Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 20:51

Çelsi ka shkatërruar 5-1 Totenhemin në gjysmëfinalen e Kupës FA për të siguruar një ndeshje finale kundër Liverpulit duke mbajtur gjallë shanset për të marrë një trofe në këtë sezon me shumë probleme. 

Në një derbi me shumë emocione të luajtur në “Uembli”, dy skuadrat kanë patur disa raste për shënim derisa Drogba kaloi në avantazh skuadrën e tij në minutën e 43-të me një aksion individual spektakolar. Por ndeshja do të ndikohej nga një gabim trashanik i gjyqtarit Martin Atkinson, i cili jep një gol të paqenë në favor të Çelsit kur një gjuajtje e Mata në minutën e 49-të nuk kalon dukshëm vijën fatale të portë së mbrojtur nga Kudiçini.

Totenhem provon të kthehet në ndeshje falë golit të Bejl në minutën e 56-të, po skuadra e drejtuar nga Di Mateo kundërpërgjigjet me një gol të Ramirez në minutën e 77-të. Për të qetësuar përfundimisht tifozët e Çelsit mendon Frenk Lamapard i cili në minutën e 81-të shënon një gol spektakolar me goditje dënimi, ndërsa rezultati përfundimtar 5-1 vjen pas golit në minutat shtesë të Malouda.

Si rrjedhojë, një sezon i filluar në mënyrë shkatërrimtare për Çelsin po kthehet në një sezon relativisht të suksesshëm ku kjo skuadër tashmë ka mundësinë të synojë fitoren e Kupës FA ndërsa është në garë për një vend mes katër më të mirëve në kampionat si dhe është në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 14:51

Liverpuli është në garë për trofeun e dytë sezonal falë kalimit në finalen e Kupës FA, pasi ka eliminuar 2-1 në gjysmëfinale rivalët e qytetit, Evertonin. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Uembli”, ekipi i Keni Dalglish ka triumfuar falë dyshes Suarez-Keroll që kanë arritur të përmbysin avantazhin e Jelaviç në pjesën e parë.

Ndeshja ka qenë entuziazmuese më të dy skuadrat që kanë kërkuar me ngulm rrugën e rrjetës. Por goli ka ardhur pas një gabimi të mbrojtjes së Liverpulit, me Ager dhe Karrager që në minutën e 24-t ia dhurojnë topin ekipit kundërshtar në zonën e tyre, ndërsa Jelaviç nuk e ka të vështirë të dërgojë sferën pas krahëve të portierit të tretë Xhouns.

“Të kuqtë” provojnë në të gjitha mënyrat të shënojnë dhe i afrohen rrugës së rrjetës disa herë me Endi Keroll, por ky i fundit nuk është i saktë para portës së mbrojtur nga Tim Hauard. Megjithatë, barazimi do të vinte në minutën e 62-të, pas një tjetër gabimi fatal të mbrojtjes. Distin mundohet t’i kthejë topin portierit të tij por ia fal atë Suarez, i cili arrin të dërgojë topin në rrjetë, duke hapur edhe njëherë kualifikimin.

Skuadrat luftojnë për çdo top dhe regjistrojnë raste njëri-pas tjetrit, por në fund është Liverpuli që buzëqesh me një gol në minutën e 87-të. Keroll shlyen të gjitha gabimet e kryera gjatë ndeshjes me një gjuajtje perfekte me kokë që përfundon pas krahëve të Hauard dhe i jep Liverpulit finalen.

Ekipi i Dalglish, që këtë sezon ka fituar edhe Kupën e Ligës, do të mësojë nesër emrin e kundërshtarit në finale, pas zhvillimit të takimit tjetër gjysmëfinal mes Çelsit dhe Totenhemit. (LajmeShqip.com)