Lajme Shqip Sunday, 02 September 2012 16:30

Xhenson Baton i MekLaren dominoi në Çmimin e Madh të Belgjikës që filloi me një përplasje masive e cila nxori jashtë loje që në kthesën e parë pretendentët për titullin kampion, Fernando Alonso me Ferrari dhe Luis Hemilton me MekLaren. Renditja në vendin e dytë e Sebastian Vetel me Red Bull, bëri që tashmë diferenca e kampionit të dyfishtë të botës me spanjollin që kryeson kampionatin të shkurtohet në 24 pikë.

Aksidenti në fjalë, nisi kur francezi i Lotus, Romen Groszhan, ia afrua Luis Hemilton dhe të dy makinat bënë kontakt me njëra-tjetrën. Të dy fluturuan mbi makina të tjera, duke sjellë eliminimin e Alonso dhe Perez, ndërsa Kobajashi e Maldonado u desh të hynin në bokse për të rregulluar makinat e tyre.

Aksidenti ndryshoi krejtësisht hegjemonitë e kësaj gare, pasi Baton pa që pas krahëve të tij tashmë ishte Kimi Raikonen me Lotus, dyshja e Force India, Hulkenberg e Di Resta, Mikael Shumaker me Mercedes dhe dy pilotët e Toro Roso, Riçiardo e Vernje.

Baton arriti që të shkëputej që në fillim nga ndjekësit, duke zhvilluar një garë perfekte me vetëm një ndryshim gomash, pët të marrë i pashqetësuar fitoren e tij të dytë sezonale pas asaj në garën e hapjes në Australi.

Pas tij u rendit Sebastian Vetel, i cili kreu gjithashtu një strategji mjaft të mirë me një ndalesë për ndërrim gomash, si dhe zhvilloi disa parakalime të njëpasnjëshme në fillimin e garës, duke arritur të mbajë vendin e dytë në podium. Në vendin e tretë u rendit Kimi Raikonen, i cili në ndryshim nga pretendentët e tjerë, kishte një strategji me dy ndalesa dhe u penalizua ndjeshëm nga një gjë e tillë.

Hulkenberg me Force India mori vendin e katërt, i ndjekur nga Masa (Ferrari), Ueber (Red Bull), Shumaker (Mercedes), Vernje (Toro Roso), Riçiardo (Toro Roso) dhe Di Resta (Force India), të gjithë pilotët që përfunduan në zonën e pikëve. (LajmeShqip.com)

Renditja e botërorit të Formula 1

164         Fernando Alonso (Ferrari)

140         Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

132         Mark Ueber (Red Bull-Reno)

131         Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

117         Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

101         Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

77           Niko Rosberg (Mercedes)

76           Romen Groszhan (Lotus-Reno)

47           Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

35           Mikael Shumaker (Mercedes)

35           Felipe Masa (Ferrari)

 
Lajme Shqip Saturday, 01 September 2012 20:04

Xhenson Baton ka rifituar pole-position pas më shumë se tre vitesh duke arritur të renditet i pari në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Belgjikës në Formula 1. Hera e fundit kur ai është nisur nga vendi i parë ishte në garëne Monako në vitin 2009, ndërsa në atë sezon u shpall kampion bote.

Për britanikun 32 vjeçar, ky ishte pole-position i tij i parë me MekLaren, në 61 gara që ka zhvilluar me këtë skuadër.

Por provat zyrtare kanë qenë shumë të çuditshme, pasi në vendin e dytë është renditur japonezi Kamui Kobajashi i Sauber Ferrari, ndërsa vendin e tretë e ka marrë Pastor Maldonado me Uilliams, i dënuar më vonë me nisje nga fundi për shkak të pengesës që i ka bërë Hulkenberg gjatë provave, ndërsa pretendentët për titull nuk janë shfaqur në nivelin e kërkuar në këtë garë.

“Për mua pole-position është si fitorja e një gare, shumë emocionuese, pasi është e para në MekLaren dhe kisha kohë që nuk e arrija këtë pozicion”, tha Baton, i cili më përpara nuk kishte arritur të kualifikohej asnjëherë në një pozicion më të mirë se i pesti në pistën belge të Spa.

Si rrjedhojë e dënimit të Maldonado, Kimi Raikonen me Lotus arriti të merrte vendin e tretë në nisje, ndërsa në vendin e katërt ngjitet Serxho Perez me Sauberin tjetër.

Kryesuesi i kampionatit, Fernando Alonso me Ferrari, niset nga vendi i pestë, ndërsa në prova mundi rivalin e tij te Red Bull, Mark Ueber. Por ky i fundit do të nisë garën nga vendi i 12-të pasi ka ndërruar një marsh në makinë dhe do të humbasë 5 vende.

Kjo do të thotë se në vendin e 6-të ngjitet Luis Hemilton me MekLarenin tjetër. Ndërkohë, kampioni i botës në fuqi, Sebastian Vetel, do të niset i 9-ti në këtë garë, të cilën e fitoi në edicioni e kaluar pasi u nis nga pole-position. (LajmeShqip.com)