Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 09:08

Drejtuesi i skuadrës Sauber-Ferrari, Piter Sauber, ka mohuar kategorikisht çdo teori “komploti” për fitoren e Çmimit të Madh të Malajzisë në Formula 1. Skuadra zvicerane ishte vetëm 2.263 sekonda larg suksesit në këtë garë, pasi piloti i saj Serxho Perez u rendit pas fituesit Fernando Alonso në vijën e finishit të pistës së Sepang.

Shumë opinionistë të garave të Formula 1 e cilësuan me dashje gabimin që bëri skuadra duke e futur në bokse për ndërrimin e gomave një xhiro me vonesë pilotin meksikan, ndërsa dyshimet e u rritën pas një komunikimi radio, ku meksikanit iu tha specifikisht “na duhet pozicioni”, ndonëse ai ishte shumë më i shpejtë se Alonso dhe mund ta parakalonte nga momenti në moment..

Teoria e komplotit vjen nga fakti që makina Sauber ka motor Ferrari dhe vetë Perez vjen nga akademia e skuadrës italiane, arsye për të cilën atij iu dha sinjal që të mos tentonte parakalimin ndaj Alonsos.

“Komunikimi radio do të thotë se ne na duhej një rezultat. Është keqkuptim. Ia thamë një gjë të tillë pasi të gjitha skuadrat e mesme, kundërshtarët tanë, kishin marrë pikë. Ndaj ishte e rëndësishme të merrnim rezultat, pavarësisht pozicionit. Nuk i kemi thënë të qëndrojë pas Alonsos, i thamë ‘ki kujdes, na duhet një rezultat’. A ka patur bisedë me Ferrarin? Jo, absolutisht jo! Nuk kemi biseduar as për Perez, as për pozicionin”, ishin fjalët e Piter Sauber.

Perez, që në dy garat e para të sezonit ka marrë më shumë pikë sesa të gjithë sezonin e kaluar, ku debutoi në Formula 1, ndërsa skuadra Sauber ka që tani 30 pikë, 14 më pak sesa siguroi në të gjithë vitin 2011. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 13:56

Fernando Alonso (Ferrari)

“Sot ishte një surprizë edhe për ne. Në Australi nuk ishim konkurrues dhe nuk ishim as këtu ndaj objektivi ishte të merrnim sa më shumë pikë. Sot kemi marrë 25 që është një rezultat i pabesueshëm për ne. Ka qenë një rezultat i mirë edhe për skuadrën, pasi ishim të qetë në kushte ekstreme, e merituam këtë fitore. Është një moment i vështirë por këtë të dielë do ta kujtojmë gjatë. Por kjo fitore nuk ndryshon gjë, jemi në një pozicion që nuk  dëshirojmë pasi po luftojmë për kualifikim mes 10 më të mirëve dhe për të marrë ndonjë pikë. Në duam të luftojmë për vendet e para. Perez? Nuk jemi të shpejtë sa duhet në kushte normale, ishim me fat që mbajtëm këtë pozicion në garë”.

Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

“Fitorja sot ishte e mundur. Skuadra bëri një punë të shkëlqyer duke më kthyer në bokse në kohën e duhur. Humbëm kohë me ndalesën e dytë në bokse për shkak të marshit por në fund iu afrova Alonsos. Humba kontrollin e makinës dhe luftën për fitore. Megjithatë ka qenë një ditë e jashtëzakonshme për skuadrën. Kushtet në pistë ishin shumë të vështira dhe duhej mbajtur makina në pistë. Kemi marrë shumë pikë që na nevojiten dhe shpresoj që të përmirësohemi më shumë”.

Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

“Jam i kënaqur me përfundimin e garës. Do të kishim dashur shumë që këtë fundjavë ta kishim mbyllur me më shumë pikë, si individualisht, ashtu edhe për skuadrën. Por nuk mund të ankohem. Jam në podium dhe i qëndrova larg telasheve gjatë të gjithë garës ku kushtet atmosferike ndryshonin vazhdimisht”.

Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

“Shpresoj që garën e ardhshme ta fillojmë ashtu siç duhet. Gjithmonë ka diçka që nuk shkon apo koha ndryshon në mënyrë drastike. Do të ishte mirë të kishim një fundjavë normale që të shohim se ku jemi në krahasim me të tjerët. Nuk kisha eksperiencë as me gomat e mesme as me ato të shiut dhe dukej e çuditshme të zhvilloje garë në kushte të tilla. Unë thjesht u mundova që të qëndroja në pistë aty ku kalonin të tjerët dhe fillova të rrisja nga pak shpejtësinë”.

Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

“Përplasja me Kartikeian ishte komplet gabimi im. Shtypa frenat dhe më iku pjesa e pasme, nuk kisha çfarë të bëja vetëm ta godisja atë. Ishte një pasdite e vështirë dhe na doli krejtësisht jashtë kontrolli. Shkoi gabim gjithçka që mund të shkonte gabim. Më vjen keq për skuadrën por sot nuk mund të bëja asgjë”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 13:02

Gara e Sepang ka dhuruar një rezultat jashtë të gjitha parashikimeve me Ferrarin e Fernando Alonsos që ka kaluar i pari poshtë flamurit me katrorë në finishin e Çmimit të Madh të Malajzisë. Spanjolli ka arritur të triumfojë në duelin me surprizën tjetër të garës, meksikanin Serxho Perez, i cili me Sauberin e tij ka vënë në vështirësi të dukshme Alonson deri në xhiron e fundit të një gare e cila u ndërpre për më shumë se 30 minuta për shkak të shiut të rrëmbyeshëm.

Gara ka filluar në shi dhe Alonso ka treguar menjëherë aftësitë e tij në kushte ekstreme duke u nisur nga vendi i tetë por duke kaluar kundërshtarët njëri pas tjetrit, edhe falë një strategjie të goditur nga ekipi italian. Në fund, ai është dashur të dublojë vetëm me Perez, i cili mund t’ia kishte marrë fitoren nga duart po të mos kishte gabuar 4 xhiro nga fundi i garës duke dalë jashtë piste dhe duke humbur shumë kohë në krahasim me spanjollin. Alonso ka festuar shumë gjatë këtë sukses, i cili i ka dhënë atij dhe vendin e parë në renditjen e pilotëve.

Nga pretendentët për titull, vetëm Luis Hemilton ka arritur të konfirmojë vendin e tretë, ashtu si në garën e Australisë, i penalizuar nga gabimet e mekanikëve të tij në bokse. Më e keqe ka qenë gara e Xhenson Baton me MekLarenin tjetër, pas ai është përplasur me Kartikejan që në nisje dhe është detyruar të hyjë në bokse për të ndërruar pjesën e përparme të makinës. Problemet e vazhdueshme e kanë çuar atë në vendin e 14-të në fundin e kësaj gare.

Gara e kampionit në fuqi, Sebastian Vetel, ishte për t’u harruar, pasi ai ka shpuar gomën pas një kontakti po me Kartikeian dhe ka dalë nga 10 të parët duke mos marrë pikë. Red Bull ngushëllohet me vendin e 4-t të Mark Ueber, i cili duket pak më i sigurt se shoku i tij i skuadrës në këtë fillim sezoni.

Dy më zhgënjyesit e kësaj dite janë padyshim Mihael Shumaher dhe Felipe Masa. Gjermani i Mercedes është nisur nga vendi i tretë por është përplasur menjëherë me Grozhean dhe pastaj ka shfaqur vështirësi deri në fund, ku ka marrë vetëm vendin e 10-të. Ndërkohë, braziliani i Ferrarit ka koleksionuar gabim pas gabimi dhe nuk është dukur asnjëherë konkurrues, duke lënë të kuptohet se ndoshta koha e tij te kjo skuadër ka përfunduar. (LajmeShqip.com)

Çmimi i Madh i Malajzisë

Renditja e garës

1. Fernando Alonso (Ferrari)

2. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

3. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

4. Mark Veber (Red Bull-Reno)

5. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

6. Bruno Sena (Uilliams-Reno)

7. Pol di Resta (Force India-Mercedes)

8. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

9. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

10. Mihael Shumaker (Mercedes)

11. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

12. Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)

13. Niko Rosberg (Mercedes)

14. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

15. Felipe Masa (Ferrari)

16. Vitali Petrov (Katerham-Reno)

17. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)

18. Kaiki Kovalainen (Katerham-Reno)

19. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

20. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)

21. Narain Kartikeian (HRT-Kosuorth)

22. Pedro de la Rosa (HRT-Kosuorth)

Renditja për pilotë

35    Fernando Alonso (Ferrari)

30    Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

25    Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

24    Mark Veber (Red Bull-Reno)

22    Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

18    Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

16    Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

8      Bruno Sena (Uilliams-Reno)

7      Pol di Resta (Force India-Mercedes)

4      Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

2      Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)

2      Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

1      Mihael Shumaker (Mercedes)

Renditja për konstruktorë

55    Meklaren-Mercedes

42    Red Bull-Reno

35    Ferrari

30    Sauber-Ferrari

16    Lotus-Reno

9      Force India-Mercedes

8      Uilliams-Reno

6      Toro Roso-Ferrari

1      Mercedes

 
Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 12:56

Luis Hemilton (MekLaren Mercedes)

“Në garën e Sepang është i rëndësishëm pozicionimi në nisje dhe menaxhimi i gomave. Në këto kushte nuk e di asnjëherë se çfarë mund të ndodhë dhe këto goma kanë një problem shumë të madh me konsumin në këtë pistë, ndaj do të jetë një garë interesante. Kjo është një pistë shumë e veçantë me temperaturë dhe lagështi të lartë. Do të jetë shumë e vështirë në garë dhe duhet të sigurojmë pozicionin më të mirë të mundshëm. Nuk e di nëse jam në vendin më të mirë për nisjen e garës por dua që të bëj më mirë se sa në Australi”.

Xhenson Baton (MekLaren Mercedes)

“Do të jetë një nisje entuziazmuese e garës. Por duhet të jemi të kujdesshëm me ata që vijnë mbrapa. Mercedes njihet për nisjen e rrufeshme, sidomos Mihael, ndaj do të duhet të jemi të kujdesshëm që në nisje. Kualifikimet kanë qenë shumë të mira për mua në të dë garat por sigurisht që do të dëshiroja që të isha unë në vendin e Luis”.

Mihael Shumaher (Mercedes)

“Besoj se të gjithë jemi të shqetësuar njëlloj për garën pasi këto temperatura janë të reja për ne. Jemi përgatitur duke bërë një punë të mirë. Morëm një mësim në Australi dhe djemtë në fabrikë janë përgjigjur duke bërë një punë të shkëlqyer, ndaj po pres me padurim garën. Kemi zgjedhur një makinë që pritet të jetë më mirë në garë dhe shpresoj që situatat të na favorizojnë nesër. Është një arritje shumë e madhe kur sheh se çfarë rivalësh kemi lënë pas, por tani duhet të punojmë për të kapur ata që janë përpara”.

Fernando Alonso (Ferrari)

“Kemi bërë një hap të vogël para por kemi ende shumë punë për të bërë. Në Australi ishim një sekondë mbrapa kundërshtarëve, tani jemi 6-7/10 e sekondës. Do të jetë e vështirë që në garë të shohim shkëputjet apo dominimin e vitit të kaluar, do të jetë një garë komplekse edhe për strategjitë e zgjedhura. Nëse bëjmë garën perfekte mund të kemi ndonjë shans të vogël për t’u pozicionuar më lart, ndërsa shiu është një faktor që duhet marrë parasysh”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 12:02

Luis Hemilton dhe Xhenson Baton kanë konfirmuar dominimin e makinave MekLaren në këtë fillim sezoni duke pushtuar vijën e parë të nisjes për çmimin e Madh të Malajzisë në Formula 1. Ashtu si një javë më parë në Australi, dy pilotë do të duelojnë kundër njëri-tjetrit në startin e garës, për të siguruar një sukses të rëndësishëm për luftën drejt titullit në një moment kur duket se kundërshtarët e kanë të vështirë të arrijnë ritmin e tyre.

I vetmi që rivalizoi për pak kohë me ta gjatë kualifikueseve ishte Mikael Shumaher me Mercedes. 43 vjeçari shënoi vendin më të mirë në vjen e nisjes që nga koha kur i është kthyer garave me makina, duke u renditur i treti.

Përkrah tij është makina e pare Red Bull e Mark Ueber, ndërsa kampioni i botës në fuqi, Sebastian Vetel, regjistroi kohën e 6-të më të mirë. Por ai do të lëvizë një pozicion më lart në vijën e nisjes, pasi Raikonen që regjistroi kohën e 5-të më të shpejtë, do të zbresë në vendin e 10-të meqë ka bërë ndryshime në makinë.

Ferrari ka bërë një tjetër kualifikuese për t’u harruar, ku dukej qartë që nuk është në nivelin e skuadrave që pretendojnë për podium. Alonso ka arritur të ngjitet deri në vendin e 8-të në vijën e nisjes, ndërsa Felipe Masa do të niset nga vendi i 12-të në garën e nesërme. (LajmeShqip.com).

Vija e nisjes për Çmimin e Madh tëmalajzisë

1. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

2. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

3. Mihael Shumaker (Mercedes)

4. Mark Veber (Red Bull-Reno)

5. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

6. Romein Grosjean (Lotus-Reno)

7. Niko Rosberg (Mercedes)

8. Fernando Alonso (Ferrari)

9. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

10. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

11. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

12. Felipe Masa (Ferrari)

13. Bruno Sena (Uilliams-Reno)

14. Pol di Resta (Force India-Mercedes)

15. Daniel Riçiardo (Toro Roso-Ferrari)

16. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

17. Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)

18. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

19. Vitali Petrov (Katerham-Reno)

20. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)

21. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)

22. Pedro de la Rosa (HRT-Kosuorth)

23. Narain Kartikeian (HRT-Kosuorth)

24. Haiki Kovalainen (Katerham-Reno) 

 
Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 11:45

Luis Hemilton ka qenë më i shpejti në provat e lira të ditës së premte në pistën e Sepang, ndërsa dy makinat MekLaren dhe dy makinat Mercedes pushtuan katër vendet e para me kohët më të shpejta gjatë të dy seancave.

Koha e britanikut të MekLaren prej 1 minutë e 38.021 sekonda e regjistruar gjatë seancës së parë të provave rezultoi më e shpejta në pistën e Sepang. Ai ishte 0.151 sekonda më i ngadaltë në xhiron e tij më të mirë gjatë seancës së dytë, ku skuadrat u përqendruan me shumë të mbanin një hap gare, sesa të dhuronin kohë të shpejta.

Pavarësisht problemeve që shfaqën thuajse të gjitha makinat me gomat, gjatë provave të lira u pa qartë që motori Mercedes është superior ndaj firmave të tjera deri tani. Mikael Shumaher regjistroi kohën e dytë më të shpejtë pas Hemilton me makinën Mercedes, i ndjekur nga Xhenson Baton me makinën tjetër MekLaren, si dhe shoku i tij i skuadrës te Mercedes, Niko Rosberg.

Pjesa tjetër e pilotëve udhëhiqet nga Daniel Riçiardo i Toro Roso, ndërsa Fernando Alonso duket se ka arritur të përmirësojë disi makinën e tij duke ndryshuar pjesën e përparme, për të zënë vendin e 6-të në këto prova të lira, por me 0.719 sekonda larg vendit të parë.

Makinat Red Bull e mbyllën seancën e dytë të provave shumë larg kreut ku Mark Veber u rendit i 7-ti, ndërsa Sebastian Vetel i 10-ti, më shumë se një sekond larg kohës më të mirë të Hemilton. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 13:24

Pilotët e Formula 1 kanë vendosur të përkujtojnë Marko Simonçelin duke bërë homazhe në kthesën e pistës së Sepang ku ai humbi jetën me 23 tetor të vitit të kaluar. Thuajse të gjithë pilotët e Formula 1, të cilët kanë mbërritur në pistën e Sepang për garën e të dielës, kanë kaluar në atë pjesë të pistës duke kujtuar një prej personazheve më simpatikë të viteve të fundit në Moto GP, i cili u nda tragjikisht nga jeta në një moshë të re.

Të parët kanë qenë pilotët e Ferarrit, Felipe Masa dhe Fernando Alonso, të cilët kanë bërë edhe një foto me një prej sinjalizuesve të garës, për të kujtuar italianin. “Kam patur gjithmonë kujtime të bukura në këtë pistë, nga pole position i parë në gara të mëdha. Po që kur ka vdekur Simonçeli, Sepang nuk është më e njëjta për mua. Është ndarë nga ne një figurë e rëndësishme e garave, ishte një vdekje që ka lënë shenjë”, ishin fjalët e Fernando Alonsos.

Edhe Mikael Shumaher ka dashur të kujtojë Markon. “Kam kaluar te ajo kthesë me motor duke bërë kontrollin e pistës dhe vendosa të ndalesha. Mu kujtua Simonçeli. E njihja, ishte një djalë i shkëlqyer dhe diellor”.

“Nuk e njihja personalisht por shihej që ishte një pilot dhe person i veçantë. Ajo fundjavë, bashke me vdekjen e Dan Ueldon në garat Indi, është një prej më tragjikeve në botën e garave”, ishte komenti i Xhenson Baton.

“Jam një tifoz i garave me motor dhe jam ndalur edhe unë për të medituar në atë kthesë. Atë ditë po e ndiqja garën dhe nuk më besohej ajo që shihja. Simonçeli ishte një person fantastik dhe gjithmonë i qeshur. Pas vdekjes së tij, babai i Markos na çuditi të tërëve, pasi gjeti forcën e madhe për të reaguar dhe duhet të jetë një dritë dhe një shembull për botën tonë. Jemi një komunitet i vogël garuesish dhe kur një nga ne ndahet nga jeta, është gjithmonë një traumë e rëndë për të tjerët”, ishte komenti i Mark Ueber. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 11:20

Luis Hemilton është i bindur se ka gjetur zgjidhjen problemeve që e çuan në vendin e tretë të garës së hapjes së kampionatit të Formula 1 dhe shpreson që të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit që në garën e të dielës në Malajzi.

Nëse menjëherë pas garës ai u shfaq shumë i zhgënjyer për paraqitjen, këtë radhë ka treguar se ka gjetur problemin në makinën e tij, që nuk e lejoi të nisej po aq shpejt sa shoku i tij i skuadrës, Xhenson Baton, i cli parakaloi në kthesën e parë dhe më pas fitoi Çmimin e Madh të Australisë.

“Isha i kënaqur me makinën gjatë fundjavës por jo në garë ku Xhenson ishte më i shpejtë se unë. Më pas u ula bashkë me inxhinierët dhe pamë të gjitha të dhënat. Kishte patur një problem të vogël me marshin në nisje dhe nuk ishte faji im që makina nuk reagoi aq shpejt. Të paktën gjetëm se ku duhet të përmirësohemi në të ardhmen”.

Hemilton nuk ka fituar asnjëherë në pistën e Sepang ku zhvillohet gara e të dielës, por ai është i bindur se mund të marrë një sukses të tillë edhe për faktin se MekLaren paraqitet gjithmonë mirë në pistat e shpejta si ajo e Malajzisë.

“Mendoj se shkojmë drejt garës me optimizëm pasi pista e Sepang është e shpejtë dhe makina jonë zakonisht ka shkuar shumë mirë në pistat e shpejta gjatë testimeve të dimrit. Nuk e kam fshehur asnjëherë dëshirën se dua të fitoj të paktë një garë në çdo pistë të mundshme gjatë karrierës time. Unë nuk kam fituar në Sepang asnjëherë dhe do të doja që të siguroja suksesin që më nevojitet në këtë pistë që nga gara e fundjavës”, tregoi piloti britanik. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 12:14

Fernando Alonso nuk pret që Çmimi i Madh i Malajzisë të jetë më i lehtë për skuadrën Ferrari dhë ka theksuar se atij do t’i duhet përsëri të garojë “në mbrojtje” dhe jo në sulm për vendet e para.

Gara e parë e sezonit në Australi ishte më e vështirë se sa mendohej për skuadrën italiane, ku si Alonso, ashtu edhe Masa nuk u kualifikuan mes 10 të parëve në provat zyrtare dhe vetëm piloti spanjoll përfundoi në zonën e pikëve në garë, duke marrë vendin e pestë.

“Në Malajzi do të garojmë përsëri në mbrojtje. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër garimi për ne duke parë se modeli F2012 është identik me atë që garoi në Australi. Duhet të përpiqemi të përshtatemi sa më shpejt, duke e ditur që nuk është e lehtë”.

“Ka dy pika ku duhet të punojmë me urgjencë: balancimin aerodinamik dhe konsumin e gomave. Për momentin thuhet se gara do të zhvillohet në shi, por unë nuk u besoj shumë parashikimeve të motit. E vetmja gjë e sigurt është se do të jetë shumë, shumë nxehtë”, deklaroi piloti spanjoll në faqen e internetit të Ferrarit rreth garës së kësaj fundjave. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 10:33

Xhenson Baton shpreson që të vërë sa më shumë në vështirësi kundërshtarët e skuadrës Red Bull, ndërsa pranon se Çmimi i Madh i Malajzisë që zhvillohet të dielën, do të jetë testi i vërtetë i kandidaturës për titull të MekLaren.

Baton e filloi sezonin 2012 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar Çmimin e Madh të Australisë, por kampioni i botës i vitit 2009 mendon se kushtet atmosferike më të nxehta në Malajzi do të tregojnë forcën reale të skuadrës së tij.

“Malajzia është krejtësisht ndryshe nga Australia. Atje është shumë nxehtë, ka shumë lagështirë dhe është shumë pistë e shpejtë. Na duhet ta ndryshojmë tërësisht makinën për këtë garë. Ne kemi garuar me të vetëm në kushte të freskëta të motit dhe ajo mund të ndryshojë krejtësisht në të nxehtin e Malajzisë. Shpresojmë të jemi gati për një garë të tillë”, deklaroi ai për pistën e Sepang.

Sipas Baton, suksesi më i madh i garës së Australisë nuk ishte se ai fitoi, por sepse u thye dominimi i makinave Red Bull të cilat ishin shumë më superiore se të kundërshtarëve në dy sezonet e fundit.

“Është një gjë e mirë për këtë sport që dy makinat Red Bull nuk ishin në vijën e parë të nisjes. Që nga gara e Monzës në vitin 2010 e deri këtë javë, kishte gjithmonë një Red Bull në vijën e parë të nisjes. Duket sikur gjërat kanë ndryshuar por duhet të jemi të kujdesshëm në Malajzi, pasi ata do të jenë gati për t’u kthyer dominues”, deklaroi kampioni i botës në vitin 2009. (LajmeShqip.com)