Lajme Shqip Monday, 07 April 2014 13:30

Etjona Hoxha u prezantua zyrtarisht si Prefekte e Vlorës duke zëvendësuar në këtë detyrë Besnik Dervishin, i cili me një vendim të Këshillit të Ministrave do të kryesojë grupin e punës mbi Reformën Administrativo-Territoriale. Etjona Hoxha është pedagoge në departamentin e Gjuhë-Letërsisë, në Universitetin e Vlorës, ‘Ismail Qemali’.  Gjithashtu, ajo është pjesë e Asamblesë Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste.

Në një ceremoni të organizuar në teatrin “Petro Marko” ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht deputet i Qarkut të Vlorës, dhe ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri.

“Jemi të dënuar të dalim me sukses të plotë për të realizuar ndryshimin që qytetarët kërkuan më 23 Qershor, që ka të bëjë me ndryshimin e  cilësisë së jetës, marrëdhnëiet midis individit dhe shtetit. Duhet të vetëkorrigjojmë gjithcka që nuk shkon siç duhet në rrugën tonë, përpara se të bëjmë gabimet e bëra nga qeverisja e shkuar. Duhet të bëjmë realitet rilindjen që Shqipëria kërkoi, rilindjen që shqiptarët besuan”, iu drejtua Kreu i Qeverisë të pranishmëve.

Duke iu referuar fjalës së mbajtur nga Prefektja e re dhe zotimet e saj, ndër të cilat njëri kishte të bënte me eleminimin e emërimeve abuzive , nepotike apo për shkak të lidhjeve familjare apo farefisnore në administratën publike, si dhe dhënine fund të nepotizmit dhe korrupsionit, Rama uroi që Prefektja të bënte realitet të paktën gjymën e premtimeve të saj.

“E përgëzoj prefekten për qartësinë dhe vendosshmërinë me të cilët paraqiti para jush dhe përpara opinionit publik kuptimin e saj për detyrën jashtëzakonisht të rëndësishme që ka marrë përsipër. Nuk mund veçse ti uroj që gjysmën e tyre që tha t`i bëj realitet dhe jam i sigurt se nëse ndodh kjo diçka shumë e rëndësishme do të ndryshojë për institucionin e prefektit në marrëdhëniet me qytetarët”,u shpreh Kreu i Qeverisë.

Në vijim ai shprehu bindjen se Qeveria do të realizojë të gjitha premtimet duke bërë edhe ndryshimin e madh për vendin.

“Do të realizojmë ndryshimin që njerëzit kërkuan në 23 qershor që padyshim nuk është ndryshimi i një ngjyre me një tjetër por ndryshimi i vendit, ndryshimi i modelit qeverisës, i marrëdhënieve mes individit dhe shtetit ,dhe cilësisë së jetës. Është një proces që pa pikë dyshimi është shumë i vështirë  dhe që do të ketë hatërmbetje apo gabime por ne duhet të kemi aftësinë të vetëkorigjojmë gjithçka që gjatë rrugës nuk shkon siç duhet.  Dhe duhet të kemi kurajon që të shikojmë përpara dhe të ecim shpejt e më shpejt për ta bërë realitet rilindjen që Shqipëria kërkon, rilindjen që ne u zotuam dhe që Vlora dhe vlonjatët meritojnë. Kemi filluar një punë të gjithanshme për të realizuar një e nga një, hap pas hapi zotimet tona dhe unë jam besimplotë që ne do ti mbajmë premtimet dhe ne do ta ndryshojmë cilësisht jetesën e njerëzve në këtë vend. Në radhë të parë duke vendosur në vend dinjitetin e qytetarit në raport me shtetin, duke vendosur shtetin dhe institucionet aty ku u takon në raport me qytetarin dhe duke transformuar shërbimet tona publike në shërbime gjithmonë e më cilësore dhe transparente, duke i mbajtur ato gjithmonë e më larg korrupsionit dhe zvarritjeve që u kanë marrë shpirtin shqiptarëve në çdo cep të vendit”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se duhet t`i jepet fund nepotizmit dhe zhvillimi i Shqipërisë të bazohet tek instrumentat që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Ne socialistët e bashkuar nuk mund të vazhdojmë në traditën e shëmtuar të rrënimit dhe grryerjes së shtetit  për interesat e një pushteti të përqëndruar vetëm tek një klientelë e ngushtë partiake, nepotike apo klanore. Ne duhet ta bëjmë shtetin, ne do t`i bëjmë instiucionet e shtetit të afta që të krijojnë gjithmonë e më shumë kushtet që Shqipëria të zhvillohet përmes punësimit, përmes prodhimit, përmes edukimit të duhur dhe instrumentave që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm të një vendi normal. Nëse duam që Shqipëria të jetë një vend normal dhe nëse nuk duam që në Shqipëri të vazhdojë cikli i shkarkim-ngarkimeve vetëm për interesa të ngushta që fatkeqësisht kontrollohen nga një grup njerëzish”,u shpreh Kryeministri.

Ndërsa ministri Tahiri e cilësoi si të domosdoshëm reformimin e institucionit të prefektit./tema/