Lajme Shqip Sunday, 23 September 2012 16:32

Sebastian Vetel me Red Bull ka fituar Çmimin e Madh të Singaporit në Formula 1, duke përfituar maksimalisht nga tërheqja e radhës e Luis Hemilton që braktisi garën në mes për shkak të problemeve në MekLarenin e tij. Xhenson Baton me makinën tjetër MekLaren u rendit i dyti, ndërsa Fernando Alonso siguroi vendin e tretë duke ruajtur një distancë të ndjeshme me rivalët në kreun e renditjes së kampionatit.

Hemilton dhe Vetel kryesonin të shkëputur garën, me Baton pas tyre. Por një problem hidraulik detyroi kryesuesin e garës që në xhiron e 22-të të parkonte makinën në një cep të pistës dhe të shihte se si ikte nga duart mundësia për t’u afruar më tepër në luftën për titullin kampion.

Kjo bëri që Vetel të shkonte i qetë drejt finishit, pasi Baton nuk u duk asnjëherë në gjendje për të rivalizuar me të, pavarësisht hyrjes së dyfishtë të makinës së sigurisë në pistë.

Ndërsa Alonso ishte me fat pasi fillimisht largimi i Hemilton, e pastaj një strategji e gabuar e Maldonado që ishte para tij, bënë që ai të siguronte një vend të tretë në këtë garë ku Ferrari nuk ishte në maksimumin e vet.

Pol Di Resta ishte surpriza e ditës, pasi me makinën e tij Force India siguroi vendin e katërt, duke lënë pas Niko Rosberg (Mercedes), Kimi Raikonen (Lotus), Romen Groszhan (Lotus), Felipe Masa (Ferrari), Daniel Riçiardo (Toro Roso) dhe Mark Ueber (Red Bull), të gjithë pilotë që përfunduan në zonën e pikëve. (LajmeShqip.com)

Renditja e botërorit për pilotë pas 14 garash:

194      Fernando Alonso (Ferrari)

165      Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)

149      Kimi Raikonen (Lotus-Reno)

142      Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)

133      Mark Ueber (Red Bull-Reno)

119      Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)

93        Niko Rosberg (Mercedes)

82        Romein Groszhan (Lotus-Reno)

65        Serxho Perez (Sauber-Ferrari)

51        Felipe Masa (Ferrari)

 
Lajme Shqip Saturday, 22 September 2012 15:57

Luis Hemilton me MekLaren siguroi pole-position për Çmimin e Madh të Singaporit, duke arritur të kalojë të gjithë pilotët e tjerë me kohën 1 minutë e 46.362 sekonda, për të lënë pas venezuelanin Pastor Maldonado me Uillimas.

Ky ishte pole-position i 24-t në karrierën e britanikut, e treta në katër garat e fundit, ndërsa ai tregoi se vazhdon të jetë më i shpejtë se të gjithë të tjerët, përfshirë kampionin në fuqi Sebastian Vetel, i cili dukej se do të nisej i pari pasi kishte qenë më i shpejtë gjatë të gjithë fundjavës.

Gjermani ishte mjaft i shpejtë dhe pritej që të qëndronte në vijën e parë në nisje. Por xhiroja e papritur e Maldonados bëri që ai të kalonte në vendin e tretë, me pilotin e Uilliams që arriti të bënte surprizën e këtyre kualifikueseve.

Xhenson Baton regjistroi kohën e katërt më të shpejtë, para pilotit që kryeson kampionatin e Formula 1, Fernando Alonso, i cili duket se nuk po kalon një moment shumë të mirë me Ferrarin e tij.

Pol Di Resta mori vendin e gjashtë me Force India, ndërsa më pas erdhën Mark Ueber (Red Bull), Romen Groszhan (Lotus) dhe dy makinat Mercedes, të cilat vendosën të mos merrnin pjesë në pjesën e tretë të kualifikueseve për të kursyer gomat.

Jashtë 10 më të mirëve kanë mbetur pilotë të njohur si Kimi Raikonen, Felipe Masa dhe Serxho Perez, gjë që do të thotë se gara e Singaporit pritet të ketë spektakël parakalimesh që në kthesat e para. (LajmeShqip.com)