Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 15:47

Niko Rosberg, Mercedes

“Ky është një moment i veçantë i jetës time. E gjithë fundjava ishte fantastike, fillimisht pole-position e pastaj fitorja e parë në karrierë. Por edhe fitorja e parë si skuadër është e shkëlqyer. Nuk do ta harroj kurrë këtë garë, 20 xhirot e fundit dukeshin si 24 orët e Le Mansh”.

Xhenson Baton, MekLaren-Mercedes

“Urime për Rosberg, bëri një garë pa gabime. Por askush nuk e di se çfarë mund të kishte ndodhur po të kishim patur pistën e lirë në pjesën e fundit të garës. Qëllimi ishte të dilja para atij grupi makinash por humba shumë kohë në pit-stop, janë gjëra që ndodhin. U gjenda në mes të grupit po arritëm të fitonim pozicione dhe të merrja vendin e dytë. Kjo është një ditë e mirë për MekLaren pasi jemi kthyer përsëri në kreun e kampionatit”.

Luis Hemilton, MekLaren-Mercedes

“Bëra një garë të shkëlqyer. Ndonëse as unë e as Xhenson nuk e fituam këtë garë, jam i lumtur për Niko që mori fitoren e parë të karrierës. Por jam i lumtur edhe për MekLaren pasi të dy mbërritëm të hipnim në podium dhe të merrnim pikë të rëndësishme. U argëtova duke parakaluar pilotët e tjerë dhe nxora maksimumin nga makina. Ky kampionat është shumë i luftuar dhe do të jetë shumë i bukur për të gjithë tifozët pasi skuadrat janë pranë njëra-tjetrës. Ka kaluar shumë kohë që kur unë kam qenë në kryesimin e kampionatit, por mendoj se duhet të vazhdojmë të përqendrohemi te gara e radhës”.

Mikael Shumaher, Mercedes

“Urime Nikos dhe skuadrës që arritën një fitore perfekte. Më vjen keq që ndodhi kështu por goma doli nga vendi sapo përfundoi pit-stop dhe u ndala në bar që të mos shkaktoja më shumë dëme. Më vjen keq për të gjithë mekanikët që punuan shumë, por edhe këto janë pjesë e sportit”.

Mark Veber, Red Bull

“Vendi i katërt nuk është i keq po të shohësh problemet që kishim me përgatitjen e makinës. Në një pjesë të garës e pashë veten shumë mbrapa prandaj duhet të kënaqem me atë që kam marrë pasi ky është një kampionat shumë i luftuar”.

Sebastian Vetel, Red Bull

“Nuk më kishin mbetur më goma në fund të garës. Po mundohesha në të gjitha mënyrat që të mbaja veten në garë dhe besoj se edhe Raikonen kishte të njëjtat probleme. Morëm disa pikë të vlefshme sot dhe vendi i pestë është i mirë i krahasuar me nisjen shumë të keqe që bëra dhe me vendin e 15-të ku gjendesha. Kemi mësuar shumë gjëra me këtë garë”.

Fernando Alonso, Ferrari

“Gara e sotme është pozicioni më realist i makinës në krahasim me atë që kemi parë në Australi apo Malajzi. Por jam i sigurt që në një garë pa trafik, do të kisha qenë më i shpejtë pasi nuk kam patur mundësinë të bëj asnjë xhiro i vetëm. Jam i bindur se po të mos kisha trafik do të përfundoja pa probleme para Uilliams dhe Lotus. Nuk kemi shpejtësi në pjesën e drejtë dhe kjo vështirëson parakalimet, më duhet të bëj shpikje për të gjetur vende ku të kaloj kundërshtarët. Por kur improvizon shumë, gjërat mund të shkojnë keq”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 12:02

Niko Rosberg ka marrë fitoren e parë në karrierë në Formula 1 duke fituar Çmimin e Madh të Kinës në pistën e Shangait, për të thyer hegjemoninë e “emrave të zakonshëm” që zgjaste nga fitorja e Mark Veber në garën e vitit 2009 në Gjermani.

Në një pistë ku ai kishte qenë në kryesim në dy vitet e fundit por pa arritur asnjëherë të ngjitej në majën e podiumit, Rosberg triumfoi në një garë të ethshme, e cila u ndikua nga strategjitë e ndryshueshme për shkak te konsumit të shpejtë të gomave si dhe për shkak se makinat ishin thuajse gjatë gjithë kohës pranë njëra-tjetrës.

Jo vetëm që pilotë në këtë garë ndryshuan mes strategjive të dy apo tre ndalesave për ndryshimin e gomave, por edhe jetëgjatësia e gomave në çdo makinë ishte e ndryshme, duke kushtëzuar kësisoj garën e të gjithëve. Për këtë arsye, fitorja e Rosberg ishte mëse e merituar, pasi strategjia e tij me dy ndërrime ishte më e duhura, duke i dhënë mundësinë që të qëndronte larg telasheve në të cilat u përfshinë pak a shumë të gjithë pilotët e tjerë.

Xhenson Baton me MekLaren përfundoi i dyti dhe ishte kërcënimi më i madh për fitoren e garës. Por shanset e tij për suksesin u shuan pas vonesës në vendosjen e një gome në ndalesën e tij të fundit në bokse. Pas krahëve të tij u rendit Luis Hamilton, për të tretën herë radhazi në shkallën më të ulët të podiumit dhe kryesues aktual i kampionatit.

Të dy pilotët e MekLaren treguan aftësitë e tyre në xhirot e fundit duke kaluar fillimisht Veber e më pas kampionin e botës, Sebastian Vetel, për të konfirmuar se për momentin kanë makinat më të shpejta në dispozicion.

Vetel humbi edhe betejën brenda skuadrës Red Bull, kur u parakalua dy xhiro nga fundi i garës edhe nga Mark Veber, i cili i rrëmbeu vendin e katërt.

Romein Groszhan me Lotus rrëmbeu vendin e 6-të, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Kimi Raikonen, kaloi nga vendi i dytë në të 14-tin pasi gomat e tij lëshuan në mënyrë drastike në xhirot e fundit.

Dyshja e Uilliams, Sena-Maldonado, morrin respektivisht vendin e 7-të dhe të 8-të, ndërsa u ndoqën në vijën e finishit nga Fernando Alonso, i cili shfaqi probleme pas ndërrimit të fundit të gomave dhe doli nga gara për një pozicion më të mirë. I fundit në zonën e pikëve përfundoi japonezi Kobajashi me Sauber.

Zhgënjimi më i madh i ditës ishe përsëri Mikael Shumaher, i cili u detyrua të braktiste garën pas ndërrimit të parë të gomave, sepse një prej mekanikëve nuk i kishte shtrënguar rrotën e përparme. (LajmeShqip.com)

RENDITJA PËR PILOTË

45  Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

43  Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

37  Fernando Alonso (Ferrari)

36  Mark Veber (Red Bull-Reno)

28  Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

25  Niko Rosberg (Mercedes)

22  Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

16  Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

14  Bruno Sena (Uilliams-Reno)

9   Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)

8   Romein Groszhan (Lotus-Reno)

7   Pol di Resta (Force India-Mercedes)

4   Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

4   Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

2   Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)

2   Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

1   Mikael Shumaker (Mercedes)

RENDITJA PËR KONSTRUKTORË

88  MekLaren Mercedes

64  Red Bull-Reno

37  Ferrari

31  Sauber-Ferrari

26  Mercedes

24  Lotus-Reno

18  Uilliams-Reno

9   Force India-Mercedes

6   Toro Roso-Ferrari

 
Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 12:40

Niko Rosberg, Mercedes

“Gjithçka shkoi mirë dhe është një ndjenjë e mrekullueshme. Tani sigurisht që pres me padurim garën që do ta nis nga vendi i parë. Pista po ftohej, temperatura po ulej dhe gomat e prapme filluan të punonin më mirë. Ndërruam konfigurimin para daljes së fundit dhe unë zhvillova xhiron perfekte. Është e qartë se në gara nuk kemi qenë aq të shpejtë sa në kualifikuese por po bëjmë progres. Kjo është një ndjesi e mirë, pasi tregojmë se po bëjmë progres si skuadër”.

Mikael Shumaher, Mercedes

“Nuk mendoja se Niko do të luftonte për pole-position dhe kur pamë atë që bëri ishte një surprizë e madhe për të gjithë ne. Ishte një xhiro fantastike dhe jam i lumtur që ai arriti të marrë pole-position e parë në karrierë. Kjo do të jetë edhe hera e parë që skuadra Mercedes arrin të pushtojë krejtësisht vjen e parë të nisjes gjatë historisë së garës. Mbetet për t’u parë nëse do të ruajmë këtë pozicion në garë, por këtë do ta marrim vesh vetëm nesër. Kemi një problem me konsumin e karburantit dhe degradimin e gomave. Shpresoj që të jetë gara e parë normale dhe të arrij në fundin e saj”.

Luis Hemilton, MekLaren-Mercedes

“Urimet më të mira për Nikon, jam shumë krenar për të. Ne jemi rritur bashkë në gara duke ëndërruar që të garonim në Formula 1. Ishim shokë skuadre në F200 dhe miq para saj. Kam një garë të vështirë me shumë kundërshtarë para por besoj se mund të bëjmë një rezultat të mirë”.

Kamui Kobajashi, Sauber-Ferrari

“Jam shumë i lumtur, skuadra bëri një punë të shkëlqyer. Kemi kohë që themi se duhet përmirësuar paraqitja jonë në kualifikuese dhe mendoj se ky ishte në përmirësim i dukshëm. Do të nisem nga vendi i tretë pasi Hemilton është i penalizuar dhe ky pozicion do të thotë shanse më të mëdha. Por unë nuk jam ëndërrimtar, objektivi ynë është të marrim sa më shumë pikë”.

Fernando Alonso, Ferrari

“Për momentin jemi të gjithë të përqendruar te gara e radhës. Kampionati është objektiv i Ferrarit në çdo vit për shkak të historisë së skuadrës. Por ne nuk jemi budallenj. E dimë që jemi pas të tjerëve dhe që na duhet punë. Një sekondë diferencë është një distancë e madhe dhe rregullimet aerodinamike na japin shpresë se mund të rikuperojmë diçka. Sauber? Ishin ndër më të shpejtët në testet dimërore, ishin ndër më të shpejtët në Australi dhe ndoshta meritonin të fitonin garën në Malajzi”.

Sebastian Vetel, Red Bull

“Është e thjeshtë të gjenden justifikime, por unë isha i lumtur me makinën dje dhe kjo është arsyeja pse mbajta të njëjtin konfigurim. Isha i lumtur me xhirot në kualifikuese. Nuk bëra gabime po nuk isha i shpejtë sa duhej. Kjo është e thjeshtë. Sigurisht që nuk jam i lumtur me pozicionin. E bën më të vështirë, por nuk është e pamundur të bëjmë një garë të mirë”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 09:45

Niko Rosberg ka marrë pole-position të parë në karrierën e tij dhe skuadrën Mercedes që pas kthimit të kësaj të fundit në Formula 1 falë një paraqitje të shkëlqyer në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Kinës në pistën e Shangait.

Piloti gjerman ishte gjysmë sekonde më i shpejtë se Luis Hemilton me MekLaren që dha kohën e dytë më të shpejtë, duke ruajtur parashikimet e një paraqitje të jashtëzakonshme të skuadrës Mercedes, pasi në vjen e nisjes do të ketë përkrah Mikael Shumaher. Ky i fundit dhuroi kohën e tretë më të mirë, por falë penalizmit me 5 vende të Hemilton për ndryshime në makinë, do të jetë i dyti në nisje.

Penalizmi i Hemilton ka favorizuar edhe japonezin Kamui Kobajashi, i cili tashmë do të niset i treti, duke konfirmuar progresin e jashtëzakonshëm të skuadrës Sauber.

Ndërkohë, Sebastian Vetel ka dëmtuar seriozisht shanset e tij për fitoren e parë në këtë sezon duke u kualifikuar vetëm i 11-ti, falë kualifikueseve të dyta ku vendi i parë me të 11-tin ishin vetëm 0.3 sekonda larg njëri-tjetrit, si për të treguar rivalitetin e madh të kësaj gare. Gjermani humbi mundësinë të merrte pole-positon të katërt radhazi në Shangai, ndërsa është për herë të parë i kualifikuar jashtë 10 vendeve të para që nga gara e Brazilit në vitin 2009.

Kimi Rakonen me Lotus do të niset nga vendi i katërt në garë, ndërsa Xhenson Baton me MekLaren dhe Mark Veber me Red Bull do të ndajnë vijën e tretë në nisje.

Përsëri prova zhgënjyese për Ferrarin, që ka renditur Fernando Alonson në vendin e 9-të dhe Felipe Masan në vendin e12-të. (LajmeShqip.com)

Çmimi i Madh i Kinës, radha e nisjes

1. Niko Rosberg (Mercedes)

2. Mikael Shumaker (Mercedes)

3. Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)

4. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

5. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

6. Mark Veber (Red Bull-Reno)

7. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

8. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

9. Fernando Alonso (Ferrari)

10. Romein Grosjean (Lotus-Reno)

11. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

12. Felipe Masa (Ferrari)

13. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

14. Bruno Sena (Uilliams-Reno)

15. Pol di Resta (Force India-Mercedes)

16. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

17. Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)

18. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

19. Haiki Kovalainen (Katerham-Reno)

20. Vitali Petrov (Katerham-Reno)

21. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)

22. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)

23. Pedro de la Rosa (HRT-Kosuorth)

24. Narain Kartikeian (HRT-Kosuorth)

 
Lajme Shqip Friday, 13 April 2012 10:12

FIA bëri të ditur se Çmimi i Madh i Bahrein në Formula 1 do të zhvillohet ashtu siç është planifikuar në javën e ardhshme, pasi të gjithë do të jenë të sigurt në vendin e vogël të Gjirit Persik.

Pas disa javëve radhazi ku mbretëronte pasiguria mbi zhvillimin apo jo të garës për shkak të protestave të dhunshme në vend, organizmi që rregullon aktivitetet motoristike botërore, morri këtë vendim të rëndësishëm pas një mbledhje të zhvilluar me padronin e Formula 1, Berni Ekleston dhe skuadrat të cilat po marrin pjesë në Çmimin e Madh të Kinës.

“Duke u bazuar në informacionet që kemi, FIA është e kënaqur se janë marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë për zhvillimin normal të një aktiviteti të Kampionatit Botëror të Formula 1 në Bahrein. Si rrjedhojë, FIA konfirmon zhvillimin e Çmimit të Madh të Bahrenit sipas kalendarit të përcaktuar”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga FIA.

Edhe skuadrat kanë shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë garë, qoftë edhe për faktin se më në fund kanë mësuar se si të planifikojnë javët e ardhshme. “Pasiguria e zhvillimit të garës na shqetësonte të gjithëve ndaj tani të gjithë e dimë që javën e ardhme do të shkojmë në Bahrein”, tha Kristian Horner, shefi i skuadrës Red Bull.

Gjithsesi, ai pranoi se do të merreshin masa shumë të rrepta sigurie privatisht, në mënyrë që askush të mos rrezikonte në vendin e Lindjes së Mesme.

“Ne e marrim shumë seriozisht çështjen e sigurisë së punonjësve tanë ndaj masa më të rrepta sigurie do të ndërmerren. Do të bëmë maksimumin që djemtë dhe vajzat e skuadrës tonë të jenë sa më të sigurt që të jetë e mundur”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në provat e lira të ditës së sotme në Çmimin e Madh të Kinës, piloti më i shpejtë në pistë ishte Mikael Shumaher me Mercedes, i cili u ndoq nga Luis Hemilton me MekLaren dhe Sebastian Vetel me Red Bull. Vetëm vendi i 10-të në këto prova për kryesuesin e kampionatit, Fernando Alonso me Ferrari. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 12:32

Luis Hemilton deklaron se do të luftojë për fitoren e Çmimit të Madh të Kinës në Formula 1, ndonëse është i penalizuar me 5 vende në vijën e nisjes për shkak të ndryshimit të detyrueshëm të marshit në makinën e tij.

“Skuadra e mësoi vetëm në 48 orët e fundit se kishim nevojë të bënim këtë ndryshim. Megjithatë, ne vazhdojmë të kemi një mundësi të mirë për të fituar garën. Kemi një makinë të mirë dhe me një pozicion sa më të mirë të mundshëm dhe me një strategji të mirë, mund të synojmë të fitojmë. Personalisht do të isha i kënaqur edhe me një vend në podium”.

Fakti që ai do të detyrohet në zbresë 5 vende në vijën e nisjes, nuk e ndryshon mentalitetin e britanikut, i cili insiston se do të luftojë për vendin e parë gjatë provave zyrtare.

“Penalizimi nuk ndryshon sjelljen time para garës, gjithsesi do të më duhet të kualifikohem sa më lart që të jetë e mundur. U nisa i treti vitin e kaluar dhe e fitova këtë garë. Tani do të mundohem që ta fitoj duke u nisur nga disa pozicione më mbrapa në renditje. Objektivi im është të marr maksimumin që në prova, në mënyrë që ta nis garën nga vendi i 6-të”. (LajmeShqip.com)