Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 12:07

Mbrojtësi i majtë i Mançester Junajtid, Patris Evra, ka pranuar se ekipi i tij ka marrë atë që meritonte në eliminimin nga Europa League përballë Atletik Bilbaos. Kjo disfatë plotëson atë të mëparshmen në Ligën e Kampioneve ku anglezët dolën pas një humbje të turpshme 2-1 përballë Bazelit.

“Ka qenë një vit krejtësisht negativ për Mançester Junajtid në Evropë. Kemi patur një sezon shumë të vështirë në arenën ndërkombëtare. Nuk e di pse, por kemi qenë më të përqendruar në kampionat. Duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se këtë sezon nuk e meritonim të ishim as në Ligën e Kampioneve, as në Europa League”, ishin falët e mbrojtësit.

Finalistët e vitit të kaluar në Ligën e Kampioneve, ku u mundën 3-1 nga Barcelona, janë për herë të parë në këtë pikë të sezonit pa një finale si objektiv, që nga edicioni i largët 2001-02, pasi kanë dalë nga gara edhe nga Kupat kombëtare.

Shpresa e tyre e vetme për një trofe mbetet mbrojtja e titullit kampion në Angli ku skuadra e drejtuar nga Aleks Ferguson kryeson me një pikë përpara Mançester Sitit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 10:40

Roberto Mançini u ka kërkuar falje tifozëve të Mançester Sitit pasi skuadra që ai drejton u eliminua nga Europa League. Megjithëse skuadra angleze fitoi 3-2 përballë Sporting Lisbonës, humbja 1-0 në fushën kundërshtare në takimin e parë bëri diferencën dhe detyroi anglezet të dalin nga ky turne.

Tani Mançester Siti duhet të përqendrohet plotësisht në 10 ndeshjet e mbetura në kampionat nëse nuk dëshiron që ta mbyllë sezonin pa trofe.

“Jam i zhgënjyer pasi mund të kem bërë disa gabime dhe për këtë arsye i kërkoj falje tifozëve. Lojtarët bënë gjithçka dhe luftuan në fushën e lojës deri në sekondën e fundit”.

“Gjëra të tilla ndodhin kur një trajner nuk përgatitet mirë për një ndeshje. Kur unë e humb një ndeshje mendoj se pse humba dhe ku qëndrojnë gabimet që mund të kem bërë”, ishte autokritika e Mançinit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 23:50

Ndeshjet e kthimit të 1/16 të Europa League kanë dhuruar rezultate surprizë dhe eliminime të bujshme. Pas largimit nga ky turne të Mançester Junajtid, radhën e ka patur edhe skuadra e tjetër e këtij qyteti anglez, Mançester Siti. Ekipi i drejtuar nga Roberto Mançini ka fituar 3-2 ndeshjen e kthimit përballë Sporting Lisbonës por është eliminuar falë rregullit të golit në fushën kundërshtare. 

Ndërkohë, Valencia dhe Atletiko Madrid kanë vazhduar qetësisht rrugën e tyre drejt çerekfinaleve të turneut duke hedhur kandidaturën për fitoren e Europa League. Valencia ka barazuar 1-1 në fushën e PSV pasi kishte fituar 4-2 takimin e parë, ndërsa Atletiko Madrid ka fituar në transfertë përballë Beshiktash me rezultatin 3-0, pa vënë asnjëherë në diskutim kualifikimin.

Një rezultat surprizë ka qenë eliminimi i Udinezes përballë AZ Alkmar. Ekipi italian ka shënuar dy gola të shpejtë dhe ka qenë në epërsi numerikë që në minutën e 3-të të takimit për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Viergever nga ekipi holandez. Por një gol i Falkenburg i ka mjaftuar AZ Alkmar për të sigurua përfundimisht kualifikimin e mëtejshëm në këtë turne pasi kishin fituar 2-0 takimin e parë në shtëpi.

Rezultat i pritshëm ka qenë fitorja e thellë 4-1 e Shalkes ndaj Tuente ku protagonist i ndeshjes ishte Jan Klas Huntelar me 3 golat e tij që kanë siguruar kualifikimin për ekipin gjerman. Edhe ekipi tjetër gjerman, Hanover, është kualifikuar pasi ka fituar 4-0 në ndeshjen përballë Standard Liezh, ndërsa në minutat e fundit për këtë skuadër është aktivizuar edhe mesfushori shqiptar Altin Lala.

Surpriza e vërtetë e mbrëmjes ishte eliminimi i Olimpiakosit të Pireut nga ukrainasit e Metalist Karkiv. Ndonëse ekipi grek kishte fituar 1-0 ndeshjen e parë në Ukrainë dhe kryesoi po 1-0 për pjesën më të madhe të takimit, dy gola të shpejtë në minutat e fundit nga Vilagra dhe Deviç i dha kualifikimin e pamenduar Metalist. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Atletik Bilbao-Mançester Junajtid    2-1

Hanover-Standard Liezh                    4-0

PSV-Valencia                                        1-1

Udineze-AZ Alkmar                            2-1

Beshiktash-Atletiko Madrid              0-3

Mançester Siti-Sporting Lisbona      3-2

Olimpiakos-Metalist Karkiv              1-2

Shalke-Tuente                                     4-1

Të kualifikuar

Atletik Bilbao, Hanover, Valencia, AZ Alkmar, Atletiko Madrid, Sporting Lisbona, Metalist Karkiv, Shalke

 
Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 21:53

Goli i 27-të sezonal i Uejn Runit ishte një ngushëllim shumë i vogël për Mançester Junajtid që u mund 2-1 nga Atletik Bilbao në ndeshjen e kthimit dhe u eliminua nga Europa League, pasi kishte humbur 3-2 edhe takimin e parë në shtëpi. Spanjollët morën kryesimin e ndeshjes në minutën e 23-të me sulmuesin e kombëtares spanjolle, Fernando Lorente i cili tregoi teknikën e tij perfekte duke shënuar me një gjuajtje fluturimthi. Vendasit humbën edhe shumë raste të tjera derisa Oskar de Markos shënoi golin e dytë për Atletik Bilbao në minutën e 65-të. 

Goli i Uejn Runit thjesht shtoi shpresat e skuadrës angleze por asgjë nuk ndryshoi deri në përfundimin e 90 minutave dhe Mançester Junajtid u detyrua t’i jepte lamtumirën turneut duke e pranuar se kundërshtarët e meritonin më shumë kualifikimin.

“Nuk duhet të ankohemi për eliminimin. Në pjesën e parë i dhuruam një gol të lehtë dhe kjo ishte gjëja e fundit që dëshironim. Në fillimin e pjesës së dytë ata luajtën shumë mirë dhe mund të kishin shënuar 2 apo 3 gola të tjerë. Më pas ne luajtëm më mirë, por as që i shkuam afër asaj që duhej bërë për të fituar”, ishin fjalët e trajnerit Aleks Ferguson pas përfundimit të ndeshjes. (LajmeShqip.com)