Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 22:56

Atletik Bilbao ka bërë një hap të sigurt drejt gjysmëfinales së Europa League falë suksesit të rëndësishëm 4-2 në fushën e Shalkes, në njërën prej sfidave Gjermani-Spanjë që kanë dhuruar çerekfinalet e këtij turneu. Ekipi i Marselo Bielsa, vazhdon të shfaqë një formë të jashtëzakonshme në këtë turne, duke lënë pas rezultatet zhgënjyese të kampionatit spanjoll. 

Sfida është vendosur nga dy gola në minutat e fundit të De Markos dhe Muniain, ndërsa më parë Lorente dhe Raul kishin lënë në barazim sfidën personale të golave në portat kundërshtare.

Edhe sfida tjetër Gjermani-Spanjë është fituar nga ekipi spanjoll, pasi Atletiko Madrid ka mundur 2-1 Hanoverin. Gjithsesi, goli i  Diuf ka lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit ku ekipi gjerman do të ketë edhe mbështetjen e tifozerisë së tij.

Skuadra e tretë spanjolle, Valencia, do të duhet të përmbysë një disavanatazh 1-2 në ndeshjen e kthimit në fushën e saj, pasi është mundur me këtë rezultat nga AZ Alkmar.

Edhe Metalist Karkiv vazhdon të ketë shanse për të kaluar turin, pasi ka shënuar në minutën e 91-të me anë të Ksavier dhe është mundur me diferencë minimale nga Sporting Lisbonë me rezultatin 2-1 në fushën e ekipit portugez.

Ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Europa League do të zhvillohen me datë 5 prill. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Atletiko Madrid-Hanover             2-1

9′ Falkao, 89′ Salvio / 38′ Diuf

AZ Alkmar-Valencia                       2-1

45′ Holman, 79′ Martens / 51′ Topal

Shalke-Atletik Bilbao                       2-4

22′, 60′ Raul / 20′,73′ Lorente, 81′ De Markos, 92′ Muniain

Sporting Lisbonë-Metalist Karkiv  2-1

51′ Izmailov, 64′ Insua / 91′ Ksavier