Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 09:55

Sebastian Vetel është shfaqur mjaft polemik në fjalët e tij të para si kampion i trefishtë bote në Formula 1. Piloti i Red Bull, përveç gëzimit për suksesin e radhës, ka akuzuar kundërshtarët se janë munduar që ta ndalin në mënyrë të parregullt për t’i hequr nga duart këtë titull kampion.

“Është e vështirë të gjesh fjalë. Kam ende shumë adrenalinë në trup. Ka qenë një garë e pabesueshme, më e vështira në karrierën time. Kanë provuar në të gjitha mënyrat për të na vështirësuar punën. Kur u rrotullova në kthesën 4 që në xhiron e parë, kisha ndjesi mjaft negative, por ishte pozitiv fakti që askush nuk u përplas me mua në ato momente”, shpjegoi 25 vjeçari.

“Shumë kundërshtarë kanë provuar lëvizje të parregullta, sipas nesh edhe përtej limiteve normale, por asnjëherë nuk u shpërqendruam apo irrituam me ta. Kemi shtyrë deri në fund, edhe pse u munduan të na nervozojnë duke deklaruar se do të kishim probleme në shi. Kemi treguar se jemi konkurrues në çdo lloj kushti atmosferik”, ishin fjalët e gjermanit që ka hyrë në librin e historisë si më i riu që arrin të fitojë tre tituj botërorë në Formula 1. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 25 November 2012 19:59

Sebastian Vetel ka shkruar emrin e tij në librat e historisë së Formula 1, duke fituar titullin e tij të tretë kampion radhazi, për t’u bërë piloti më i ri që arrin një shifër të tillë. Suksesi i gjermanit të Red Bull erdhi pavarësisht se ai doli i 6-ti në garën e fundit të sezonit në Brazil, pasi ky pozicion i mjaftoi për të mbajtur 3 pikë larg Fernando Alonson që e mbylli garën në vendin e dytë në podium.

Në një garë të çmendur në pistën braziliane, ku kushtet atmosferike vunë gjithçka në dyshim nga xhiroja e parë në të fundit, pilotët dhuruan një spektakël të jashtëzakonshëm ku ranë në pah aftësitë individualë, por edhe strategjitë e duhura të skuadrës. Fitorja i shkoi Xhenson Baton me MekLaren, i cili u tregua më i duruar dhe përfitoi nga përplasja mes Hemilton dhe Hulkenberg që po duelonin për fitoren para tij. Nga kjo përplasje e pësoi më keq Hemilton, i cili u detyrua të braktisë garën, duke mos i dhënë lamtumirën e shpresuar skuadrës MekLaren.

Në vendin e dytë u rendit pikërisht Fernando Alonso, i cili mori podiumin që kërkonte, por që nuk siguroi pikë mjaftueshëm për të kaluar Vetel në luftën për titull, pas një gare ku dukej qartë që ai nuk kishte makinën më të mirë në dispozicion. Vendi i tretë i shkoi Felipe Masa, i cili gjatë gjithë garës u mundua të mbronte shokun e tij dhe t’i siguronte një pozicion sa më të mirë. Pikërisht pikët e marra nga Masa në garat e fundit të sezonit bënë që Ferrari të siguronte vendin e dytë në kampionatin e konstruktorëve. Vendi i katërt i shkoi Mark Ueber, i cili kaloi mes shumë peripecish për të arritur në këtë vend, i ndjekur nga Niko Hulkenberg që për një pjesë relativisht të gjatë kohe drejtonte këtë Çmim të Madh, por që prishi gjithçka me përplasjen me Hemilton.

Vetel siguroi vendin e 6-të, aq sa i mjaftoi për titullin, por ka qenë shumë me fat, pasi që në kthesat e para u përplas me Senën dhe përfundoi në vendin e fundit. Sikur të mos mjaftonte kjo, reshjet e shiut dhe një ndryshim gomash i gabuar e vonuan shumë, por në pistë ai u shfaq përsëri më i shpejti dhe pasi siguroi pozicionin që i nevojitej, qëndroi në pritje për të kaluar vijën e finishit.

Në vendin e 7-të u rendit Mikael Shumaker, i cili i dha lamtumirën garave të Formula 1, ndërsa pas tij, në zonën e pikëve përfunduan Vernje, Kobajashi dhe Raikonen. (LajmeShqip.com)

Renditja përfundimtare e Botërorit të Formula 1 për pilotë:

281      Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

278      Fernando Alonso (Ferrari)

207      Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

190      Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

188      Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

179      Mark Ueber (Red Bull-Reno)

122      Felipe Masa (Ferrari)

96        Romen Groszhan (Lotus-Reno)

93        Niko Rosberg (Mercedes)

66        Serxho Rerez (Sauber-Ferrari)

63        Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

60        Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)

49        Mikael Shumaker (Mercedes)

46        Pol Di Resta (Force India-Mercedes)

45        Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

31        Bruno Sena (Uilliams-Reno)

16        Zhan Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

10        Daniel Riçiardo (Toro Roso-Ferrari)

Renditja përfundimtare e Botërorit të Formula 1 për konstruktorë:

460      Red Bull-Reno

400      Ferrari

378      MekLaren-Mercedes

303      Lotus-Reno

142      Mercedes

126      Sauber-Ferrari

109      Force India-Mercedes

76        Ulliams-Reno

26        Toro Roso-Ferrari

 
Lajme Shqip Saturday, 24 November 2012 19:58

Skuadra MekLaren pushtoi vijën e parë të nisjes në garën e fundit të sezonit të Formula 1 në Brazil, ku do të diskutohet titulli kampion, ndonëse asnjë prej dy pilotëve të saj nuk synon shkallët më të lartë të podiumit të kampionatit. Luis Hemilton, në garën e tij të fundit si pilot i kësaj skuadre, siguroi vendin e parë, duke ia rrëmbyer atë Xhenson Baton në xhirot e fundit, ndërsa dy pretendentët e titullit, Vetel e Alonso, përfunduan respektivisht i katërti dhe i teti.

Asnjëri prej dy pretendentëve për titull nuk dukej i shpejtë mjaftueshëm sa për të luftuar për “pole position”, pasi MekLaren mori menjëherë kryesimin në kualifikueset e treta. Hemilton dhe Baton ishin më të shpejtë që në xhirot e para, me Alonson që regjistroi kohën e 5-të dhe Vetel që regjistroi kohën e 6-të. Më pas, Alonso nuk arriti të përmirësonte kohën e tij, ndërsa të gjithë pilotët e tjerë dukeshin shumë të shpejtë dhe parakaluan me radhë spanjollin e Ferrarit.

Në vendin e tretë në nisje do të jetë Mark Ueber, një aleat më shumë për Vetel në garën që përcakton titullin pasi me shumë mundësi do të lërë të kalojë pa probleme shokun  skuadrës që në nisje dhe më pas do të mundohet të mbajë mbrapa të gjithë të tjerët.

Vendi i 5-të i kaloi Felipe Masa të Ferrarit, që do të mundohet të ndihmojë edhe ai shokun e skuadrës duke kontrolluar pilotët që e ndjekin, Maldonado e Hulkenberg, në mënyrë që Alonso të ketë mundësinë të fitojë pozicione dhe të luftojë për t’iu afruar sa më shpejt Vetel.

Pavarësisht parashikimeve, gjatë provave ra vetëm një shi i lehtë, ndërsa nuk pritet që gjatë garës së nesërme të ketë shumë reshje, të cilat në letër favorizojnë Alonson që është një ekspert në pistë të lagur. (LajmeShqip.com)