjo analizë parasheh që Ministria e FSK-së të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes së Kosovës.

 
Lajme Shqip Sunday, 02 March 2014 16:27

Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të njohur shkurt si FAK. Por përveç ndryshimeve Kushtetuese që duhen për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, nevojitet edhe miratimi i një buxheti shumë më të madh.

Për këtë vit Qeveria e Kosovës i ka ndarë FSK-së vetëm 42 milionë euro për përmbushjen e aktiviteteve.

Eksperti i sigurisë Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thekson se Kosova me kapacitetet aktuale ekonomike që ka, mund të përballoj një ushtri numerikisht të vogël, rreth 4 mijë trupa aktive, si dhe 1500 trupa rezervë, e pajisur me armatim të lehtë, e cila do të ishte e aftë të mbronte sovranitetin dhe integritetin e vendit, si dhe të kontribuonte në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Për themelimin e një force të bazuar në këto kapacitete, Qeveria duhet të ndajë një buxhet deri në 60 milionë euro, i cili nuk e tejkalon shumën 4% të buxhetit aktual të Republikës së Kosovës.

“Buxheti aktual i Kosovës nuk u lejon forcave të ardhshme të Kosovës që të pajisjen me mjete të rënda luftarake, siç janë të pajisura shumica e shteteve në rajon. Ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe pajisja e tyre me mjete të rënda luftarake është shumë e kushtueshme dhe e papërballueshme për buxhetin aktual të Kosovës”.

Ndërkaq, ‘Kosova Sot’ sjell edhe të dhënat nga Ministria e e FSK’së, të cilat flasin për një buxhet të varfër dhe jo të mjaftueshëm për Ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Remzie Zeqiraj, major Oficer për Marrëdhënie me Publikun në MFSK, ka bërë të ditur për gazetën se buxheti për vitin 2013 ka qenë i planifikuar dhe i aprovuar në vlerë prej 39.347.258.00 eurosh, ndërsa buxheti i alokuar ka qenë 36.966.530.04 euro”.

Ky buxhet është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe aprovuar nga Parlamenti, në përkrahje të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.

Gjatë muajit mars dhe prill do të bëhet planifikimi për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2015 – 2017.