12
 
Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 15:37

Sebastian Vetel me Red Bull ka fituar Çmimin e Madh të Bahrein në Formula 1 pas një gare perfekte, të dominuar që nga fillimi dhe pa gabime, duke treguar se është kthyer përsëri në formën e tij më të mirë.

Piloti gjerman ka triumfuar në pistën e Sakhir që në nisje dhe më paska qenë perfekt si në pilotim i vetëm në krye, ashtu dhe në momentet kur është vënë në vështirësi nga Kimi Raikonen, surpriza më e këndshme e kësaj gare.

Finlandezi me Lotus arriti të ngjitej në shkallën e dytë të podiumit pas një strategjie perfekte, ndërsa ishte nisur i 11-ti, por ka përfituar nga fakti se kishte në dispozicion një komplet gomash të papërdorura më shumë, të ruajtura meqë nuk kishte bërë kualifikueset e treta një ditë më parë.

Makina tjetër Lotus, ajo e Romein Groszhan, u ngjit në vendin e tretë në podium, për të konfirmuar rritjen e kësaj skuadre që këtë sezon pritet të jetë më shpesh në majat e klasifikimit.

Mark Veber me Red Bull u rendit i katërti, pas një gare ku nuk tentoi asnjëherë të sulmonte për podium, ndërsa vendi i 5-të i shkoi Niko Rosberg me Mercedes. Megjithatë, ky i fundit ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të garës të cilët do të shqyrtojnë mënyrën se si ai i ka zënë rrugën fillimisht Luis Hemilton e më pas Fernando Alonsos gjatë pjesës së mesme të arës.

Një tjetër surprizë ishte renditja në vendin e 6-të për Pol Di Resta me Force India, ku skocezi shfrytëzoi një strategji perfekte prej vetëm dy ndalesash në bokse për t’u ngjitur sa më lart në renditje dhe për të marrë pikë të rëndësishme për ekipin.

Ferrari u desh të kënaqej me vendin e 7-të të Fernando Alonsos dhe të 9-tin e Felipe Masa, për herë të parë në zonën e pikëve në këtë sezon pas katër garash.

Mes tyre u rendit Luis Hemilton, të ciline tradhtuan përsëri mekanikët e MekLaren në bokse, dy herë radhazi, pasi nuk arrinin të montonin si duhej një nga gomat e mbrapme, duke i humbur shumë kohë. Më e keqe ishte situata e shokut të tij të skuadrës, Xhenson Baton, i cili pak xhiro para fundit u detyrua të tërhiqej pikërisht për shkak të një gome të shpuar, ndërsa në ato momente mbante vendin e 6-të.

I fundit në zonën e pikëve u rendit Mikael Shumaher, i cili e kishte nisur garën nga vendi i 22-të. (LajmeShqip.com)

RENDITJA PËR PILOTË

53        Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

49        Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

48        Mark Veber (Red Bull-Reno)

43        Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

43        Fernando Alonso (Ferrari)

35        Niko Rosberg (Mercedes)

34        Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

23        Romein Groszhan (Lotus-Reno)

22        Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

15        Pol di Resta (Force India-Mercedes)

14        Bruno Sena (Uilliams-Reno)

9          Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)

4          Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

4          Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

2          Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

2          Mikael Shumaker (Mercedes)

2          Felipe Masa (Ferrari)

2          Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)

RENDITJA PËR KONSTRUKTORË

101      Red Bull-Reno

92        MekLaren-Mercedes

57        Lotus-Reno

45        Ferrari

37        Mercedes

31        Sauber-Ferrari

18        Uilliams-Reno

17        Force India-Mercedes

6          Toro Roso-Ferrari

 
Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 17:15

Sebastian Vetel me Red Bull është ngjitur përsëri në vijën e parë të nisjes pasi ka siguruar pole-positon në Çmimin e Madh të Bahrein të Formula 1. Piloti gjerman është shfaqur si në kohë e tij më të mira, duke rigjetur shpejtësinë që i mungonte dhe duke u shfaqur pretendent për të marrë suksesin e parë të sezonit në garën e ditës së nesërme.

Pas krahëve të tij, u rendit Luis Hemilton me MekLaren, për të konfirmuar se ai është në një formë të mirë dhe kërkon të jetë përsëri në podium. Vendi i tretë në vijën e nisjes i përket Mark Veber, pilotit tjetër të Red Bull, i cili do të niset përkrah Xhenson Baton me MekLarenin tjetër.

Fituesi i Çmimit të Madh të Kinës një javë më parë, Niko Rosberg, do të nisë garën nga vendi i 5-të, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Mikael Shumaher, kishte probleme teknike dhe u eliminua që në fazën e parë të provave zyrtare, duke nisur garën e nesërme nga vendi i 17-të.

Daniel Rikiardo ishte surpriza e provave zyrtare pasi arriti të ngjitë Toro Roso në vendin e 6-të në vijën e nisjes, ndërsa pas tij u renditën Romein Groszhan (Lotus) dhe Serxho Perez (Sauber). Vetëm vendi i 9-të për Fernando Alonson, i cili vendosi që në pjesën e tretë të kualifikueseve të mos zhvillonte asnjë xhiro për të ruajtur gomat, që në këtë pistë kanë treguar se konsumohen në mënyrë të frikshme.

Gjatë provave zyrtare janë shënuar disa ngjarje të çuditshme, të cilat kanë lidhje me atë që po ndodh aktualisht në Bahrein. Fillimisht, faqja zyrtare e Formula 1 në internet ka qenë e bllokuar gjatë provave zyrtare, duke lënë të kuptohet se ky ishte një aluduar tjetër sulm i grupit të piratëve elektronikë “Anonymous”.

Ndërkohë, Berni Ekleston është hakmarrë ndaj Force India që refuzoi të merrte pjesë në provat e lira të pasdites të së premtes për çështje sigurie, pasi kamerat nuk kanë treguar për asnjë sekondë makinat e kësaj skuadre gjatë provave zyrtare, ndonëse Pol Di Resta arriti të siguronte vendin e 10-të dhe Niko Hulkenberg vendin e13-të.

Gjithashtu, nga forcat e opozitë në Bahrein është mësuar se një protestues ka mbetur i vdekur gjatë përplasjeve që ndodhën mes tyre dhe policisë në natën e të premtes pak kilometra larg pistës së Sakhir. (LajmeShqip.com)

ÇMIMI I MADH I BAHREIN, RADHA E NISJES

1. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

2. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

3. Mark Veber (Red Bull-Reno)

4. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

5. Niko Rosberg (Mercedes)

6. Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)

7. Romein Groszhan (Lotus-Reno)

8. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

9. Fernando Alonso (Ferrari)

10. Pol di Resta (Force India-Mercedes)

11. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

12. Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)

13. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

14. Felipe Masa (Ferrari)

15. Bruno Sena (Uilliams-Reno)

16. Haiki Kovalainen (Katerham-Reno)

17. Mikael Shumaker (Mercedes)

18. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

19. Vitali Petrov (Katerham-Reno)

20. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)

21. Pedro de la Rosa (HRT-Kosuorth)

22. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

23. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)

24. Narain Kartikeian (HRT-Kosuorth)

 
Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 10:25

Grupi i famshëm i piratëve informatikë, “Anonymous”, i ka shpallur zyrtarisht luftë garës së Formula 1 në Bahrein, duke protestuar kundër zhvillimit të saj në një vend që dhunon të drejtat e njeriut.

Kërcënimi i publikuar në internet është shoqëruar me një sulm masiv kundër faqes zyrtare të Formula 1, duke e bllokuar atë për dy orë dhe duke paralajmëruar ta kthejë në një “krater tymues në hapësirën kibernetike”.

“Anonymous” janë grupi më i kërkuar i piratëve informatikë në botë, duke figuruar në listat e Interpolit dhe të FBI,  pasi kanë arritur të dëmtojnë jo vetëm banka, institucione apo kompani, por edhe vetë kompjuterët e FBI dhe agjencive të tjera të sigurisë në botë.

Duke patur parasysh aftësitë e tyre kompjuterike, mundësia e një problemi kompjuterik gjatë garës është mëse e mundur. Mjafton që ata të shuajnë kompjuterët e kohëve apo lidhjet televizive me pistën që të hidhet në ajër transmetimi i garës në fjalë.

“Anonymous ka ndjekur me alarm rritjen e pabesueshme të abuzimit të të drejtave të njeriut nga regjimi i Bahrein. Kemi parë këtë qeveri tiranike të bombardojë me gaz lotsjellës deri vdekje njerëzit e vet, me 30 viktima deri tani. Si rrjedhojë, Anonymous do të rifillojë “Operacionin Bahrein” nëpërmjet këtij Çmimi të Madh të urryer të Formula 1 që do të zhvillohet në Bahrein nga sot, deri me datë 22 prill”.

“Duke filluar nga nesër, për të zgjatur gjatë të gjithë garës, Anonymous do të kthejë faqen tuaj të internetit [formula1.com ] në një krater tymues të hapësirës kibernetike. Gjithashtu do të bllokojmë linjat tuaja telefonike, bombardojmë postën tuaj elektronike dhe shkatërrojmë çdo gjë tjetër tuajën që gjejmë në internet. Bëhuni gati të na prisni”, ishte kërcënimi i grupit të piratëve drejtuar zyrtarëve të Formula1 dhe monarkisë së Bahrein. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 18:27

Princi i Kurorës në Bahrein, Salman bin Hamad bin Isa Al Khalifa ka hedhur poshtë të gjitha zërat për hipotezën e mundshme të anulimit të garës së Formula 1 në këtë fundjavë në vendin e tij.

Pavarësisht shqetësimeve të ndodhura, ai ka bërë të qartë se kjo garë ishte jetike për vendin e tij edhe për fatin se ky shtet po mundohej të kalonte këto trazira, si çdo vend tjetër në botë.

“Mendoj se anulimi i garës thjesht i jep pushtet ekstremistëve. Zhvillimi i kësaj gare na ndihmon ne që po përpiqemi të punojmë për të kaluar këtë ngërç politik, që të gjejmë një urë mes komuniteteve. Kjo garë na lejon të festojmë vendin tonë si të bashkuar, jo si të ndarë”.

“Ju garantoj se çdo problem që mund të ketë ndodhur, apo që mund të ndodhë, nuk ka si objektiv Formula 1 dhe pjesëtarët e kësaj gare. Incidenti me Force India nuk kishte si objektiv ata, por policinë. Pikërisht këtë ekstremizëm po mundohemi të ndalojmë. Nuk duam të fshehim çfarë ndodh, pikërisht për këtë arsye insistojmë që të zhvillohet gara, që t’ju tregojmë njerëzve Bahrein, me të mirat dhe të këqijat e tij, nuk jemi një vend perfekt”, tha ai.

Por ndërkohë, Force India ka braktisur provat e lira të pasdites të së premtes për çështje sigurie, pas incidentit që ndodhi një ditë më parë ku makina me pjesëtarë të ekipit u sulmua me bombë molotov. Ndonëse skuadra lëshoi një deklaratë për shtyp ky thuhej se ky vendim ishte marrë për çështje teknike, një nga drejtuesit e skuadrës, Bob Fernli, konfirmoi për mediat se ishte thjesht çështje sigurie pasi stafi dëshironte të largohej nga pista para se të errësohej.

“Po bëjmë të pamundurën që të sigurojmë të gjithë njerëzit dhe ky është objektivi ynë kryesor për tani. Kemi patur probleme, ndërsa tani po sigurohemi që i gjithë ekipi ta ndjejë veten sa më të sigurt në ambientin ku gjendemi”.

“Nuk besoj se do të ndodhë ndonjë gjë tjetër. Protestat do të vazhdojnë dhe e di që ajo që ndodhi me ne ishte një incident fatkeq, po këto janë gjëra që ndodhin. Kur i ndodh skuadrës tënde, atëherë mundohesh ta trajtosh çështjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo është ajo që po bëjmë ne”, deklaroi Fernli. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 19 April 2012 15:32

Frika për probleme gjatë Çmimit të Madh të Bahrein këtë javë u rrit pasi u bë e ditur se të mërkurën në darkë, katër anëtarë të skuadrës Force India u përfshinë në një sulm me bomba molotov.

Katër anëtarë të skuadrës po udhëtonin nga pista drejt hotelit të tyre që gjendet në Manama, kryeqytetin e Bahrein. Ata u detyruan të ndërmerrnin një rrugë alternative për në bazën e tyre, ndërsa sipas raporteve të ndryshme të mediave, ka patur 40 makina të përfshirë në këtë incident, ku njëra është djegur plotësisht.

Ndonëse asnjë prej personave të skuadrës së Force India nuk u plagos, dy prej anëtarëve të kësaj skuadre kanë bërë të ditur se do të largohen menjëherë nga Bahrein si pasojë e asaj që ndodhi një natë më parë.

Piloti britanik, Pol Di Resta, i cili garon për Force India, ka pranuar se atmosfera është e tensionuar pas asaj që ndodhi të mërkurën në darkë. “Jam i sigurt se po ndikon te të gjithë në këto momente. Nuk kam folur me pjesëtarët e tjerë të skuadrës, por jam i sigurt që të gjithë e ndjejnë këtë situatë”.

Drejtuesit e garës u detyruan të lëshonin një deklaratë zyrtare rreth çështjes, duke fajësuar protestuesit “ilegalë” për ngjarjen. Ndërkohë, shefi i pistës së Sakhir, Zajed R Alzajani, minimizoi gjithçka. “Ky ishte një incident i izoluar, edhe gruaja ime u përfshi në të, po askush nga protestuesit nuk e kishte me makinën e Force India”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 11:10

Fernando Alonso ka pohuar se nuk pret asgjë tjetër përveç një fundjave shumë të vështirë ku Ferrari do të bëjë maksimumin për të kufizuar dëmet në krahasim me kundërshtarët gjatë Çmimit të Madh të Bahrein.

Spanjolli përfundoi vetëm i 9-ti në garën e fundjavës së shkuar në Kinë, ku makina e tij në pistë të tharë nuk ishte aq e shpejtë sa në kushtet me shi të Malajzisë.

“Jam i ndërgjegjshëm që në Sakhir do të na presë një tjetër fundjavë e vështirë, që është normale për shkak të karakteristikave të pistës, por edhe sepse makina është e njëjta me atë që kishim në Shangai”.

“Skuadra dhe unë kemi një histori shumë të mirë në Bahrein, pasi ekipi ka 4 fitore ndërsa unë kam 3, përfshirë të parën si pilot i Ferrarit. Por e kaluara nuk vlen në këtë sport dhe kjo fundjavë do të shërbejë vetëm për të kufizuar dëmin”.

Alonso është i ndërgjegjshëm që duke qenë pilot i Ferrarit ka “detyrimin” për ta cilësuar veten pretendent për titull, por tregon se ka ende shumë punë për të bërë që të arrihen rivalët të cilët kanë një marsh më shumë në këtë fillim sezoni.

“Kampionati është i hapur dhe ka shumë skuadra që synojnë fitoren, por ne duhet të hedhim hapin para që të bëhemi më konkurrues nëse aspirojmë që në fund të shpallemi kampionë”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 10:12

Me mbërritjen e thuajse të gjithë ekipeve në Bahrein në orët e para të së martës, kanë filluar të regjistrohen edhe incidentet e para në Manama, kryeqytetin e këtij emirati që gjendet rreth 30 kilometra larg pistës së Sakhir, ku do të zhvillohet në fundjavë gara e Formula 1.

Megjithëse shefi i sigurisë së kësaj piste, Zajed Al Zajani, insistoi edhe një herë se siguria ishte e garantuar dhe gjithçka ishte e qetë, skuadra HRT ka raportuar të kundërtën. Anëtarë të këtij ekipi nuk kanë mundur të shkojnë në pistën e Sakhir për të ndërtuar atje bazën e ekipit, ndërsa janë bllokuar për shumë kohë në hotel “Elite Crystal”. Shkak janë bërë protestat masive që kanë shpërthyer në rrugët e Manama dhe para hotelit të tyre, aq sa policia është detyruar të shpërndajë turmën duke përdorur gaz lotsjellës.

FIA konfirmoi që të premten se gara do të vazhdonte rregullisht pavarësisht kërkesave të aktivistëve për ndërprerjen e saj apo përballjeve mes policisë dhe protestuesve të opozitës.

Kjo garë është një investim shumë i rëndësishëm i këtij emirati dhe organizatorët kanë bërë të qartë se vetëm për pritjen e personave deri tani janë shpenzuar 500 mijë dollarë. “Ne kemi nevojë për këtë si shtet, e meritojmë. Mendoj se kemi kaluar incidentet më të mëdha dhe kjo garë do të na ndihmojë të kthejmë normalitetin në vendin tonë”, ishin fjalët e shefit të sigurisë së pistës së Sakhir. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 16:19

Çmimi i Madh i Bahrein në Formula 1 është përfshirë përsëri në një situatë të tensionuar pasi grupet rebele kundër qeverisjes kanë bërë të ditur se do të protestojnë për zhvillimin e garës.

Opozita Shiite e Bahreinit ka bërë të ditur se kjo do të jetë java e protestave ditore pro-demokracisë në këtë vend. Ata kanë paralajmëruar për tubime të mëdha por kanë bërë të qartë se nuk do të zhvillohen në afërsi të pistës së Sakhir.

Por shqetësimi më i madh vjen nga fakti se grupimi më ekstremist i quajtur “Revolucioni i 14 shkurtit”, ka bërë thirrje për “tre ditë tërbim” nga 20 me 22 prill, kur zhvillohet edhe gara e Formula 1.

Që sot në këtë vend kanë filluar të vijnë pjesëtarët e parë të stafeve të skuadrave pjesëmarrëse, ndërsa deri tani është raportuar se nuk ka patur probleme për asnjë prej tyre.

Gjithsesi, disa televizione kanë bërë të ditur se nuk do të dërgojnë përfaqësues për të transmetuar garën në shenjë proteste ndaj “indiferentizmit” që F1 u ka bërë problemeve të shumta që po vuan populli i Bahrein. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 13 April 2012 10:12

FIA bëri të ditur se Çmimi i Madh i Bahrein në Formula 1 do të zhvillohet ashtu siç është planifikuar në javën e ardhshme, pasi të gjithë do të jenë të sigurt në vendin e vogël të Gjirit Persik.

Pas disa javëve radhazi ku mbretëronte pasiguria mbi zhvillimin apo jo të garës për shkak të protestave të dhunshme në vend, organizmi që rregullon aktivitetet motoristike botërore, morri këtë vendim të rëndësishëm pas një mbledhje të zhvilluar me padronin e Formula 1, Berni Ekleston dhe skuadrat të cilat po marrin pjesë në Çmimin e Madh të Kinës.

“Duke u bazuar në informacionet që kemi, FIA është e kënaqur se janë marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë për zhvillimin normal të një aktiviteti të Kampionatit Botëror të Formula 1 në Bahrein. Si rrjedhojë, FIA konfirmon zhvillimin e Çmimit të Madh të Bahrenit sipas kalendarit të përcaktuar”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga FIA.

Edhe skuadrat kanë shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë garë, qoftë edhe për faktin se më në fund kanë mësuar se si të planifikojnë javët e ardhshme. “Pasiguria e zhvillimit të garës na shqetësonte të gjithëve ndaj tani të gjithë e dimë që javën e ardhme do të shkojmë në Bahrein”, tha Kristian Horner, shefi i skuadrës Red Bull.

Gjithsesi, ai pranoi se do të merreshin masa shumë të rrepta sigurie privatisht, në mënyrë që askush të mos rrezikonte në vendin e Lindjes së Mesme.

“Ne e marrim shumë seriozisht çështjen e sigurisë së punonjësve tanë ndaj masa më të rrepta sigurie do të ndërmerren. Do të bëmë maksimumin që djemtë dhe vajzat e skuadrës tonë të jenë sa më të sigurt që të jetë e mundur”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në provat e lira të ditës së sotme në Çmimin e Madh të Kinës, piloti më i shpejtë në pistë ishte Mikael Shumaher me Mercedes, i cili u ndoq nga Luis Hemilton me MekLaren dhe Sebastian Vetel me Red Bull. Vetëm vendi i 10-të në këto prova për kryesuesin e kampionatit, Fernando Alonso me Ferrari. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 10:48

Diskutimet rreth zhvillimit apo jo të Çmimit të Madh të Bahreinit në Formula 1 kanë marrë një tjetër kthesë, pasi është mësuar se skuadra e Lotus F1 ka përpiluar një raport rreth zhvillimit të garës në vendin e Gjirit Persik. Pjesë të këtij raporti janë bërë publike nga organizatorët e Çmimit të Madh të Bahrein, për të provuar se gara mund të zhvillohej normalisht në këtë vend. Por më paska qenë vetë Lotus F1 që ka dënuar publikimin e raportit pasi ai ishte tërësisht konfidencial dhe se u shërbente vetëm ekipeve pjesëmarrëse në kampionat.

“Është e nevojshme që pista dhe skuadrat të ndjehen të sigurta dhe ata po e bëjnë një gjë të tillë. Nëse do të ketë protesta, do të kufizohen vetëm në ato të llojit paqësor. Ndoshta mund të ketë parulla të shpalosura dhe disa goma të djegura në rrugë, por vetëm kaq”.

“Ne u larguam nga Bahreini duke ndjerë shumë më tepër besim se çdo gjë është nën kontroll dhe po të mos ishte për disa policë më shumë, nuk do ta kuptoje ndryshimin nga hera e fundit që ishim këtu”, shkruhet në raportin e delegacionit të Lotus F1.

Publikimi i këtij informacioni konfidencial solli edhe reagimin e skuadrës që lëshoi menjëherë një deklaratë për shtyp duke bërë të qartë se ky nuk ishte një vendim, por thjesht një raport i brendshëm i bërë për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në kampionat.

Në të njëjtën kohë, Shoqata e Skuadrave të Formula 1, FOTA, lëshoi një deklaratë ku lë çdo vendim në dorën e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, FIA.

“Ka patur disa spekulime në media rreth mundësisë që skuadrat të anulojnë garën e Bahrein që zhvillohet në javën e ardhshme. Por një gjë e tillë është e pamundur pasi skuadrat nuk janë në gjendje të anulojnë një Çmim të Madh. Ne garojmë në një kampionat ndërkombëtar që quhet Kampionati Botëror i Formula 1 FIA ndaj është në dorën e FIA-s të japë udhëzime për çështje të tilla”. (LajmeShqip.com)

12