Lajme Shqip Thursday, 31 May 2012 19:43

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot pasdite këngëtaren Rona Nishliu, të cilës i shprehu urimet më të thella për suksesin dhe përfaqësimin dinjitoz të vlerave të Kosovës nën flamurin kombëtar shqiptar në festivalin e Këngës Evropiane – Eurovision 2012.

“Me interpretimin tuaj të veçantë dhe shumë profesional, me emocionet prej një artisteje të vërtetë, treguat cilësi kulmore, duke u vlerësuar lartë prej publikut evropian dhe prej profesionistëve evropianë të muzikës”, u shpreh kryeministri Thaçi. “Suksesi juaj në skenën impozante të Eurovisionit është dëshmia më e mirë që të rinjtë e Kosovës kanë vlera dhe potencial të madh në të gjitha fushat, posaçërisht në kulturë, art, shkencë dhe sport. Ju me performancën tuaj muzikore përfaqësuat në mënyrën më të mirë të mundshme, Evropianët e rinj, prezantuat vlerat evropiane të shtetit demokratik të Kosovës” , i tha kryeministri Thaçi gjatë takimit këngëtares Nishliu.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur dhe po punon fuqishëm që në një periudhë të afërt të rinjtë tanë të kenë mundësi të përfaqësojnë Republikën e Kosovës në gara të ndryshme anë e kënd botës”,  tha kryeministri kosovar. Këngëtarja kosovare, Rona Nishliu, falënderoi kryeministrin Thaçi për mbështetjen e treguar dhe u shpreh e inkurajuar nga përkushtimi dhe vizioni i qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar angazhimet në krijimin e mundësive që edhe artistët kosovarë në mënyrë zyrtare të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në festivale të ndryshme ndërkombëtare.

Në një mbrëmje gala është të organizuar për nder të këngëtares kosovare, e cila arriti në vendin e pestë në festivalin e Eurovisionit si përfaqësuese e Shqipërisë. Përveç miqëve e kolegëve të saj, Rona Nishliu është pritur me duartrokitje edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Me përfaqësimin dinjitoz të Ronës, në Eurovizion SHqiëpria vitin e ardhëshm, do të jetë e kualifikuar direkt në natën finale e këtij festivali. (LajmeShqip.com)