Lajme Shqip Monday, 05 November 2012 14:30

Luis Hemilton ka sugjeruar se Sebastian Vetel mund të jetë “njeriu më me fat në Formula 1” pas arritjes së tij të jashtëzakonshme në Abu Dabi. Kryesuesi i botërorit u detyrua të nisej nga bokset si piloti i fundit, pas parregullsive me karburantin në kualifikuese. Pavarësisht një dëmtimi që pësoi në makinë në xhirot e para që shtoi më shumë vonesën e tij, Vetel arriti të mbyllte garën në vendin e tretë, falë përplasjeve të ndryshme që ndodhën në pistë dhe hyrjes dy herë të makinës së sigurisë.

Nga ana tjetër, Hemilton u detyrua të shihte një tjetër garë nga bokset, pasi makina e tij MekLaren e la në baltë pas vetëm 19 xhiros, kur ai po kryesonte qetësisht garën.

“Ishte një goditje e rëndë. Kisha një hap të mirë gjatë fundjavës dhe jam i sigurt se mund të kishim fituar. Po hyja në një kthesë dhe makina thjesht vdiq, është e pabesueshme pasi deri në ato momente po ecte si në ëndërr, pa asnjë problem”.

“U detyrova të ndjek garën si spektator nga ai moment. Është e pabesueshme se si Sebastian u nis i fundit nga bokset, duhet të jetë personi më me fat në botën e Formula 1”, tha ai për gjermanin që mbrojti kryesimin e tij në renditjen e botërorit.

I të njëjti mendim është edhe shefi i MekLaren, Martin Uitmarsh. “Vetel ishte i aftë të kalonte Baton, por edhe shumë me fat me makinat e sigurisë dhe shkatërrimin që po zhvillohej në pistë mes makinave para tij. Atij nuk iu desh të sforcohej për të kaluar disa nga makinat më të shpejta, pasi ato eliminuan njëra-tjetrën. Askush nuk priste të kishte dy herë makina sigurie në Abu Dabi, por ai ishte i aftë të përfitonte maksimalisht nga kjo mundësi. Në një mënyrë apo tjetrën, ai ishte shumë me fat”, deklaroi Uitmarsh. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 04 November 2012 17:42

Kimi Raikonen ka arritur të fitojë Çmimin e Madh të Abu Dabi, duke siguruar suksesin e tij të parë që pas kthimit në Formula, 1 për të lënë pas Fernando Alonso, ndërsa Sebastian Vetel, që u nis i fundit, arriti të ngjitej në vendin e tretë në një garë mjaft emocionuese.

Fitorja e Raikonen erdhi në një garë ku kishte të papritura thuajse në çdo xhiro, duke filluar nga e para ku Alonso i rrëmbeu vendin e katërt Mark Ueber, ndërsa në prapavijë përplasjet e makinave më të ngadalta i krijuan mundësinë Vetel të fitonte shumë vende njëherësh. Në xhiron e 9-të, Rosberg solli hyrjen e makinën së sigurisë në pistë, pas një përplasje me Kartikeian, ndërsa gara e Vetel dukej e përfunduar pasi gjermani, në ato momente në vendin 13-të, doli nga pista duke dëmtuar makinën e tij dhe hyri përsëri në bokse, duke dalë shumë mbrapa pilotëve të kreut.

Ndërkohë, gara kryesohej nga Hemilton, por ky i fundit u detyrua të dorëzohej në xhiron e 19-të, pas problemit mekanik të radhës në makinën e tij MekLaren. Që nga ai moment, kryesimin e mori Kimi Raikonen, i ndjekur tashmë nga Fernando Alonso, por Vetel vendosi që të zgjaste më shumë qëndrimin e tij në pistë dhe e pa veten çuditërisht në vendin e dytë. Piloti gjerman gjithsesi u detyrua të kryente edhe një zëvendësim tjetër gomash, por përfitoi nga pasiguritë e rivalëve për të marrë vendin e katërt, pas krahëve të Xhenson Baton.

Një tjetër xhiro e makinës së sigurisë në pistë, pas incidentit të Groszhan dhe Ueber, bëri që pilotët të bashkoheshin dhe pak xhiro para fundit, Vetel arriti të kalonte Baton dhe të merrte vendin e tretë, duke plotësuar një përmbysje të jashtëzakonshme.

Pavarësisht tentativave të Alonso, ai nuk arrit të kapte Raikonen, duke u kënaqur me vendin e dytë në këtë garë, dhe duke shkurtuar në 10 pikë diferencën nga Vetel në kreun e renditjes së kampionatit, kur kanë mbetur vetëm dy gara deri në fundin e sezonit dhe ata të dy janë të vetmit pilotë që mund të fitojnë matematikisht titullin.

Në zonën e pikëve, falë përplasjeve të vazhdueshme të makinave të tjera, përfunduan Maldonado (5), Kobajashi (6), Masa (7), Sena (8), Di Resta (9) dhe Riçiardo (10). (LajmeShqip.com)

Renditja e Botërorit për pilotë:

255      Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

245      Fernando Alonso (Ferrari)

198      Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

167      Mark Ueber (Red Bull-Reno)

165      Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

153      Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

95        Felipe Masa (Ferrari)

93        Niko Rosberg (Mercedes)

90        Roman Groszhan (Lotus-Reno)

66        Serxho Perez (Ferrari)

 
Lajme Shqip Saturday, 03 November 2012 15:52

Luis Hemilton ka treguar se në pistën e Jas-Marina në Abu Dabi, ai është pretendent kryesor për fitoren e garës, duke marrë një pole-position të jashtëzakonshëm në provat zyrtare të zhvilluara sot. Piloti që do të largohet nga MekLaren në fund të këtij sezoni, ka arritur të dhurojë një xhiro rreth 1/3 sekonda më të shpejtë se Mark Ueber me Red Bull që mori vendin e dytë, duke konfirmuar dominimin e tij me pole-position të 25-të të karrierës së tij.

27 vjeçari ishte më i shpejti në pistë në të tre seancat e provave zyrtare, të cilat filluan me diell dhe mbaruan nën ndriçimin artificial, të kësaj piste spektakolare.

Vendi i tretë i shkoi Sebastian Vetel me Red Bull, por kryesuesi i kampionatit mund të përballet me sanksione, pasi ndali makinën në pistë në fundit e provave dhe rrezikon të rrëshqasë disa vende mbrapa në renditje nëse zbulohet se nuk ka patur karburant mjaftueshëm sa për të mbyllur xhiron.

Fernando Alonso me Ferrari nuk arriti të përfitonte nga problemet e rivalit për titull, ndërsa regjistroi vetëm kohën e 7-të më të shpejtë, duke patur para një tjetër garë në rikuperim, siç ka ndodhur shpesh gjatë kohëve të fundit.

Surpriza e kualifikuesve ishte Pastor Maldonado me Uilliams, pasi ai arriti të regjistronte kohën e katërt më të shpejtë në këtë pistë, duke konfirmuar se është mes atyre që pretendojnë për një vend në podium, bashkë me Kimi Raikonën që e ndjek në vendin e pestë me Lotusin e tij. (LajmeShqip.com)