Lajme Shqip Thursday, 14 March 2013 14:41

Sep Blater ka lëshuar një sulm shumë të ashpër ndaj Mishel Platini, duke kritikuar idenë e këtij të fundit për të organizuar Euro 2020 në 13 shtete të ndryshme. Presidenti i FIFA-s ka shkuar deri aty, sa ka krahasur presidentin e UEFA-s me ish-diktatorin libian, Muhamar Gedafi.

“Euro 2020 në 13 vende të ndryshme? Është një aktivitet pa shpirt dhe zemër. Para Platini, ishte Gedafi që propozonte një ide të tillë për Botërorin”, ka zbuluar Blater në një intervistë të dhënë për “Kicker”.

“Një turne i luajtur në një vend të vetëm krijon identitet dhe eufori, merrni si shembull Gjermani 2006. Unë i tregova Platinisë se koloneli Gedafi kishte menduar një plan të ngjashëm për kandidaturën e Botërorit 2010. Gedafi më tha asokohe se duhej të luhej një ndeshje në secilën prej 53 shteteve afrikane dhe që vetëm finalja të luhej në Afrikën e Jugut. Tani Platini beson në një ide të tillë, ndërsa unë them se është e parealizueshme dhe jashtë çdo diskutimi”.

“Në këtë mënyrë, aktiviteti fragmentohet, ndaj nuk është më as Kampionati Evropian, më mirë t’i zgjedhin një emër tjetër. Nuk mund ta di se çfarë emri, por një Evropian i tillë nuk ka zemër dhe shpirt”, ishte sulmi i Blater ndaj idesë të atij që deri pak kohë më parë cilësohej si krahu i djathtë i tij, ndërsa tani shihet si pasardhësi i denjë i bankierit zviceran në kreun e FIFA-s. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 10:46

Shefi i delegacionit të kandidaturës së Stambollit për Lojërat Olimpike të vitit 2020, ka bërë të qartë se Turqia nuk interesohet për të organizuar në të njëjtin vit Kampionatin Evropian të Futbollit.

Këto komente u bënë dje pasi presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, shprehu publikisht dëshirën që gjysmëfinalet dhe finalja e Euro 2020 të zhvilloheshin në Turqi.

“Mendoj se është shumë e qartë se ne kërkojmë vetëm Lojërat Olimpike”, tha Hasan Arat për gazetarët pas komenteve të presidenti të UEFA-s. “Nuk ka asnjë interesim zyrtar por atë aktivitet dhe ato komente janë të UEFA-s, jo tonat”.

Turqia ishte kandidate për Euro 2016 para se ai t’i caktohej Francës, ndërsa edhe një prej favoritëve kryesorë për Euro 2020, para se Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s të vendoste që turneu të zhvillohej në të gjithë Evropën.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk lejon që një shtet të zhvillojë dy aktivitete madhore sportive në të njëjtin vit dhe për këtë arsye Arat konfirmoi se ai do të raportonte se Turqia ishte e interesuar vetëm për zhvillimin e Lojërave Olimpike.

“Mendoj se është shumë e qartë se në mendjen tonë ekzistojnë vetëm Lojërat Olimpike. Nuk ekziston asnjë axhenda tjetër përveç asaj të Lojërave Olimpike. Kjo është ajo që do t’i themi komisionit të vlerësimit të kandidaturave”, shpjegoi ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 07 December 2012 18:25

Presidenti I UEFA-s, Mishel Platini, mendon se ankesat për ndryshimin e formatit të Kampionatit Evropian të vitit 2020 nuk janë të justifikuara. Ndonëse plani i miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u ndesh me kritika të forta, francezi mbetet shumë entuziast për këtë ide të veçantë.

“Më parë, tifozët duhej të shkonin në Kampionatin Evropian, tani Kampionati Evropian vjen drejt tyre. Tifozëve nuk do t’iu duhet të udhëtojnë, pasi ne po ia sjellim ndeshjet më afër në një numër sa më të madh vendesh të ndryshme”.

“Kohët e fundit jemi takuar me Shoqatën Evropiane të Tifozëve dhe i kemi siguruar se do të bëjmë të pamundurën që këta tifozë të kenë mbështetjen maksimale kur të udhëtojnë. Nuk do të kemi një skuadër që luan në Suedi, Portugali dhe Kazakistan, me tifozët që detyrohen të shëtitin në të gjithë kontinentin”.

“Këtë ia shpjeguam edhe tifozëve. Nuk do të jetë si në Poloni dhe Ukrainë, ku kishte 50 tifozë francezë këtu dhe 70 tifozë atje, të gjithë të shpërndarë. Ishte e vështirë të shkojë në Poloni e Ukrainë dhe do të doja që të përgëzoja tifozët anglezë që shkuan në numër të madh atje. Por ndoshta tani të gjithë do të kenë mundësi të shkojnë në një vend që është shumë më afër”, tha presidenti i UEFA-s.

Platini ka folur më pas për “Topin e Artë”, duke u shprehur i sigurt se herët a vonë, Lionel Mesi do të marrë trofeun e katërt.

“Jam i sigurt se ai do të thyejë rekordin. Nuk di të them nëse është në këtë vit apo në të ardhshmin, por ai do të marrë trofeun e katërt dhe do të na kalojë Krujf, Van Basten dhe mua”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 06 December 2012 20:21

Ashtu siç përflitej prej kohësh, UEFA ka vendosur që EURO 2020 të zhvillohet në shumë vende të ndryshme të kontinentit, që do të thotë se ndeshjet do të zhvillohen në më shumë se 10 shtete.

Ekzekutivi i institucionit që drejton futbollin në Evropë ka votuar pozitivisht sot idenë e dhënë nga presidenti Mishel Platini, e cila u mbështet fuqimisht edhe nga federatat e ndryshme evropiane, të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në këtë projekt ambicioz.

Tani fjala i kalon Komitetit të Aktiviteteve të Ekipeve Kombëtare në UEFA që të vërë në zbatim planin për të bërë praktike këtë ide dhe për të treguar në detaje se si do të zhvillohet ky aktivitet, pak më i komplikuar se të tjerët që në rastin më ekstrem deri tani, ishin zhvilluar në dy vende fqinje.

Sipas një plani paraprak, të zbuluar para pak kohësh nga ish-presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Teo Zvanziger, aktiviteti në të cilin marrin pjesë 24 skuadra, pritet të zhvillohet në Berlin, Madrid, Lisbonë, Romë, Londër, Amsterdam, Moskë, Zagreb, Athinë, Bazel, Paris dhe Bruksel, pa harruar këtu edhe Stambollin që është vendi më i mundshëm ku do të zhvillohet finalja e madhe. (LajmeShqip.com)