Lajme Shqip Monday, 14 May 2012 09:51

Festimet e Uilliams pas triumfit të parë në një garë të Formula 1 pas 8 vitesh pritje u ndërprenë pasi një zjarr u madh përfshiu garazhin e tyre, duke shkaktuar dëmtimin e të paktën 9 mekanikëve të F1.

Zjarri, që shpërtheu rreth 90 minuta pasi Pastor Maldonado kishte kaluar vijën e finishit për të marrë suksesin tij të parë në karrierë, mendohet se ka filluar për shkak të shpërthimit të një pompe karburanti praë veturës së Bruno Sena, ndërsa mekanikët po e çmontonin atë.

Shefi i skuadrës, Sër Frenk Uilliams, i cli është i paralizuar dhe zhvendoset vetëm me karrocë, gjendej në garazh në atë momente dhe u desh të nxirrej me shpejtësi nga aty, ndërsa vetë Pastor Maldonado u pa të mbante në shpinë kushëririn e tij të vogël Manuel, i cili kishte dëmtuar kyçin e këmbës.

Skuadra Uilliams bëri të ditur se katër persona kishin përfunduar në spital pas këtij incidenti, ndërsa katër të tjerë nga skuadra Marusia dhe një nga Force India u trajtuan në qendrën mjekësore të pistës. Shumë nga mekanikët e  skuadrave të tjera vrapuan drejt garazheve të skuadrës Uilliams dhe ndihmuan në shuarjen e këtij zjarri që i dha një fund disi të çuditshëm një fundjave spektakolare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 13 May 2012 17:33

Pastor Maldonado i ka dhënë fund pritjes shumëvjeçare për një fitore të skuadrës Uilliams në Formula 1, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Spanjës, suksesi i parë i skuadrës që nga Çmimi i Madh i Brazilit në vitin 2004, 132 gara më parë.

Ai u bë venezuelasi i parë që ngjitet në majën e podiumit, duke kaluar vijën e finishit 3.1 sekonda para favoritit që garonte në “shtëpi”, Fernando Alonso me Ferrari. Dy pilotët dueluan gjatë të gjithë garës, pasi fillimisht ishte spanjolli që mori kryesimin në kthesat e para, e më pas ishte piloti i Uilliams që përfitoi nga një strategji perfekte për të dalë përsëri i pari.

Ndonëse Alonso u mundua në të gjitha mënyrat që të kalonte Maldonadon, ai nuk ia arriti qëllimit dhe u dorëzua në xhirot e fundit, duke preferuar që të ruante gomat dhe vendin e dytë që e çon në kryesimin e kampionatit bashkë me Vetel.

I treti u rendit Kimi Raikonen me Lotus, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Romein Groszhan. Një nga heronjtë e fundjavës është edhe japonezi Kobajashi me Sauber, që ka marrë vendin e 5-të pas një gare të jashtëzakonshme.

Një garë në mbrojtje ka bërë edhe Sebastian Vetel me Red Bull, i cili pavarësisht problemeve të vazhdueshme, arriti të dilte në vendin e 6-të, me Niko Rosberg që mori vendin e 7-të.

Vendi i 8-të dhe i 9-të i takoi dyshes së MekLaren, Luis Hemilton dhe Xhenson Baton, ndërsa Hulkenberg me Force India ishte i fundit në zonën e pikëve, duke lënë jashtë saj Mark Ueber me Red Bull. (LajmeShqip.com)

RENDITJA E KAMPIONATIT PËR PILOTË

61        Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

61        Fernando Alonso (Ferrari)

53        Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

49        Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

48        Mark Ueber (Red Bull-Reno)

45        Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

41        Niko Rosberg (Mercedes)

35        Romein Groszhan (Lotus-Reno)

29        Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

22        Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

19        Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)

15        Pol di Resta (Force India-Mercedes)

14        Bruno Sena (Uilliams-Reno)

4          Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

3          Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

2          Mikael Shumaker (Mercedes)

2          Felipe Masa (Ferrari)

2          Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)

RENDITJA E KAMPIONATIT PËR KONSTRUKTORË

109      Red Bull-Reno

98        MekLaren-Mercedes

84        Lotus-Reno

63        Ferrari

43        Uilliams-Reno

43        Mercedes

41        Sauber-Ferrari

18        Force India-Mercedes

6          Toro Roso-Ferrari

 
Lajme Shqip Sunday, 13 May 2012 08:04

Luis Hemilton është dënuar për t’u nisur nga vendi i fundit në Çmimin e Madh të Spanjës që zhvillohet sot në drekë, pas një gabimi tjetër të skuadrës MekLaren.

Shpejtësia me të cilën piloti britanik siguroi xhiron më të mirë në provat zyrtare me rreth gjysmë sekonde diferencë më ndjekësit, e bënte atë kandidatin kryesor për të fituar në pistën e Barcelonës.

Por mundi i tij shkoi dëm pasi drejtuesit e garës e kanë dënuar duke e çuar në fundin e rreshtit të makinave, pasi një mekanik nuk i hodhi mjaftueshëm karburant makinës së tij dhe ai u detyrua që ta parkonte në pistë, pa patur mundësinë që ta kthente në bokse.

Por kjo nuk lejohet nga rregullorja, përveç rasteve kur ka një problem teknik, pasi piloti duhet të kthehet në bokse dhe nga makina e tij të merret për testime të paktën 1 litër karburant.

Zyrtarët e pistës spanjolle filluan menjëherë hetimin pasi dëgjuan komunikimin në radio të skuadrës MekLaren, ndërsa këta të fundit pretenduan se makina e Hemilton ishte ndalur për shkak të një “force madhore”. Por në fakt, ata kishin detyruar pilotin të ndalej pasi në të kundërt nuk do të kishte në makinë karburant të mjaftueshëm për të bërë testimin që kërkon rregullorja.

Si rrjedhojë e këtij dënimi, Luis Hemilton skualifikohet nga provat zyrtare, por lejohet ta nisë garën nga vendi i fundit. Ndërsa pole-position e trashëgon venezuelasi Pastor Maldonado, i cili i ka bërë dhuratën më të bukur të 70 vjetorit të lindjes shefit të skuadrës së tij, Frenk Uilliams. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 12 May 2012 16:10

Luis Hemilton me MekLaren ka marrë pole-position në Çmimin e Madh të Spanjës në Formula 1, duke regjistruar kohën më të mirë për të kaluar në xhiron e fundit surprizën e këtyre provave zyrtare, venezuelasin Pastor Maldonado me Uilliams.

Hemilton tregoi shpejtësinë e makinës së tij duke shënuar një kohë prej rreth gjysmë sekonde më të shpejtë se ajo e ndjekësit më të afërt, duke konfirmuar se është pretendent kryesor për fitoren në garën e nesërme. Kjo ishte hera e 150-të në historinë e Formula 1 që një makinë MekLaren arrin të regjistrojë pole-position.

Në vendin e tretë në vijën e nisjes do të jetë Fernando Alonso me Ferrari, që më në fund është dukur në gjendje të rivalizojë, ndonëse nuk ka ende hapin e skuadrave të kreut. Pas spanjollit që garon në pistën e shtëpisë, janë renditur dy makinat Lotus, me Groszhan që kaloi Raikonen.

Shumë prej pilotëve pretendentë nuk shfaqën formën e tyre më të mitë në këto prova zyrtare, ku Xhenson Baton me MekLaren u rendit i 11-ti, ndërsa Mark Ueber me Red Bull e ndjek në vendin e 12-të. Zhgënjim edhe më i madh për Felipe Masa me Ferrarin tjetër, pasi braziliani do të niset vetëm nga vendi i 17-të në këtë garë. (LajmeShqip.com)

ÇMIMI I MADH I SPANJËS

RADHA E NISJES

1. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

2. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

3. Fernando Alonso (Ferrari)

4. Romein Groszhan (Lotus-Reno)

5. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

6. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

7. Niko Rosberg (Mercedes)

8. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

9. Mikael Shumaker (Mercedes)

10. Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)

11. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

12. Mark Ueber (Red Bull-Reno)

13. Pol di Resta (Force India-Mercedes)

14. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

15. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

16. Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)

17. Felipe Masa (Ferrari)

18. Bruno Sena (Uilliams-Reno)

19. Vitali Petrov (Katerham-Reno)

20. Haiki Kovalainen (Katerham-Reno)

21. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)

22. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)

23. Pedro de la Rosa (HRT-Kosuorth)

24. Narain Kartikeian (HRT-Kosuorth)

 
Lajme Shqip Thursday, 10 May 2012 13:21

Fernando Alonso insiston se kjo është koha kur Ferrari duhet të fillojë ndryshimin, pas një fillimi të dobët të sezonit 2012 në Formula 1.

Piloti pranon se ia ka dalë mbanë të kufizojë dëmet në katër garat e para të këtij sezoni, duke filluar serinë e garave që zhvillohen në pista evropiane vetëm 10 pikë larg kryesuesit të kampionatit, Sebastian Vetel me Red Bull, ndonëse nuk ka patur një makinë të mirë në dispozicion nga skuadra italiane.

Por në garën e kësaj fundjave, në makinën e tij do të vendosen disa përmirësime të cilat pritet të shkurtojnë diferencën me skuadrat e kreut si MekLaren, Red Bull e Mercedes.

“Ne presim të bëmë një hap para por deri të shtunën pasdite nuk do e dimë a do të jetë një hap i madh apo një hap i vogël. Duke kufizuar dëmet në katër garat e para të sezonit, tani presim që në Spanjë gjërat të ndryshojnë”, tha ai.

“Nuk është fundi i botës nëse nuk arrijmë pole-positon në Barcelonë. Gjëja e rëndësishme është të bëjmë progres duke shkurtuar diferencën sa më shumë të jetë e mundur, fillimisht në këtë fundjavë, pastaj në Monako, Montreal e Silverston…. Sezoni është shumë i gjatë, ka edhe 16 gara të tjera, aq sa ishte i gjithë sezoni në vitin 2003”, deklaroi spanjolli i Ferrarit. (LajmeShqip.com)