Lajme Shqip Sunday, 18 March 2012 11:15

Vendi i parë: Xhenson Baton, MekLaren Mercedes

“Ishte fitore shumë speciale. Të fillosh vitin me fitore është shumë e rëndësishme. Duhet të falënderojmë të gjithë skuadrën pasi fitorja ime dhe xhiro më e shpejtë e Hemilton një ditë më parë na vendos në një pozicion më të favorshëm se kundërshtarët në garat e radhës. Shqetësimi më i madh gjatë garës ishte makina e sigurisë, pasi kur ajo hyri në pistë në këtë orë të pasdites ishte shumë e vështirë të mbanim temperaturën e gomave. Gjithçka është ndryshe në krahasim me 2010 apo 2009 kur fitova këtë garë. Mund të them se garimi i sotëm është më i mirë se i çdo viti të mëparshëm”.

Vendi i dytë: Sebastian Vetel, Red Bull

“Urime për Xhenson dhe skuadrën MekLaren, ai zhvilloi një garë fantastike, ishte i pakalueshëm sot po unë jam i lumtur që arrita të marr vendin e dytë. Pas asaj që ndodhi dje, shumë njerëz nuk e prisnin këtë rezultat. Ishte një garë pozitive për ne, e dinim që do të ishte e vështirë, ndaj të marrësh vendin e dytë dhe shumë pikë këtu është shumë e rëndësishme. Makina ka shumë potencial dhe do të kisha dashur që të isha në një pozicion më të mirë dje. Tani na duhet të korrigjojmë gabimet dhe t’ua vështirësojmë më shumë punën javën e ardhshme”.

Vendi i tretë: Luis Hemilton, MekLaren Mercedes

“Kisha shumë vështirësi, pata një fillim tronditës nga i cili nisi gjithçka. Ishte një garë e fortë por urimet më të mira për Xhenson pasi zhvilloi një garë të mrekullueshme. Do të kishte qenë fantastike të kishim marrë dy vendet e para por kjo nuk ishte dita ime më e mirë. Për mua ky është një rezultat i dobët. Por titujt kampion bazohen të vazhdimësia dhe kjo është ajo ku dua të përqendrohem”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 18 March 2012 10:36

Xhenson Baton nisi kampionatin botëror 2012 të Formula 1 me një fitore të merituar për pilotin e MekLaren në Çmimin e Madh të Australisë në Melburn. Kampioni i botës në fuqi, Sebastian Vetel me Red Bull, arriti të ngjitej deri në vendin e dytë nga i gjashti që mbante në nisje të garës, ndërsa mbajti pas krahëve Luis Hemilton me makinën tjetër MekLaren, i cili u zhgënjye disi pasi ishte ai që kishte fituar pole-position në provat zyrtare.

Fernando Alonso shpëtoi fundjavën e Ferrarit me vendin e pestë ndërsa dha sinjale se kjo makinë mund të konkurrojë me më të fortët nëse korrigjohen disa gabime gjatë javëve të ardhshme. Gjithsesi, shoku i tij i skuadrës, Felipe Masa, zhvilloi një garë shumë të dobët dhe u tërhoq në xhiron e fundit pasi u përplas me Bruno Sena.

Zhgënjyese ka qenë edhe gara e dy makinave Mercedes. Pas një fillimi të mirë, Mikael Shumaker u detyrua të braktiste garën që në xhiron e 10-të për probleme me marshet. Ndërkohë, Niko Rosberg qëndroi në zonën e pikëve deri në fundin e garës ku u detyrua të dorëzohej dhe t’i bënte vend makinave të tjera për shkak të problemeve me gomat që e çuan në vendin e 12-të.

Surpriza e kualifikueseve, francezi Groszhan me Lotus u detyrua të largohej nga gara pas një përplasje që në xhiron e dytë. Ndërkohë, makina tjetër Lotus e ish-kampionit të botës, Kimi Raikonen, e mbylli garën në vendin e 7-të.

Në zonën e pikëve përfunduan të dy makinat Sauber me Kobajashi dhe Perez, ashtu si edhe Riçiardo me Toro Roso e Di Resta me Force India, të cilët përfituan nga përplasja e Pastor Maldonado pak kthesa para fundit të garës. (LajmeShqip.com)

ÇMIMI I MADH I AUSTRALISË

RENDITJA E PILOTËVE

1. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)     25 pikë

2. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)                18

3. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)       15

4. Mark Veber (Red Bull-Reno)                      12

5. Fernando Alonso (Ferrari)                          10

6. Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)            8

7. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)                      6

8. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)                  4         

9. Daniel Riçiardo (Toro Roso-Ferrari)          2

10. Pol di Resta (Force India-Mercedes)       1

11. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)       

12. Niko Rosberg (Mercedes)                                     

13. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

14. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)

15. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)

16. Bruno Sena (Uilliams-Reno)

17. Felipe Masa (Ferrari)

18. Haiki Kovalainen (Katerham-Reno)

19. Vitali Petrov (Katerham-Reno)

20. Mihael Shumaker (Mercedes)

21. Romein Groszhan (Lotus-Reno)

22. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

RENDITJA E KONSTRUKTORËVE

1. MekLaren-Mercedes      40 pikë

2. Red Bull-Reno                  30

3. Sauber-Ferrari                 12

4. Ferrari                               10

5. Lotus-Reno                       6

6. Toro Roso-Ferrari           2

7. Force India-Mercedes     1

 
Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 12:07

Luis Hemilton ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme luftën për titullin kampion duke renditur MekLarenin e tij në vendin e parë në vijën e nisjes së garës hapëse të sezonit të Formula 1 në Australi. Piloti britanik ka dhuruar kohën më të mirë gjatë provave zyrtare, duke lënë pas shokun e skuadrës, Xhenson Baton, duke konfirmuar se MekLaren do të jetë forcë kryesore në luftën për titull këtë sezon.

Vendi i tretë i ka shkuar surprizës së provave, Romein Grosjean me makinën Lotus, një rezultat i papritur edhe për këtë skuadër, ndërsa Mikael Shumaker me Mercedes ka arritur të marrë vendin e katërt në vijën e nisjes.

Skuadra Red Bull, e cila shihet si favorite edhe këtë sezon, ka arritur të zaptojë vetëm vijën e tretë të nisjes, ku Mark Ueber, ka arritur më në fund të mposhtë shokun e tij të skuadrës, kampionin e botës në fuqi, Sebastian Vetel, duke i rrëmbyer vendin e pestë.

Një fillim shumë të keq të sezonit kanë bërë makinat Ferrari, të cilat kanë konfirmuar problemet e pritshme para kësaj gare të parë. Fernando Alonso është renditur vetëm në vendin e 12-të pasi ka dalë nga pista gjatë turnit të dytë të kualifikimeve. Më keq ka dalë Felipe Masa, i cili ka zhvilluar xhiro të plota por nuk arrinte të shfaqej konkurrues dhe do të niset nga vendi i 16-të në garë.

Një rezultat i keq ka qenë edhe për ish-kampionin e botës, Kimi Raikonen, i cili do të niset vetëm i 17-ti pasi gaboi kohën e daljes në pistë dhe nuk pati mundësinë të bënte xhiron e shpejtë. (LajmeShqip.com)

Renditja e provave zyrtare

1. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

2. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

3. Romein Grosjean (Lotus-Reno)

4. Mihael Shumaker (Mercedes)

5. Mark Veber (Red Bull-Reno)

6. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

7. Niko Rosberg (Mercedes)

8. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)

9. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)

10. Daniel Riçiardo (Toro Roso-Ferrari)

11. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)

12. Fernando Alonso (Ferrari)

13. Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)

14. Bruno Sena (Uilliams-Reno)

15. Pol di Resta (Force India-Mercedes)

16. Felipe Masa (Ferrari)

17. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

18. Haiki Kovalainen (Katerham-Reno)

19. Vitali Petrov (Katerham-Reno)

20. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)

21. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)

22. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

23. Pedro de la Rosa (HRT-Kosuorth)

24. Narain Kartikeian (HRT-Kosuorth)

 
Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 14:57

Fernando Alonso ka ndryshuar krejtësisht drejtim dhe pas dy javësh ku nga skuderia Ferrari dilnin vetëm deklarata pesimiste, ai ka hedhur hapur kandidaturën për titullin kampion në botërorin e Formula 1, vetëm 3 ditë para garës së parë të sezonit në Australi.

“Fillimisht duhet të shohim si shkojnë gjërat këtu dhe sa konkurrues do të jemi në krahasim me të tjerët. Askush nuk e di ende se kush është i shpejtë e kush jo. Pesimizëm? Felipe Masa ka thënë qe ne luftojmë për podium, ndërsa unë kam thënë që të jemi të durueshëm dhe që është e rëndësishme të fitojmë kampionatin në fund. Pet Frai ka thënë që makina ka potencial ndërsa Domenikali që është e rëndësishme që të paraqitemi fitimtarë. Të gjithë këto mesazhe janë optimiste, ku është pesimizmi këtu?”, tha ai.

Piloti spanjoll ka bërë të qartë se të gjithë duhet të besojnë te Ferrari që është një skuadër fituese dhe e ka provuar këtë edhe në momentet më të vështira. “Në vitin 2010 ne ishim një sekondë më të ngadaltë se Red Bull por kryesonim kampionatin deri në garën e fundit. Vitin e kaluar ishin përsëri një sekondë pas Red Bull dhe mund të shpalleshim gjithsesi nënkampionë. Në vitin 2009, Kimi Raikonen fitoi garën e SPA pa u kualifikuar në kualifikueset e para. Të gjitha këto t’i dhuron vetëm Ferrari, po nuk i besove kësaj skuadre, nuk ke kujt i beson tjetër”, ishte sinjali i qartë i Alonsos për të gjithë rivalët e tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 March 2012 17:15

Sebastian Vetel ka zbuluar emrin e “partneres” së tij të re, duke bërë të ditur se modelit RB8 me të cilin do të garonte këtë vit në kampionatin e Formula 1 ia kishte vënë emrin Abbey.

Ky është sezoni i katërt që Vetel përdor emra fermash për makinat me të cilat garon, duke filluar nga Kate, makina e tij në vitin e parë me skuadrën Red Bull. Në vitin 2010, drejt titullit të parë kampion e çoi Luscious Liz, ndërsa titulli i dytë kampion me 11 gara të fituara brenda një sezoni i përkasin Kinky Kylie.

I pyetur nëse kishte marrë inspirimin nga kënga e famshme e grupit “The Beatles”, ose nga kthesa me të njëjtin emër që i përket pistës së Silverston, Vetel u përgjigj se emri Abbey ishte zgjedhur se i pëlqente dhe shpresonte që t’i sillte fat që në garën e parë të kësaj fundjave në Australi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 March 2012 10:01

Luis Hemilton ka treguar se është gati për garën e parë të sezonit në Formula 1, ku kërkon të fitojë një tjetër titull kampion. Britaniku i MekLaren ka kaluar një sezon shumë të vështirë vitin e kaluar ku tre sukseseve në garat e Kinës Gjermanisë dhe Abu Dabi, iu shtuan gabimet prej fillestari në garat e Monakos, Kanadasë, Belgjikës, Singaporit dhe Indisë.

Por kampioni i vitit 2008 është nisur pikërisht nga këto gabime dhe ato të skuadrës për të përgatitur sezonin e ri. “Kam analizuar garat dhe kam parë nga fillimi disa prej tyre, duke parë ku jam paraqitur mirë dhe ku jam paraqitur keq e kam nevojë të përmirësohem. Më kujtohet mirë gara e Malajzisë, ku mu shpua një gomë, vura gomat  e gabuara që më çuan në vend të shtatë dhe pastaj pësova një dënim se u përplasa me Alonson. Këto janë gjërat që duhet të evitoj këtë sezon”, tregoi ai.

Hemilton do të jetë një nga gjashtë kampionët e botës që do të marrë pjesë në garën e të dielës. “Të fitosh një titull kampion këtë vit, me kaq shumë kampionë në pistë, do të jetë padyshim më i vlefshëm se të tjerët”, tha ai. (LajmeShqip.com)