Lajme Shqip Sunday, 09 September 2012 19:26

Luis Hemilton me MekLaren ka marrë një fitore të vyer në luftën për titullin kampion në Formula 1 duke triumfuar në Çmimin e Madh të Italisë në Monza. Por britaniku ka qenë praktikisht i vetmi pilot kryesor që ka respektuar parashikimet, në një garë ku vendin e dytë me mori me meritë Serxho Perez i Sauber dhe problemet mekanike mbyllën para kohe garën e Baton, Vetel e Ueber.

Në fillimin e garës dukej sikur do të ishte një sukses i dyfishtë i MekLaren, me Hemilton e Baton që renditeshin njëri pas tjetrit. Ndonëse në kthesat e para Felipe Masa arriti të merrte vendin e dytë dhe të sulmonte për të parin, ai u parakalua nga Baton pak para ndërrimit të parë të gomave. Por kur kishin mbetur edhe 19 xhiro deri në fundin e garës, Baton u detyrua të parkonte makinën e tij në krah të pistës për shkak të një problemi me furnizimin me karburant.

Kjo ktheu Felipe Masa në vendin e dytë, por me Alonson pas krahëve të tij që fitonte ndjeshëm terren në çdo xhiro. Kryesuesi i kampionatit botëror që u nis i 10-ti kishte fituar dy vende që në nisje, para se të kalonte më pas Kobajashin e Raikonen. Ai më pas arriti të kalonte edhe Mikael Shumaker e Sebastian Vetel, ndërsa dueli me këtë fundit i kushtoi gjermanit një penalitet me kalimin në bokse për shkak të një manovre të parregullt.

Gjithsesi, Vetel u kthye në pistë, por 5 xhiro para fundit, edhe ai u detyrua të largohej nga gara për shkak të një problemi mekanik. Masa i la lehtësisht vendin Alonsos dhe dukej se dy makinat Ferrari do t’i gëzoheshin podiumit. Por në xhirot e fundit, protagonisti kryesor u bë Serxho Perez me Sauber.

Meksikani kishte filluar garën me gomat e forta, në ndryshim nga të gjithë pilotët kryesorë, e për këtë arsye zhvilloi pjesën e dytë të garës me goma të mesme, duke xhiruar 1.5 sekonda më shpejt në xhiro ndaj të gjithë pilotëve të tjerë. Si rrjedhojë, ai arriti të kalonte me lehtësi dy makinat Ferrari, duke marrë vendin e dytë dhe nëse gara do të kishte vazhduar për pak xhiro më shumë, do t’i kishte marrë vendin edhe Hemilton që fitoi këtë garë.

Në vendin e tretë dhe të katërt përfunduan dy makinat Ferrari, me Alonson që mori vendin e tretë dhe thelloi diferencën në kreun e renditjes së kampionatit, ku tashmë ndiqet nga Hemilton, Raikonen dhe Vetel.

Pikërisht Lotus i Raikonen ishte i pesti, duke lënë pas krahëve dyshen e Mercedes, Shumaker e Rosberg. Pol Di Resta me Force India, Kamui Kobajashi me Sauberin tjetër dhe Bruno Sena me Uilliams mbyllën zonën e pikëve. (LajmeShqip.com)

Renditja e botërorit për pilotë në Formula 1

179         Fernando Alonso (Ferrari)

142         Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

141         Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

140         Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

132         Mark Ueber (Red Bull-Reno)

101         Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

83           Niko Rosberg (Mercedes)

76           Sebastian Groszhan (Lotus-Reno)

65           Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

47           Felipe Masa (Ferrari)

43           Mikael Shumaker (Mercedes)

 
Lajme Shqip Saturday, 08 September 2012 20:38

Luis Hemilton me MekLaren ka marrë pole-position në Çmimin e Madh të Italisë në Monza, duke treguar edhe një herë se vetura e tij për momentin është më e mira. Ky fakt konfirmohet edhe nga pozicionimi në vendin e dytë në vijën e nisjes të Xhenson Baton me makinën tjetër MekLarën, duke bërë që kjo skuadër të jetë pretendente kryesore për të fituar këtë garë.

Vendi i tretë, si rrallëherë në sezonet e fundit, i ka kaluar brazilianit Felipe Masa që me Ferrarin garon në pistën e “shtëpisë”. Në fakt, skuadra italiane pretendonte që në këtë pistë të siguronte pole-position me Fernando Alonson, por një problem mekanik në makinën e spanjollit bëri që ai të qëndronte jashtë pjesës së tretë të kualifikuesve duke u renditur në vendin e 10-të në nisje, një vend para Mark Ueber të Red Bull, që do të thotë dyluftime pa fund që në kthesën e parë.

Në vendin e katërt në vijën e nisjes u rendit Mikael Shumaker, i cli ka kujtime shumë të bukura në këtë pistë që në kohën kur garonte me Ferrari, ndërsa vendi i pestë i ka shkuar Sebastian Vetel, i cili për momentin duket një nga pilotët më në formë dhe është kthyer pretendent serioz për titullin kampion.

Vetë Alonso ka konfirmuar se do ta kishte patur shumë të thjeshtë të siguronte pole-position në këtë pistë nëse do të kishte marrë pjesë në kualifikueset e treta. Ai ka bërë të qartë se objektivi i tij që mbetet në këtë garë është të arrijë sa më afër Sebastian Vetel, i cili është rivali i tij kryesor në luftën për titullin kampion. (LajmeShqip.com)