Lajme Shqip Sunday, 07 October 2012 13:50

Sebastian Vetel ka arritur që brenda një ditë të shkurtojë në mënyrë drastike diferencën me Fernando Alonson, duke fituar Çmimin e Madh të Japonisë në pistën e Suzuka, ndërsa kryesuesi i kampionatit doli nga gara që në kthesën e parë.

Kampioni i botës në fuqi tashmë është vetëm 4 pikë pas pilotit spanjoll dhe duket se është i favorizuar në 5 garat e fundit të sezonit pasi makina Red Bull u tregua përsëri më e shpejtë se rivalët në pjesën e dytë të sezonit.

Vendi i dytë në garë i shkoi Felipe Masa, i kthyer në podium pas 33 garash thuajse në anonimitet të plotë, edhe pse niste një makinë Ferrari. Por turma vendase ka brohoritur më shumë për idhullin e japonezëve, Kamui Kobajashin, i cili arriti të siguronte vendin e tretë me makinën Sauber, duke u ngjitur për herë të parë në karrierë në podium, por edhe duke barazuar pozicionin më të mirë të arritur ndonjëherë nga një pilot japonez.

Gara u vendos praktikisht në kthesën e parë, kur Raikonen pati një kontakt me Alonson duke nxjerrë këtë të fundit nga gara, ndërsa më pas ishte edhe Niko Rosberg që braktisi garën, me Mark Ueber që u detyrua të hynte në bokse dhe të humbte shumë pozicione.

Si rrjedhojë, Vetel shkoi i qetë drejt finishit, ndërsa Masa zhvilloi një garë me strategji perfekte, duke u renditur i dyti falë ndalesës së dytë në bokse, kur arriti të kalonte dyshen Kobajashi-Baton. Japonezi mbrojti vendin e tretë, ndërsa Baton arriti të merrte një vend të katërt që gjithsesi e lë shumë larg luftës për titullin kampion. Vendi i pestë i shkoi Luis Hemilton, i cili zhvilloi një garë si joprotagonist e për më tepër u detyrua të duronte në xhirot e para edhe një parakalim spektakolar që i bëri Serxho Perez, zëvendësuesi i tij te MekLaren në sezonin e ardhshëm, por të paktën duhet të kënaqet me faktin se meksikani nuk e mbylli garën.

I gjashti u rendit Raikonen, që aktualisht mban vendin e tretë në renditjen e botërorit, i ndjekur nga Hulkenberg (Force India), Maldonado (Uilliams), Ueber (Red Bull) dhe Riçiardo (Toro Roso). (LajmeShqip.com)

Renditja e kampionatit botëror:

194      Fernando Alonso (Ferrari)

190      Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

157      Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

152      Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

135      Mark Ueber (Red Bull-Reno)

131      Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

93        Niko Rosberg (Mercedes)

82        Romen Groszhan (Lotus-Reno)

69        Felipe Masa (Ferrari)

65        Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

 
Lajme Shqip Saturday, 06 October 2012 09:35

Sebastian Vetel ka siguruar pole-position në Suzuka për vitin e katërt radhazi, duke arritur të dhurojë një paraqitje të jashtëzakonshme në pistën japoneze të Formula 1.

Kampioni i botës në fuqi mundi shokun e tij të skuadrës, Mark Ueber që dha një xhiro të shpejtë vetëm 2/10 e sekondës më të ngadaltë.

Në fakt, australiani ishte shumë pranë kalimit në vendin e parë, por një rrotullim i Kimi Raikonen në xhiron e fundit të kualifikueseve detyroi të gjithë pilotët të ngadalësonin për shkak të flamujve të verdhë në pistë e si rrjedhojë, pole-position i mbeti Vetel.

Heroi i vendasve, japonezi Kamui Kobajashi me Suaber do të niset nga vendi i tretë, ndonëse dha kohën e katërt më të shpejtë. Ngjitja e tij me një pozicion erdhi për shkak se Xhenson Baton, që siguroi vendin e tretë në nisje, do të humbë 5 pozicione pasi ndryshoi marshin e makinës së tij.

Ai do të renditet para shokut të skuadrës, Luis Hemilton, i cili arriti të siguronte vetëm vendin e 9-të në nisje dhe gjendej mes atyre që po garonin shumë shpejt në momentin kur Raikonen u rrotullua në pistë,.

Një tjetër pilot i penalizuar në xhiron e fundit është Fernando Alonso, i cili do të niset nga vendi i 6-të, por do të ketë përpara tij pilotë të vështirë si Perez i Sauber dhe Groszhan i Lotus, në tentativën për t’iu afruar sa më shumë Vetel dhe për të mbajtur një distancë sigurie në kreun e kampionatit për pilotë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 14:22

Vetëm një ditë pasi deklaroi se po kërkonte një makinë të re për sezonin ardhshëm, Mikael Shumaker ka ndërruar mendje, duke vendosur që të braktisë përsëri botën e garave të Formula 1 si pilot.

Gjermani mbeti pa skuadër pasi Mercedes konfirmoi marrëveshjen me Luis Hemilton, që do të zinte vendin e tij, ndaj ai bëri të qartë se në moshën 43 vjeçare ishte koha e duhur për të thënë lamtumirë.

“Kam vendosur të tërhiqem në fund të sezonit. Unë ndjej ende se jam në gjendje për të garuar kundër më të mirëve por ndonjëherë vjen koha për të thënë lamtumirë dhe këtë radhë mund të jetë përgjithmonë. Jam menduar shumë nëse kisha ende motivimin e duhur për të vazhduar, por nuk dua të bëj më diçka për të cilën nuk jam i përkushtuar 100%. Ndjehem më i qetë pasi kam marrë këtë vendim”, ishte komenti i Shumaker, plotësisht e kundërta e asaj që kishte thënë vetëm një ditë më parë.

Periudha e parë e karrierës në Formula 1 të Mikael Shumaker, mes viteve 1991-2006, rishkroi historinë e këtij sporti, pasi ai fitoi 91 gara dhe 7 tituj kampion. Ai do të kujtohet se si arriti të kthente përsëri në majat e klasifikimit botëror skuadrën Ferrari, me të cilën u bashkua në vitin 1996 dhe ku fitoi 5 tituj botëror radhazi në vitet 2000-2004.

Ai u largua nga garat në vitin 2006, por u bind nga miku i tij i ngushtë, Ros Braun, që të kthehej si pjesë e skuadrës Mercedes në vitin 2010. Por kthimi i tij nuk rezultoi i suksesshëm, pasi ai ka arritur të ngjitet vetëm një herë në podium në këto tre sezone. Mendohej se Shumaker do të kthehej te skuadra Sauber, me të cilën filloi karrierën e tij, por duket se ai vendosur të largohet përfundimisht nga garat. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 11:40

Luis Hemilton ka zbuluar se telefonata më e vështirë e jetës së tij ka qenë pikërisht ajo që i ka bërë Martin Uitmarsh, shefit të skuadrës MekLaren në Formula 1, për ta njoftuar se kishte zgjedhur të largohej drejt Mercedes. Piloti britanik ka zbuluar se vendimi kishte qenë mjaft i rëndë për të, duke patur parasysh se kishte kaluar praktikisht gjithë jetën e tij në garat automobilistike në gjirin e kësaj skuadre.

“Kjo është telefonata më e vështirë që kam bërë në jetën time. Ishte shumë, shumë emocionuese. Ishte më shumë se të kapje telefonin dhe të formojë numrin, pasi mu desh të mendohesha mirë për atë që do të thosha. Doja që Martin të kuptonte se vlerësoja gjithçka që ka bërë për mua në këto vite”.

“Nuk e bëra për ofertën, pasi kisha dy të tilla që ishin thuajse të njëjta. Martin më pyeti se çfarë duhej të kishte bërë më shumë skuadra për të më bindur, por u tregova i sinqertë kur i thashë se e bëja për një sfidë të re, një hap që doja të bëja në karrierën time”, tha Hemilton që pranoi se situata në garat e fundit të sezonit do të ishte e çuditshme, sidomos me mekanikët që punonin për makinën e tij.

“Do të jetë mjaft interesante të hyj përsëri në garazh, për shkak të disa mekanikëve me të cilët punoj që prej vitit 2007. Ka njerëz në këtë skuadër me të cilët kam një marrëdhënie të shkëlqyer pasi janë këtu që prej fillimeve të mia dhe realisht nuk kam patur mundësinë të flas me to. Ia thashë edhe Martin se dua që të mblidhem me të gjithë dhe t’u shpjegoj vendimin tim”, tha britaniku. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 14:10

Mikael Shumaker insiston se vazhdon të jetë shumë i motivuar për të punuar me ekipin e Mercedes në garën e fundjavës në Japoni, pavarësisht dyshimeve të mëdha rreth të ardhmes së tij dhe faktit që sezonin e ardhshëm të Formula 1 ai nuk ka ende një makinë me të cilën të garojë.

Mercedes konfirmoi të premten se Luis Hemilton do të zëvendësonte Shumaker te kjo skuadër pasi kishte nënshkruar një kontraste trevjeçare, duke bërë që piloti 43 vjeçar të mendojë seriozisht nëse do të tërhiqet apo të kërkojë një skuadër më të vogël për të vazhduar karrierën e tij në garat automobilistike.

“Motivimi im është krejtësisht i pandryshuar pavarësisht lajmeve të javës së kaluar, sidomos për faktin se Suzuka është një nga garat kryesore të sezonit për mua”, tha Shumaker, i cili nuk ka arritur asnjë fitore që në momentin kur nënshkroi për skuadrën Mercedes në vitin 2010.

Disa nga momentet më të shkëlqyera të tij kanë ardhur në pistën japoneze, ku një prej tyre është padyshim fitorja e titullit kampion me Ferrarin në vitin 2000. Por pavarësisht dëshirës së mirë për të triumfuar në pistën japoneze, Shumi do ta ketë të vështirë ta bëjë një gjë të tillë edhe për shkak të penalizmit prej 10 vendesh në vijën e nisjes për shkak të përplasjes me Vernje në garën e kaluar.

“Kjo pistë më pëlqen shumë, ka kthesa që e vënë në vështirësi pilotin si në asnjë pistë tjetër. Do të ishte fantastike të arrija një sukses në këtë fundjavë, ndonëse mendoj se shanset e mia janë minimale për shkak të penalizmit në vijën e nisjes. Por unë i kam trajtuar gjithmonë këto si sfida personale”, deklaroi shtatë herë kampioni i botës në Formula 1. (LajmeShqip.com)