Lajme Shqip Saturday, 02 November 2013 13:43

Tiranë- Toka që 20 vite më parë prodhonte dëshpërim, sot strehon emigrantët tanë. Kështu shkruan në fillim të një shkrimi gazeta italiane la repubblica.it duke iu referuar disa historive ku tashmë janë italianët ata të cilët kanë emigraur në drejtim të Shqipërisë per një jetë më të mirë.

Në fillim ata ishin sipërmarrës, të cilët kishin shkuar në kërkim të punës me kosto të ulët , tani atje gjen punëtorë, artizanë, elektriçistë, mekanikë, muratorë, por edhe juristë, mjekë, arkitektë, operatorë telefonikë në pothuajse të gjitha kompanitë që operojnë në Shqipëri (Group Abrahami , Teleperformance , Infocall , Teletu , TRANSCOM , Grid Marina Salamon , etj ). Ka edhe studentë, të cilët vazhdojnë shkollimin e tyre, ndërkohë që punojnë për 200-300 euro në muaj, madhësia mesatare e pagës.

Historitë janë të ndryshme, David Barzani, 26 vjeç, ka bërë valixhen gati dhe nga Breshia ka mbërritur në Tiranë për të punuar si saldator. Oscar Cappelletti, nga Bergamo, i cili pas një udhëtimi në Shqipëri, kuptoi se të punonte elektreçist këtu, ia vlente. Emilio Garlatti, 60 vjeç është një tjetër italian që punon në Shqipëri. “Në çdo cep dëgjon italisht, ndihesh si në shtëpi”- thotë ai.

Emigrantët italiane mbërrijnë me anije nga Ankona dhe Bari si dhe me avionë me 20 fluturime të përditshme që ka mes dy vendeve. Michela Marucci, një praktikante ligjore, thotë se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një rajon i Italisë.
Nuk ka vlerësime mbi numrin e italianëve në Shqipëri, pasi ata i drejtohen autoriteteve në Shqipëri, vetëm në rastet kur ata kanë një nevojë të vërtetë. Sipas specialistëve, fenomeni pritet të dyfishohet në dy-tre vitet e ardhshme. /albeu/