Lajme Shqip Tuesday, 25 June 2013 13:54

Presidenti i Empolit, Fabricio Korsi, ka bërë të qartë se Elseid Hysaj nuk do të largohet nga kjo skuadër përfundimisht. Sipas tij, nëse pranohet ndonjë transferim, ai do të bëhet vetëm në bashkëpronësi.

“Nuk kam folur me asnjë nga Lacio për të folur rreth Hysajt, por di që futbollisti shqiptar figuron në listën e dëshirave të të paktën dy klubeve të Serisë A. Me Lotiton më lidh një raport respekti, e vlerësoj si një personazh piktoresk, simpatik, me vlera të mëdha dhe me aftësi të mëdha drejtuese të një klubi futbolli. Me sa duket deri tani nuk ka pasur kohën e duhur për të folur me mua”, tha Korsi duke nënkuptuar se pret një telefonatë nga Lotito për të nisur zyrtarisht negociatat për transferimin e Hysajt.

“Cila është vlera e mbrojtësit tonë? Unë e lexoj nga gazetat por mund ta them se vlerën e vendos tregu. Mund të them vetëm se në fund të merkatos, në rast se ka kërkesa të rëndësishme, mund të pranojë transferimin e tij, por vetëm në bashkëpronësi”, përfundoi presidenti i Empolit. “A do të pranoj shkëmbim lojtarësh nga Lacio? Më kanë pëlqyer disa lojtarë të rinj të tyre më parë, por është e parakohshme të flasim, për sa kohë që nuk kam folur me Lotiton”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 03 February 2013 17:50

Elseid Hysaj dhe Erjon Dushku janë dy emrat e rinj që trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, ka përfshirë në listën e tij për miqësoren me Gjeorgjinë që luhet të mërkurën. Të dy mbrojtësit pritet të jenë mes debutuesve në këtë ndeshje, ndërsa duket se ndryshimet më të mëdha i ka pësuar reparti i sulmit.

Emri i Hysajt ishte mësuar prej dy javësh, pasi mbrojtësi shkodran kishte bindur trajnerin De Biasi me paraqitjet e tij mjaft pozitive në radhët e Empolit në Serinë B, duke u bërë një lojtar i domosdoshëm për prapavijën e kësaj skuadre. Ndërsa Dushku ka shkëlqyer në vitet e fundit me fanellën e Tiranës duke u konfirmuar si një nga mbrojtësit më të mirë në kampionatin tonë, duke e merituar këtë ftesë që në fakt pritej prej kohësh.

Emrat e tjerë të kampionatit shqiptar janë mbrojtësit Renato Arapi e Tefik Osmani si dhe mesfushorët Erjon Vucaj e Gjergj Muzaka. Ndërkohë, jashtë listës është lënë Armend Dallku, i cili duket tashmë se është “divorcuar” me kuqezinjtë që nga momenti kur ka humbur vendin në formacionin titullar dhe kur i shpreh se nuk vinte në kombëtare për të qëndruar në stol.

Për këtë ndeshje, ndryshimet më drastike janë ato të repartit të sulmit, ku nuk janë thirrur as Egdar Çani e as Hamdi Salihi, ndërsa pritet të kenë më shumë hapësirë Armando Vajushi dhe Bekim Balaj.

Trajneri do të shpjegojë të gjitha zgjedhjet e tij gjatë ditës së hënë, kur fillon zyrtarisht edhe grumbullimi i përfaqësueses shqiptare për ndeshjen që luhet të mërkurën në orën 19:00 në stadiumin “Qemal Stafa”. (LajmeShqip.com)

Lista e Shqipërisë për miqësoren me Gjeorgjinë:

Portierë: Samir Ujkani (Kievo Verona), Etrit Berisha (Kalmar).

Mbrojtës: Lorik Cana (Lacio), Erjon Dushku (Tirana), Debatik Curri (Gençlerbirligi), Andi Lila (PAS Janina), Mergim Mavraj (Grojter Fyrth), Renato Arapi (Skënderbeu), Elseid Hysaj (Empoli), Tefik Osmani (Teuta).

Mesfushorë: Alban Meha (Paderborn), Emilian Vila (PAS Janina), Gjergj Muzaka (Flamurtari), Ansi Agolli (Karabak), Odise Roshi (FSV Frankfurt), Ervin Bulku (Sepahan), Erjon Vucaj (Laçi), Elis Bakaj (Çernomorets Odesa).

Sulmues: Armando Sadiku (Lugano), Armando Vajushi (Liteks Loveç), Erjon Bodgani (Siena), Bekim Balaj (Sparta Pragë).

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 January 2013 20:01

Elseid Hysaj ka marrë ftesën nga përfaqësuesja shqiptare e futbollit për ndeshjen miqësore që do të luhet në Tiranë në muajin shkurt kundër Gjeorgjisë. Lajmin e ka konfirmuar vetë futbollisti nëpërmjet Facebook duke bërë të ditur se do të jetë mes kuqezinjve për këtë sfidë.

Hysaj është një nga zbulimet më interesante të Serisë B në Itali. Mbrojtësi që mbush 19 vjeç në fillimin e shkurti, është bërë pjesë e skuadrës së parë të Empolit që në sezonin e kaluar, por arriti të aktivizohej vetëm në një ndeshje të Kupës së Italisë ndaj Fiorentinës. Në këtë sezon, me Empolin që gjendej pranë fundit të tabelës së klasifikimit, trajneri Mauricio Sarri vendos të aktivizojë futbollistin shqiptar në mbrojtje dhe rezultatet janë mbresëlënëse pasi ai shkëlqen që në ndeshjen e parë ndaj Virtus Lançiano.

Që nga ai moment, Hysaj nuk doli më nga formacioni titullar i Empolit, skuadër e cila në 13 ndeshjet që është aktivizuar mbrojtësi shqiptar, ka fituar 9, ka barazuar 3 dhe ka humbur vetëm 1, ndërsa Hysaj në shumë prej këtyre ndeshjeve ka merituar nota shumë të larta nga shtypi sportiv italian. Kjo skuadër tashmë renditet në vendin e 5-të në renditjene Serisë B, duke u kthyer në një pretendonte për kalimin në Serinë A në sezonin e ardhshëm.

Në një situatë të tillë, trajneri De Biasi ka shkuar shpesh për ta ndjekur në stadium mbrojtësin shkodran, ndërsa prej kohësh po planifikonte që ta afronte atë me ekipin e parë, ndaj ftesa që i ka mbërritur atij ditën e djeshme është thjesht një konfirmim se ky talent i futbollit shqiptar është tashmë gati të japë kontributin e tij për kombëtaren kuqezi. (LajmeShqip.com)