Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 22:59

Çelsi është shpallur fituese e trofeut të Europa League pasi ka mundur në finalen e Amsterdamit portugezët e Benfikës. Londinezët e drejtuar nga Rafael Benitez kanë bërë gjithçka mirë duke i rezistuar presionit të portugezëve në pjesën e parë, për të goditur në të dytën, ndonëse duhet theksuar se suksesi 2-1 ka ardhur vetëm në sekondat e fundit, kur të dy ekipet po mendonin për kohët shtesë.

Benfika ka dominuar në pjesën e parë përballë Çelsit në mbajtjen e topit dhe në lojë, por duhet thënë se mundësinë më të mirë për të shënuar e kishin anglezët me anë të Lampard në minutën e 38-të, por portieri Artur bën mrekullinë me një devijim refleksi.

Në pjesën e dytë, ndeshja fillon shumë e vrullshme dhe pas pak minutash është Çelsi që gjen avantazhin falë Torres, i cili përfiton nga pavëmendja e mbrojtjes kundërshtare për të dalë i vetëm para portës dhe për të dërguar topin në rrjetë.

Por entuziazmi i Çelsit zgjat vetëm pak, pasi është Azpilikueta që dënon skuadrën e tij me një prekje topi me dorë në zonë. Kardozo nuk gabon nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe rezultati barazohet.

Benfika vazhdoi të kishte më shumë kontrollin e lojës, ndërsa nga ana tjetër, Çelsi u kundërpërgjigj me predhat e Frenk Lampard, ku ajo e minutës së 89-të u ndal vetëm nga kryqëzimi i shtyllave.

Megjithatë, londinezët arrijnë të bëjnë mrekullinë në minutën e 3-të dhe të fundit shtesë të ndeshjes, duke shënuar golin e fitores me Ivanoviç pas një goditje këndi të Mata, duke siguruar këtë trofe që bëri sezonin e tyre në dukje të dështuar, të kthehej në një sezon të suksesshëm.

Me këtë sukses, londinezët janë e para skuadër në histori që mund të quhet për pak ditë fituese në fuqi si e Europa League, ashtu edhe e Ligës së Kampioneve, derisa të luhet finalja e këtij turneu mes Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund. Në këtë mënyrë, Rafael Benitez largohet si fitimtar nga Çelsi, pasi i ka siguruar kësaj skuadre edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, vazhdon mallkimi shumëvjeçar i Benfikës, triumfi i fundit ndërkombëtar i të cilës mungon prej 51 vitesh,. Atëherë, në sezonin 1961-1962, mundnin në finale 5-3 Real Madrid në Kupën e Kampioneve. Por që nga ai moment, kanë humbur 7 finale ndaj Milan (dy herë), Inter, Mançester Junajtid e PSV Eindhoven në Kupën e Kampioneve, Anderleht në Kupën UEFA dhe tani Çelsit në Europa League. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 02 May 2013 23:18

Çelsi dhe Benfika janë dy skuadrat të cilat do të luajnë në finalen e Europa Legaue që zhvillohet në Amsterdam me 15 maj. Anglezët kanë bërë detyrën duke mundur 3-1 Bazelin, ndërsa fitorja me të njëjtin rezultat e portugezëve ndaj Fenerbahçes i ka dhënë atyre biletën për në finale.

Çelsi kishte fituar 2-1 ndeshjen e parë në Zvicër ndaj shkonte më e qetë në sfidën në fushën e vet. Por pavarësisht një pjese të parë të dominuar nga skuadra angleze, golin e gjen Bazeli me anë të Salah, duke krijuar panik në radhët e bluve, pasi një gol tjetër do të rrezikonte seriozisht kualifikimin e tyre.

Por fillimi i pjesës së dytë zgjidh gjithçka për londinezët, pasi pa kaluar 15 minuta nga fraksioni i dytë i lojës, rezultati kishte shkuar në 3-1 falë rrjetave të Torres, Moses e David Luiz. Ndaj minutat e mbetura të ndeshjes bëhen formalitet, me Benitez që vendos të mos lodhë më shumë disa nga futbollistët që kanë mbajtur barrën më të madhe të ndeshjeve në këtë pjesë të sezonit.

Ndeshja tjetër në “Da Luz” të Lisbonës, mes Benfikës vendase dhe Fenerbahçes, ka qenë më emocionuese. Shkak është bërë goli i shpejtë i Gaitan që kaloi në avantazh vendasit, duke barazuar rezultatin e sfidës së parë të përfunduar 1-0 për ekipin turk. Por emocionet shtohen edhe më shumë nga një penallti e transformuar saktësisht nga Kajt në minutën e 23-të që kalon kualifikimin plotësisht në favor të Fenerbahçes, me Benfikën që tashmë i duhet të shënojë dy herë për të arritur në finalen e Europa Legue. Portugezët insistojnë dhe ia arrijnë qëllimit falë paraguaianit Kardozo, padyshim sulmuesit më të mirë të tyre, pasi ai arrin të realizojë në minutat 35 dhe 66, për t’i dhënë kualifikimin skuadrës së tij.

Në finale, Çelsi do të ketë mundësinë t’i bashkohet Barcelonës, Ajaks, Juventusit dhe Bajern Mynih, të cilat janë skuadrat e vetme që kanë fituar Ligën e Kampioneve, Europa League (që quhej Kupa UEFA) dhe Kupën e Kupave. Ndërsa Benfika do të mundohet të bëjë të vetin trofeun që i shpëtoi nga duart 30 vite më parë përballë Anderlehtit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 25 April 2013 23:11

Në ndryshim nga Liga e Kampioneve ku thuajse gjithçka të çon drejt një finaleje të mundshme gjermane, dy takimet e para gjysmëfinale të Europa League kanë qenë më të ekuilibruara dhe duke mos dhënë rezultate të thella. Gjithsesi, hapin më të sigurt drejt finales e ka bërë Çelsi me suksesin 2-1 në fushën e Bazelit, ndërsa Fenerbahçe ka një avantazh të lehtë për takimin e kthimit falë suksesit 1-0 ndaj Benfikës.

Çelsi ishte favorite kryesore për të kaluar në finale dhe ka konfirmuar këtë duke gjetur shpejt avantazhin me Moses, që në minutën e 12-të të takimit. Por londinezët më pas kanë shpërdoruar shumë raste para portës kundërshtare, sidomos në pjesën e parë ku vendasit thuajse nuk ekzistonin në fushë. Por në pjesën e dytë, Bazeli zgjohet dhe kërkon më shumë portën e mbrojtur nga Çeh, duke arritur me sukses që të barazojë në minutat e fundit të sfidës falë penalltisë së Shar. Rezultati 1-1 lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit që luhet në Londër, ndaj Çelsi hidhet në sulm në minuta e mbetura dhe arrin të gjejë golin e fitores, falë gjuajtjes së David Luiz në minutën e 94-t.

Ndërkohë, në Stamboll, Fenerbahçe ka dominuar ndeshjen ndaj Benfikës por ka pasur shumë të vështirë të gjejë rrugën e rrjetës, pasi turqit janë ndalur tre herë nga shtylla. Kristian ka humbur një penallti në minutën shtesë të kësaj pjese dhe ka shpërthyer në lot në mes të fushës. Por fatmirësisht, gabimin e brazilianit e ka shlyer në pjesën e dytë Korkmaz me golin e tij që i ka dhënë një avantazh minimal skuadrës turke para takimit të kthimit që luhet në Portugali. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 12:28

Çelsi ka qenë me fat në shortin e gjysmëfinaleve të Europa League të hedhur sot në Nion të Zvicrës, pasi goglat i kanë vënë përballë londinezëve ekipin më të lehtë në letër, zviceranët e Bazelit.

Skuadra zvicerane bëri mrekullinë duke kaluar me penallti Totenhemin një natë më parë por ka prenotuar një tjetër vizitë në Londër për gjysmëfinalet e turneut, këtë radhë për t’u përballur me skuadrën e Benitez që është favorite e padiskutueshëm për trofeun. Për londinezët ka qenë në favor edhe ndarja e ndeshjeve, pasi do të luajë takimin e kthimit të gjysmëfinaleve në fushën e vet.

Ndërkohë, sfida tjetër gjysmëfinale do të vërë përballë turqit e Fenerbahçes me portugezët e Benfikës. Për këta të fundit duhet thënë se janë kthyer në ekspertë të këtij turneu, pasi arrijnë në gjysmëfinale për herë të dytë në tre vitet e fundit. Edhe ekipi portugez ka në favorin e vet faktorin fushë në ndeshjet gjysmëfinale, duke luajtur takimin e kthimit në shtëpi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 00:06

Çelsi është kualifikuar në çerekfinalet e Europa Legaue dhe tashmë duket se është pretendenti i vetëm mes emrave të mëdhenj në Evropë për këtë trofe, pasi tre kundërshtarë shumë të fortë si Totenhem, Lacio dhe Njukasëll, i kanë dhënë lamtumirën turneut.

Londinezët e drejtuar nga Benitez janë mundur 3-1 në Rusi përballë Rubin Kazan, por kanë kaluar turin falë suksesit 3-1 në sfidën e parë të luajtur në Londër.

Takimi më i ethshëm i natës ka qenë ai i luajtur në Zvicër mes Bazelit vendas dhe Totenhemit. Koha e rregullt ka përfunduar me rezultatin 2-2, ashtu si takimi i parë në Londër, ndërsa edhe shtesat nuk kanë dhënë një fitues në këtë sfidë. Është dashur gjuajtja e penalltive për të përcaktuar fituesin dhe nga pika e bardhë kanë triumfuar zviceranët që janë treguar të saktë në 4 gjuajtjet e tyre, ndërsa për anglezët kanë gabuar Hadëllstoun dhe Adebajor.

Në dy takimet e tjera, Lacio dhe Njukasëll nuk kanë arritur të përmbysin disavantazhin e dy golave në sfidat e para të humbura jashtë fushe, ndaj i kanë dhënë lamtumirën turneut, me Benfikën dhe Fenerbahçen që kalojnë në gjysmëfinale. (LajmeShqip.com)

Europa League

Çerekfinalet / Rezultatet

Rubin Kazan-Çelsi        3-2

51’ Markano, 62’ Karadeniz, 75’ (p) Natço / 5’ Torres, 55’ Moses

Bazel-Totenhem           2-2 (4-1p)

27’ Salah, 49’ Dragoviç / 23’, 82’ Dempsi

Lacio-Fenerbahçe        1-1

60’ Luliç / 73’ Erkin

Njukasëll-Benfika         1-1

71’ Cise / 90’ Salvio

 
Lajme Shqip Thursday, 04 April 2013 23:05

Fernando Torres është zgjuar nga gjumi i tij letargjik duke dhënë sinjalet e një kthimi në pikën vendimtare të sezonit, pasi ka shënuar dy gola në takimin kundër Rubin Kazan në Europa League. Sulmuesi spanjoll ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës në fitoren 3-1 të londinezëve që i afrohen më shumë gjysmëfinaleve të këtij turneu, edhe pse në ndeshjen e kthimit në Rusi duhet të tregohen shumë të vëmendshëm.

Nuk ka qenë një ditë e mirë për dy ekipet e tjera angleze. Njukasëll është dorëzuar pa shumë pretendime me rezultatin 3-1 në Portugali përballë Benfikës vendase, ndonëse ka shënuar vetë golin e parë me anë të Cise. Rodrigo në pjesën e parë dhe Lima e Kardozo në pjesën e dytë kanë realizuar përmbysjen për portugezët.

Edhe më e komplikuar është situata e Totenhem, që nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 në fushën e vet përballë Bazelit. Zviceranët janë konfirmuar si një surprizë mjaft e këndshme e turneut, duke shënuar me Stoker e Ferei në pejsën e parë, ndonëse nuk kanë arritur ta ruajnë këtë avantazh, pasi golat e Adebajor dhe Sigurdson kanë rivendosur barazpeshën në shifra. Megjithatë, Bazeli mbetet favorit për të kaluar turin, falë rregullit të golit jashtë fushe.

Lorik Cana ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në fushën e lojës për Lacion, në takimin e luajtur në Stamboll ndaj Fenerbahçes. Por futbollisti i përfaqësueses shqiptare, që në këtë sfidë ka luajtur në qendër të mbrojtjes, nuk ka arritur dot të evitojë humbjen 2-0 të skuadrës së tij përballë ekipit turk. Fajtor për këtë rezultat është mesfushori nigerian Onazi, i cili u ndëshkua me karton të kuq në fillimin e pjesës së dytë për faulle mëse të evitueshëm, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë. Nga kjo përfitoi Fenerbahçe që më pas shënoi dy golat falë penalltisë së Uebo dhe nuhatjes para porte të Kajt. (LajmeShqip.com)

Europa League

Çerekfinalet / Rezultatet

Çelsi-Rubin Kazan        3-1

16’, 70’ Torres, 32’ Moses / 41’ (p) Natço

Totenhem-Bazel           2-2

40’ Adebajor, 58’ Sigurdson / 30’ Stoker, 34’ Frei

Fenerbahçe-Lacio        2-0

78’ (p) Uebo, 90’+1’ Kajt

Benfika-Njukasëll         3-1

25’ Rodrigo, 65’ Lima, 71’ (p) Kardozo / 13’ Cise

 
Lajme Shqip Friday, 15 March 2013 13:04

Skuadrat e mëdha të mbetura në aktivitet në Europa League kanë evituar përplasjet me njëra-tjetrën në shortin e çerekfinaleve të hedhur sot në Nion të Zvicrës, duke pasur të gjitha mundësinë të kalojnë në fazën tjetër të turneut.

Favoritët kryesorë të këtij turneu, anglezët e Çelsit, kanë një sfidë të lehë në letër përballë Rubin Kazan, skuadrës ruse që vjen për herë të parë në këtë pikë të turneut. Disavantazhi i vetëm i skuadrës së Benitez në këtë sfidë është se do të luajë ndeshjen e parë në fushën e vet dhe të kthimit në Rusi, ku çdo ekip e ka pasur mjaft të vështirë të japë maksimumin dhe të marrë rezultat pozitiv.

I vetmi ish-fitues i aktivitetit, Totenhem, që ka ngritur trofeun që quhej Kupa UEFA në vitet 1972 dhe 1984, do të ketë një përballje që i sheh si favoritë të padiskutueshëm për të kaluar turin, pasi janë vënë kundër zviceraneve të Bazel që kanë eksperiencë në Kupat e Evropës por jo aq sa skuadra legjendare londineze.

Ndërkohë, dy sfidat e tjera pritet të jenë më të ekuilibruara, pasi Fenerbahçe luan përballë italianëve të Lacios, ndërsa Benfika kundër Njukasëll, ku parashikohet që kalimi në gjysmëfinale të luftohet deri në minutën e fundit. (LajmeShqip.com)

Europa League

Çerekfinalet

04-11.04.2013

Çelsi-Rubin Kazan

Totenhem-Bazel

Fenerbahçe-Lacio

Benfika-Njukasëll

 
Lajme Shqip Thursday, 14 March 2013 23:10

Interi “i çmendur” është shfaqur përsëri në versionin e vet më spektakolar, por këtë radhë nuk ka përmbushur me sukses misionin pas fitores 4-1 ndaj Tontehem, pasi është eliminuar nga Europa League. Pas disfatës së javës së kaluar ku italianët ishin dorëzuar pa kushte 3-0 në Londër, ndeshja e kthimit dukej formalitet, por zikaltërit kanë treguar forcën e tyre me një paraqitje mbresëlënëse. 

Që nga minuta e parë, skuadra e Stramaçionit ka dominuar ndeshjen duke fituar gjithmonë e më shumë besim se mund të arrinte një rezultat historik. Kasano në minutën e 20-të dha sinjalin e parë me golin e tij, ndërsa në minutën e 52-të ishte Palacio që dyfishoi shifrat. Një autogol i Gallas në minutën e 75-të rihapi plotësisht kualifikimin pasi çoi rezultatin 3-0, duke eliminuar avantazhin e londinezëve që dukej i parikuperueshëm në fillimin e ndeshjes, ndërsa çoi takimin në kohën shtesë. Por Totenhem zgjohet dhe pasi vë disa herë në vështirësi Handanoviç, gjen golin me anë të Adebajor. Interi nuk dorëzohet dhe shënon përsëri, këtë radhë me Alvarez, kur shënohej minuta e 110 e takimit. Pavarësisht tentativave për të shënuar një tjetër gol, zikaltërit nuk ia arrijnë qëllimit, por të paktën largohen me kokën lart nga Europa League pas suksesit 4-1.

Në takimet e tjera të natës bie në sy kualifikimi i Çelsit që ka përmbysur humbjen 1-0 të ndeshjes së parë ndaj Steaua Bukuresht me suksesin 3-1 në Londër, falë golave të Mata, Terri e Torres, ndërsa ky i fundit humbi edhe një penallti në minutat shtesë të ndeshjes.

Shtesat e ndeshjes kanë kualifikuar Rubin Kazan përballë Levantes, pasi koha e rregullt përfundoi 0-0 si në ndeshjen e parë. Golat e Rondon dhe Diadiun kaluan para skuadrën ruse, e cila ishte e vetmja nga ky vend që u kualifikua në çerekfinalet e Europa League, pasi Zenit u eliminua nga Bazeli, ndonëse fitoi 1-0, ndërsa Anzhi u dorëzua në minutën e 94-t përballë Njukasëll. (LajmeShqip.com)

Europa League

Rezultatet

Rubin Kazan-Levante         2-0

100’ Rondon, 112’ Diadiun

Zenit-Bazel                          1-0

30’ Vitsel

Inter-Totenhem                    4-1

20’ Kasano, 52’ Palacio, 75’ (ag) Gallas, 110’ Alvarez / 96’ Adebajor

Fenerbahçe-Viktoria Plzen  1-1

44’ Uçan / 60’ Darida

Bordo-Benfika                      2-3

74’ Diabate, 90’ (ag) Zhardel / 30’ Zhardel, 75’, 90’+2’ Kardozo

Njukasëll-Anzhi                     1-0

90’+4’ Cise

Lacio-Shtutgart                     3-1

6’, 8’, 87’ Kozak / 62’ Hajnal

Çelsi-Steaua                         3-1

34’ Mata, 58’ Terri, 71’ Torres / 45’ Çiriçesh

Të kualifikuar: Rubin Kazan, Bazel, Totenhem, Fenerbahçe, Benfika, Njukasëll, Lacio, Çelsi.

 
Lajme Shqip Thursday, 07 March 2013 23:11

Totenhem ka mundur me rezultatin 3-0 Interin duke hedhur një hap shumë të rëndësishëm para për kualifikimin në çerekfinalet e Europa League. Ai që cilësohej si dueli më i fortë i kësaj faze të turneut, në fakt ka zhgënjyer pritshmërinë, pasi Interi i vërtetë nuk është shfaqur kurrë në “Uajt Hart Lein”. 

Që nga minuta e parë e deri në të fundit kanë qenë anglezët që kanë kontrolluar lojën duke dominuar plotësisht. Beil dhe Sigurdson kanë konkretizuar brenda pak minutash epërsinë e dukshme të vendasve, ndërsa Vertongen në pjesën e dytë ka vulosur rezultatin 3-0. Një fitore e pastër, por që mund të kishte qenë shumë më e thellë për Totenhemin po të mos ishte për portierin e zikaltërve, Samir Handanoviç, që ka shpëtuar portën e tij nga gola të sigurt.

Në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja e pastër 2-0 e Bazelit përballë Zenit Shën Petersburg, me skuadrën zvicerane që duket se është shumë pranë kualifikimit mes 8 ekipeve më të mira në këtë turne.

Europa League

Rezultatet

Anzhi-Njukasëll                       0-0

Viktoria Plzen-Fenerbahçe     0-1

81’ Uebo

Shtutgart-Lacio                      0-2

21’ Ederson, 56’ Onazi

Steaua Bukuresht-Çelsi         1-0

34’ (p) Rusesku

Benfika-Bordo                       1-0

21’ (ag) Karraso

Totenhem-Inter                      3-0

6’ Beil, 18’ Sigurdson, 53’ Vertongen

Levante-Rubin Kazan           0-0

Bazel-Zenit                            2-0

83’ Diaz, 90’ (p) Frei

 
Lajme Shqip Thursday, 07 March 2013 20:59

Steaua Bukureshti ka dhuruar surprizën më të madhe të ndeshjeve të para të 1/8 të finaleve të Europa League, duke arritur të mundë Çelsin me rezultatin 1-0. Ekipi rumun ka treguar se jo rastësisht ka ardhur në këtë fazë të turneut dhe për më tepër ka pretendime për të vazhduar më tej. 

Një ndihmë shumë të madhe duhet thënë se ia ka dhënë Çelsi, që ka zhgënjyer në pjesën e parë duke u shfaqur pak apo aspak i rrezikshëm, edhe pse londinezët ishin favoritë para fillimit të takimit. Rumunët kanë kaluar në avantazh falë penalltisë së Rusesku dhe më pas kanë ditur të mbrojnë avantazhin në pjesën e dytë kur Çelsi u tregua disi më i rrezikshëm.

Një rezultat i rëndësishëm është fitorja e Lacios përballë Shtutgartin me rezultatin 2-0. Goli i Ederson në pjesën e parë dhe Onazi në pjesën e dytë kanë siguruar fitoren në transfertë për skuadrën italiane, që ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt çerekfinaleve të turneut. (LajmeShqip.com)

Europa League

Rezultatet

Anzhi-Njukasëll                    0-0

Viktoria Plzen-Fenerbahçe  0-1

81’ Uebo

Shtutgart-Lacio                    0-2

21’ Ederson, 56’ Onazi

Steaua Bukuresht-Çelsi      1-0

34’ (p) Rusesku