Lajme Shqip Saturday, 13 April 2013 13:39

Bruksel – Ministrat e Financave të Eurozonës ranë dje zyrtarisht dakord për kushtet e paketës së shpëtimit për Qipron. Marrëveshja përbën një ndryshim të dukshëm në politikat e Eurozonës, pasi bankat po paguajnë për të financuar shumën e ndihmës.

Paketa me vlerë 13 miliardë dollarë kërkon nga Qiproja që të sigurojë pjesën tjetër të shumës së nevojshme.

Këtë javë u ngritën një numër pyetjesh se sa miliarda dollarë nevojiten. Fillimisht, paketa e përgjithshme u tha se duhet të ishte rreth 22 miliardë dollarë. Por dokumentat e siguruara nga media e përllogarisin shumën e nevojshme deri në 30 miliardë dollarë.

Dje ministrat e Eurozonës të mbledhur në Dublin miratuan zyrtarisht paketën e shpëtimit, pa ofruar kontributin e tyre kundrejt paketës. Marrëveshja tani duhet të marrë miratimin e vendeve anëtare dhe kësti i parë i ndihmave për Qipron mund të jetë gati nga mesi i muajit të ardhshëm.

Huadhënësit ndërkombëtarë kanë përllogaritur se ekonomia e Qipros do të tkurret 9 për qind këtë vit dhe afro 4 për qind vitin që pason.      

Olli Rehn, Komisioneri i BE për Çështjet Monetare tha dje se ekonomia qipriote mund të tkurret deri në 15 për qind vetëm brenda këtij viti.

“Po rishikojmë parashikimet ekonomike dhe pa diskutim që ka shumë të panjohura lidhur me trajektoren e rritjes ekonomike në Qipro”.

Ai tha se fondet e BE-së, të veçuara me synimin për të fuqizuar ekonomitë që përdorin euron, mund të përdoren për të ndihmuar Qipron.

Qiproja ka vënë në zbatim shkurtime buxhetore dhe reforma në sektorin bankar për të siguruar fondet e nevojshme. Sektori bankar në Qipro është afro tetë herë më i madh se ekonomia qipriote.

Klientët që kanë depozituar shuma në banka janë detyruar të bëjnë kontribute kundrejt fondit të shpëtimit, përmes një takse të imponuar mbi llogaritë bankare që përmbajnë mbi 130 mijë dollarë.

Edhe situata në Portugali dhe Irlandë u ngrit për diskutim gjatë takimit dy ditësh në Dublin. Irlanda mori një paketë ndihmash në vitin 2010 dhe një vit më pas Portugalia mori ndihma përmes një pakete me vlerë mbi 100 miliardë dollarë. Dje, ministrat ranë dakord të zgjasin afatin e maturimit të kredive të shpëtimit me shtatë vjet.

Jeroen Dijselbloem, ministri holandez i financave dhe president i Eurogrupit, bëri komente dje në një konferencë për shtyp:

“Ministrat e Eurogrupit synojnë të marrin një vendim pozitiv lidhur me maturimin e kredive pas shtatë vjetësh. Ky vendim varet nga miratimi i kolegëve të Këshillit për Ekonominë dhe Financat në BE”.

Eurozona pritet të kontribuojë afro 12 miliardë dollarë për paketën e shpëtimit të Qipros. Fondi Monetar Ndërkombëtar do të japë afro 1 miliard dollarë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 20:40

Bruksel – Komisioni Europian paralajmëroi Spanjën dhe Slloveninë për problemet e tyre në buxhet, duke i kërkuar që të marrin masa të menjëhershme për të zgjidhur mosbalancimin e ekonomive të tyre.

E zhytur në recesion dhe me një borxh të lartë kombëtar, Spanja i është adresuar më parë Brukselit, për një hua madhore shpëtimi, ndërsa Sllovenia pritet që të shndërrohet në vendin e ardhshëm pas Qipros, që të ketë nevojë për paketa shpëtimi.

Në një vlerësim të Komisionit, të publikuar të mërkurën, shkruhej se këto dy shtete janë më të keqpozicionuara, nga 13 vendet e BE-së të marra nën shqyrtim.

Në rekomandimet e tij, Brukseli i kërkonte Madridit një “program radikal reformash”, brenda muajit prill.

Me borxhin që rrezikon të dalë jashtë kontrollit, papunësinë në rritje dhe ekonominë në rënie, Spanja është duke përjetuar një moment dramatik ekonomik.

Së bashku me Greqinë, Spanja është vendi i vetëm europian ku më shumë se gjysma e të rinjve të grupmoshës 18-25 vjeç, që kërkojnë punë, nuk janë në gjendje ta gjejnë një të tillë.

Përsa i përket Sllovenisë, Brukseli evidentoi se bankat janë të zhytura në vështirësi serioze dhe duhet një “veprim urgjent për të drejtuar situatën”.

Komisioni vlerësoi se 11 vende të tjera të ekzaminuara, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Franca, Italia, Hungaria, Malta, Holanda, Finlanda, Suedia dhe Britania po përjetojnë “mosbalanca makroekonomike” të një niveli më të ulët dhe më pak shqetësues.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 April 2013 09:15

Tirane – Instituti i Statistikave njoftoi se rritja ekonomike shënoi vitin e kaluar nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit.

Sipas INSTAT, në terma vjetor Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me vetëm 1.6 për qind, çka përbën shifrën më të ulët që nga viti 1997, kur ekonomia ra në recesion pas trazirave që shkaktoi rënia e firmave piramidale.

Viti 2012 nisi që në fillim i vështirë për ekonominë shqiptare. Në tremujorin e parë të vitit, rritja e prodhimit ishte negative me – 0.4 për qind. Megjithatë situata u përmirësua në dy tremujoret pasardhës, duke u rritur respektivisht me 2.1 për qind në tremujorin e dytë dhe 2.9 për qind në të tretin. Por në fund të vitit tendenca është përmbysur sërish dhe rritja e prodhimit sipas INSTAT u ngadalësua gjatë tremujorit të katërt në 1.7 për qind.

Kjo ecuri e dobët në tre muajt e fundit të vitit, i dedikohet tkurrjes së prodhimit në disa sektorë kyç, si transporti me 8.4 për qind, tregtia me 1.7 për qind dhe ndërtimi që vazhdon rënien shumëvjeçare me 15.4 për qind.

Ndërsa sektorët me rritje ishin Post Telekomunikacioni me 24.8 për qind, bujqësia me 6.1, industria me 7.8 për qind dhe shërbimet e tjera me po 7.8 për qind.  Në terma ekonomikë, 2012 shënon vitin më të keq të Shqipërisë, përjashtuar situatën jornomale të 1997-s. Një fakt ky që dëshmon se kriza po shton presionet dhe ekonomia që deri tani ka mundur t’i shpëtojë recesionit, po humb imunitetin.

Vitin e kaluar rritja minimale prej 1.6 për qind është mundur të ruhet falë ecurisë së mirë në sektorin e bujqësisë dhe atë të shërbimeve të tjera, ku përfshihet kryesisht industria financiare. Ndërsa në sektorë të tjerë rritja e prodhimit ose ka qenë minimale ose negative. Vec problemeve sociale që krijon, ngadalësimi i fortë i ekonomisë është një rrezik i madh për qëndrueshmërinë e financave të vendit, pasi bën presion për rritjen e borxhit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 22 February 2013 19:18

Tirane – Recesioni në Eurozonë do të vazhdojë edhe në vitin 2013, ka theksuar Komisioni Evropian në parashikimin e tij më të ri.

Sipas tij, ekonomia e zonës së euros do të tkurret për 0.3 për qind në këtë vit, përkundër parashikimit të mëhershëm se 17 ekonomitë evropiane do të gëzojnë bashkërisht një rritje prej 0.1 për qind.

Megjithatë, në vitin 2012, shifrat kanë qenë edhe më keq, pasi ekonomia është tkurrur për 0.6 për qind.

Duke bërë publik parashikimin, nënpresidenti i Komisionit, Olli Rehn, ka thënë se papunësia në gjithë zonën e euros pritet të vazhdojë të rritet në 12.2 për qind, për shkak të zgjatjes së recesionit.

Vitin e kaluar, norma e papunësisë ka qenë 11.4 për qind.

 
Lajme Shqip Friday, 16 November 2012 11:31

Tiranë – Blloku i vendeve të Eurozonës thotë se ka rënë në recesion e dytë në tre vjet.

17 vendet thanë sot se ekonomia u tkurr me zero prej 1 përqind në periudhën korrik-shtator, duke pasuar një rënie prej zero presje 2 përqind në tremujorin e mëparshëm. Kjo përmbush përkufizimin e recesionit – ulje e rritjes ekonomike për dy tremurojë radhaz.

Recesioni i mëparshëm i Eurozonës në vitin 2008 dhe 2009 u shkaktua kryesisht nga rënia e Lehman Brothers, banka amerikane e investimeve që falimentoi.

Por recesioni aktual ka qenë i përqëndruar tek vetë Evropa. Ai është shkaktuar nga përgjigjet e ndryshme të vendeve të bllokut ndaj krizës së borxhit gjatë tre vjetëve të fundit, papunësia dhe paketat rekord të shpëtimit për qeveritë në Greqi, Irlandë dhe Portugali.

Gjermania dhe Franca, dy ekonomitë më të mëdha të eurozonës, paten një fare rritje tremujorin e tretë, të dyja vendet shënuan rritjen e zero presje 2 përqind. Por ekonomitë e Itanisë, Spanjës dhe Hollandës u tkurrën.(VOA /LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 16:23

Tiranë -Punonjësit në të gjithë Bashkimin Europian janë bashkuar ditën e mërkurë në një seri protestash dhe grevash, kundër rritjes së papunësisë dhe masave shtrënguese.

40 grupime, nga 23 vende të ndryshme, janë përfshirë në këtë ditë proteste.

Grevat e përgjithshme në Spanjë dhe Portugali kanë paralizuar transportin, aktivitetin ekonomik dhe u shoqëruan me mbylljen e shkollave dhe universiteteve.

Në Madrid, përplasje të dhunshme ndodhën midis protestuesve dhe policisë.

Greqia, Italia dhe Belgjika gjithashtu po dëshmojnë manifestime popullore, të punëtorëve të irrituar nga masat e vazhdueshme shtrënguese, shkurtimet dhe rritja e papunësisë.

Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe disa vende të Europës Lindore janë bërë gjithashtu dëshmitare të manifestimeve sindikaliste.

Greva ka sjellë probleme të rëndësishme edhe me qarkullimin ajror, me disa qindra fluturime që janë ndërprerë gjatë ditës në Europë, për shkak të solidarizimit me grevën të punonjësve të disa aeroporteve të rëndësishëm.

Manifestimi i së mërkurës u organizua nga Konfederata Europiane e Tregëtisë. ”Masat shtrënguese janë një rrugë pa krye”, shkruhej në një deklaratë të publikuar nga KET-i, që kërkon politika më të fuqishme pro punësimit dhe stimulimit të rritjes ekonomike.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 09:30

Tirane – Marrëveshja e nënshkruar dy ditë më parë parashikon një paketë financimesh prej 30 miliardë euro për dy vitet e ardhshme që do shkojnë për 18 vende të rajonit, lista e të cilave nis me Shqipërinë. Lajmi është bërë publik nga një deklaratë e përbashkët e tre presidentëve të këtyre institucioneve.

Qëllimi kryesor i paketës do të jetë rigjallërimi dhe rritja ekonomike në rajon, i cili po vuan pasojat më të mëdha nga kriza e Eurozonës. Shumica e vendeve jo vetëm që kanë parë tkurrje të fortë të rritjes ekonomike, por tashmë po përballen me një recesion të dytë. Paralelisht, kriza ka goditur edhe financat publike duke i vënë qeveritë në rrezikun e borxheve të rritura.

Këto kanë qenë arsyet se pse donatorët kanë vendosur të ndërhyjnë me një plan emergjent, i cili bazohet mbi modelin që u përdor në vitin 2009 për të mbështetur me likuditet sektorin financiar në disa vende të Europës Qendrore, që rrezikoheshin nga falimente masive bankash. Këtë herë, plani do të jetë një kombinim kredish të buta për qeveritë, por edhe financime direkte për sektorin privat, kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në disa sektorë, përfshirë edhe energjinë e rinovueshme.

Paketa duket një mundësi e mirë për Shqipërinë, jo vetëm për të lehtësuar krizën e financave të qeverisë duke zëvendësuar borxhin e shtrenjtë me kreditë e lira, por edhe për të injektuar kapitale të reja në treg, ku bizneset prej kohësh përballen me mungesë likuiditeti. Por ajo që mbetet për tu parë është se sa do të jetë e aftë Shqipëria të thithë nga paketa 30 miliardë euro. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 04 November 2012 08:05

Berlin -“Duhet të mbajmë frymën edhe për të paktën 5 vjet. Është e nevojshme të jemi të rreptë për të bindur botën se investimi në Evropë është fitimprurës”, ka deklaruar Merkel.

Kancelarja, nën drejtimin e të cilës Gjermania i bëri ballë krizës ekonomike globale, ka shtuar se shumë investitorë nuk besojnë se vendet e BE-së do t’i mbajnë premtimet e tyre.

Një ditë më parë, në një editorial të rrjetit amerikan “CNN” thuhej se vendet europiane vazhdojnë të ndiejnë thellë pasojën e krizës së borxheve dhe të euros, duke kërcënuar rritjen ekonomike në mbarë botën.

Në këtë editorial argumentohej se, pavarësisht rritjes së pandalshme të ekonomisë kineze dhe zhvillimeve pozitive në SHBA, ekonomia europiane po frenon rritjen duke kërcënuar me stanjacion ose reçesion shumë vende të tjera të planetit.

”Në momentin kur ky reçesion do të përfundojë, Europa do të përballet me faktin se nuk është më atje ku ka qenë dhe se përpara se të mendojë për rritje, duhet të bëjë të mundur që të rikthehet atje ku ishte”, deklaroi Kevin Dunning, një ekspert ekonomik në Londër.

Banka Qendrore Europiane ka marrë disa masa për të qetësuar tregjet e lëkundura financiare, por ekonomistët presin që vendet europiane të vazhdojnë të vuajnë efektet e krizës edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, papunësia mesatare e 27 vendeve të BE-së u rrit me 11,6% në tetor, me sektorin industrial që pësoi një rënie për të 15-tin muaj radhazi.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 17:55

Bruksel – Mekanizmi Europian i Stabilitetit do të ketë një fond të gatshëm kreditimi prej 500 miliardë eurosh, shumë që do të grumbullohet në dy vitet e ardhshme.

Pritet që mekanizmi të rikthejë besimin e lëkundur në ekonominë europiane dhe të ndihmojë për rikthimin e investimeve në kontinent.

Të gjithë vendet e Eurozonës do të japin kontributin e tyre për formimin e këtij fondi, në proporcion të drejtë me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe përqindje aktuale të defiçitit.

Gjermania, si shteti me ekonominë më të madhe në kontinent, do të jetë financuesi kryesor, me 27% të vlerës së përgjithshme.

Inagurimi i Mekanizmit të Shpëtimit vjen në një moment kritik për Eurozonën, me Greqinë, Spanjën dhe Portugalinë në vështirësi serioze dhe të rrezikuara nga nevoja për kredi të reja.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 14:09

TIRANË -“Kriza në zonën euro, si Shqipëria në vitin e skemave piramidale. Por, fajtore për krizën tek ju është elita bankare”, kështu deklaroi sot Kryeministri Berisha në Strasburg, ku mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Demokracinë, që zhvillohet nga Këshilli i Evropës. 

“Tema që po diskutojmë sot është shumë e rëndësishme, lidhet me faktin “A kanë nevojë tregjet për demokracinë dhe anasjelltas?”, tha Berisha duke sjellë shembuj me Shqipërinë.

“Po ilustroj rastin me Shqipërinë, jo se jemi vend i madh, apo se ka ekonomi. Miq, Shqipëria është rast unik, se 20 vite më parë, që sapo doli nga regjimi komunist, respektohen liritë fetare. 20 vite më parë, një vend i cili e ka vendin në zemër të Europës, ne ishim një ndër 3 vendet më të varfra në botë. …Vendi im është hasur me një ndër krizat më të këqija siç ishin skemat primaidale, ku shqiptarët humbën të gjithë kursimet e tyre. Ajo çka ndodhi më pas ishte një vakuum i tmerrshëm. Është shumë e rëndësishme që tregjet të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme. Por ne kemi punuar për një kuadër ligjor të shëndetshëm, se pas 20 vitesh nuk ishte radha jonë për një krizë financiare, por e vendeve të tjera. Dhe kjo krizë ishte njësoj si Shqipëria në vitin ’97 që vuajti nga skemat piramidale”.

Sipas kreut të Qeverisë shqiptare, kriza financiare në zonën euro ndodhi për një arsye.
“Kjo krizë ndodhi se elita bankare ka minuar ligjet ka vënë në heshtje bordet dhe mbrojnë interesat e tyre ambicioze”.

Berisha vlerëson se edhe pse demokracia vlerësohet jetike, ky sistem mund të sjellë prishje në treg.
“Demokracia është jetike, por nëse do shohim veprimet e saj, demokracia mund të sjellë disa prishje të tregut. Jemi këtu mes rajoneve më të begata, por, 15% të vendeve po përballojnë faturën sociale të botës. A është i mbingarkuar tregu në këtë rast dhe problemi që shtrohet është që Qeveritë e elitave duhet të marrin përsipër reforma shumë serioze”. 

Berisha theksoi se Shqipëria në këto 20 vite ka bërë progres. Ekonomia e Shqipërisë nuk u prek nga recesioni, ndërsa investimet e huaja në Shqipëri janë rritur ndjeshëm.

“Shqipëria ka bërë progrese të mëdha gjatë këtyre 20 viteve demokraci, duke u renditur ndër vendet me rritje ekonomike 4 herë më të lartë se disa nga vendet e rajonit, ku disa prej tyre kanë rënë në recesion”, tha Berisha. 

Kryeministri shqiptar u shpreh se ‘kjo e sotmja një krizë e cila dëshmon që sistemi demokraci nuk ka funksionuar. Sistemi ka potencial dhe personalisht unë mendoj se vënia në pikëpyetje është e gabuar”.

Kreu qeverisë foli gjithashtu edhe mbi arritjet në strehim, arsim dhe shëndetësi. “Shqiptarët, në vitin 2001 kishin banesa për 1000 banorë me pak se secili komb evropian në vitin ’80. Shqiptarët, në vitin 2011, lënë pas në banesa për 1000 banorë, 5 kombe anëtare të BE-së dhe anëtare të OECD-së. Shqiptarët nuk kanë sot një nga sistemet shëndetësore me cilësi më të lartë, por kanë një nga sistemet shëndetësore me akses më të lehtë. Renditen të tretët në Evropë për sa i përket aksesit të lehtë në sistemin shëndetësor. Shqiptarët trashëguan një prapambetje të qartë në arsimin e lartë dhe pësuan një rënie të madhe në arsim. Sot, niveli arsimor ëshë rritur ndjeshëm”, tha Berisha.

Ky forum, i cili zhvillohet në periudhën 5-11 tetor, do të trajtojë një seri temash mbi demokracinë dhe të ardhmen e saj si “Modelet e vjetra dhe realitetet e reja”, “Të rinjtë dhe demokracia”’, “Demokracia gjithëpërfshirëse”, “Vlerat Universale, Sfidat Globale dhe Realitetet Rajonale”. Në këtë forum merr pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Gjithashtu, në këtë forum marrin pjesë personalitete të shquara të politikës, ekonomisë, shoqërisë civile, drejtësisë etj, nga Evropa dhe mbarë bota, si Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së Jean-Claude Mignon, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjørn Jagland, President i Parlamentit Evropian Martin Schultz, Ministri i Financave të Gjermanisë Wolfgang Achauble, etj. (LajmeShqip.com)