Lajme Shqip Saturday, 26 October 2013 14:04

Tiranë- Shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, vlerëson qëndrimet e Kryeministrit Rama ndaj homologut turk Erdogan dhe ndaj Turqisë. Qëndrimet e një pjese të opinionit, që i cilëson deklaratat e Kryeministrit turk si të rrezikshme e që revokojnë Perandorinë Otomane, Dritëroi i cilëson si prej diletanti. “Këto diskutime që thonë se duke i thënë Erdoganit ‘vëlla’ dhe ‘mik’ do të bëhemi Turqi, unë mendoj se janë prej diletanti. Këto janë injoranca më e madhe që unë kam parë, duke e trajtuar në këtë mënyrë”, shprehet për gazetën “Panorama” shkrimtari i njohur. 

Ai i cilëson vlerësimet e Kryeministrit Rama ndaj homologut turk si shprehje të të zotit të shtëpisë ndaj mikut. “Këto janë shprehje e dashurisë ndaj një tjetri, kur i thua ‘unë jam vëllai yt’, është një shprehje miqësore. Është anormale të mendosh se Kosova dhe Shqipëria do bëhen Turqi. Këta që analizojnë të kundërtën, nuk kuptojnë se ç’do të thotë emocion, epitet që shoqëron një situatë mikpritjeje. Kjo është si ato vizitat që bëjmë te një mik dhe në fund themi që u bëmë si vëllezër”, tha Agolli. 

Për Dritëroin këto deklarata nuk duan të thonë se në Ballkan po rikthehet periudha e osmanlinjve. “Vetëm një i luajtur mendsh mund të mendojë se Kosova mund të bëhet Turqi, apo Shqipëria të bëhet Turqi përmes një pushtimi të ri otoman. Ka qenë vetë Ataturku që i ka rrëzuar osmanlinjtë. Ajo periudhë është mbyllur njëherë e mirë dhe historia nuk mund të ecë mbrapa”, tha Agolli. Por, për shkrimtarin e njohur, deklarata të tilla mund të krijojnë dhe përçarje fetare. “Këto diskutime, për shkak të disa besimeve fetare në Shqipëri, mund të krijojnë një përçarje mes feve duke shkelmuar tolerancën fetare që e kemi ndërtuar prej shumë kohësh. Ky është një diskutim që s’duhet hapur fare”, tha Agolli. 

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Kryeministri turk i cilësoi trevat shqiptare si Turqi. “Jemi njerëz me një kulturë dhe me një histori të përbashkët. Mos e harroni këtë, Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi”, tha Erdogan në Prizren. Ndërsa Kryeministri Rama vlerësoi kontributin e Turqisë për çështjet shqiptare. “Kryeministri Erdogan është miku dhe vëllai ynë i pandarë, në festa, por edhe në vështirësi”, tha Rama.

 

 
Lajme Shqip Friday, 25 October 2013 13:37

Ismail Kadare komenton deklaratat e 3 kryeministrave në Prishtinë.

“Një nga turpet e mendimit shqiptar, që qenia e Shqipërisë u detyrohet dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist”

“Qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Kështu do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit…”. Këto janë pasazhe nga libri “Mosmarrëveshja” e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i botuar rreth 3 vite më parë, por që pas deklarimeve të tre kryeministrave në Prishtinë duken shumë aktuale, por edhe rihapin debat. Kreu i qeverisë turke, Taip Erdogan, i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe i asaj kosovare, Hashim Thaçi, mbajtën fjalime afeksionuese për marrëdhëniet shqiptaro-turke gjatë inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës, më 22 tetor. Ndër të tjera, Rama e Thaçi thanë se turqit dhe shqiptarët janë popuj vëllezër, dhe e quajtën “vëlla” Erdoganin, ndërsa ky i fundit tha: Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë. Deklarime që kanë shkaktuar mjaft reagime, qofshin pozitive apo negative. Por, për Kadarenë duket se nuk janë të panjohura këto lloj “flirtimesh” mes shqiptarëve dhe turqve. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, në vend të një komenti apo replike, ai sugjeroi pikërisht librin “Mosmarrëveshja”. “Nuk i kam lexuar të plota deklaratat e tyre, por me aq sa jam njohur nuk mund të bëj ndonjë reagim apo koment të çastit. Sepse për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve unë kam shkruar prej kohësh te libri “Mosmarrëveshja”, ndaj nuk kam çfarë të shtoj tani gjë tjetër. Çfarë kam thënë në libër, mbeten aktuale…”, tha Kadare, duke na autorizuar njëkohësisht që të botojmë një pjesë ku flet pikërisht për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve… e.ilnica

EPILOG ME ZOTIN
…Që Shqipëria kishte pushuar së qeni e shtrenjtë për shqiptarët, ishte e lehtë për t’u besuar, por vështirë të vërtetohej. Që fortësia e saj pengonte dashurinë për të, as kjo s’mund të pranohej. I kapur si në ngërç, mendimi shqiptar për kombin vetvetiu prirej drejt formulës së re: më i fortë se kurrë, më i brishtë se kurrë. Ishte një kushtrim i ri, i sinqertë ose jo, për një rrezik të përfytyruar? Kronika shqiptare rrallëherë jepte shembull të tillë. Kishte pasur aq shumë rreziqe të vërteta, sa nuk mbetej vend për të rremet. Ndërkaq, himni i vjetër i shtetit, ai që na ka shoqëruar në këtë përsiatje, kishte gjasë të na çonte te një kuptim i ri i gjërave. Në fund të fundit, pllaka memoriale koniciane, motërzimi në mermer i himnit, nuk ishte veçse njëri nga kumtet himnoide, atij të fshehtit. Dhe si e tillë do të merrej. Që himni ishte po ai qysh prej krijimit dhe që pllaka memoriale këmbëngulte në të sajën, kjo dëshmonte për një patologji të kthyer tashmë në shenjë identitare. Shenja ishte tepër e pikëllueshme, nga ato që rrallëherë iu binin në pjesë popujve: ideja se ky komb ishte i padashur, për të mos thënë i papranueshëm prej të tjerëve. Ankesa, përveç që kishte diçka të padenjë, siç ndodhte shpesh me viktimizimin, do të kthehej më pas, gjatë rendit komunist, në një fortashtrojë (platformë) që do të përligjte një nga krimet kryesore të kohës: armiqësimin e Shqipërisë me botën, kryesisht me Perëndimin. Miti i një sulmi të mundshëm të këtij do të përligjte rendin diktatorial shqiptar, mizorinë, bunkerët dhe shterpësinë e tij. Krahas me të, si shëmbëllim i kësaj ankese, do të gjëllonte një tjetër, po aq groteske: fantazma e përthithjes sllave. Si rrjedhojë e kësaj, do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Me fjalë të tjera, qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit. Në të vërtetë, sllavët ballkanas në Perandorinë Osmane, duke qenë vetë në gjendjen poshtëruese të rajasë, nuk kishin mundësi joshjeje, aq më pak asimilimi mbi të tjerët. As zhvillimi ekonomik e shoqëror e as identiteti i tyre i shtypur nuk jepnin dorë për diçka të tillë, sidomos përballë identitetit sprapsës e kryeneç shqiptar.
Shqipëria nuk ka qenë dhe as do të ishte e padashur prej familjes së kombeve. Madje mund të thuhej se, ashtu siç kishte zëra që ankoheshin për mosvëmendje ndaj Shqipërisë, po aq, në mos më shumë, kishte zëra të tjerë që ngulnin këmbë për vëmendje të tepërt, për të mos thënë, llastim të saj.
* * *
…Me kalimin e shekujve, jo veç të huajt, por shqiptarët vetë, gati-gati po besonin se Shqipëria nuk rrethohej më nga vise europiane, siç ishte në të vërtetë, por ishte zhvendosur drejt daljes së kontinentit të vet, në kufi me Azinë. Si e tillë, si hapësirë ndërprerëse a urë kalimi aziatiko-europiane, përftohej ajo që e kishte Azinë rreth një mijë kilometra larg. Ky status gjysmak, ky as-as (as Europë, as Azi), nuk do t’i ndahej Shqipërisë edhe pas shembjes së Perandorisë Osmane. Nuk ishte metaforë, por gërmadha e projektit makabër për shuarjen e një kombi. Shestimi kishte mbetur përgjysmë. Në zanafillë të tij ishte një hakmarrje e egër, nga ato për të cilat perandoritë ishin veçanërisht të afta. Nga gjithë popujt e gadishullit, shqiptarët, si dëmtuesit më të mëdhenj të vrullit osman te portat e Europës, do të merrnin edhe ndëshkimin më shembullor. Nga popujt e Ballkanit Perëndimor, ky ngjante si i krijuar enkas për shpagim të tillë. Ndryshe nga grekët dhe sllavët, që kishin mbrojtjen e tërthortë, të parët, të trashëgimisë bizantine, të dytët, të farefisnisë sllave, shqiptarët s’kishin askënd. Midis shpërfilljes dhe heshtjes, pa iu dhimbsur kujt dhe pa dëshmi, ata pësuan një prej zezonave më të mëdha që ka njohur bota: dergjën osmane.
Midis sajesave të botës, ato që mund të pillnin një dergjë ishin ndër më të paparashikueshmet. Në rastin turko-shqiptar, ndodhi diçka që historia nuk e ka sqaruar ende plotësisht. Një lodhje nga ato që cilësohen në të gjithat gjuhët e botës si “lodhje vdekjeje”, por që në këtë rast merrte kuptimin e kryehershëm të saj? Një lodhje sunduesish e të sunduarish bashkë? Një stërvdekje a një mbimort?
Prej shurdhimesh të tilla mund të pritej gjithçka. Nga shurdhimi osmano-shqiptar u sajua diçka e frikshme në befasinë e saj: prirja për t’u marrë vesh. Në vështrim të parë, thirrja e osmanëve “bëhuni turq” do të merrej si një kulm i shpagës e i poshtërimit. Me fjalë të tjera: ju na penguat te portat e Europës? Ne e morëm hakun: ju mundëm. Ua morëm dheun, shpirtin, gratë, foshnjat, gjithçka. Dhe prapë mos kujtoni se e shlyet fajin! Tani ju do të harroni kush ishit. Do të ulni kryet, jo më si shqiptarë, por si ish-shqiptarë, dhe ashtu, në gjunjë, do të kërkoni ndjesë. Në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë kështu. Thirrja për t’u kthyer në turq s’ka qenë asnjëherë e drejtpërdrejtë, por tepër e tërthortë. Dhe asnjëherë me një kumbim hakmarrës, përkundrazi si një venom. Tingëllimi i vërtetë i saj do të ishte: u bë ç’u bë, le ta harrojmë. Në qoftë se doni të shijoni të mirat e perandorisë, bëhuni si ne. Thirrja e fundit ishte gjithashtu tepër e përkorë. Për të shmangur fjalën plagosëse “turk”, ishte gjetur myslimanizmi, një nga tri besimet kryesore të botës. Ishte çelësi i artë, kushti i vetëm për të hapur portën e mundësive të mëdha: karrierës, pasurisë, lavdisë. Ishte joshja që i bënte perandoria fitimtare popullit të mundur, hapësira e pafundme hapësirës së ngushtë, së fundmi favori befasues, që ngjante dyfish i tillë, ngaqë vinte në vend të ndëshkimit.
Tundimi ishte tronditës. Lëkundja gjithashtu. Nuk ishte veç një hap, një zgjedhje, një lamtumirë. Madje dhe kjo e fundit s’ngjante aq dramatike siç mund të ishte dukur. Nën të njëjtin pullaz katolik mund të jetonte vëllai mysliman. Shkurt, prej të njëjtit qumësht nëne mund të rriteshin vëllezër të ndryshëm. Edhe më shkurt: brenda racës shqiptare, po gjëllonin vatrat familjare dybesimëshe. Ndërkohë, mosbesimi i të dy palëve ndaj njëra-tjetrës duhej të ketë qenë i pafund. Ishte e natyrshme që secila palë të dyshonte se tjetra ia kishte me dredhi: shqiptarët do të hiqeshin sikur ishin ndarë me kryqin, pa u ndarë, kurse osmanët s’do të mbanin asnjë premtim, si çdo sundues. Vitet kalonin, por rënia e maskave, aq shumë e pritur, nuk ndodhi asnjëherë. Po ndodhte e kundërta. Shqiptarët, të ndarë më dysh, me kryq e pa kryq, do të vazhdonin jetën e tyre. Ata të kryqit, do të mbartnin, siç thuhej, kryqin, e të tjerët do të gëzonin postet e premtuara. Shqipëria i ngjante një teatri, ku në të njëjtën skenë luhej herë drama e robërisë e herë ajo e lirisë, pa u qartësuar asnjëherë se cila ishte e vërteta dhe cila e rremja.
Në këtë luftë maskash, kombi shqiptar humbte çdo stinë e çdo vit. Shfaqeshin çdo stinë shqiptarë me famë dhe pasuri, por, ashtu si në përrallat me kapërcim të ylberit, fill pas kapërcimit, pra matanë ylberit, ata s’ishin më shqiptarë. Rrallëherë në histori kishte qëlluar që fama dhe lavdia vetjake e personazheve, në vend që t’i vinte në ndihmë kombit që i përkisnin, ktheheshin kundër tij. Do të mjaftonte vetëm shembulli i postit të kryeministrit perandorak, që iu dha shqiptarëve, prej të njëjtit shtet që ndalonte me dekret shkrimin e gjuhës shqipe, për të kuptuar se në ç’nyjë tragjike kishte hyrë fati shqiptar…
Tiranë-Paris,
Verë dhe dimër 2010-2012  (Panorama)

 

 
Lajme Shqip Friday, 25 October 2013 13:32

Beograd- Deklarata e kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, se “Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë” ka nxitur reagimin e autoriteteve serbe.Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Erdoganit që urgjentisht të kërkojë falje.

“Konsideroj se kjo deklaratë është skandal i madh dhe i bëj thirrje Turqisë dhe kryeministrit të saj, Erdogan, të kërkojë falje publike. Kjo është një sjellje e papranueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe duhet të shohim se cilat do të jenë reagimet e shteteve të tjera”, ka thënë Vuçiq, raportojnë mediat serbe.

Të enjten ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Serbisë, duke thënë se “të gjithë në botë e dinë se Kosova është fjalë serbe dhe territor serb, madje edhe ata që kanë pranuar këtë kuazi-shtet”.

Erdogan e ka bërë deklaratën gjatë qëndrimit në Kosovë, me rastin e inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës./koha/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 24 October 2013 19:23

Beograd- “Çdokush në botë e di që fjala Kosovë është serbe dhe se është territor serb, madje edhe ata që e kanë njohur këtë kuazi shtet”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, lidhur me deklaratën e kryeministrit të Turqisë Recep Erdogan dje në Prizren. 

Duke reaguar në deklaratat e Erdoganit se Turqia është Kosovë dhe Kosova Turqi, si dhe atë që Kosova është vendi i tij i dytë, MPJ-ja serbe thekson se në “Republikpn e Serbisë deklaratat e tilla kurrsesi nuk mund të pranohen si miqësore”. 

“Ato (deklarata) devijojnë nga bindjet që marrin përmes kontakteve me zyrtarët më të lartë të Turqisë”, thuhet në këtë komunikatë dhe vlerësohet se “qyteti i Dushanit (Prizreni) është vendi më i pavend për deklarata të tilla”. 

Kryeministri i Turqisë të mërkurën qëndroi për vizitë në Kosovë, ku mori pjesë në hapjen e terminalit të ri në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës, kurse bashkë me kryeministrat Thaçi dhe Edi Rama vizitoi edhe Prizrenin.  /koha/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 24 October 2013 17:33

U ulën këmbëkryq dhe bënë muhabet në shtëpinë e një qytetari të Prizrenit.

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nikoqiri, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dolën jashtë protokollit zyrtar për të drekuar në një shtëpi në Prizren, në një ndenjë modeste dhe tradicionale.

Gjatë vizitës në Kosovë, kryeministri turk e përsëriti frazën e njohur për vllazërinë shqiptaro-turke. Në këtë ndenjë joformale, ai u mundua të ndihet i afër me mikëpritësin.

Erdogan është i njohur për vizitat e shpeshta që i bën në familjet e qytetarëve të thjeshtë turq. Ai zakonisht deklaron se do të jetë i afër dhe të shohë nga afër nevojat e qytetarëve. Ndërsa, kritikët e akuzojnë për fushtatë populiste, transmeton Zhurnal.

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 October 2013 12:00

Prishtinë- (E plotësuar)  Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në përurimin e terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka thënë se Turqia do të jetë gjithmonë pranë popullit të Kosovës.

“Dua ta përgëzoj kryeministrin Hashim Thaçi, konsorciumin turko-francez dhe firmat e tjera që kanë dhënë kontribut në ndërtimin e këtij aeroporti”, ka thënë Erdogan. Ai ka treguar se çdoherë që vjen në Kosovë sheh përparime. “Çdoherë që vij në Kosovë shoh përparime. Shpresoj se Kosova do të ketë zhvillim më të hovshëm si shtet i pavarur. Turqia është një ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Turqia do të vazhdojë të japë kontribut për Kosovën. Ne kemi një histori të përbashkët me Kosovën”, është shprehur Erdogan. 

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i ka dhënë mbështetje Kosovës në proceset integruese, euroatlantike. Po ashtu, Erdogan ka thënë se Turqia është e interesuar të bashkëpunojë edhe në fushën e sigurisë. “Turqia do të jetë gjithmonë pranë Kosovës dhe popullit të saj”, ka thënë Erdogan. Kryeministri turk ka thënë se firmat e Turqisë kanë investuar në Kosovë 385 milionë euro në fushën e tekstilit dhe rreth 800 milionë euro në ndërtimtari.

Në përurimin e terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka folur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka thënë se ky aeroport nuk mund të kishte emër më të mirë sesa tani. “Nuk mund të kishte emër më të goditur për aeroportin e pas çlirimit të Kosovës sesa emri i njeriut që i dha krah me jetën e me vdekjen e tij ëndrrës së Kosovës së lirë, të pavarur, shtet evropian në mes të Evropës”, ka thënë Rama. 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ndihet krenar që miku i tij, Edi Rama, ishte i pari që zbriti në pistën e aeroportit evropian të Republikës së Kosovës. “Ndihem tepër mirë dhe krenar që sot miku im dhe kryeministri i Shqipërisë së bashku me Lindën ishte i pari që zbriti në pistën e aeroportit evropian të Republikës Kosovës. Gjithashtu, ndihem tepër mirë dhe krenar që sot jemi së bashku me njeriun i cili është ndër të parët në botë që e ka njohur Republikën e Kosovës. Mund t’ju them shumë hapur se kryeministri dhe miku Erdogan, një natë para se ta shpallnim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, më ka telefonuar duke më thënë se Turqia vendimin për njohje e ka gati”, ka thënë Thaçi, duke falënderuar kryeministrin turk dhe Turqinë për punën që janë duke bërë në favor të njohjeve të reja për Kosovën.

Edhe drejtori i terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bekim Jashari, u ka uruar mirëseardhje të gjithë të pranishmëve dhe e ka falënderuar kryeministrin e Kosovës dhe atë të Turqisë për përurimin e këtij terminali të ri. “Me lejoni që në emër të familjes Jashari t’ju uroj mirëseardhje dhe t’ju falënderoj për punën. Ju kryeministra ndihuni krenarë për këtë vepër që keni bërë”, ka thënë Bekim Jashari./epoka e re/ 

 

Erdogan në Prishtinë. Përuron terminalin e ri të aeroportit

 

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, para pak qastesh ka arritur në airoportin nërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Në pritje të kryeministrit turk ka dalë edhe Njësia ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Erdogan është pritur nga kryeministir i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri turk se bashku me atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, Edi Rama bëjnë perurimin e terminalit të ri në Aeroportin “Adem Jashari” nga kompania “Limak Kosovo”.  /tribuna/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 22 October 2013 09:12

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministri Edi Rama nesër do ta vizitojnë Kosovën.

 

Vizita do të zhvillohet ditën kur do të inaugurohet terminali i ri në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”. Erdogan do të vizitojë edhe Prizrenin, ku do të shoqërohet nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama. Kryeministri turk do të udhëtojë së bashku me bashkëshorten, e cila do të ketë një agjendë të veçantë që do të përqendrohet në vizita në institucione të ndryshme shoqërore dhe kulturore.

 
Lajme Shqip Thursday, 17 October 2013 13:06

Prishtinë- Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të bëjë bujë në Kosovë. Vizita e tij me 23 tetor, kur edhe hapet terminali i ri në ANP ‘Adem Jashari’, do të ketë edhe agjendë tjetër. Burime të Reporteri.net brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë me dije se Erdogan do të bëjë një vizitë edhe në Prizren bashkë më ‘vëllain’ e tij Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Por të dytë do të shoqërohen edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Detajet e agjendës në Prizren të tre kryeministrave do të bëhen me dije gjatë këtyre ditëve.
Kryeministri turk kësaj radhe do të sjellë edhe bashkëshorten me vete, Emine Erdogan e cila po ashtu do të ketë një agjendë të veçantë e që kryesisht do të fokusohet në vizita në institucione të ndryshme shoqërore dhe kulturore.

Një agjendë e kësisoj e Erdogan në Prziren por edhe prezenca e Edi Ramës mund të jenë një plus i fortë për Thaçin për të mbajtur Prizrenin edhe për një mandat./reporteri/

 
Lajme Shqip Friday, 04 October 2013 15:05

Prishtinë- Ambasada e Republikës së Turqisë ka bërë të ditur sekryeministri Recep TayyipErdogan nuk ka bërë asnjëkoment për Kosovën. Një ditë më parë, mediat kosovare publikuan një lajm ku Erdogancitohet se ka thënë që Kosova është e vogël të flasë për Islamin. “Ambasada e Republikës së Turqisë në Prishtinë hedh poshtë lajmin e publikuar me titullin-Erdoganpër Kosovën: Jeni të vegjël për të folur kundër islamit”,-është bërë e ditur në një njoftim të ambasadës. Lajmi publikohet pak ditë para se kryeministriErdogan të vizitojë Kosovën me ftesë të kryeministrit Thaçi./albeu/

 
Lajme Shqip Thursday, 03 October 2013 12:49

Ankara- Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar për mediat turke se Kosovaështë shumë e vogël për të folur kundër Islamit. Gazeta “Express” citon kryeministrin të ketë thënë se Turqia dheKosova kanë marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore që rrjedhin nga thellësitë e historisë, por është e vogël dhe nuk ka të drejtë të flasë kundër Islamit.

Erdogan, do ta vizitojë Kosovën më 23 tetor të këtij viti. Vizita e tij do të bëhet me rastin e inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, me ftesë të Kryeministrit Hashim Thaçi.

Kosova dhe Turqia së fundi kanë intensifikuar marrëdhëniet, që për shumë analistë konsiderohen nënshtruese ndaj Kosovës, sidomos pas kërkesës arbitrare të autoriteteve turke që Prishtina të ndryshojë tekstet duke i hequr “paragrafët fyes” për historinë e Perandorisë Osmane.