Lajme Shqip Saturday, 16 March 2013 10:13

Elvis Kabashi është futbollisti shqiptar i radhës që i ka kthyer shpinën kombëtares shqiptare të futbollit, duke pretenduar se nuk dëshiron të veshë fanellën kuqezi, por atë të kombëtares italiane, gjithmonë nëse është në gjendje të provojë se e meriton në të vërtetë atë.

Mesfushori 19 vjeçar, i cili në vitin e fundit është dhënë huazim nga Empoli te Juventusi, ka luajtur më parë më kombëtaren U-17 dhe U-19 të Shqipërisë, por me sa duket ka pasur pretendime për të kaluar te kombëtarja e madhe. Kjo ka sjellë një krisje të marrëdhënieve mes tij me FSHF-në, duke dhënë si pasojë edhe largimin e tij nga kombëtarja kuqezi.

Lojtari ka komunikuar vendimin nëpërmjet një letre që është dërguar si në FSHF, ashtu edhe në FIFA, në mënyrë që të merret parasysh vendimi i tij në rrugë zyrtare.

“Kam luajtur disa ndeshje për kombëtaren shqiptare të të rinjve dhe u jam shumë mirënjohës për interesin që keni shfaqur për mua deri ditën e sotme, por ju ftoj të mos më thërrisni më në të ardhmen, sepse dëshira ime është të luaj me kombëtaren italiane të futbollit. Shpresoj të mirëkuptoni zgjedhjen time. Në të ardhmen, përgjigje pozitive nga ana ime do të marrë vetëm një ftesë e Federatës Italiane të Futbollit”, shkruhet në këtë letër të futbollistit shqiptar, në të cilën ai bën të qartë se e ndjen veten italian dhe për këtë arsye do të refuzojë ftesat kuqezi në të ardhmen. (LajmeShqip.com)