Lajme Shqip Tuesday, 16 October 2012 14:10

Luis Hemilton mendon se Fernando Alonso me Ferrari do të fitojë titullin kampion në këtë sezon të Formula 1, ndërsa ka pranuar se nuk ka më asnjë shans për ta fituar vetë këtë trofe. Britaniku i MekLaren doli vetëm i 10-ti në garën e fundjavës në Korenë e Jugut, ku Vetel preu finishin i pari dhe mori njëkohësisht edhe kryesimin e renditjes së kampionatit me 6 pikë para Alonso.

“Unë mendoj se Fernando e ka merituar më shumë për atë që ka dhënë gjatë të gjithë vitit. Skuadra e tij nuk ka bërë asnjë gabim. Ai nuk ka qenë gjithmonë më i shpejti, por ka qenë gjithmonë në krye. Ai ka garuar si një kampion gjatë të gjithë vitit dhe unë ndjej se ai tashmë do të bëhet kampion për herën e tretë. Red Bull ka patur më shumë luhatje por edhe ata kanë bërë një punë të shkëlqyer duke fituar tre garat e fundit”, pranoi Hemilton.

27 vjeçari do të garojë në 4 garat e fundit si një pilot i MekLaren para se të lëvizë drejt Mercedes, skuadër me të cilën ka nënshkruar një kontratë trevjeçare. Por ai insiston se do të vazhdojë të luftojë për ekipin përkrah Xhenson Baton, duke hedhur poshtë zërat se të dy nuk komunikojnë më.

“Gjatë këtij viti nuk jam shpërqendruar asnjëherë. Jam 100% pjesë e kësaj skuadre deri në momentin kur do të largohem nga këtu. Njerëzit do të vazhdojnë të thonë se ka një zënkë mes meje dhe Xhenson por sinqerisht që një gjë e tillë nuk ekziston. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me skuadrën, pjesë e të cilës kam qenë për gjithë këto vite dhe shpresoj që në katër garat e fundit të arrijmë përsëri në podium, ndonëse në Kore nuk ishim të shpejtë sa duhet”, deklaroi Hemilton. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 14 October 2012 12:30

Sebastian Vetel është kthyer përsëri në kryesimin e kampionatit botëror të Formula 1 falë një fitoreje dominuese në Çmimin e Madh të Koresë së Jugut. Fitorja e garës së tretë radhazi erdhi pas një paraqitje të shkëlqyer të skuadrës Red Bull, e cila rriti të nxirrte në vendin e dytë shokun e tij të skuadrës, Mark Ueber.

Ueber kishte fituar pole-position në provat e djeshme, por e humbi menjëherë vendin e parë që në nisje ndaj shokut të skuadrës, që me kalimin e xhirove arriti të krijonte një diferencë deri në 10 sekonda, para se të mendonte të ulte ritmin për të kursyer gomat deri në finish.

Fernando Alonso arriti të merrte vendin e tretë me një xhiro të parë spektakolare, por nuk arriti asnjëherë të rrezikonte pozicionin e dy makinave Red Bull. Ai thjesht qëndroi në distancë me kryesuesit e garës dhe u desh të kënaqej me këtë vend të tretë në podium.

Skuadra MekLaren ishte ajo që kaloi një ditë shumë të keqe, me Xhenson Baton që braktisi garën në kthesën e parë, pasi u godit nga Kobajashi, i cili njëkohësisht goditi edhe Niko Rosberg.

Ndërsa Luis Hemilton ishte i katërti për pjesën më të madhe të garës, para se të humbte ritmin e tij me setin e dytë të gomave. Ai u kalua nga Felipe Masa dhe Kimi Raikonen dhe ndryshoi strategji duke bërë një ndërrim gomash tjetër, që e çoi në vendin e 10-të.

Në këtë mënyrë, Felipe Masa arriti të siguronte vendin e katërt në garë, ndërsa skuadra e urdhëroi të qëndronte pas Alonsos, edhe pse braziliani dukej se ishte më i shpejtë se spanjolli.

Raikonen me Lotus mori vendin e 5-të, para Niko Hulkenberg me makinën Force India, i cili dhuroi një nga parakalimet më spektakolare në pistë kur kaloi njëkohësisht si Hemilton, ashtu edhe Groszhan që po duelonin. Francezi i Lotus përfundoi garën në vendin e 7-të, duke lënë pas Zhan Erik Vernje dhe Daniel Riçiardo me Toro Roso. (LajmeShqip.com)

Renditja e botërorit për pilotë:

215      Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

209      Fernando Alonso (Ferrari)

167      Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

153      Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

152      Mark Ueber (Red Bull-Reno)

131      Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

93        Niko Rosberg (Mercedes)

88        Roman Groszhan (Lotus-Reno)

81        Felipe Masa (Ferrari)

66        Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

 
Lajme Shqip Saturday, 13 October 2012 08:40

Mark Ueber arriti të mposhtë shokun  tij të skuadrës te Red Bull, Sebastian Vetel, për të siguruar pole-position në Çmimin e Madh të Koresë së Jugut në Formula 1, falë një xhiroje të fundit të jashtëzakonshme.

Vetel dukej i pakalueshëm deri në sekondat e fundit të kualifikueseve pasi kishte dominuar dy seancat e para, dhe dukej më i shpejtë se konkurrenca me 3/10 e sekondës. Por Ueber arriti të përmirësonte ndjeshëm kohën e tij në xhiron e fundit, të cilin e përshkroi për 1 minutë e 37.242 sekonda. Kjo xhiro e shpejtë e tij hyri njëkohësisht në historinë e garave, pasi ishte e 200-ta pole-position për firmën Reno që furnizon me motor skuadrën Red Bull.

Pas krahëve të dyshes Ueber-Vetel, gara do të jetë e ndezur, pasi në vijën e dytë të nisjes janë renditur Luis Hemilton me MekLaren dhe Fernando Alonso me Ferrari. Britaniku përmirësoi kohën e tij në xhiron e fundit për të kaluar spanjollin që kryeson renditjen e kampionatit botëror dhe kërkon me çdo kusht që të mos humbasë terren përballë Vetel, që mbetet favoriti kryesor për të fituar garën e nesërme.

Vendi i pestë në nisje i shkoi Kimi Raikonen me Lotus, ndërsa Felipe Masa regjistroi kohën e gjashtë më të shpejtë dhe mund të jetë faktor në këtë garë.

Zhgënjimi i ditës ishte Xhenson Baton, i cili nuk mori pjesë në kualifikueset e treta dhe do të niset në këtë garë vetëm nga vendi i 11-të. Kualifikuese mjaft negative edhe për dyshen e Suaber, Perez-Kobajashi, të cilët do të nisen respektivisht nga vendi i 12-të dhe i 13-rë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 10:50

Piloti i Lotus në Formula 1, Kimi Raikonen, ka siguruar se preferon të dalë i katërti në renditjen e Botërorit para një vendi të dytë apo të tretë, pasi nuk dëshiron të marrë pjesë në mbrëmjen zyrtare të dorëzimit të çmimeve në fund të sezonit.

Finlandezi, kampion në vitin 2007 me Ferrarin, është aktualisht i treti në renditjen e kampionatit kur kanë mbetur vetëm 5 gara deri në fundin e tij, por ka bërë të qartë se për të ka rëndësi vetëm vendi i parë.

“Nuk ka rëndësi nëse dal në vend të dytë apo të dhjetë, për mua nuk ka asnjë rëndësi. Preferoj të mos dal i dyti apo i treti në botëror që të mos shkoj te ceremonia e dhënies së çmimeve. Nuk ka asnjë ndryshim mes vendit të dytë dhe të pestë nëse nuk fiton titullin”, tha piloti që mban nofkën “Njeriu i Akullt” për shkak të sjelljes së tij të qetë dhe thuajse indiferente.

Në fillim të vitit, pasi u kthye përsëri në botën e Formula 1, Raikonen tha se do të ishte kënaqur po ta dinte se do të ishte i treti në këtë sezon, por tani 32 vjeçari ka ambicie shumë më të mëdha duke parë se mund të garojë si i barabartë me pretendentët për titull.

“Një herë që bën diçka mirë, shpreson që të përmirësohesh dhe të bësh edhe më shumë në garat e ardhshme”, tregoi moton e tij piloti finlandez që ka hipur në podium në 6 nga 12 garat e fundit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 16:01

Monisha Kaltenborn është kthyer në drejtuesen e parë femër të një skuadre të Formula 1 në historinë e këtij sporti pasi mori drejtimin e skuadrës Sauber, pas tërheqjes së krijuesit të saj, Peter Sauber.

41 vjeçarja ka mbajtur deri tani rolin e shefes ekzekutive ndërsa që nga kjo fundjavë në Çmimin e Madh të Koresë së Jugut, ajo do të marrë përgjegjësitë e plota mbi skuadrën, pasi 68 vjeçari Peter Suaber ka vendosur që të mbajë një rol “vëzhguesi”.

Kjo lëvizje pritej prej kohësh, pasi Sauber i dhuroi asaj 1/3 e pronësisë së skuadrës që në fundin e vitit 2011.

Peter Sauber do të vazhdojë të qëndrojë në detyrën e tij si president i bordit për të gjitha kompanitë Sauber dhe do të mbetet përgjegjësi i drejtimit strategjik të grupit. Në një lajmërim për shtyp, ai tregoi arsyen e vendimit të tij.

“Ne vendosëm shumë kohë më parë që Monisha të merrte drejtimin, por nuk kishim caktuar kohën. Tani është periudha e duhur por të dy ne, pasi kanë qenë disa gara radhazi në të cilat nuk kam patur mundësinë të marr pjesë, përfshirë edhe atë të paraqitjes të shkëlqyer të ekipit në Çmimin e Madh të Japonisë”.

Sauber, që ka hyrë në botën e Formula 1 në vitin 1993, po kalon një sezon të shkëlqyer, pasi ka siguruar katër podiume në këtë sezon, i fundit në fundjavën e kaluar me Kamui Kobajashin në pistën japoneze të Suzuka. (LajmeShqip.com)