Lajme Shqip Monday, 07 April 2014 13:41

Misioni EULEX ka bërë me dije se një gjyqtar ndërkombëtar i procedurës paraprake, e ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy zyrtarëve të komunës së Prishtinës.

EULEX ka bërë me dije përmes një kumtese të lëshuar se gjyqtari e ka miratuar  pjesërisht kërkesën për caktimin e paraburgimit të parashtruar nga një prokuror vendas i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Kërkesa për caktimin e paraburgimit për tetë zyrtarë të tjerë të komunës u refuzua, ndërsa gjykata i ka konfiskuar dokumentet e udhëtimit të pandehurit të njëmbëdhjetë, si dhe e ka urdhëruar atë që të paraqitet në stacionin e policisë një herë në javë”, ka njoftuar misioni EULEX.

Të pandehurit janë arrestuar më 3 prill 2014.

Ata kanë të drejtë të paraqesin ankesë ndaj vendimit të marrë nga gjykata

 
Lajme Shqip Thursday, 06 March 2014 15:00

Bashkimi Evropian shumë shpejt do të vendosë për mandatin e EULEX-it dhe formatin e tij të ri. Ndërsa për krijimin e një Tribunali për krime në Kosovë do të vendoset deri në fund të vitit, edhe pse autoritet në Kosovë janë shprehur kundër Tribunalit, por jo zgjatjes sëmandatit të EULEX.

Në strukturën e BashkimitEvropian vazhdon debati rreth rishikimit të mandatit të EULEX-it, por edhe krijimit të një Tribunali për Krimet në Kosovë. Për të paktën edhe dy vite sistemi kosovar i drejtësisë nuk do të ketë mundësi të merret vetë me të gjitha krimet.

Ppër zyrtarët e Bashkimit Evropian edhe zgjatja e mandatit të EULEX, dhe Tribunali mbesin alternativë.

“Formati i ardhshëm i EULEX-it duhet të reflektojë faktin se sundimi i ligjit, do të vazhdojë të jetë një nga dimensionet kyçe të së ardhmes së Kosovës dhe procesit të saj të integrimit në BE. Kështu që ne do të duhet të presim të dyja, Rishikimin Strategjik të EULEX dhe hetimet e Ekipit të Taks Forcës Speciale, e cila po heton akuzat e raportit të ish senatorit ët Këshillit të Evropës Dick Marty për të vendosur rreth mandatit të EULEX-it dhe Tribunalit”, i ka thënë Radio Kosovës, zëdhënësi i EUSR Stojan Pelko.

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 12:37

EULEX-i ka arrestuar në veri të Kosovës, një zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, nën dyshimet për krime lufte dhe krime të pasluftës në Kosovë.

Në një komunikatë për media, EULEX-i njofton se“mbrëmë Dragan Delibashiq është paraqitur vullnetarisht para Shefit të Prokurorisë Speciale të Kosovës në Leshak, të veriut të Kosovës dhe më pas është arrestuar me urdhër të një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së”.

Dragan Delibashiq, ishte emëruar nga qeveria e Serbisë pas luftës në Kosovë, në postin e shefit të policisë serbe, ndërsa drejtonte edhe grupin e njohur si “Rojat e urës”.

Në komunkatën e EULEX-it, thuhet po ashtu se “i dyshuari, duke vepruar në cilësi të komandantit të policisë në Mitrovicë në vitin 1999/2000, akuzohet për: nxitje për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë me paramendim duke i privuar nga jeta personat tjerë për shkak të motivit nacional, të kryer në bashkëpjesëmarrje me Oliver Ivanoviqin, udhëheqësin e pretenduar të “ Rojave të Urës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

I dyshuari sot do të paraqitet për intervistim para një prokurori ndërkombëtar të PSRK-së.

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 11:12

Prishtinë – Burime brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se Policia e Uleksit përveç Ukë Rugovës, ka arrestuar edhe shtatë persona të tjerë, që lidhen me rastin krim i organizuar. 

Policia e Kosovës, e cila thotë se tani s’ka qasje fare në këtë aksion, po ashtu thotë se bëhet fjalë për shitblerje vizash. Pohohet se njëri nga të arrestuarit është zyrtar i Ambasadës italiane në Prishtinë, F.P.. Koha. net ka edhe emrin e një të arrestuari tjetër, I.B. nga Mitrovica, një shok i Ukës.

Arrestohet Ukë Rugova, dyshohet për krim të organizuar

Prishtinë – Nga vendi i ngjarjes, gazetari i ‘Kohës Ditore’ njofton se Ukë Rugova është i arrestuar dhe se ende ndodhet në ambientet e shtëpisë së tij, në Velani, lagje të Prishtinës. 

Bëhet e ditur se ka edhe të dyshuar të tjerë në lidhje me këtë rast, të cilët pritet që gjatë ditës të arrestohen.

Më herët, një prokuror i EULEX-it ka dhënë urdhër për arrestimin e Ukë Rugovës. Njoftimin e ka konfirmuar avokati i tij, Bajram Tmava. Ai i tha Koha. net se kërkesa e prokurorit është që Uka të ndalet për 48 orë. Avokati Tmava tha se EULEX-i dyshon djalin e ish-presidentit ë Kosovës, Ukën, për krim të organizuar e shpërdorim të detyrës zyrtare. 

Avokati Tmava po ashtu tha se ka qenë i pranishëm gjatë bastisjes me kërkesën e të dyshuarit, Ukë Rugova. Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë krimesh bëhet fjalë, por ka thënë se do të jetë avokati i tij.

EULEX-i bastis shtëpinë e Rugovës në Velani 

Prishtinë – Njësia speciale e EULEX-it, herët në mëngjesin e së mërkurës ka hyrë në shtëpinë e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Tetë vetura të misionit të BE-së për sundim të ligjit janë parë të parkuara para shtëpisë në lagjen Velania, ndërsa forca të shumta të kësaj njësie, të maskuara po bastisin aty. 

“Koha.net” nuk ka mundur të kontaktojë me EULEX-in për të kuptuar arsyet e kësaj bastisjeje. Jo zyrtarisht mësohet se i dyshuar për krime ekonomike është djali i ish-Presidentit, Ukë Rugova. 

Ky i fundit është aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës. /Koha/

 
Lajme Shqip Monday, 13 January 2014 11:11

Rezoluata për kalimin e kompetencave të EULEX pritet të bëhet në mënyrë graduale.

Ndërsa disa deputetë të Parlamentit Europian në amendamentet e tyre kanë përmendur faktin se janë shpenzuar mbi 1 miliard euro deri me tani misioni i EULEX-it në Kosovë, duke bërë që ky të jetë operacioni më i shtrenjtë i kësaj kategorie në historinë e Bashkimit Evropian.

Teksti i kësaj rezolute nuk ndryshon shumë nga ato të viteve të mëparshme sa u përket çështjeve politike dhe në të shprehet qartë një mbështetje e madhe politikepër Kosovën, shkruan sot Koha Ditore.

Rezoluta për kalimin e kompetencave të EULEX pritet të miratohet pa ndonjë problem. Në të mbështetet edhe avancimi në procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit.

“U bëjmë ftesë autoriteteve të Kosovës që të përmirësojnë efikasitetin e tyre, përgjegjësinë dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe të respektojnë pavarësinë; u bëjmë thirrje autoriteteve që në mënyrë proaktive të forcojnë sundimin e ligjit, posaçërisht duke proceduar krimin e organizuar dhe korrupsionin, përfshirë edhe në radhët e veta”, thuhet në raport.

 
Lajme Shqip Monday, 07 October 2013 17:15

Prishtinë- Tash e pesë muaj mbetet në paraburgim, dhe pret që t’i ngrihet aktakuza.

Naser Kelmendi, një afarist me origjinë nga Peja, por me nënshtetësi të Bosnjës e Hercegovinës, priti të mësojë të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë se do t’i ndërpritet paraburgimi.

Mirëpo, gjyqësori i ka vazhduar paraburgimin edhe për 90 ditë të tjera, sipas një zëdhënëse të misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Një gjykatës i procedurës paraprake i EULEX-it, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka urdhëruar 3 muaj paraburgim, gjegjësisht vazhdim të paraburgimit për Naser Kelmendin deri më 7 janar 2014”, tha për Radion Evropa e Lirë, Blerim Krasniqi.

Kelmendi është arrestuar më 5 maj në Prishtinë, në afërsi të banesës ku jeton edhe ministri i brendshëm Bajram Rexhepi.

Aty besohet se jetoi për një kohë, derisa u zu nga forcat e rendit.

Policia e Kosovës e kishte prangosur, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Interpoli, pasi Kelmendi llogaritet si i arratisur nga drejtësia e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Atë e kërkojnë edhe për trafikim ndërkombëtar me Amerikën Jugore, Turqinë, Kroacinë, Serbinë, siç shpjegohet në një komunikatë të EULEX-it.

Por pasi kaloi 48 orë në paraburgim, Kelmendi lirohet për t’u arrestuar menjëherë nga policia e misionit evropian në Kosovë më 7 maj.

Një prokuror ndërkombëtar dyshon se Naser Kelmendi është i përfshirë në krim të organizuar “përveç tjerash”.

Misioni Evropian ka sqaruar se Kelmendi po akuzohet për të njëjta veprat që e ngarkojnë autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Besnik Berisha, që mbron interesat e Naser Kelmendit në këtë proces gjyqësor, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vendimi për vazhdimin e paraburgimit të klientit të tij ende nuk është marrë, ose të paktën ai nuk është informuar për këtë gjë.

“Është ajo kërkesa 90 ditëshe. Nëse është ashtu e kanë aprovuar atë 90 ditësh, s’ka më shumë”, tha ai.

Këtë gjë e konfirmon edhe Blerim Krasniqi nga EULEX-i.

“Kërkesa e një prokurori të EULEX-it ka qenë që të vazhdohet paraburgimi edhe për 3 muaj, gjë të cilën e ka aprovuar gjykatësi”, thotë Krasniqi.

Avokati i Naser Kelmendit dyshon që prokurori i rastit Eric Larson të ketë përgatitur dosje solide kundër klientit të tij për kaq kohë, dhe që domosdoshmërish organi hetues do të kërkojë shtyrjen e paraburgimit, e cila do t’i aprovohet nga gjyqtari.

“S’ka asgjë të re, këtu është problemi. Ne po presim që ai të ngrit aktakuzën, por s’po e ngrit. Nuk ka prova thjesht. S’ka prova konkrete. Ka më shumë fjalë, eventualisht ndonjë dëshmitar në të cilin s’mundet me u bazua”, thotë avokati Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Por sipas EULEX-it, rasti është nën hetime, dhe se ende nuk mund të flitet për aktakuzë.

“Kelmendi hetohet për një numër të veprave penale, duke përfshirë krim të organizuar, vrasje, edhe trafikim të substancave narkotike,” shpjegon Blerim Krasniqi.

Elvis Kelmendi, pak ditë pas arrestimit të babait të tij Naserit, kishte pranuar fajin për tentim-vrasje në vitin 2010 të Elvis Hoxhiqit në Bosnje e Hercegovinë.

Edhe ai ishte arrestuar me urdhër të Interpolit, dhe gjykuar nga drejtësia kosovare.

Për të dy të pandehurit kishte kërkesë nga organet boshnjake për ekstradim, por i njëjti nuk u krye për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe njohjes reciproke të dy shteteve./Radio Evropa e Lirë/

 
Lajme Shqip Friday, 27 September 2013 13:11

Deri në 27,500 euro shpërblim mund të marrin ata që do të japin informata që qojnë në zbardhjen e vrasjes së doganierit të EULEX-it Audrius Senavicius.
Këtë e bënë të ditur, prokurorët e EULEX-it së bashku me Policinë e Kosovës dhe me Policinë e EULEX-it, gjatë një konference për media të mbajtur të premten, në pjesën veriore të Mitrovicës.
Pascal Persoons, prokuror i EULEX-it nga Task Forca Mitrovicë në këtë rast bëri të ditur shpërblimin dhe ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me hetuesit.  
“I bëj thirrje personale secilit që ka parë diçka, të thotë diçka. Nëse keni parë diçka të pazakonshme – pavarësisht sa e vogël apo e parëndësishme mendoni që është – ju lutemi ta raportoni atë, ose në policinë vendase ose në EULEX, në numrin e telefoni +381 38 78 6565. Çdo gjë që thoni do të trajtohet në fshehtësi të plotë”, tha Persoons. Ndërsa, kapiteni Nenad Djuriq, drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut sqaroi përfshirjen e Policisë së Kosovës në hetim. 
“Çdo ditë, zyrtarë policorë punojnë drejtpërdrejt me ekipin e EULEX-it… PK ka organizuar pika të kontrollit dhe është duke shkuar nga dera në derë në zonën e vendndodhjes së krimit për të pyetur nëse dikush ka parë ndonjë gjë që mund të lidhet me krimin”, tha Djuriq. 

 
Lajme Shqip Thursday, 19 September 2013 12:17

Zveçan- Një pjesëtar i EULEX-it është vrarë sot në mëngjes në territorin e komunës së Zveçanit, bën të ditur agjencia “Beta” e Beogradit. Mësohet se makina e EULEX-it është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Plumbat kanë prekur në kokë dhe në bark policin nga Lituania me iniciale A.S. 

Si pasojë e sulmit janë plagosur edhe dy policë të tjerë, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital. 

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e KFOR-it dhe njësitë speciale të EULEX-it. Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, pa dhënë detaje shtesë. 

EULEX-i KONFIRMON VDEKJEN E PJESËTARIT TË SAJ
EULEX-i konfirmoi se të enjten rreth orës 7:30, dy automjete të EULEX-it, me të cilat udhëtonin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1 janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit. 
Si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it. Task-Forca Mitrovica është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar. 

Zona përreth është bllokuar, ndërsa thuhet se do të bëhet çmos për t’i sjellë autorët e kësaj vepre përpara drejtësisë. EULEX-i e dënon fuqishëm këtë akt të dhunës kundër pjesëtarit të tij. 

“Ne i bëjmë apel komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitarë, apo që din ndonjë gjë lidhur me këtë incident që të paraqiten dhe të na kontaktojnë në numrat e telefonit 00381 38 78 5555 ose 00381 38 78 5556. EULEX-i i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së të ndjerit”, thuhet në komunikatën e EULEX-it. 

THACI DENON SULMIN
Kryeministri Hashim Thaçi e ka dënuar sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, që ndodhi sot në afërsi të Komunës së Zveçanit, ku si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it. 

“Ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë. 

Qeveria ka kërkuar nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryerësit e këtij akti që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. 

Kryeministri Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe gjithë pjesëtarëve të EULEX-it.

AMBASADORJA JACOBSON: JAM E TRONDITUR 
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ka shprehur keqardhje për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it në rajonin e Zveçanit. 

“Jam e tronditur me sulmin ndaj EULEX-it në veri, këtë mëngjes, dhe e trishtuar me humbjen e jetës”, – ka shkruar Jacobson në “Twitter”. 

MINISTRJA VLORA E TRONDITUR
Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku u shpreh se ështe tronditur me lajmin për vrasjen e një polici të EULEX-it në Veri të Kosovës. 
Nëpërmjet Twitter-it, Çitaku ka shkruar se sulmet ndaj personelit të EULEX-it janë të papranueshme dhe është lutur për shërimin e policëve tjerë të plagosur. 

“Ne lutemi për shërimin e shpejt të dy oficerëve të plagosur”, shkruan ajo./BW/

 
Lajme Shqip Wednesday, 28 August 2013 13:14

Prishtinë- Misioni evropian ia ka “vënë synin” edhe ambasadorit të Republikës së Kosovës në Japoni Ahmet Shalës. Ai dyshohet për veprimtarinë e tij gjatë kohës sa ishte drejtues i Agjencionit Kosovar të Privatizimit në kohën e UNMIK-ut. Fjala është për disa transaksione dhe dyshime në procesin e shitjes së pasurisë së Kosovës, më konkretisht të OPBI Vreshtaria dhe Veraria “Suhareka” në Suharekë në një sipërfaqe prej 1680 hektarësh dhe për ndryshimin e destinimi t të Fabrikës së gomave të plastikës “Ballkan” nga Suhareka, shkruan sot gazeta “Bota sot”.

Fazli Morina, konkurues dhe fitues I tenderit të privatizimi të OPBI Vreshtaria dhe Veraria “Suhareka” I ka ofruar gazetës “Bota sot” një dokumentacion të mjaftueshëm për mënyrën e kurdisjes së procesit të tenderimit dhe shitjes së kësaj pasurie të komunës së Rahovecit. Morina përve[ se I ka ofruar EULEX-it këtë dokumentacion, ai ka përfshirë sit ë dyshuar në këtë proces edhe Blerim Kuçin kryetarin aktual të komunës së Suharekës dhe një person tjetër që ka lidhje miqësore me Ahmet Shalën.

Ambasadori Ahmet Shala është akuzuar edhe më parë si I dyshuar në procesin e privatizimit të aseteve dhe pasurisë së Kosovës në kohën e UNMIK-ut. Ai për një kohë të gjatë ka qenë zëvendësdrejtues I AKP-së e më pas edhe drejtor I Bordit të AKP-së, madje I paguar në cilësinë e zyrtarit ndërkombëtar.

Megjithatë burime të sigurta të gazetës bëjnë të ditur se EULEX madje ka kërkuar konfiskimin e pasaportës së ambasadorit Ahmet Shala.

 
Lajme Shqip Monday, 29 July 2013 16:45

Prishtinë – Pjesëtarët e misionit EULEX dhe të policisë speciale të Kosovës, e kanë arrestuar sot personin Zharko Veselinoviq, vëlla i Zvonko Veselinoviqit, të cilin misionet ndërkombëtare e konsiderojnë njërin nga organizatorët e vendosjes së barrikadave në pjesën veriore të Kosovës, raporton agjencia beogradase Beta nga Mitrovica.

Zharko Veselinoviq është arrestuar në vendin Rudare, në rrugën magjistrale Mitrovicë – Leposaviq.

Pak kohë pas arrestimit të Zharko Veselinoviqit janë dëgjuar sirenat për rrezik ajror në Zveçan dhe Mitrovicë, pas së cilave qytetarët janë nisur për në Rudare.

Zvonko Veselinoviq në Serbi është i akuzuar se pa të drejtë i ka përvetësuar 32 kamionë nga lizingu Hipo Alpe Adria, raporton Beta.