Lajme Shqip Tuesday, 22 October 2013 14:37

Një 11-ësh i përfaqësueses së Kosovës pa Lorik Canën dhe Valon Behramin. Ky është mendimi i legjendës së futbollitkosovar, Fadil Vokrri, gjatë një bisede për gazetën “Arena”. Kreu aktual i FFK-së nuk e fsheh gatishmërinë për ta udhëhequr vetë Kombëtaren kosovare në të ardhmen. Me Berishën, Mavrajn, Mustafin, Ajetin, Abrashin, Mehën, Bashën, Xhakën, Shaqirin, Januzajn e Beqirajn titullarë, por pa Canën e Behramin,Vokrri thotë se lehtë do mund ta befasonte globin.

Gjithsesi, ëndërr kjo vështirë e realizueshme, por jo e pamundur. Ndoshta Bosnja nuk do të jetë shteti i fundit, i cili e befasoi botën, duke u kualifikuar në Kampionatin Botëror, “Brazili 2014″, vetëm pas 20 vitesh si shtet i pavarur. Një mrekulli akoma më të madhe pritet nga shteti tjetër i ri ballkanik, Kosova, e cila e ka shpallur pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008.

Një gjë të tillë e paralajmëron edhe vetë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri. Ish-futbollisti i famshëm kosovar është shumë i bindur se përfaqësuesja kosovare do të “shpërthejë” në arenën ndërkombëtare me më pak vite shtetësi sesa Bosnja. Lojtarët Vokrri thotë se Kosova mund të debutojë në arenën ndërkombëtare me skemën 4-2-3-1.

Ai planifikon që ruajtjen e portës t’ia besojë Etrit Berishës, ndërsa në vijën e mbrojtjes ëndërron duke luajtur Mërgim Mavrajn, Shkodran Mustafin, Amir Abrashin dhe Arlind Ajetin. Para tyre, Vokrri vendos Alban Mehën e Migjen Bashën, ndërsa mesfusha e formacionit të tij përbëhet edhe nga Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kurse supertalentin e Manchester Uniteid, Adnan Januzajn,Vokrri shpreson ta shohë duke luajtur prapa sulmuesit Fatos Beqiraj. Mirëpo, sa i përket këtij formacioni, Vokrri shton se ai mund ta ketë aty-këtu ndonjë ndryshim, pasi pjesë e planeve të tij janë edhe: Anel Raskaj, Loret Sadiku, Valdet Rama, Besart Berisha, Burim Kukeli, Kristian Nushi dhe shumë të tjerë.

“Ky do të ishte formacioni më i mirë, por duhet t’u kujtoj se ne i kemi identifikuar rreth 80 futbollistë, të cilët mund të kontribuojnë në përfaqësuesen e Kosovës”, u shpreh legjenda e futbollit kosovar.

Ndërkohë, në formacionin ideal të përfaqësueses së Kosovës, të cilin Vokrri e ëndërron, nuk figurojnë emrat e kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana dhe mesfushorit të Zvicrës, Valon Behrami.

“Cana kategorikisht e ka mohuar mundësinë për të luajtur me Kosovën, sepse dëshiron të qëndrojë në Shqipëri. Kështu ka deklaruar vetë ai. E njëjta situatë është edhe me Behramin. Sikur këta të dy të kishin shprehur gatishmëri, sigurisht që do të gjenin vend në formacion”, përfundoi Vokrri.